Lajmet

Vetoja bullgare mban pezull integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Bullgaria në vitin 2019 ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Published

on

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund të arrijnë marrëveshje për kapërcimin e dallimeve që po e mbajnë të bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, Muhamed Halili dhe Vasko Naumovski.

Pritjet e tyre pozitive ata i bazojnë në agjendën e Qeverisë së re bullgare, që përskaj aspekteve historike, dy vendet të bisedojnë edhe për bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturën, kulturën, shëndetësinë dhe çështje të tjera që janë në interes të përbashkët.

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka thënë se për këto çështje duhet të formohen grupe pune dhe rezultatet e para të shihen brenda gjashtë muajve.

Puna e tyre pritet të nisë pas formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, me të cilën do të udhëheqë Dimitar Kovaçevski.

Muhamed Halili, ish-diplomat dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjidhja e kontestit mes dy vendeve varet edhe nga rrethana tjera, përfshirë edhe zgjedhjet në Francë, vend i cili do të kryesojë me Bashkimin Evropian, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022.

Ai mendon se për shkak të ndjeshmërisë së zgjerimit të BE-së, që ekziston në Francë, zyrtarët e atjeshme nuk do të nguten që problemin ndërmjet Sofjes dhe Shkupit ta zgjidhin para zgjedhjeve presidenciale në Francë.

“Unë konsideroj se është e vështirë të saktësohet nëse do të ketë zgjidhje për një periudhë prej gjashtë muajve pasi gjatë kësaj kohe mund të ndodhin shumë gjëra, të pritura apo të papritura. Megjithatë, vlerësoj se Maqedonia e Veriut ka gjasa që konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, ta mbajë diku nga fundi i muajit maj, atëherë kur do të mbarojë fushata parazgjedhore në Francë. Besoj se atëherë do të ketë një zgjidhje të përkohshme për vendin”, thotë Halili.

Bullgaria në vitin 2019 ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut duke e kushtëzuar konferencën e parë ndërqeveritare me zgjidhjen e dallimeve lidhur me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.

Sofja kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Por, Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për çështje evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se plani i ri i Qeverisë bullgare jep shpresa për lëvizje pozitive që mund të çojnë në një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve.

“Fushat që po përmenden ndoshta mund të çojnë në përafrimin e dy shteteve dhe dy popujve, nëse kjo bëhet në një frymë konstruktive pasi vendosja e komunikimit akademik, kulturor, në infrastrukturë, ekonomi e kështu me radhë, mund të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve, pasi më parë palët më shumë ishin të fokusuar në aspektet historike. Besoj se qasja e re e Qeverisë bullgare do të jetë ndryshe nga ai i Qeverisë së kaluar”.

“Ndoshta gjashtë muaj janë shumë, por nëse ka një frymë pozitive besoj se mund të kemi rezultate edhe më herët. Gjërat nuk ndryshojnë brenda natës dhe mendoj se edhe kryeministrit bullgar do t’i duhet kohë për të bindur opinionin e atjeshëm se gjërat po ndryshojnë dhe se ka rezultate konkrete mes dy shteteve”, thotë Naumovski.

Sa i përket aspekteve të historisë, Naumovski thotë se këtu duhet të ketë sa më pak politikë dhe kjo çështje t’i lihet për zgjidhje komisionit të përbashkët, si për tekstet shkollore, ashtu për manifestimet tjera të përbashkëta.

“Prononcimet e politikanëve mund të interpretohen si presion ndaj punës së komisionit të përbashkët, pasi nëse ka presione, atëherë komisioni nuk do të ishte në gjendje të punonte. Vetëm me një punë të pavarur dhe pa ndërhyrje mund të ketë rezultate që mund të jenë të pranueshme për të dyja palët”, thotë Vasko Naumovsi, njohës i çështjeve ndërkombëtare dhe ish-zëvendëskryeministër për çështje evropiane.

Por, Muhamed Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve, thotë se mbajtja e konferencës së parë nuk duhet parë edhe si zgjidhja përfundimtare e problemit pasi pala bullgare, sipas tij, nuk do të pranojë aq lehtë marrëveshjen për çështjet historike.

“Në një situatë të këtillë, Bullgaria do të ketë mundësinë që sa herë që të dëshirojë, ta bllokojë Shkupin në rast se vlerëson se nuk i ka përmbushur kriteret. Ky problem konsideroj se nuk është i lehtë prandaj edhe nuk mund të zgjidhet shpejt”, thotë Muhamed Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve.

Halili dhe Naumovski, si pozitive e shohin qasjen e opozitës bullgare, e cila nuk do të jetë ngarkesë për Qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov, pasi paraardhësi i tij, Boyko Borisov, që tani drejton opozitën, i ka bërë thirrje qQverisë që ta zgjidhë sa më parë kontestin me Maqedoninë e Veriut duke shprehur gatishmërinë të pranojë çdo marrëveshje që do të çonte në heqjen e vetos bullgare.

Continue Reading

Vendi

Vitia pranon mungesën e barnave onkologjike gjatë verës, njofton masa disiplinore ndaj zyrtarëve të vonuar

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës se në Klinikën e Onkologjisë ka pasur mungesë të medikamentit “Palbociclib” gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, si dhe vonesa në furnizimin me disa barna të tjera esenciale.

Duke sqaruar situatën, Vitia bëri të ditur se “Palbociclib” ishte futur në Listën Esenciale në vitin 2025 me planifikim fillestar për 40 pacientë, por dyfishimi i kërkesave bëri që kontrata të shpenzohej në masën 130% brenda nëntë muajsh. Sipas tij, pamundësia për të hapur procedura të reja pa miratimin e buxhetit dhe dështimi i tenderit të parë për mungesë ofertuesish shtynë furnizimin deri më 18 gusht, pas lidhjes së kontratës së përshpejtuar më 30 korrik 2026.

Bilanci i mungesave dhe masat disiplinore

Ministri pranoi se furnizimi i sivjetshëm në Onkologji nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025, duke paraqitur të dhënat mbi shtrirjen e mungesave:

Palbociclib: Mungoi për gati 9 javë, duke prekur 70 pacientë (dy cikle trajtimi).

Bevacizumab (Avastin): Mungoi për rreth 13 javë, duke prekur 70 pacientë.

Bicalutamide: Mungoi për 12 javë, duke prekur rreth 70 pacientë.

Dabrafenib: Mungoi për 20 javë, duke prekur 12 pacientë.

Sorafenib: Mungesa preku 14 pacientë.

Si shkaqe kryesore ai përmendi mungesën e autorizimeve të marketingut dhe vonesat procedurale. Vitia njoftoi se pas një auditimi të brendshëm janë iniciuar procedura disiplinore ndaj zyrtarëve që nuk kanë reaguar me kohë, ndërsa shtoi se tashmë janë nënshkruar kontrata afatgjata për stabilizimin e furnizimit.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përzgjedhësi i Izraelit, Ben Shimon: Kosova ka ekip të mirë, jemi në nivel të përafërt

Published

on

By

Përzgjedhësi i Kombëtares së Izraelit, Ran Ben Shimon, ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Kosovës në konferencën për media para përballjes së nesërme ndërmjet dy kombëtareve, duke deklaruar se të dyja ekipet kanë nivel të përafërt.

Tekniku izraelit e cilësoi Kosovën si një kundërshtar cilësor, ndërsa shtoi se bilanci i takimeve të kaluara nuk do të luajë rol përcaktues në këtë sfidë.

“Mendoj që Kosova dhe Izraeli pak a shumë e kanë nivelin e njëjtë. Mund të them që të dyja janë ekipe relativisht të vogla. Sa i përket rezultateve të së kaluarës, nuk bazohemi te historia. Kosova me të vërtetë ka një ekip të mirë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Ben Shimon.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit zhvillohet nesër, ku të dyja përfaqësueset synojnë rezultat pozitiv. Deri më tani, nga tri përballjet e ndërsjella, Kosova ka arritur të shënojë një fitore. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kuvendi ratifikon me 81 vota marrëveshjen me Suedinë për transferimin e të dënuarve

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se marrëveshje të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin evropian dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo sqaroi se, meqë marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ratifikimi i saj nga Kuvendi është i domosdoshëm në bazë të nenit 18 të Kushtetutës.
Përkrahje për këtë marrëveshje ndërkombëtare kanë dhënë edhe grupet parlamentare opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke mundësuar kalimin e saj me konsensus të plotë në seancën plenare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Të kërkuara