AI

Helikopteri i NASA-s kryen fluturimin e tretë në Mars

Publikuar

Helikopteri eksperimental i NASA-s ka fluturuar për herë të tretë në Mars, ka thënë Agjencia amerikane e Hapësirës më 25 prill.

Helikopteri, i quajtur Ingenuity, është ngjitur në pesë metra lartësi, dhe më pas ka kryer 50 metra fluturim, duke lëvizur anash.

Ekipeve të NASA-s në Tokë, ai u ka dërguar fotografi bardhë e zi mbi sipërfaqen e Marsit.

Ingenuity më pas është kthyer në vendin ku është nisur, pas 80 sekondash të fluturimit.

NASA ka thënë se materiali i incizuar gjatë fluturimit do të dërgohet në Tokë në ditët në vijim.

Kjo agjenci është duke planifikuar edhe fluturime tjera me këtë helikopter në të ardhmen, për të parë terrenin e planetit si dhe për të dhënë udhëzime për anije kozmike apo astronautët.

Në kërkim të jetës në Mars

 EMBED SHPËRNDAJE

Ky helikopter ka arritur në Mars në mesin e muajit shkurt me një anije kozmike të quajtur Perseverance.

 19 prill, ky helikopter ka kryer fluturimin e parë të kontrolluar nga një planet tjetër.

Vazhdo të lexosh

AI

Kush është Mira Murati, shqiptarja që qëndron prapa zhvillimit të Inteligjencës Artificiale?

Mira Murati, një grua nga Shqipëria, është shumë e rëndësishme në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

Publikuar

nga

Me ChatGPT, OpenAI shënoi histori suksesi të paparë. Mira Murati, një grua nga Shqipëria, është shumë e rëndësishme në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

Kompania OpenAI ka shkaktuar bujë me bashkëbiseduesin e mençur të inteligjencës Artificiale të njohur si “ChatGPT”. Inteligjenca artificiale pushtoi internetin me natyrën elokuente dhe përgjigjet progresive – madje kaloi pa problem edhe një provim përfundimtar në njërin prej universiteteve elitare botërore.

Teknologjia bazë është nën drejtimin e Mira Muratit. Si kryeshefe e Teknologjisë, ajo drejton zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së OpenAI. Për shkak të kësaj, ajo konsiderohet si një nga gratë më me ndikim në industrinë e AI. Por kush është ajo?

Mira Murati u lind në Shqipëri në vitin 1988. Edhe si fëmijë, ajo shfaqi interes për matematikën dhe zbatimin e saj praktik. Megjithatë, kishte një problem: “Kur u rrita në Shqipëri, nuk kishte shumë mundësi, që teorinë ta aplikoje në praktikë”, shpjegoi Murati në një video në “YouTube”, shkruan 20 minuten.

Për këtë arsye, ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku studioi inxhinierinë në Kolegjin Dartmouth në New Hampshire. Më pas Murati nisi karrierën e saj profesionale si analiste në gjigantin e investimeve “Goldman Sachs”, para se të niste karrierën në industrinë e teknologjisë. Ajo ka mbajtur pozita në kompani të ndryshme, përfshirë edhe postin e menaxheres së lartë të produkteve për Modelin X në Tesla e po ashtu zëvendëspresidente e inxhinierisë në Leap Motion.

Në vitin 2018, ajo iu bashkua Open AI. Ajo ka mbajtur pozitën e zhvillimit e zbatimit të teknologjisë që nga maji i vitit 2022 dhe është përgjegjëse për zhvillimin e ChatGPT, përveç tjerash. Ajo është optimiste për zhvillimin e teknologjisë, por sheh edhe rreziqet që mund të vijnë nga ajo.

“AI mund të keqpërdoret, ose mund të përdoret nga akterë me qëllime të dyshimta”, deklaroi Murati në një intervistë.

Për këtë arsye ajo po angazhohet në rregullimin e inteligjencës artificiale.

Pyetja e saj kryesore është: “Si ta rregulloni përdorimin e inteligjencës artificiale në një mënyrë që të jetë në përputhje me vlerat njerëzore?”

Përgjigjet për këtë pyetje nuk duhet të jepen vetëm nga një kompani si OpenAI, por edhe nga rregullatorët dhe qeveritë. Për këtë arsye ajo nuk e përkrah mendimin se është herët që qeveritë të ndërhyjnë.

“Marrë parasysh ndikimin që do të kenë këto teknologji, është shumë e rëndësishme që të gjitha të përfshihen”, thotë Murati./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

AI

Axel Springer do të ulë vendet e punës, paralajmëron se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë gazetarinë

Kompania synon të përmirësojë rezultatet me rreth 100 milionë euro gjatë tri viteve të ardhshme.

Publikuar

nga

Publikuesi më i madh gjerman, grupi mediatik Axel Springer, ka paralajmëruar stafin se do të shkurtojë numrin e vendeve të punës në Bild dhe die Welt, dy nga mediat më të njohura të lajmeve në Gjermani.

“Do të ketë reduktime të konsiderueshme të vendeve të punës në fushat e prodhimit, paraqitjes, korrigjimit dhe administrimit”, i tha stafit të martën përmes një letre kryeshefi ekzekutiv i Axel Springer, Mathias Döpfner.

Nuk u dha ndonjë shifër konkrete, megjithëse kompania synon të përmirësojë rezultatet me rreth 100 milionë euro gjatë tri viteve të ardhshme.

Ai theksoi nevojën që Bild dhe Welt të zhvillojnë abonime digjitale dhe të qëndrueshme. Të njohura më së miri si dy nga gazetat më të shitura të vendit, të dy këto media që sa kohë janë në internet dhe tani po përpiqen të degëzohen në transmetimet online.

‘Bërthama gazetareske’ nuk do të zvogëlohet

Më parë, Döpfner shpjegoi se do të shkurtohet numri i vendeve të punës në të dy markat. Aktualisht grupi mediatik ka 18 mijë të punësuar në mbarë botën, në mesin e tyre 3 mijë e 400 gazetarë. Një pjesë prej tyre janë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ndodhet media Politico.

Të martën, Döpfner theksoi në letrën e tij drejtuar stafit se “standardet gazetareske të kompanisë janë të larta dhe ato do të bëhen edhe më të larta”. Prandaj ai u zotua të mos zvogëlojë “bërthamën gazetareske” (raporterë, autorë dhe redaktorë specialistë), por të investojë dhe ” të bëjë përmirësime cilësore”.

AI mund të zëvendësojë gazetarinë

Në letrën e tij, Döpfner paralajmëroi gjithashtu se gazetarët rrezikojnë të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale.

“Inteligjenca artificiale (AI) ka potencialin ta bëjë gazetarinë e pavarur më të mirë se sa ka qenë – ose thjesht ta zëvendësojë atë”, tha CEO i Axel Springer.

Kompjuterët që përdorin AI mund do të jenë më të mirë në “grumbullimin e informacionit” sesa gazetarët, sipas tij.

Ai tha se mediat duhet të përqendrohen në gjenerimin e lajmeve ekskluzive ose komenteve dhe veçorive origjinale nëse duan të mbijetojnë. Gazetaria investigative, tiparet e drejtuara nga personaliteti dhe mbulimi argëtues po bëhen “gjithnjë e më të rëndësishme” për biznesin e medias, tha Döpfner./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

AI

Studim: Robotët do të kryejnë 39% të punëve shtëpiake deri në vitin 2033

Ky studim u publikua në revistën PLOS ONE.

Publikuar

nga

Brenda një dekade, rreth 39% e kohës së shpenzuar në punë shtëpiake dhe kujdes për më të dashurit mund të automatizohet, thonë ekspertët.

Studiuesit nga Britania e Madhe dhe Japonia kërkuan nga 65 ekspertë të inteligjencës artificiale (AI) të parashikojnë sasinë e automatizimit në punët e zakonshme shtëpiake në dhjetë vjet. Sipas ekspertëve, blerjet ushqimore ka gjasa që të automatizohen më së shumti, kurse kujdesi për të rinjtë dhe të moshuarit ka më pak gjasa të ndikohet nga inteligjenca artificiale (AI).

Ky studim u publikua në revistën PLOS ONE.

Studiuesit nga Universiteti i Oksfordit dhe ai Ochanomizu në Japoni deshën të dinë mbi impaktin që mund të kenë robotët në punët që kryhen pa pagesë: “Nëse robotët do të na kryejnë punët, a do të hedhin edhe plehrat?”, pyetën ata.

Robotët “për punë shtëpiake”, sikurse fshesat me korrent robotik “janë më të prodhuarit dhe më të shiturit në botë”, sipas studiuesve.

Ekipi intervistoi 29 ekspertë të AI-së nga Britania e Madhe dhe 36 ekspertë nga Japonia lidhur me parashikimet e tyre mbi robotët shtëpiakë. Studiuesit thanë se ekspertët meshkuj në Mbretërinë e Bashkuar ishin optimistë për automatizimin e brendshëm në krahasim me ekspertet femra, një situatë që është krejtësisht e kundërt në Japoni./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

AI

Revolucion intelektual? Ç’mendon Henry Kissingeri për ChatGPT?

ChatGPT, i zhvilluar në laboratorin kërkimor OpenAI, është tashmë në gjendje të bisedojë me njerëzit.

Publikuar

nga

Nga Henry Kissinger, Eric Schmidt & Daniel Huttenlocher

Një teknologji e re po përpiqet ta transformojë rrënjësisht procesin njohës te njerëzit, që nga koha e shpikjes së shtypshkronjës. Teknologjia që shtypi Biblën e Gutenbergut në vitin 1455 e bëri mendimin abstrakt njerëzor më të komunikueshëm dhe me të shpejtë.

Por teknologjia e re po e ndryshon atë proces. Ndërsa shtypshkronja prodhoi një bollëk të mendimit njerëzor modern, teknologjia e re po arrin distilimin dhe përpunimin e tij. Në këtë proces, ajo po krijon një hendek midis njohurive njerëzore dhe të kuptuarit njerëzor.

Në rast se dëshirojmë që ta kalojmë me sukses këtë transformim, duhet të zhvillojmë disa koncepte të reja të mendimit njerëzor dhe ndërveprimit me makineritë. Kjo është sfida thelbësore e Epokës së Inteligjencës Artificiale. Teknologjia e re njihet si Inteligjenca Artificiale Gjeneruese; GPT do të thotë Transformimi Gjenerativ i Trajnuar Paraprakisht. ChatGPT, i zhvilluar në laboratorin kërkimor OpenAI, është tashmë në gjendje të bisedojë me njerëzit. Ndërsa kapacitetet e tij po bëhen gjithnjë e më të gjera, ato do të ripërcaktojnë njohuritë njerëzore, do të përshpejtojnë ndryshimet në strukturën e realitetit tonë, dhe do ta riorganizojnë politikën dhe shoqërinë.

Inteligjenca Artificiale Gjeneruese paraqet një sfidë filozofike dhe praktike në një shkallë të paprecedentë që nga fillimi i Epokës së Iluminizmit. Shtypshkronja u dha dikur mundësi studiuesve që të përsërisin shpejt gjetjet e njëri-tjetrit dhe t’i ndanin ato me të tjerët.

Një konsolidim dhe përhapje e paprecedentë e informacionit solli metodën shkencore. Ajo që kishte qenë e padepërtueshme u bë pikënisja e përshpejtimit të pyetjeve. Interpretimi mesjetar i botës, i bazuar në besimin fetar, u minua në mënyrë progresive. Mund të eksploroheshin thellësitë e Universit derisa të arriheshin kufijtë e rinj të të kuptuarit njerëzor.

Ngjashëm Inteligjenca Artificiale Gjeneruese do të hapë një rrugë të re revolucionare për arsyen njerëzore dhe horizonte të reja për njohuritë e konsoliduara. Por ndërkohë ekzistojnë disa dallime thelbësore. Njohuritë gjatë Iluminizmit u arritën në mënyrë progresive, hap pas hapi, të ndjekur nga çdo hap i testueshëm dhe i mësueshëm.

Ndërkohë sistemet e aktivizuara nga Inteligjenca Artificiale (AI) mund të ruajnë dhe distilojnë një sasi të madhe informacioni ekzistues. Dhe në rastin e ChatGPT një sasi të madhe materialesh dhe një numër të madh librash. Mbajtja e atij vëllimi informacioni dhe përpunimi i tij është përtej kapacitetit të njeriut.

Metodat e sofistikuara të AI prodhojnë rezultate pa shpjeguar pse apo si funksionon procesi i tyre. ChatGPT vepron pas një pyetje të bërë nga një njeri. Makineria përgjigjet me tekst brenda sekondave. Ajo është në gjendje ta bëjë këtë sepse përmban të dhëna të shumta, dhe është trajnuar për përdorimin e tyre.

Kapacitetet e AI nuk janë statike. Ato zgjerohen në mënyrë eksponenciale me përparimin e  teknologjisë. Kohët e fundit, kompleksiteti i modeleve të AI është dyfishuar çdo disa muaj. Prandaj, sistemet gjeneruese të AI kanë aftësi të mbeten të pazbuluara edhe për shpikësit e tyre. Ndaj e ardhmja jonë bart tani një element krejtësisht të ri të misterit, rrezikut dhe befasisë.

Ne i kërkuam ChatGPT të shpjegonte aftësitë e veta. A mund të parashikojë të ardhmen? Jo, u përgjigj ai.

“Unë mund të jap informacion dhe t’u përgjigjem pyetjeve, vetëm në bazë të të dhënave për të cilat jam trajnuar. Unë nuk kam përvoja personale apo vetëdije, prandaj nuk jam në gjendje të bëj parashikime për ngjarjet e ardhshme”, shtoi ai.

Por a është në gjendje të bëjë gjykime probabiliste?

“Unë mund të jap gjykime probabiliste bazuar në të dhënat mbi të cilat jam trajnuar. Për shembull, nëse jam trajnuar për një grup të madh të dhënash të modeleve të motit, mund të jem në gjendje të jap një gjykim probabilistik në lidhje me gjasat që të ndodhë një lloj i caktuar moti në një vend të caktuar në një ditë të caktuar. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto gjykime probabiliste bazohen në modele dhe tendenca të të dhënave, dhe ato mund të mos pasqyrojnë gjithmonë me saktësi rezultatet e botës reale”.

Ne e pyetëm ChatGPT për çështje me interes të madh për momentin, si për shembull mbi rolin e Rusisë në ruajtjen ose minimin e stabilitetit evropian. Ai dha përgjigje në dukje të menduara dhe të përmbledhura në më pak se një minutë, duke balancuar informacione kontradiktore dhe duke u përgjigjur pa u dukur se kishte një mendim të përpunuar.

Nga ana tjetër, Inteligjenca Artificiale gjeneruese duket mbinjerëzore, ose të paktën shumë e zgjeruar në aspektin e aftësive njohëse. Për përdoruesit naivë, ai mund të duket si shumë i shpejtë dhe shumë i artikuluar. Ai e lehtëson përmbledhjen dhe shqyrtimin e njohurive të botës në një mënyrë shumë më efektive sesa çdo lloj programi tjetër ekzistues teknologjik ose njerëzor, dhe këtë e bën me një gjithë-përfshirje unike.

Aftësia e tij për të integruar fusha të shumta njohurish, dhe për të imituar aspekte të shumta të mendimit njerëzor e bën atë një polimat në një shkallë që tejkalon ambiciet e çdo grupi njerëzish të nivelit të lartë. Të gjitha këto cilësi inkurajojnë pranimin e padiskutueshëm të çdo gjëje që gjeneron GPT dhe një lloj atmosfere magjike mbi funksionimin e tij.

Brenda pak ditësh nga fillimi i funksionimit të ChatGPT, më shumë se 1 milionë njerëz u regjistruan për t’i bërë pyetje. Qindra kompani janë duke punuar në teknologjitë gjeneruese me shumë investime. Më të mëdhenjtë prej këtyre modeleve janë të kushtueshme për t’u trajnuar:1 miliardë dollarë për model. Pasi të trajnohen, mijëra kompjuterë punojnë 24 orë në ditë për t’i përdorur ato.

Ky zhvillim do të ndryshojë shumë fusha, si për shembull arsimin dhe biologjinë. Aftësitë e tyre – nga shkrimi i batutave tek vizatimi i pikturave deri tek dizajnimi i antitrupave – ka të ngjarë të vazhdojnë të na befasojnë. Rëndësia afatgjatë e Inteligjencës Artificial gjeneruese i kapërcen pasojat tregtare apo edhe përparimet shkencore jokomerciale.

Nuk është vetëm gjenerimi i përgjigjeve. ChatGPT gjeneron pyetje të thella filozofike. Ai do të ndikojë tek diplomacia dhe strategjitë e sigurisë. Megjithatë, asnjë nga krijuesit e kësaj teknologjie nuk po adreson problemet që do të krijojë vetë kjo teknologji. As qeveria amerikane nuk i ka trajtuar ndryshimet dhe transformimet thelbësore që po ndodhin.

ChatGPT nuk ka një personalitet të dukshëm, megjithëse përdoruesit e tij e kanë nxitur herë pas here të veprojë si binjaku i tij i keq. Mungesa e një autori të identifikueshëm në ChatGPT e bën më të vështirë për njerëzit që të kuptojnë prirjet e tij sesa do të ishte në rastin e gjykimit të një këndvështrimit politik apo shoqëror të një qenieje njerëzore.

Arsimi në veçanti do të duhet të përshtatet me këtë revolucion të ri. Sistemet tona arsimore dhe profesionale duhet të ruajnë një vizion të njerëzve si krijesa morale, psikologjike dhe strategjike që janë unikisht të afta për të dhënë gjykime tërësore.

Makineritë do të evoluojnë shumë më shpejt sesa gjenet tona, duke shkaktuar një dislokim të brendshëm dhe një divergjencë ndërkombëtare. Ne duhet t’i përgjigjemi me maturi proporcionale, veçanërisht në filozofi dhe konceptualizëm, në nivel kombëtar dhe global. Harmonizimi global do të duhet të shfaqet ose nga perceptimi ose nga katastrofa, siç e parashikoi Emanuel Kant 3 shekuj më parë.

Ne duhet të përfshijmë një paralajmërim për këtë parashikim: Çfarë ndodh nëse kjo teknologji nuk mund të kontrollohet plotësisht? Po sikur të ketë gjithmonë mënyra për të gjeneruar gënjeshtra, fotografi false dhe video të rreme, dhe njerëzit nuk do të mësojnë kurrë të mos besojnë atë që shohin dhe dëgjojnë?/“Wall Street Journal” – Bota.al

Shënim: Henry Kissinger shërbeu si Sekretar Amerikan i Shtetit në vitet 1973-1977. Shmid ka qenë drejtor ekzekutiv i Google në vitet 2001-11. Ndërsa Hatenlosher është dekan i Kolegjit Shvarcman të Informatikës në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets. Ata janë autorë të librit “Epoka e Inteligjencës Artificiale dhe e ardhmja e njerëzimit”.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara