Op-Ed
Kosovës i duhet rimendim politik e strategjik
Sulmet e organizuara terroriste, ishin struktura (paramilitare) paraushtarake mirë të organizuara, që shkaktoi agresion shtetëror të Serbisë në veriun e shtetit të Kosovës, shpërfaq disa dimensione kryesore të këtij lloj terrori – akti terrorist me mjete ushtarake.
Published
1 year agoon
By
Betim GashiShteti të demonstroj seriozitet strategjik konform kësaj situate kritike
Shkruan Prof. Dr. Bahri Gashi
Vlerësim i situatës nga profesori universitar i UBT-së, prof. Dr. Bahri Gashi mbi ngjarjet, sulmet terroriste në veri të Kosovës, nga ku kërkon unifikim të faktorëve të brendshëm dhe atyre ndërkombëtar në hapat përpara që duhej ndjekur.
Sulmet e organizuara terroriste, ishin struktura (paramilitare) paraushtarake mirë të organizuara, që shkaktoi agresion shtetëror të Serbisë në veriun e shtetit të Kosovës, shpërfaq disa dimensione kryesore të këtij lloj terrori – akti terrorist me mjete ushtarake.
Dimensioni i agresionit ushtarak:
Ky agresion ushtarak, sulm i planifikuar brenda territorit në thellësi të Kosovës, është një atak paraushtarak terrorist, pastër i planifikuar, i organizuar dhe i orkestruar, duke hapur zjarr nga forca të uniformuara me paisje dhe armatime të shumta të kalibrave të ndryshme me qëllim destabilizimin e shtetit të Kosovës.
Duke demonstruar agresion ushtarak, abuzuar me territorin kishtar si bazë e terrorizmit për shkaktuar viktima civile (brenda llojit) nga kumunitetit serb, brenda Manastirit ortodoks serb dhe sikundër përgjigje për ta ndryshuar trajektoren e tragjedisë.
Dimensioni operacioanl: Njësitë Speciale të Kosovës vepruan me mjaft profesionalizëm dhe përgjegjësi në reagimin e tyre efektiv dhe efikas në eliminimin, neutralizimin, por jo edhe asgjësimin apo arrestimin e plotë të grupit terrorist.
Me mjaft profesionalizëm arritën menaxhimin e civilëve pelegrinëve të meshës kishtare për të mos mbetur pengje të terroristëve serb për t’u vrarë nga vet terroristët e pastaj për t’i fajësuar autoritetet tona.
Dimensioni politik: Është koha e fundit për të krijuar unitetin e brendshëm kombëtar, karshi këtij agresioni serioz ushtarak të Serbisë kundër Kosovës.
Dimensioni ndërkombëtar: Komuniteti ndërkombëtar t’i shndërroj reagimet e fuqishme ndaj kësaj situate me përmasa të destabilizinit dhe konfliktit të armatosur në veprime konkrete në ndëshkim serioz ndaj Serbisë për cenimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës.
Kosova të ecë e unifikuar nga brenda dhe jashtë për të forcuar organet e sigurisë dhe mbrojtjes për të siguruar dhe garantuar sovranitetin e shtetit, pasi Serbia shkeli edhe në marrëveshtjen tekniko-ushtarake të Kumanovës, për moslejim të futjes së asnjë formacioni ushtarak apo paraushtarak të Serbisë në perimetrin prej pesë kilometra në afërsi të kufirit me Kosovën.
Shteti të demonstroj seriozitet strategjik konform kësaj situate kritike
Kriza nuk ka përfunduar; Kosovës i duhet rimendimi politik e strategjik për të bërë rivlerësimin e plotë të gjithë situatës me aleatët, për të ecë njëtrajtshëm në dialog e pa epilog apo për të ndryshuar krejtësisht objektivat strategjike për një përballje me sfidat e reja.
Kosova është në një situatë krejtësisht të re.
Shënim:
(Autori është doktor shkence, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)
Op-Ed
Kosova dhe mirazhi i shtetit të mirëqenies
Published
4 hours agoon
November 14, 2024By
UBT NEWSShtet i Mirëqenies Sociale quhet shteti që kujdeset të sigurojë një jetesë të përshtatshme për shtetasit, me synimin e arritjes së mirëqenies së përgjithshme të tyre. Nocioni i “Shtetit të Mirëqenies Sociale” përdoret edhe për të përshkruar politikat qeveritare dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet përmes të cilave realizohet synimi i mirëqenies. Një përkufizim tjetër ka për bazë konceptimin e dijetarit të shquar britanik Uilliam Beverixh. Sipas tij, shteti i mirëqenies është ai që vendos të luftojë disa nga të këqijat e njerëzimit për arritjen e një mirëqenieje të përgjithshme, ku secili të ketë para të mjaftueshme, shëndet të mirë, kushte të mira strehimi, arsimim të mirë dhe punësim të rregullt.
Duke pasur për bazë konceptimin e sotëm, si dhe përkufizimet e përmendura, mund të arrihet në përfundimin për dy tipare thelbësore të Shtetit të Mirëqenies Sociale. I pari kushtëzon ndërhyrjen në një shkallë ose masë të gjerë të shtetit në sferën e jetës ekonomike dhe sociale, dhe kështu mirëqenia sociale bëhet pjesë integrale e funksionit të shtetit. I dyti parashtron kategorinë e të drejtave të individit në sferën ekonomike e sociale, me fjalë të tjera, e drejta sociale si një e drejtë natyrore e padiskutueshme e njeriut.
Sipas T. H. Marshall, të drejtat e njeriut janë të lidhura drejtpërdrejt me funksionin social të shtetit. Për të, shteti i mirëqenies sociale, në rrethanat e shtresëzimit social, sjell një ndihmesë të madhe në zvogëlimin e dallimeve klasore dhe ndikon në eliminimin e shkaqeve thelbësore të luftës së klasave, kooperon klasën punëtore me shtetin ekzistues, transformon “konfliktin klasor” në “konkurrencë të statusit”. Me garantimin e të drejtave sociale plotësohet i gjithë kuadri i të drejtave dhe i lirive të individit. Çfarëdo shkelje e të drejtave sociale shkakton pabarazi në shoqëri dhe, rrjedhimisht, shkelje të të drejtave civile, pasi që pabarazia cenon rrënjësisht dinjitetin njerëzor, i cili është gurthemeli i të drejtave të njeriut.
Shteti i mirëqenies në Skandinavi dhe Finlandë
Modeli i shtetit të mirëqenies në vendet skandinave si Suedia, Danimarka, Norvegjia, por edhe në Finlandë, përfaqëson një nga qasjet më gjithëpërfshirëse ndaj mirëqenies sociale, duke prioritetizuar universalizmin, barazinë dhe një rol të fortë të shtetit në sigurimin e mbrojtjes sociale për të gjithë qytetarët. Qëllimi kryesor i këtij modeli është promovimi i barazisë së mundësive, reduktimi i pabarazisë dhe sigurimi i një standardi të lartë jetese për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga të ardhurat ose statusi i tyre social. Një nga veçoritë kryesore të këtij modeli është përkushtimi ndaj universalizmit. Përfitimet e mirëqenies, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin, pensionet, mbështetjen për papunësinë dhe shërbimet e tjera sociale, janë të disponueshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga të ardhurat apo statusi i punësimit. Përfitimet universale promovojnë solidaritetin midis popullatës, pasi të gjithë kontribuojnë dhe përfitojnë nga sistemi, gjë që redukton stigmën e lidhur me marrjen e ndihmës sociale dhe rrit mbështetjen publike për sistemin. Sistemet e kujdesit shëndetësor universal sigurojnë qasje në shërbime mjekësore për të gjithë qytetarët, duke e trajtuar kujdesin shëndetësor si një të drejtë bazë dhe jo si një mall. Arsimi publik, nga shkolla fillore deri në arsimin e lartë, është plotësisht i financuar nga shteti, duke siguruar qasje të barabartë në mundësitë arsimore. Shumë vende skandinave ofrojnë arsimin universitar falas, duke e bërë më të lehtë për individët nga të gjitha sfondet shoqërore të ndjekin arsimin e lartë dhe të përmirësojnë lëvizshmërinë e tyre socio-ekonomike. Këto shtete të mirëqenies ofrojnë pensione publike bujare që sigurojnë një standard të rehatshëm jetese gjatë daljes në pension, duke siguruar të ardhura të besueshme për të gjithë qytetarët në pleqëri, pavarësisht nga statusi i tyre i mëparshëm i punësimit apo fitimet e tyre. Në këto shtete, qeveria luan një rol proaktiv në formësimin e mirëqenies së qytetarëve të saj duke qenë përgjegjëse për ofrimin e një game të gjerë shërbimesh publike, nga kujdesi shëndetësor dhe arsimi deri te kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit. E gjithë kjo është siguruar në mënyrë graduale dhe me aplikimin e taksave progresive krahas zhvillimit të përgjithshëm ekonomik. Kjo ka siguruar një buxhet të fuqishëm të shtetit, por edhe një rishpërndarje të madhe të mjeteve të inkasuara nga shteti.
Model të përafërt, me disa dallime, kanë edhe shtetet tjera të Evropës perëndimore dhe pjesërisht asaj qendrore, megjithatë jo të avancuar në përmasat e shteteve skandinave dhe Finlandës.
Përpjekjet e Kosovës për ndërtimin e shtetit të mirëqenies
Një nga mangësitë kryesore të kornizës ligjore për të siguruar barazi sociale në Kosovë është edhe mospërfshirja e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Sociale, Ekonomike dhe Kulturore në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Është bërë përpjekje që kjo mangësi të kompensohet nëpërmjet të drejtave sociale të garantuara nga kapitulli i II-të i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur as standardet minimale të shtetit të mirëqenies duke lënë mangësi në të gjitha komponentët e mirëqenies: sigurimi shëndetësor dhe sigurimi ndaj sëmundjeve; sigurimi i nënave me fëmijë (kompensimi për fëmijë); sigurimi i papunësisë; kompensimet familjare (shtesa familjare); sigurimet për dëmtimet në punë; sigurimi i invaliditetit; sigurimi i paaftësisë për punë. Të gjitha këto komponentë janë trajtuar kalimthi dhe sipërfaqësisht, duke mos arritur të adresojnë as edhe standardet minimale për një jetë të dinjitetshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, vendi ynë është duke u ballafaquar me një migrim të fuqishëm drejt vendeve të Evropës perëndimore dhe asaj veriore. Nga shumë studime dhe anketime, të zhvilluara që nga viti 2014 e deri më sot, theksohet se pjesa dërmuese e të migruarve nga Kosova motiv kryesor kishin pasigurinë sociale që mbretëron në Kosovë. Madje një pjesë e madhe e tyre kishin edhe marrëdhënie të rregullta të punës në Kosovë.
E ardhmja e shtetit të mirëqenies në vendin tonë
Si një nga masat e propozuara nga institucionet shtetërore të Kosovës për të përmbushur kërkesat sociale të qytetarëve ishte edhe aplikimi i taksës progresive sipas modelit skandinav. Kjo do të siguronte arkëtim më të madh të mjeteve financiare në buxhetin e Kosovës, por edhe, me gjasa të mëdha, në këtë stad të zhvillimit ekonomik të Kosovës, do të shkaktonte edhe mbylljen e një numri të madh të bizneseve të Kosovës. Sipas të gjitha analizave të bëra nga njohës të ekonomisë, zgjidhja duhet kërkuar në luftimin e evazionit fiskal dhe informalitetit në Kosovë, me fokus të veçantë në fiskalizimin e çfarëdo veprimtarie ekonomike dhe fitimprurëse. Kjo do të dyfishonte buxhetin e Kosovës duke rritur kapacitetin rishpërndarës të mjeteve për kategoritë e ndryshme shoqërore. Ndërsa aplikimi i taksave progresive të mbetet si zgjidhje permanente pas fuqizimit ekonomik të vendit në një të ardhme afatmesme.
Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
(Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative)
Aktualitet
Prishtina në mes të ‘përparimit vetë-shkatërrues’ dhe evoluimit që duhet!
Published
1 day agoon
November 13, 2024By
UBT NEWSNë një qytet që është në zemër të ndryshimeve dhe përplasjeve urbane, Prishtina po përpiqet të gjejë rrugën e duhur drejt harmonisë urbane. Por, çfarë është në të vërtetë kjo harmoni? Dhe a mund të arrihet ndonjëherë një balancë mes zhvillimit dhe ruajtjes së traditës.
Në çdo qytet, ndodhet një shpirt që mbush dhe u jep jetë hapësirave të tij. Ky shpirt, i njohur si Genius Loci “the spirit of the place”, është ai që krijon lidhjen e thellë mes njeriut dhe vendit ku jeton. Në një qytet si Prishtina, ku zhvillimi i shpejtë është shpesh në kundërshtim me ruajtjen e trashëgimisë, lind një pyetje e natyrshme: Si mund të mbajmë gjallë këtë shpirt qyteti, ndërkohë që përballemi me kërkesat e reja të urbanizimit dhe modernizimit?
Për të kuptuar më mirë se si mund të harmonizojmë këtë dualitet mes traditës dhe modernitetit, kemi intervistuar Shqiprim Ahmetin, Drejtorin e Institutit për Studime Urbane në UBT, një urbanist që ka reflektuar thellësisht mbi këto dilema. Ky diskutim është një përpjekje për të gjetur rrugët që mund të udhëheqin Prishtinën drejt një zhvillimi që respekton historinë e saj, por që gjithashtu i përgjigjet nevojave të një shoqërie që po rritet dhe po zhvillohet. Disa mund të thonë se kaosi është i pashmangshëm në qytetet moderne, por ndoshta është një kaos që mund të drejtohet dhe që mund të na mësojë diçka të vlefshme për ardhmërinë tonë!
A po përballet Prishtina me një rritje të popullsisë dhe urbanizim të shpejtë, kur infrastruktura shpesh nuk është në përputhje me këtë rritje. A është rregullimi i kaosit urbanistik thjesht një çështje infrastrukturale, apo është një sfidë filozofike dhe sociale që kërkon një ndryshim të thellë në mënyrën se si e konceptojmë qytetin dhe jetesën urbane, Ahmeti nënvizon se zhvillimi infrastrukturor nuk mund të shikohet vetëm si një çështje teknike apo ekonomike, por si një reflektim i thellë i gjendjes socio-ekonomike të shoqërisë. “Niveli i zhvillimit infrastrukturorë është një pasqyrë e nivelit të përgjithshëm të zhvillimit të shoqërisë”, shprehet ai, duke theksuar se problemi nuk është vetëm i natyrës infrastrukturore, por është një sfidë që kërkon një ndryshim të filozofisë dhe konceptit të jetës urbane. Sipas tij, nëse një qytet përballet me probleme infrastrukturore, ato janë pasojë e një pengese më të madhe që lidhet me rritjen e popullsisë dhe urbanizimin e shpejtë, ndërsa kapacitetet e institucioneve për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave janë të kufizuara.
Por çfarë është, në të vërtetë, sfida e këtij zhvillimi urban? “Problemi është shumë më i thellë se sa të pasurimi i infrastrukturës me mbështetje teknike,” shprehet Ahmeti. Ai argumenton se mënyra e tanishme e menaxhimit të kërkesave , ku ne përpiqemi të mbulojmë boshllëqet ekzistuese, pa një plan afatgjatë është e pamjaftueshme dhe krijon një kaos të vazhdueshëm. Pra, duhet të ndryshojmë mënyrën se si e shohim zhvillimin urban. A mund të menaxhohet ky zhvillim pa e ndryshuar mënyrën se si konceptojmë qytetin?
Për ta sqaruar, Ahmeti thekson se aktualisht, të gjitha institucionet janë duke u përpjekur që t’i përgjigjen kërkesës ekzistuese dhe të mbishtresuar për infrastrukturë dhe shërbime të tjera, ndërsa mungojnë kapacitetet për t’iu përgjigjur gjithë asaj kërkese në një afat optimalisht të shkurtër. Në anën tjetër, përderisa institucionet me gjithë kapacitetet e mangëta mundohen t’u përgjigjen kërkesave vetëm pjesërisht, vazhdimisht kemi shtim dhe paraqitje të kërkesave të reja. Rrjedhimisht, kërkesës së mbishtresuar për disa vite e madje dekada, i shtohet edhe kërkesa e re emergjente që shfaqet përderisa institucionet përpiqen t’u japin përgjigje apo t’i adresojnë kërkesat e vjetra.
“Për shembull, përderisa një qytet ka 100,000 banorë, ndërsa për 10 vitet e ardhshme ka kapacitete infrastrukturore dhe investive vetëm për gjysmën e atij numri të banorëve dhe paralelisht me këtë, numri i banorëve vazhdon të rritet në mënyrë të pakontrolluar, ai qytet/ajo komunë do të mbetet në kaos, edhe sikur t’i realizojë të gjitha investimet e planifikuara në infrastrukturë. Kjo sepse, në fund të planit 10-vjeçar të investimeve, komuna do të duhej të përmbushte nevojat dhe kërkesat e të paktën gjysmës së numrit të banorëve fillestarë (100,000), por, me rritjen e pakontrolluar të popullsisë, komuna përfundon duke mos mundur të ofrojë asnjë mundësi të nevojshme infrastrukturore dhe shërbimesh për më shumë se të themi 30-40% të banorëve. Në këtë mënyrë, problemi dhe sfida do të komplikohet edhe më shumë, dhe assesi do të zgjidhet”, reflekton Ahmeti.
Në këtë pikë, Ahmeti argumenton për një filozofi të re të zhvillimit të qytetit. Ai flet për “diktimin dhe dirigjimin e kërkesës” përmes planifikimit afatgjatë dhe strategjik, duke marrë si shembull Planin për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Kopenhagës, i njohur si Five Finger Plan. Ky plan është një model i zhvillimit të infrastrukturës që orienton qytetin sipas nevojave të projektura dhe jo të reaktuara sipas nevojave spontane të popullsisë.
Në një botë të mbushur me kaos urbanistik dhe kërkesa të paemërta, duhet të përqafojmë një model ku infrastruktura zhvillohet dhe rritet në përputhje me vizionin dhe planifikimin e qytetit. Kjo mund të duket si një idealistike, por për Ahmetin, kjo është e mundur. “Kjo është ajo që duam të arrijmë,” përfundon ai, “një qytet që zhvillohet sipas një plani të qartë, që kontrollon kërkesën dhe zhvillimin, dhe që siguron një cilësi jetese të qëndrueshme për të gjithë qytetarët.”
Në epokën e globalizimit dhe përparimeve të shpejta teknologjike, pyetja e ndërtimit të qyteteve të reja është një kërkim i thellë për kuptim dhe qëllim. A është e mundur të ndërtosh një qytet të ri pa humbur kujtesën e tij kolektive dhe trashëgiminë?
Profesori Ahmeti ofron një përgjigje filozofike dhe thelbësore, duke theksuar se qyteti është shumë më tepër se thjesht një mbledhje ndërtesash dhe rrugë. “Një qytet është një trup që mbart kujtesën kolektive të atyre që e banojnë, është një pasqyrë e kohës dhe e historisë së vet. Arkitektura, si një formë artistike dhe funksionale, është shprehja e botëkuptimit të një shoqërie, dhe çdo ndërtim i ri duhet të ruajë këtë pasuri të pashembullt”, shprehet ai.
Megjithatë, ndërsa zhvillimi urban shpesh shtyn përpara për të përmbushur nevojat e një shoqërie që është gjithnjë në ndryshim, profesori e bën të qartë se humbja e “Genius Loci” – shpirtit të qytetit, është një rrezik i madh. “Nëse nuk e ruajmë atë që na bën të veçantë, rrezikojmë të krijojmë një qytet të paidentifikueshëm, një makinë e ftohtë që funksionon në mënyrë mekanike, por që ka humbur lidhjen me historinë e tij dhe shpirtin e banorëve të tij”, shton ai.
Më pas, ai reflekton se zhvillimi i qyteteve të reja nuk do të thotë të sakrifikohet e kaluara, por të krijohet një simbiozë e qëndrueshme mes të tashmes dhe të kaluarës. “Qytetet nuk janë thjesht hapësira ku jetojmë, por janë mjedise që na formojnë si individë dhe si shoqëri. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të ndërtosh hapësira që ruajnë trashëgiminë kulturore dhe historike, ndërsa e integrojnë modernitetin në një mënyrë që respekton këtë trashëgimi.”
Prof. Ahmeti argumenton se, megjithëse mund të ndërtohen qytete të reja, është thelbësore që ato të jenë një vazhdimësi e identitetit të shoqërisë dhe jo një ndarje prej tij. “Ideja nuk është të stagnojmë në zhvillim,” thekson ai. “Nuk bëhet fjalë që të mos i zgjerojmë qytetet, të mos i ndjekim trendet dhe frymën e re në arkitekturë, apo të mos shfrytëzojmë përparimin teknologjik për t’i lehtësuar jetën njerëzve. Por, ajo që është thelbësore është të mos humbasim shpirtin tonë (Genius Loci) dhe të mos i nënshtrohemi dinamikës kaotike të ‘përparimit të shpejtë’, i cili shpesh bëhet në dëm të ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë.”
Kjo është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj tendencës së urbanizimit të shpejtë, ku shpesh fokusi është vetëm tek infrastruktura dhe funksionaliteti. Prof. Ahmeti paralajmëron se nëse nuk e mbajmë parasysh rëndësinë e identitetit dhe trashëgimisë, qytetet mund të shndërrohen në prototipe industriale, pa shpirt, pa kuptim dhe të kufizuara vetëm në funksionin e tyre teknik. “Balancimi mes zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit socio-kulturor dhe urban (Genius Loci) është gjithmonë i mundur”, thotë profesori duke ritheksuar se “qyteti është më shumë se thjesht një grumbull ndërtesash dhe rrugë – është një trup që mbart kujtesën e kolektivitetit. Sa herë që e rindërtojmë, duhet të kujtojmë se nuk po krijojmë vetëm hapësira fizike, por edhe lidhje mes atyre që jetojnë aty dhe atyre që kanë jetuar.”
Në përmbledhje, Prof. Ahmeti ofron një vizion të thellë dhe filozofik për zhvillimin e qytetit, duke nënvizuar se ky proces nuk mund të shkojë përpara nëse nuk e ruan unitetin dhe shpirtin e tij. “Qyteti, si një organizëm i gjallë, duhet trajtuar si një sistem tërësor, ku çdo pjesë është e lidhur me tjetrën, pa lejuar që ndarjet fizike, konceptuale dhe funksionale të shkatërrojnë harmoniën e tij. Evolucioni i qytetit duhet të jetë një rritje që i shërben përforcimit të identitetit dhe qenies së tij, dhe jo një shkatërrim i asaj që ka qenë. Nëse ndodh kjo, përparimi është në rrezik të bëhet vetë-shkatërrues, një proces që nuk mund të pranojmë as si individë, as si shoqëri”, përfundon Ahmeti dhe na kujton se qyteti nuk është vetëm një strukturë betoni apo rrugë të ndërlikuara, por një qenie në vete, e ndërtuar nga historia, kujtesa dhe njerëzit që e banojnë!
Prof. Shqiprim Ahmeti, Drejtor i Institutit për Studime Urbane në UBT
Gazetare: Dionesa Ebibi
Aktualitet
Edukimi mediatik në Kosovë, nevojë urgjente për përballje me “fake news”
Published
3 days agoon
November 11, 2024By
UBT NEWSNë epokën digjitale, kur informacioni rrjedh në çdo moment përmes platformave sociale dhe mediatike, edukimi mediatik është shndërruar në një nevojë urgjente për të mbrojtur dhe fuqizuar të rinjtë në Kosovë. Një ndër praktikat më të mira që merret shembull i një kurrikule të suksesshme të edukimit mediatik është Finlanda, që nga vitet e 50-ta, ka ndërtuar një kurrikulum edukativ të tillë që ka bërë edukimin mediatik një shtyllë të qëndrueshme të arsimit të saj.
Në dekadën e fundit, ky vizion ka evoluar në një formë tjetër, duke përqendruar vëmendjen tek “alfabetizimi i inteligjencës artificiale”, një aftësi jetike për qytetarët e sotëm, që përballen me mundësinë dhe rrezikun që sjellin teknologjitë e reja, si dhe për të përdorur ato në mënyrë kritike dhe produktive. Finlanda ka arritur të jetë në krye të shteteve në edukimin mediatik, duke qenë në vendin e parë në Indeksin e Edukimit Mediatik që nga viti 2017.
Ekspertët e edukimit dhe medias e theksojnë se përfshirja e edukimit mediatik në sistemin arsimor të Kosovës është e domosdoshme për të përgatitur brezat e rinj për të jetuar dhe vepruar në një shoqëri ku informatat janë një burim i paanë dhe shpesh i pavërtetë. Kjo është një mundësi për të forcuar aftësitë kritike të të rinjve, për t’i ndihmuar ata të mbrohen nga ndikimet e jashtme dhe të bëhen qytetarë të përgjegjshëm dhe të arsimuar në epokën e informacionit të paanshëm.
Blerta Aliu – Ahmeti, drejtore ekzekutive e “Education Empowerment Initiative” (EEI), argumenton se edukimi mediatik është i domosdoshëm për të zhvilluar njohuri të rëndësishme rreth sigurisë online, mbrojtjes së privatësisë dhe analizimit të informacionit. Ajo vë në dukje që përmes projekteve të tilla si “MediaWise”, është dëshmuar urgjenca për t’i aftësuar të rinjtë të përdorin në mënyrë të shëndetshme dhe të qëlluar mediat digjitale, duke vendosur një balancë midis aktiviteteve online dhe offline.
“Ne, si EEI, kemi zbatuar së fundmi projektin MediaWise me nxënës nga tri vende të rajonit dhe kemi parë nga afër se sa urgjente është nevoja për edukimin e këtyre nxënësve në përdorimin e shëndetshëm të mediave digjitale, si dhe për të gjetur një balancë të qëndrueshme midis aktiviteteve online dhe atyre offline”, është shprehur Aliu – Ahmeti.
Sipas saj, nxënësit duhet të jenë të përgatitur për të mbrojtur veten nga bullizmi kibernetik dhe rreziqet që sjellin lajmet e rreme.
“Është thelbësore që në shkolla të mësojnë si të përdorin këto media në mënyrë të shëndetshme dhe për qëllime pozitive. Përmes edukimit mediatik, nxënësit mund të zhvillojnë njohuri për sigurinë online, mbrojtjen e privatësisë, analizimin e dezinformatave, mbrojtjen nga bullizmi kibernetik dhe shmangien e rreziqeve të lajmeve të rreme”.
Një element tjetër kritik i edukimit mediatik është zhvillimi i aftësive për të analizuar dhe verifikuar përmbajtjen e lajmeve. Sipas EEI, aftësitë për të dalluar informacionin e saktë nga dezinformimi dhe për të marrë vendime të informuara janë thelbësore në shoqërinë e sotme. Nxënësit duhet të mësojnë që të mos i pranojnë lajmet menjëherë si të vërteta, por të bëjnë krahasime me burime të tjera të besueshme.
Edukimi mediatik është përfshirë në kurrikulën arsimore të Kosovës që nga viti 2016, por përvoja ka treguar se zbatimi efektiv i tij ka mbetur sfidues. Sipas Aliu – Ahmetit, mungesa e trajnimeve të mësuesve për të mësuar këtë lëndë është një pengesë kryesore. Trajnimi i mësuesve dhe krijimi i materialeve didaktike të përshtatshme janë hapa të domosdoshëm për të përballuar këtë sfidë dhe për të bërë që edukimi mediatik të ketë një ndikim real në shkolla.
“Për të integruar edukimin mediatik në mënyrë efektive, është e domosdoshme të investohet në trajnimin e mësuesve dhe krijimin e materialeve didaktike të përshtatshme. Kjo do të ndihmonte në tejkalimin e sfidave ekzistuese dhe në përgatitjen e të rinjve për të përdorur mediat në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme”, thotë Aliu – Ahmeti.
Ferid Selimi, dekan i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, pohon se përballja me teknologjinë e re dhe rrjetet sociale kërkon një edukim të shtuar për të rinjtë. Ai thekson rëndësinë e edukimit mediatik për të zhvilluar një rini të përgatitur dhe të ndërgjegjshme për rreziqet e dezinformimit dhe keqinformimit. Në mendimin e tij, edukimi mediatik është më shumë sesa mësim për të shkruar një artikull; është përgatitje për t’u mbrojtur nga lajmet e pavërteta dhe për të dalluar mes fakteve dhe subjektivizmit.
“Duke pasur parasysh, publikimet e ndryshme, postimet e shpeshta, që bëhen pa ndërhyrje redaktoriale e me teka personale, është e nevojshme që të rinjtë, e sidomos nxënësit e shkollave fillore e të mesme të dinë të ndajnë të vërtetën prej jo të vërtetës, të qëllimshmen nga jo e qëllimshmja, fabrikimin nga realiteti i krijuar, si dhe subjektivitetin nga objektiviteti. Sepse, vetëm në këtë mënyrë, ne mund të llogarisim në një rini të shëndoshë dhe të përgatitur mediatikisht”, është shprehur Selimi.
Selimi gjithashtu thekson rëndësinë e përgatitjes së profesionistëve të mediave që janë të aftë të edukojnë të tjerët për median. Sipas tij, edukimi mediatik mund të integrohet në mënyrë të suksesshme në shkolla përmes universiteteve që ofrojnë programe në media, ku studentët aftësohen për të ndarë informacionin e besueshëm nga ai i pabesueshëm dhe për të mësuar të tjerët për rëndësinë e vërtetësisë në gazetari.
Gazetarja Aferdita Maliqi përmend se edukimi mediatik i ofruar në shkolla i ndihmon të rinjtë të dallojnë burimet e besueshme nga burimet e pabazuara në fakte. Kjo është një mënyrë për të përgatitur qytetarë të informuar dhe të vetëdijshëm në një shoqëri ku informacioni shpesh përhapet pa redaktim profesional dhe me qëllime të ndryshme, duke përfshirë ndikimin politik. Integrimi i edukimit mediatik në kurrikulën shkollore, sipas Maliqit, mund të ndihmojë në krijimin e një kulture të përgjegjshme informimi dhe të një brezi të ri të ndërgjegjshëm.
“Në këtë rast janë disa hapa që duhet bërë institucionet paraprakisht: Përcaktimi i objektivave të qarta të edukimit mediatik, trajnimi i mësuesve dhe përfshirja e tyre në lëndë të ndryshme, sepse edukimi mediatik mund të integrohet jo vetëm si lëndë e veçantë, por edhe si pjesë e lëndëve ekzistuese. Por, në realizim duhet të kemi parasysh sfidat: si p.sh. mungesa e burimeve dhe infrastrukturës, sepse ka disa shkolla që kanë mungesë të teknologjisë bazë. Edukimi mediatik përballet me sfidën e mësimit të nxënësve për t’u përballur me dezinformimin, propagandën, dhe përmbajtjet e dëmshme, andaj kjo kërkon një qasje të kujdesshme për të mos ekspozuar nxënësit në mënyrë të panevojshme ndaj këtyre rreziqeve”, thekson Maliqi.
Nga ana tjetër, Naile Dema, anëtare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, nënvizon se edukimi mediatik është thelbësor për të fuqizuar të rinjtë përballë lajmeve të rreme. Ajo vë në theks se të rinjtë dhe të moshuarit janë grupet më të prekura nga dezinformimi dhe thekson rëndësinë e futjes së lëndës së edukimit mediatik si obligative në shkolla.
“Kategori më të prekura nga lajmet e rreme, sipas disa hulumtimeve, janë të rinjtë dhe të moshuarit. Kjo nuk përjashton asnjë moshë tjetër, por këto dy grupe janë më të cenueshme ndaj keqinformimit. Prandaj, ne si AGK, si dhe përmes Forumit për Integritetin e Informacionit në bashkëpunim me NDI, kemi dy vite që lobojmë aktivisht për ta futur edukimin mediatik si lëndë obligative, sepse fuqizon jashtëzakonisht të rinjtë”, potencon Dema.
Dema thekson se edukimi mediatik është i një rëndësie të veçantë për të rinjtë, duke i ndihmuar ata të dallojnë lajmet e besueshme. Sipas saj, në Kosovë niveli i edukimit mediatik është shumë i ulët dhe shoqëria është e ndikuar politikisht.
“Edukimi mediatik luan rol krucial te të rinjtë për të verifikuar lajmet e besueshme. Në Kosovë, niveli i edukimit mediatik është shumë i ulët dhe shoqëria është mjaft e ndikuar politikisht. Në kohë fushate shtrohet pyetja nëse edukimi mediatik është i domosdoshëm. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë ta kenë këtë njohuri që nga baza. Sa herë i pyesim të rinjtë se cilat janë burimet e para të informacionit, ato rezultojnë të jenë rrjetet sociale”, ka shtuar Dema.
Ekspertët janë të një mendimi se edukimi mediatik nuk është vetëm një nevojë arsimore, por një domosdoshmëri për të siguruar që të rinjtë në Kosovë të jenë të përgatitur për të përballuar sfidat e epokës digjitale.
Kjo kërkon përkushtim në trajnimin e mësuesve, përfshirjen e edukimit mediatik në të gjitha nivelet arsimore dhe ngritjen e ndërgjegjësimit për rolin e medieve në shoqëri. Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të shpresojë për një të ardhme ku të rinjtë janë të aftë të verifikojnë, analizojnë dhe ndajnë informacione me përgjegjësi dhe ndërgjegjësim. Dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një shoqëri ku çdo individ është një qytetar aktiv, kritik dhe i vetëdijshëm!
Artikull i shkruar nga Driton Hyseni
Op-Ed
Shoqëria civile dhe institucionet shtetërore
Published
6 days agoon
November 8, 2024By
UBT NEWSShoqëria civile dhe institucionet shtetërore shpeshherë janë cilësuar nga një dinamikë rivaliteti dhe bashkëpunimi, duke reflektuar tensione dhe marrëdhënie komplementare. Historikisht, sidomos nga perspektiva e shtetit, këto shkëmbime nuk kanë qenë gjithmonë harmonike apo paqësore, pasi që shteti shpesh nuk e ka vlerësuar pozitivisht rolin dhe funksionin e shoqërisë civile.
Ky problem është ende aktual në qeverisjen moderne, pasi që institucionet e shtetit vazhdojnë të mbajnë qëndrime tipike të institucioneve kohezive. Edhe pse institucionet e shtetit mbizotërojnë në organizimin politik të shoqërisë, ato nuk janë të vetmet struktura që kontrollojnë ndërveprimet shoqërore. Shoqëria civile ka lindur si një forcë komplementare, duke organizuar njerëzit në grupe e kategori shoqërore të lira dhe të pavarura, jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë të shtetit. Andaj, në teorinë dhe praktikën politike, koncepti i shtetit “omnipotent” brenda një shoqërie të dhënë nuk është as realist dhe as i dëshiruar.
Çfarë reflekton shoqëria civile në shoqëritë me kulturë demokratike?
Shoqëria civile përfaqëson një forum për veprim të përbashkët ku qytetarët mund t’i bashkërendojnë veprimet e tyre në mbrojtje të të drejtave të tyre, t’i shprehin shqetësimet dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet shtetërore. Shoqëria civile vepron si ndërmjetës mes institucioneve shtetërore dhe qytetarëve, duke i kontribuuar baraspeshës së këtij ndërveprimi reciprok (pushteti kundruall qytetarëve). Megjithatë, shteti mëton ndërveprimin e drejtpërdrejtë me qytetarin, duke dashur të margjinalizoj rolin ndërmjetës të shoqërisë civile? Kjo mendësi pengon zhvillimin e shoqërisë civile brenda një konteksti të dhënë duke e apostrofuar atë si një strukturë paralele dhe rivale të institucioneve shtetërore. Në një shoqëri demokratike, ku institucionet shtetërore janë përgjegjëse ndaj qytetarëve të saj, krijimi dhe zbatimi i politikave publike dhe ofrimi i shërbimeve nuk mund të mbështetet vetëm te përfaqësuesit politikë. Kurdo që trajtohen çështje të ndërlikuara socio-ekonomike që kërkojnë zgjidhje krijuese dhe të qëndrueshme, institucionet shtetërore janë të vetëdijshme për rëndësinë e partnerëve të kualifikuar e që janë përtej kompetencave të tyre mbikëqyrëse. Me njohuritë e saj të thella, lidhjet e ngushta me qytetarët dhe aftësinë për të agreguar burime, shoqëria civile është tejet e përshtatshme për të marrë një rol thelbësor në hartimin dhe zbatimin e politikave publike, si dhe në adresimin e nevojave dhe prioriteteve të qytetarëve.
Në vendet evropiane shoqëria civile dhe shteti janë në partneritet të ngushtë!
Shumë vende evropiane kanë vendosur politika zyrtare për të rregulluar ndërveprimin midis institucioneve dhe shoqërisë civile. Këto politika zakonisht përfshijnë bashkëpunime të organizuara, duke njohur dhe garantuar të drejtën e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes dhe politikëbërjes. Organizatat e shoqërisë civile mund të marrin pjesë në forume publike, të kenë pozicione këshilldhënëse apo të ngarkohen me monitorimin dhe vlerësimin e projekteve të institucioneve shtetërore. Rrjedhimisht, një qasje e tillë, ka ndikuar ndjeshëm në formësimin e reformave demokratike, promovimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Kjo është karakteristike për vendet e BE-së por edhe vendet tjera që synojnë integrimin në BE, ku shoqëria civile ka udhëhequr nismat për katalizimin e pranimit të standardeve të BE-së të ndërlidhura me demokratizimin, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Shoqëria civile dhe institucionet shtetërore në Kosovë drejt rrugës së konvergjencës?
Në Kosovë shoqëria civile ka evoluar duke marrë role gjithnjë e më të rëndësishme. Fillimisht, pas luftës së fundit në Kosovë, shoqëria civile ishte e përqendruar në zbatimin e projekteve të përcaktuara nga donatorët e jashtëm duke krijuar kështu një varësi të drejtpërdrejtë financiare. Me kalimin e kohës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit të buxhetit të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile filluan një ndërveprim intensiv me institucionet shtetërore në zbatimin e projekteve të shumta për të adresuar nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë të zhvillimit të saj, është vërejtur tendenca e instrumentalizimit të shoqërisë civile nga ana e institucioneve shtetërore. Megjithatë, në përmasa të mjaftueshme, organizatat e shoqërisë civile kanë arritur të ruajnë pavarësinë e tyre duke ndërvepruar me institucionet shtetërore në nivelin e partneritetit. Kështu u krijuan raporte simbiotike, krahasur me ato osmotike e që ishin karakteristikë e fazës së parë dhe të dytë të zhvillimit evolutiv të shoqërisë civile në Kosovë.
Për t’iu përgjigjur sfidave të saj zhvillimore, në Kosovë është hartuar edhe Strategjia Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile. Kjo strategji është përpiluar pas një debati të plotë dhe gjithëpërfshirës midis përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile, duke synuar përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe rritjes së ndikimit të shoqërisë civile në vendimmarrje.
Rrugëtimi i shoqërisë civile kosovare në dekadat e ardhshme
Në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe konsolidimit të mëtejshëm demokratik, partneriteti midis shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore në Kosovë do të jetë thelbësor për adresimin e sfidave të vendit. Përfshirja e shoqërisë civile në hartimin e politikave, ofrimin e shërbimeve publike dhe qeverisje do të sigurojë që zëri i të gjithë qytetarëve të dëgjohet, duke kontribuar kështu në një qeveri më gjithëpërfshirëse, transparente dhe të përgjegjshme. Suksesi i ardhshëm i demokracisë kosovare do të varet, në masë të madhe, nga zotësia e shoqërisë civile për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me institucionet shtetërore në adresimin e nevojave të qytetarëve, duke mbetur e imunizuar ndaj çfarëdo prirjeje të instrumentalizimit për qëllime politike.
Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
(Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative)
Osmani pret në takim gjeneralin Clark, i tregon për progresin e Kosovës
Ambasada belge organizon pritje për Ditën e Mbretit, merr pjesë Kurti
Rreth 10 për qind e popullatës e prekur nga diabeti në Kosovë
MKRS shpërblen Jeton Neziraj, Astrit Kabashi dhe Hynor Vitija për dramat më të mira
Rastet e dhunës në familje, GLPS kërkon zbatim të ligjit
UBT organizon zgjedhjet studentore për vitin akademik 2024/25
Së bashku për shëndetin: UBT me aktivitet humanitar për dhurimin e gjakut!
Çka duhet të dini para se të hani gështenja?
Art, gazetari dhe histori: Vizita studimore e studentëve të UBT-së në Reporting House!
Të kërkuara
-
Bota2 weeks ago
Trump premton paqe në Liban nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë
-
Lajmet3 months ago
Zgjedh Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT – Ferizaj dhe bëhuni liderët e së ardhmes
-
Lajmet2 months ago
Kurti: Përdhunimi është mjeti që përdori Serbia në Kosovë në mënyrë që të lë pasoja të përhershme në familje
-
Kulturë1 month ago
Marigona Ferati, profesoresha e UBT-së, zëri i artit në jurinë ndërkombëtare në festivalin e teatrove në Oman