Lajmet

Në shënime të Mehmet Krajës: Një Letërsi, Një Gjuhë – Shqipja si fuqia e bashkimit letrar

Published

on

Letërsia e Shqipërisë dhe Kosovës në këndvështrimin e Mehmet Krajës është një. Dy letërsitë burojnë nga përvojat e ndryshme, Shqipëria për 50 vite krijoi nën diktaturë, kurse Kosova u has me përvojën si gjuhë e dytë që la shenjën e saj deri në vitin 1999. Letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës janë dy letërsi me përvoja dhe zhvillime të ndryshme. Ato i bashkon shqipja, gjuha e tyre e njëjtë. Ky ishte thelbi i një ligjërate që akademik Mehmet Kraja ka mbajtur sot në qendrën Sotir Kolea. Me një qasje analitike, Kraja theksoi rrënjët e përbashkëta të kulturës letrare shqipe, ndërkohë që zbuloi dallimet në përvojën dhe zhvillimin e tyre.

Përballë audiencës të mbushur me intelektualë dhe dashamirës të letërsisë, Kraja u shpreh: “Letërsia shqipe eshte një dhe e pandarë ashtu siç është dhe gjuha shqipe, një dhe e pandarë. Letërsinë e përcakton gjuha dhe identiteti i saj. Nëse kemi përvoja të ndryshme letrare, prapë se prapë ato gjuhën e kanë të përbashkët dhe e tillë funksionon. Gjuha shqipe ka variantet e saj. Letërsia shqipe ka përvojat e saj”.

Në rrafshin e gjuhës dhe letërsisë, akademiku Mehmet Kraja bëri një deklaratë për unifikimin dhe pasurimin e gjuhës së shkruar shqipe. Ai u ndal në sfidat që përjeton letërsia shqipe, veçanërisht në lidhje me përdorimin e variantit gegërisht. Kraja shpreh qartazi se ndarja gjuhësore nuk është vetëm një pengesë, por edhe një shqetësim për të ardhmen e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në një akt të guximshëm, Kraja shpreh qartë se pengesa në shkrim nuk është vetëm mungesa e një standardi të përcaktuar, por mungesa e njohjes dhe zotërimi të kësaj gjuhe nga ata që thjesht e përdorin atë për qëllime propagandistike. Sipas Krajës, ndarja gjuhësore është dashakeqësi, ai i cili njeh gjuhën di të shkruaj edhe në standard edhe në gegërisht.

“Pengesë në shkrim nuk është standardi, por mos zotërimi i tij, as i gegërishtes, prej atyre që thjeshtë e përdorin gegërishten si propagandë”, theksoi akademiku.

Mehmet Kraja shprehu rezervat e tij në lidhje me idenë se problemet e shkrimtarëve kosovarë rrjedhin nga bazat e standardit të gjuhës së përdorur, duke e cilësuar atë si një përmbajtje e gabuar. Ai theksoi se autorët që hasin vështirësi në krijimin letrar nuk kanë sfida me bazën e gjuhës, por mungojnë në njohjen dhe përdorimin e gegërishtes. Kraja vuri në dukje se shumica e atyre që preferojnë variantin gegërisht jashtë standardit nuk e zbatojnë atë me nivel të duhur, tregues se nuk janë të njohur mjaftueshëm me këtë variant dialektik dhe ky është gabimi i tyre.

“Nuk më pëlqen asnjëherë ajo ideja që ne kosovarët kemi probleme sepse në bazën e standardit është toskërishtja. Kjo nuk është e vërtetë. Ata autorë që kanë problem, kanë probleme me gjuhën shqipe. Një pjesë e madhe e atyre që vajtojnë gegërishten që nuk është e përfshirë brenda standardit, të jeni të bindur që nuk e shkruajnë mirë, nuk e njohin mirë as gegërishten e as toskërishten dhe ky është gabimi i tyre”, kumton Kraja.

Duke e shprehur bindjen e tij për rëndësinë e një gjuhe të përbashkët letrare dhe kulturore, Kraja bën thirrje për një përkushtim të përbashkët për zhvillimin dhe pasurimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke e shpallur këtë si një sfidë e rëndësishme për të gjithë shkrimtarët dhe intelektualët që e duan dhe e respektojnë kulturën dhe identitetin kombëtar.

Sipas analizës së Mehmet Krajës, letërsia e Kosovës ka pasur një rrugë të veçantë të zhvillimit krahasuar me letërsinë shqipe, e cila ka një trashëgimi më të gjatë historike. Në një kontekst ku Kosova nuk kishte statusin e gjuhës shqipe si gjuhë të parë deri në vitet ’90, letërsia e saj filloi të zhvillohej më vonë, kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore.  Kjo situatë e vonuar e Kosovës në zhvillim letar buron nga proceset historike dhe kulturore që shënuan botën shqiptare përpara luftës.

Megjithatë edhe përkundër këtyre dallimeve historike dhe kulturore, Kraja thekson një realitet thelbësor: vendi ynë është shumë i vogël për të mbështetur dy kultura letrare të ndara. Kjo sugjeron se, pavarësisht dallimeve të përceptueshme, letërsia shqipe është një e tëra, e pasuruar nga përvojat e ndryshme letrare që dalin nga e njëjta gjuhë dhe trashëgimi kulturore./UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Lajmet

Në UBT nis IFSGC 2026, kongresi ndërkombëtar për ushqimin, shëndetin dhe gastronominë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së ka nisur sot Kongresi i 2-të Ndërkombëtar i Shkencave të Ushqimit, Shëndetit dhe Gastronomisë – IFSGC 2026, një nga aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare akademike që po zhvillohet në Kosovë, duke mbledhur në UBT profesorë, studiues, ekspertë të industrisë dhe studentë nga Kosova, Turqia dhe vende të ndryshme të botës.

Kongresi, i cili do të mbahet nga 7 deri më 9 shtator 2026, organizohet nën temën “Innovating the Future of Food, Health & Gastronomy”, duke trajtuar zhvillimet më të reja shkencore dhe teknologjike në fushën e ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, si dhe ndërlidhjen e tyre me inovacionin, qëndrueshmërinë dhe transformimin digjital.

UBT është institucioni nikoqir dhe bashkëorganizatori kryesor i IFSGC 2026, në bashkëpunim me Istanbul Nişantaşı University dhe Ondokuz Mayıs University, duke e pozicionuar edhe një herë Kosovën dhe UBT-në në hartën e aktiviteteve akademike me karakter ndërkombëtar.

Në ceremoninë e hapjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkimit të disiplinave shkencore dhe të krijimit të modeleve të reja që lidhin kërkimin me zgjidhjet konkrete për shoqërinë.

Duke folur për zhvillimet e kohës dhe rëndësinë e qasjeve ndërdisiplinore, Rektori Hajrizi tha se bota po hyn në një epokë të re të konvergjencës shkencore, ku disiplinat po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat globale.

“Sot po jetojmë një revolucion të konvergjencës, një epokë ku disiplinat që dikur zhvilloheshin të ndara, tashmë po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat më të mëdha të shoqërisë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në këtë kontekst, Rektori Hajrizi veçoi modelin e UBT Smart City, duke e cilësuar atë si një mjedis real ku teknologjia, arsimi, shëndetësia, energjia, infrastruktura, inovacioni dhe jeta e përditshme mund të studiohen dhe të zhvillohen në mënyrë të integruar.

“UBT Smart City funksionon si një Living Lab, një mjedis real në të cilin sisteme të ndryshme mund të bashkëjetojnë, të ndërveprojnë dhe të studiohen së bashku. Kjo më sjell te një koncept që është thelbësisht i rëndësishëm për këtë Kongres: integrimi i sistemit të ushqimit dhe gastronomisë përmes modelit UBT 5S. Në perspektivën e modelit 5S, ushqimi dhe gastronomia, shëndeti dhe gastronomia nuk mund të kuptohen si sektorë të izoluar, por si një ekosistem i integruar, që ndërlidh arsimin, bujqësinë, mjedisin, kërkimin shkencor, laboratorët, teknologjinë, prodhimin, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, nutricionin, shëndetin, gastronominë, turizmin, kulturën, industrinë”, tha Rektori Hajrizi.

Në ceremoninë e hapjes foli edhe Prof. Dr. Ece Salihoğlu, Zëvendësrektore e Istanbul Nişantaşı University, e cila vlerësoi pjesëmarrjen ndërkombëtare në kongres dhe bashkëpunimin akademik me UBT-në.

Prof. Dr. Salihoğlu u ndal edhe te rëndësia e shkencave të ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, duke theksuar se këto fusha lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe mirëqenien e njeriut. Sipas saj, ushqimi nuk duhet të shihet vetëm si një nevojë ushqyese, por si një faktor që lidhet ngushtë me shëndetin, kulturën, ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe shprehu besimin se partneritetet e krijuara do të shndërrohen në projekte konkrete kërkimore.

“Bashkëpunimi ndërmjet Istanbul University, Istanbul Commerce University dhe UBT-së nuk do të kufizohet vetëm në Kongresin e sotëm. Përkundrazi, ne i kushtojmë rëndësi të madhe që, në një periudhë shumë të shkurtër, ky bashkëpunim të shndërrohet në kërkime të përbashkëta dhe studime shkencore konkrete”.

Ceremonia e hapjes së IFSGC 2026 mblodhi në UBT përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, drejtues universitarë, përfaqësues diplomatikë, profesorë, studiues, profesionistë dhe studentë.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Veysel Erden, Përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë, i cili përshëndeti organizimin e kongresit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe Fikrim Damka, Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla ndërkombëtare dhe rolin e universiteteve në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe akademik.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e “Çmimit të Nderit Akademik” për Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në krijimin e mundësive për akademikët dhe profesionistët e diplomuar, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre, si dhe për forcimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pas ceremonisë së hapjes, programi shkencor i kongresit vazhdoi me ligjërata dhe prezantime nga profesorë dhe studiues të njohur ndërkombëtarë.

Ndër folësit kryesorë të IFSGC 2026 janë Prof. Dr. H.P. Vasantha Rupasinghe nga Dalhousie University, Prof. Dr. Charis M. Galanakis nga Taif University dhe Prof. Dr. Muhammad Hamid Zaman nga Boston University.

Gjatë tri ditëve të kongresit, pjesëmarrësit do të prezantojnë kërkimet dhe punimet e tyre shkencore, ndërsa diskutimet do të fokusohen në tema që lidhen me sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, teknologjitë ushqimore, nutricionin, shëndetin, gastronominë, qëndrueshmërinë, inovacionin dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Për më shumë informata: www.ifsgc.net

Continue Reading

Vendi

Mblidhet PDK-ja

Published

on

Grupi Parlamentar dhe Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është duke mbajtur mbledhjen për zhvillimet e fundit dhe hapat e mëtutjeshëm të këtij subjekti politik.

Kjo mbledhje ka nisur rreth orës 15:00, raporton KP.

Ndërkohë, për të mërkurën, Avni Dehari në cilësinë e kryesuesit të seancës konstitutive, ka thirrur vazhdimin e seancën konstituive, ku pritet zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë do të mbahet në orën 11:00, më 9 shtator.

Ndërkaq, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot vendosi të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kështu tha shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, pas mbledhjes së sotme./A.K/

Continue Reading

Botë

Nepali në ditë zie, mbi 1,300 të vdekur dhe mijëra të zhdukur nga përmbytjet

Published

on

Nepali është sot në ditë zie kombëtare, në kujtim të qindra viktimave të përmbytjeve vdekjeprurëse të 26 gushtit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për mijëra persona të zhdukur.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike në vend, në nderim të viktimave të përmbytjeve që autoritetet i kanë cilësuar si të pashembullta.

Sipas të dhënave të përkohshme, të paktën 1 mijë e 398 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 5 mijë e 500 persona rezultojnë të zhdukur në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Mes të zhdukurve dyshohet se ka turistë, pelegrinë të huaj dhe qindra punëtorë që janë rrëmbyer nga ujërat.

Për të 13-tën ditë radhazi, ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në sipërfaqe, nga ajri dhe në tunele, me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Autoritetet thonë se operacionet po zhvillohen me të njëjtin intensitet si në ditën e parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Poterq të Klinës: Burri i vë flakën krevatit të motrës dhe sulmon nënën, motra humb jetën

Published

on

Një grua ka humbur jetën pasi u sulmua nga vëllai i saj në fshatin Poterq të Klinës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, kur i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij dhe më pas ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë.

Të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda. Ato fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se më 7 shtator motra e të dyshuarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e Policisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara