Lajmet

Kreu i Apelit në konferencën e fundit mburret me punën, ankohet për numrin e vogël të gjyqtarëve

Published

on

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka mbajtur konferencë për medie në përmbyllje të mandatit.

Me këtë rast tha se nga 19 931 lëndë ta pazgjidhura kanë arritur që t’i zgjidhin 7 812 lëndë.

“Gjykata e Apelit në vitin 2021, ka hyrë 10, 811 lëndë të pa zgjidhura, të trashëguara nga vitet paraprake. Gjatë kësaj periudhe raportuese, i kemi pranuar edhe 9 120, numër ky  me i larti që është regjistruar ndonjëherë”.

“Në punë total i kemi pasur 19  931 lëndë. Nga to janë zgjidhur 7 812 lëndë. Në procedurë janë edhe 12 119 lëndë. Shumica e lëndëve të mbetura, apo më saktësisht 10 187 janë të natyrës civile”.  

Hasani është ankuar për numrin e vogël të gjyqtarëve, duke shtuar se kanë 11 më pak se që i’u duhen.

“…është pak për fajin tonë, më saktësisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe pa aftësisë se tij, për t’i plotësuar pozitat e lira të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit. Aktualisht kemi  11 gjyqtarë më pak, sa janë të planifikuar për vitin 2021 dhe për çdo ditë vonese në emërimin e tyre, stoku i lëndëve të pazgjidhura veç vjen e rritet”.

Kurse sa i përket rasteve të korrupsionit tha se kanë pasur në punë 59 lëndë, ndërsa i kanë përfunduar 45 sosh.

“Sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, në vitin 2020 kemi hyrë me 20 lëndë te pa zgjidhura. Gjatë këtij viti kemi pranuar edhe 39. Në total në pune kemi pasur 59 lëndë. Janë kryer 45. Vazhdojnë te mbesin në procedurë edhe 14. Shumica nga to janë lëndë qe kanë ardhur në javët e fundit”.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar gazetarë,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civil,

Të nderuar të pranishëm,

 Mirë se keni ardhur!

1. Raporti 6 mujor

Ju e dini se Gjykata e Apelit tash e 4 vjet, e ka traditë që përmes takimeve të tilla, të paktën dy herë në vit,  ta informoj opinionin publik, lidhur me ecurinë e punës në këtë institucion.

Atëherë, pa humbur shumë kohë, me lejoni t’iu njoftoj me të dhënat statistikore të këtij 6 mujori të punës.

Gjykata e Apelit në vitin 2021, ka hyrë 10, 811 lëndë të pa zgjidhura, të trashëguara nga vitet paraprake. Gjatë kësaj periudhe raportuese, i kemi pranuar edhe 9,120, numër ky  me i larti që është regjistruar ndonjëherë. Në punë total i kemi pasur 19, 931 lëndë. Nga to janë zgjidhur 7,812 lëndë. Në procedurë janë edhe 12, 119 lëndë.

Shumica e lëndëve të mbetura, apo më saktësisht 10, 187 janë të natyrës civile.  

Fatkeqësisht , me gjithë përpjekjet  tona, numri i lëndëve të pazgjidhura në divizionin civil po rritet dita ditës. Kjo po ndodhë për dy arsye. E para për shkak se këtë vit, kemi një numër jashtëzakonisht të madh, enorm do të thosha, të lëndëve që na vinë nga 7 gjykatat themelore. Në vitin e kaluar në këso kohe kishim të pranuara 2,742 lëndë civile. Ndërsa sivjet deri me tani kemi pranuar, 4,684 ose rreth 2,000 lëndë ma shume.

E dyta, është pak për fajin tonë, më saktësisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe pa aftësisë se tij, për t’i plotësuar pozitat e lira të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit. Aktualisht kemi  11 gjyqtarë më pak, sa janë të planifikuar për vitin 2021,  dhe për çdo ditë vonese në emërimin e tyre, stoku i lëndëve të pazgjidhura veç vjen e rritet.

Në Departamente dhe divizione tjera, situata është më e mirë.  Në Departamentin për Krime të Rënda kemi vetëm 97 lëndë në punë. Në atë Special 7. Në këto dy departamente  lendet kryhen brenda javësh, gjë që është në përputhje me standardet më te mira, për gjykim në kohë të arsyeshme. Ka një tendencë të rritjes se lëndëve në Departamentin Administrativ. Vetëm gjatë këtij 6 mujori, kemi pranuar gati 500 lëndë te tilla, shifër kjo e përafërt me krejt lendet e pranuara gjatë vitit 2020. Andaj në këtë Departament, për ta menaxhuar ma mirë situatën, si kryetar i Gjykatës, e kam rrit numrin e gjyqtarëve nga 2  në 3, dhe numrin kolegjeve nga 1 në 2.

2. Lendet e Korrupsionit

Sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, në vitin 2020 kemi hyrë me 20 lëndë te pa zgjidhura. Gjatë këtij viti kemi pranuar edhe 39. Në total në pune kemi pasur 59 lëndë. Janë kryer 45. Vazhdojnë te mbesin në procedurë edhe 14. Shumica nga to janë lëndë qe kanë ardhur në javët e fundit.

3. Përmbyllja e mandatit

Meqenëse është konferenca ime e fundit për media në cilësi të kryetarit të Gjykatës së Apelit, me lejoni që shumë shkurt, ta bëjë një përmbledhje të punëve me kryesore që janë bërë gjatë mandatit tim.

  • Është rritur numri i lëndëve te zgjidhura.

Pra edhe në vitin 2020, ndonëse kanë qenë rrethanat çfarë kanë qenë, ku kemi punuar me staf te reduktuar, ku kemi pas një numër jashtëzakonisht të madh, të infektuarve me Covid 19, kemi arritur t’i zgjidhim mbi 15 mijë lëndë, duke u bërë kështu gjykata me përformancen me te mirë në Kosovë.

  • Është rritur në mënyrë te konsiderueshme, por jo mjaftueshme  numri i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës. 

Kjo ka ndodhurme insistimin tonë të vazhdueshëm, kërkesat tona të panumërta dhe presionin mbi organet gjegjës.

  • Janë nxjerr 2  buletine të praktikes gjyqësore te Gjykatës së Apelit.
  • Janë përmirësuar kushtet e punës se gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.  
  • Është funksionalizuar Divizioni i Gjykatës se Apelit ne veri te Mitrovicës, i cili ndonëse ka pasur tendenca e presione, nuk kam lejuar për asnjë moment të punoj në kundërshtim me infrastrukturën ligjore të Kosovës, dhe kundër interesit të drejtësisë.
  • Është funksionalizuar Departamenti Special i Gjykatës së Apelit.
  • Është rritur transparenca dhe komunikimi me publikun. Jemi gjykata e vetme që krahas   i publikojmë raportet individuale të punës së gjyqtarëve në ëeb-portal.  
  • Është rritur efikasiteti dhe përgjegjësia në punë.
  • Është rritur cilësia në punë dhe cilësia e shërbimeve.
  • Nuk kemi pasur ndonjë gjyqtarë me procedurë penale.

Për fund, me lejoni t’iu falënderoj edhe njëherë për bashkëpunimin qe kemi pasur këto vite. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Ne si gjykatë jemi munduar që gjithmonë te jemi në dispozicionin tuaj, duke iu përgjigjur kërkesave tuaja në kohë sa më të arsyeshme, duke i dëgjuar shqetësimet tuaja dhe duke i hapur dyert për ju. Nga ana tjetër edhe ju me profesionalizimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm, keni qenë gjithmonë në shërbim të informimit të drejtë dhe drejtësisë.  

Faleminderit!

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara