Lajmet

Rreth 2 mijë raste të dhunës te të miturit për një vit në Kosovë

Psikologët tregojnë mbi arsyet e mundshme të dhunës dhe masat urgjente.

Published

on

Të miturit e moshës 14-18 vjeç po vazhdojnë të përfshihen në vepra të ndryshme të dhunshme si rrahje, aksidente në komunikacion, madje edhe në vrasje e armëmbajtje pa leje. Derisa ata mund të dënohen deri me 10 vjet burg, po kërkohet të ndryshohet ligji, pasi po konsiderohet si jo i ashpër kur bëhet fjalë për raste të tilla. Psikologët ndërkaq tregojnë mbi arsyet e mundshme të dhunës dhe masat urgjente që duhet ndërmarrë për parandalimin e tyre.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm vitin e kaluar nga të gjitha rastet, 1 mijë e 992 prej tyre janë evidentuar se janë kryer nga personat nën moshën 18-vjeçare.

“Gjatë vitit 2023, nga të gjitha rastet e evidentuara në Policinë e Kosovës, 1 mijë e 992 raste janë me të dyshuar të mitur në moshën e përgjegjësisë penale 14-18 vjeç. Nga numri i përgjithshëm dominojnë rastet si lëndim i lehtë trupor gjithsej 438 raste, aksidente në komunikacion 303 dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve 193 raste”, thuhet në përgjigjen e policisë me shkrim.

Rasti tragjik i vrasjes së të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë ka ngritur debate nëse ligji ndaj të miturve që kryejnë vepra të ndryshme është i duhur.

Avokati Tomë Gashi thotë se të gjitha institucionet duhen të punojnë së bashku në edukimin e fëmijëve, në mënyrë që të parandalohet dhuna në mesin e tyre.

“Dënimi maksimal është i paraparë me 10 vjet burg dhe atë burg për të mitur… Dhe ne besojmë që do të duhej të mos ketë dënime të ashpra të tilla në kuptimin që të miturit nuk do të duhej të kryejnë asnjë vepër penale, posaçërisht kaq të rëndë, por në prizmin tim është paksa e rëndë, por duket se po i imitojnë të rriturit dhe duke pas parasysh çështjen e edukimit të fëmijëve tanë e cila është jashtëzakonisht i nivelit të ulët, shkollimi nuk është adekuat. Janë një mori çështjesh që ndikojnë që të miturit të kriminalizohen, po aq sa edhe të rriturit, duke pasur parasysh që nuk ka kontrolle shpeshta të policisë. Do të duheshin të punonin të gjithë së bashku, shkollat dhe qendrat për punë sociale. Janë çështje të edukimit që duhet të merren me fëmijë të gjitha institucionet dhe më së pakti do të duhej në një situatë ideale të merret policia, prokuroria dhe gjykata”, tha Gashi.

Avokati Gashi shtron nevojën e ndryshimit të kodit penal për të miturit, pasi qëvepra penale është e pariparueshme dhe dënimet do të duhej të ishin në proporcion me rrezikshmërinë që ato krijojnë.

“Ky ligj është jashtëzakonisht i vjetruar, kemi më tepër se ndoshta gjysmë shekulli që përdoret ligji i njëjtë apo kodi penal për të mitur… Duhet të ketë ndryshime të kodit penal për të mitur dhe duhet të kemi ndryshime ndoshta të të gjithë legjislacionit, të parashihen dënime krejtësisht të tjera kur dikush kryen një vepër penale me qëllim dhe posaçërisht kur ia merr jetën dikujt duke pretenduar se është i mitur dhe ndoshta nuk do të dënohet dhe aq shumë… Dallimi prej disa viteve apo disa muaj nuk do të duhej të konsiderohej që është një rrethanë jashtëzakonisht lehtësuese për shkak se vepra apo dëmi është i pariparueshëm dhe do të duhej të ishin dënimet në përpjesëtim me rrezikshmërinë që e krijojnë dhe me veprat penale të rënda që dikush eventualisht i kryen”, tha ai.

Psikologu Petrit Thaçi thotë se duhet hulumtuar zanafilla e të miturve në familjet në të cilat ata janë rritur dhe edukuar, për të parë se cilat janë arsyet e vërteta që i shtyjnë ata të bëhen të dhunshëm. Ai tregon edhe arsyet e mundshme, të cilat mund të ndikojnë në krijimin e një natyre të dhunshme te personat e mitur.

“Te të rinjtë padyshim që ne së pari do të hulumtojmë zanafillën në strukturat e tyre të familjes. Zakonisht, nëse jemi rritur duke parë skena dhune, duke konceptuar që të drejtat tona po na mohohen, po na denigrohet apo cenohet një pjesë e personalitetit, atëherë ne mbushemi me energji të mllefit, gatishmërisë për hakmarrje në një formë apo për t’u zbrazur diku apo në diçka. Nganjëherë nuk zbrazemi në objektivat ose në personat që na kanë shkaktuar traumën fillestare, por aty ku është më e lehtë dhe më e mundshme. Megjithatë, nuk është gjithmonë kjo si arsye. Nganjëherë krijojmë në rrethet sociale dhe familjarë disa koncepte të një imazhi apo vetë imazhi të lakmuar, një lloj autoritarizmi si shkak se ashtu sillet familja jonë, prindi jonë, rrethi jonë i ngushtë social dhe ne i krijojmë një emërtim që ne jemi “dikush”, ne jemi të fuqishëm dhe pozicionin tonë duhet ta njohë dhe pranojë të tjerët. Ne mundohemi me imponim të mbajmë atë lloj pozicioni…02:08 Kemi modele që marrim nga filmat, këngët, pjesë të ndryshme të medias njëfarë forme, kemi ndonjëherë shthurje që burojnë si shkak i abuzimeve të narkotikëve, alkoolit apo sjelljeve tjera me natyrë delikuente. Të gjitha këto mund të shpërthejnë në një moment të caktuar”, shprehet Thaçi.

Psikologu Thaçi potencon rëndësinë e arsimit dhe edukimit që nga fëmijëria, pasi kjo ndikon në zhvillimin e mëvonshëm të personalitetit në moshë të pjekur dhe se për këtë një rol të madh duhet ta kenë edhe institucionet përkatëse së bashku me vetë prindërit.

“Vlera e edukatës që i japim qysh në fëmijëri të hershme, vlera të instalimit të konceptit të dashurisë, drejtësisë, barazisë, jo nevoja që ta glorifikojmë detyrën që ne të jemi patjetër të ngritur dhe konkurrent ose mbi të tjerët në një fushë, dhe me arrogancë të përfitojmë atë. Aspekti i arsimimit, profesionalizmi në arsim, gjatë atyre objektivave që kanë karakter edukativ dhe kulturor në përgjithësi, bashkëpunimi me institucione tjera profesionale që njohin zhvillimin e personalitetit dhe objektivave shëndetësore ose mentale, të gjitha të ndërthura duhet të krijojnë një klimë të përshtatshme ku i riu është i orientuar më shumë në përvetësimin e vlerave të rëndësishme arsimore, konform të nevojave të tij fizike, shëndetësore, intelektuale dhe jo shthurje dhe jo në këto përcaktime për të përmbushur një pjesë të egos, pasi kjo ego shumë shpesh është një ego imagjinare dhe nuk kryen asnjë lloj funksioni praktik në jetën e tyre të përditshme”, tha Thaçi.

Ndryshe mbi 176 mijë vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç ose 37 për qind të totalit të vrasjeve në botë, sipas një raporti të OBSH-së në tetor 2023.

lajme

Llapi përmbys Malishevën në udhëtim dhe merr fitoren e tretë radhazi në Superligë

Published

on

By

Llapi ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti të përmbyste disavantazhin e pjesës së parë në stadiumin “Liman Gegaj”, duke regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat.

Pjesa e parë u dominua nga vendasit, të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 23-të me golin e Xhemal Ibishit. Megjithatë, reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm, pasi Fiton Ademi barazoi shifrat në 1-1 pas vetëm dy minutash lojë.

Malisheva arriti të rikthente epërsinë në minutën e 40-të përmes Kreshnik Ukës, duke shkuar në pushim me rezultatin 2-1.

Në pjesën e dytë, Llapi rriti ritmin e lojës dhe krijoi më shumë raste, duke arritur ta kthejë rezultatin në favorin e tij. Fillimisht, Fiton Ademi shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 61-të për 2-2, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 82-të nga Pjero Skaric, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 3-2.

Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në pozitën e tetë në tabelë me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e dytë me 30 pikë. Në xhiron e radhës, Llapi e pret në shtëpi Drenicën, kurse Malisheva luan në udhëtim ndaj Ballkanit. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti në Samitin e Tiranës: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, mosveprimi i BE-së dëmton besimin

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim, duke paralajmëruar se zvarritja e mëtejshme rrezikon ta dëmtojë besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane.

Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur të enjten në Tiranë, Kurti kujtoi se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ende nuk e gëzon këtë status, ndonëse muajin e ardhshëm mbushen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit për anëtarësim. Ai kërkoi nga Këshilli i Bashkimit Evropian që t’i japë mandat Komisionit Evropian për përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Kosovës.

“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues. Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, deklaroi Kurti.

Ai vlerësoi se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për integrimin evropian është ndër më të lartat në rajon, çka e bën urgjent avancimin në këtë proces. Duke u ndalur te treguesit ekonomikë dhe demokratikë, kryeministri përmendi rritjen ekonomike prej 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, shtimin e investimeve private, si dhe uljen e shkallës së papunësisë nga 26 në 11 për qind.

Sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes, Kurti tha se pas një periudhe ngadalësimi që i kushtoi vendit humbjen e miliona eurove për shkak të zgjedhjeve të përsëritura, Kosova ka rifituar stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar reformat. Ai veçoi gjithashtu hapat drejt integrimit gradual, si lehtësimi i procedurave kufitare, aplikimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lansimi i portofolit digjital.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, kreu i ekzekutivit kritikoi bllokadat e Serbisë ndaj integrimit ekonomik, përfshirë mosnjohjen e diplomave dhe pengesat në zbatimin e marrëveshjeve të CEFTA-s. Ai kërkoi nga BE-ja që mbështetja financiare të ndahet mbi bazën e rezultateve dhe zbatimit të marrëveshjeve.

Në përmbyllje, Kurti paralajmëroi për rreziqet e luftës hibride ruse në Evropë, duke theksuar se integrimi ekonomik është tashmë një çështje e drejtpërdrejtë sigurie dhe se Kosova është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet evropiane për sigurinë, energjinë dhe ndërlidhjen rajonale./E.A/

Continue Reading

Vendi

Klubet e Ligës Premier kërkojnë shitjen e detyruar të Manchester Cityt pas shkeljeve financiare

Published

on

By

Pronarët e Manchester Cityt duhet të detyrohen ta shesin klubin si ndëshkim për shkeljen e rregullave financiare, vlerësojnë figurat kryesore të disa klubeve të Ligës Premier, raporton transmetuesi publik britanik BBC.

Drejtues të klubeve nga tri kategoritë e para të futbollit anglez kanë deklaruar se një masë e tillë do të ishte e duhura, pasi Manchester City u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier në periudhën 2009–2018, si dhe për mosbashkëpunim me hetimin.

Paneli i pavarur ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar për sanksionet, të cilat mund të përfshijnë gjoba financiare, zbritje pikësh, heqjen e titujve të fituar më parë, apo edhe përjashtimin nga liga. Nga ana tjetër, klubi anglez i ka mohuar akuzat dhe e ka apeluar vendimin.

Një nga drejtuesit, duke folur në kushte anonimiteti për BBC, u shpreh se bën pjesë në një grup klubesh që besojnë se çdo dënim tjetër do të ishte i pakuptimtë nëse pronarët aktualë nuk detyrohen të largohen. Sipas tij, një ndëshkim më i lehtë do të ngrinte pikëpyetje mbi arsyen se pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR).

Një drejtues tjetër theksoi se këto shkelje kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet e tjera nuk do të mund ta kalojnë këtë skandal nëse pronarëve aktualë u lejohet të mbeten në krye të Cityt.

Manchester City u shpall fajtor për rritje artificiale të të ardhurave dhe fshehje të humbjeve në vlerë prej mbi një miliard eurosh përmes kontratave fiktive tregtare. Klubi është në pronësi të kompanisë private të investimeve Abu Dhabi United Group, e udhëhequr nga Sheikh Mansour, Zëvendëspresident dhe Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Real Madridi vazhdon kontratën me Brahim Diaz deri në vitin 2031

Published

on

By

Klubi spanjoll Real Madrid ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me sulmuesin maroken Brahim Diaz, duke e mbajtur atë në “Santiago Bernabéu” deri në verën e vitit 2031.

Me kontratën e mëparshme që i skadonte verën e ardhshme, 27-vjeçari ka vendosur të vazhdojë të ardhmen e tij afatgjatë te klubi madrilen, pjesë e të cilit është që nga viti 2019.

“Real Madrid CF dhe Brahim Diaz kanë rënë dakord të zgjasin kontratën e lojtarit tonë, i cili tani është i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2031”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Me këtë hap, Diaz ndjek rrugën e bashkëlojtarëve të tij, Arda Güler dhe Aurélien Tchouaméni, të cilët po ashtu kanë nënshkruar marrëveshje të reja me klubin gjatë javëve të fundit.

Ndonëse e ardhmja e tij ishte e pasigurt gjatë verës së kaluar, trajneri José Mourinho bllokoi largimin e tij nga skuadra. Këtë sezon, sulmuesi maroken ka regjistruar katër asistime në 10 paraqitje, duke e nisur ndeshjen si titullar vetëm një herë.

Kujtojmë se Brahim Diaz shkëlqeu në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON 2025), ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola të shënuar, duke e ndihmuar përfaqësuesen e Marokut të renditej në vendin e dytë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara