Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e quan vizitën e tij të fundit në selinë e BE-së si një nga “më të mira ndonjëherë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili deri tani vizitat e tij në Bruksel i ka përshkruar zakonisht si “jo fort të këndshme”, tha në selinë e BE, se është “shumë i lumtur”, se kjo është të një nga “vizitat më të mira ndonjëherë” dhe se Serbia “nuk do të jetë më i njëjti vend.”
Arsyeja për këtë optimizëm jo aq tipik per presidentin e Serbisë vjen pas konfirmimit të BE-së se do të punohet për realizimin e projektit infrastrukturor të ndërtimit të hekurudhës së shpejtësisë së lartë nga Beogradi në Maqedoninë e Veriut. Është fjala për një projekt, që do të ndryshojë dukshëm kuadrin e transportit të rajonit, si në transportin e pasagjerëve ashtu edhe të mallrave, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por edhe për gjithë Evropën, me një linjë të rëndësishme transporti, që lidh Evropën Qendrore me jugun, Sofjen dhe Stambollin në njërin krah, dhe Shkupin, Selanikun dhe Athinën në tjetrin.
BE ofertë më të mirë se Kina
Krahas rëndësisë infrastrukturore projekti ka edhe rëndësi gjeopolitike, përmes tij BE kthehet me investim të fuqishëm në hapësirën e “oborrit të pasëm të Evropës”, i cili vitet e fundit kishte rënë gjithnjë e më shumë nën ndikimin kinez.
“Nuk më ka ndodhur kurrë një gjë e tillë në Bruksel. Faleminderit njerëzve të BE-së. Kjo është një shpresë e madhe për ne, shans i madh dhe stimul për shpejtimin e punës në të gjitha temat e tjera”, tha Vuçiç në Bruksel.
Për pjesën e hekurudhës prej 200 km, që lidh Beogradin me Nishin, BE i ka dhënë Serbisë një ofertë më të mirë se kinezët dhe sipas Aleksandar Vuçiç bëhet fjalë “për një çmim gati të pabesueshëm”. Kjo pjesë e hekurudhës pritet të kushtojë rreth një miliardë e 766 milion euro, ku BE do të dhurojë mes 35 dhe 50 përqind të parave. Punimet parashikohet të përfundojnë në pesë vitet e ardhshme dhe udhëtimet midis porteve të Pireut dhe Stambollit, ato përmes Maqedonisë Veriore dhe Serbisë në drejtim të Evropës Qendrore, parashikohet të shkurtohen deri në shtatë herë.
“Përshëndes vendimin e Aleksandar Vuçiçit për të punuar me BE-në për një projekt kaq të rëndësishëm. Ne do të ofrojmë kushtet më të mira të mundshme për këtë investim kaq të rëndësishëm. Bëhet fjalë për një pikë kthese për shumë gjëra dhe sidomos për perceptimin se çfarë është BE dhe çfarë përfaqëson BE për qytetarët e Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, u shpreh shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell.
Gjatë takimit me Vuçiçin në Bruksel ai përsëriti angazhimin e tij personal për hyrjen e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe u bëri thirrje vendeve anëtare që me 10 maj në takimin e Këshillit të BE “të pozicionohen qartë” lidhur me të ardhmen e rajonit në BE.
„Nuk është as e lehtë, as e këndshme për askënd, por duhet të bisedohet”
Pasi bëri të ditur marrëveshjen me BE për ndërtimin e linjës hekurudhore, Aleksandar Vuçiç deklaroi nga Brukseli, se beson në rrugën e Serbisë drejt BE dhe foli me një lloj optimizmi për aspektet më të rëndësishme të kësaj rruge, që kur është fjala për Serbinë kalon përmes reformave evropiane dhe dialogut me Kosovën.
Gjatë vizitës së Vuçiçit në Bruksel dhe pak para ardhjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u njoftua se raundi i ri i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës pritet më 11 maj. Kreu i diplomacisë së BE, Jozep Borel, shprehet se „procesi duhet të vazhdojë pa shtyrje”, dhe se rezultati duhet të arrihet, „megjithë vështirësitë ekzistuese”.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi për të vazhduar dialogun. Shpresoj për një raund të ri më 11 maj. “Nuk ofrojmë asgjë konkrete, por dialogu është mënyra e vetme për gjetjen e zgjidhjes dhe perspektiva evropiane është një stimul i fortë për suksesin e dialogut”, tha Borel.
Në BE theksohet se ata, si ndërmjetësuesit kryesorë në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, janë të gatshëm “të ulen që sot në tavolinë në Bruksel”. Presidenti Aleksandar Vuçiç përsëriti se edhe Serbia është e gatshme: “Ne do të vijmë me mirëbesim dhe shpresojmë për të njëjtën vendosmëri të palës tjetër, jo vetëm në vazhdimin e procesit, por edhe për arritjen e një zgjidhjeje për paqen e vazhdueshme në Ballkan”, tha Vuçiç. Ai deklaroi se kërkesa e Serbisë është vetëm një, respektimi i marrëveshjeve të negociuara dhe të nënshkruara deri tani.
Vazhdimi i dialogut nuk do të shkojë aq lehtë
Por që vazhdimi i dialogut nuk do të shkojë aq lehtë, flet fakti se kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, mbështet të kundërtën, rishikimin e marrëveshjeve të arritura deri tani. Zyrtarët e BE presin që deri në fund të kësaj jave të dëgjojnë nga Kurti personalisht pozicionin e Kosovës në lidhje me vazhdimin e dialogut.
“Nuk mendoj se duhet të presim shumë prej takimit të parë në maj, por është gjithmonë mirë të flasim. Fakt është se për askënd nuk mund të jetë e lehtë apo e këndshme”, përfundoi Vuçiç.
Njoftimi për raundin e ri të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës vjen në një kohë, kur në gjithë BE dhe rajonin po diskutohet për dy dokumente jozyrtare – të ashtuquajturin “slloven”, që parashikon ndryshimin e kufijve, respektivisht bashkimin e Kosovës me Shqipërinë me autonomi për Veriun dhe tjetrin, të ashtuquajturin “gjermano-francez”, që i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës për “respektim të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial” dhe parashikon një “rajon autonom të veriut të Kosovës” dhe status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe.
Borel: Anëtari i klubit duhet të respektojë rregullat e klubit
Çështja e tretë e rëndësishme, me të cilën u përball presidenti Vuçiç gjatë vizitës së tij në Bruksel, janë obligimet në rrugën evropiane të Serbisë. Vuçiç erdhi në Bruksel për të biseduar për shpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit dhe fillimin e aplikimit të metodologjisë së re në negociatat e pranimit të Beogradit. BE rekomandon qartë se është i domosdoshëm një dinamizëm i ri, por ai mund të arrihet vetëm me avancim të reformave dhe zbatimin e tyre. Por Borel shtoi: “Një çështje tjetër, ku duhet të bëhet më shumë, është harmonizimi i Serbisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë edhe sanksionet, në përputhje me kornizën e pranimit.”
“Nëse doni të bëheni anëtar i klubit, duhet pajtoheni me rregullat e përbashkëta siç është politika e jashtme dhe jo të keni një politikë të ndryshme për çështje kaq të rëndësishme”, tha Borel.
Josep Borrel
Kësaj kërkese kaq të qartë të Brukselit zyrtar presidenti i Serbisë iu përgjigj se “po punohet seriozisht për sundimin e ligjit” dhe se Serbia do të “bëjë përpjekje” të avancojë në çështje të caktuara, edhe në çështjen e përputhjes me politikën e jashtme të BE.
“Për momentin përputhshmëria jonë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE është në nivelin 52 përqind dhe ne do të bëjmë çmos për të arritur 60 përqind.” Në disa gjëra nuk është e lehtë për ne, duke pasur parasysh situatën rreth Prishtinës, ku përplasen interesat strategjike. Ne nuk duam të rrezikojmë interesat vitale kombëtare duke punuar në dëmin tonë”, tha Vuçiç nga Brukseli.
Ai theksoi veçanërisht se tani për tani Serbia nuk ka ndërmend t’i vendosë sanksione Rusisë dhe Kinës, duke pohuar se Serbia si një vend i pavarur, ka “të drejtën dhe përgjegjësinë” të jetë serioze edhe me vendet e tjera.
“Ne duhet të marrim parasysh interesat e vendit tonë, gjë që nuk është e lehtë. “Durojmë kritika nga të gjitha palët, por këtu qëndron forca e mëvetësisë, pavarësisë dhe e orientimit të lirë dhe ne do të luftojmë për këtë edhe në të ardhmen”, përfundoi Vuçiç.
Ai kujtoi se Serbia nuk ka obligim që deri në pranimin në BE të përputhet plotësisht me politikën e jashtme të BE. Nga ana tjetër vendet anëtare të BE gjithnjë e më shumë insistojnë për këtë çështje. Në Bruksel theksojnë se harmonizimi i politikës së jashtme, krahas dialogut me Kosovën dhe arritjeve në sundimin e ligjit, është një parakusht thelbësor për ecjen e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka takuar zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe trajtimin e rasteve të ndjeshme.
Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.
Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /
Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.
Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.
Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.
Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.
Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.
“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.
Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.
Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.
Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.
Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.
Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/