Lajmet

​Masat në kalimin kufitar Kosovë-Shqipëri, bie numri i turistëve në mënyrë drastike

Hoti thotë se për dy javët e fundit numri i vizitorëve ka rënë përreth 90 përqind.

Published

on

Ka rënë përreth 90 përqind numri i vizitorëve nga Shqipëria dhe dëme të mëdha financiare janë shkaktuar për të hyrat e shtetit dhe sektorin e turizmit nga masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, veçanërisht masa që çdo person i cili hyn në Kosovë të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit.

Heqjen e këtyre masave për kalimin kufitar Kosovë-Shqipëri e kanë kërkuar sot nga ministri i Shëndetësisë, dy unionet Unioni i Turizmit të Kosovës dhe Unioni i Turizmit të Shqipërisë. Ani pse shëndeti mbetet prioritet, kryetari i Unionit të Turizmit Kosovar, Baki Hoti thekson për KosovaPress se masat e fundit kufitare duhet zbutur, pasi një gjë e tillë sipas tij ka reflektuar negativisht tek sektori i turizmit dhe për të hyrat buxhetore të shtetit.

Hoti thotë se për dy javët e fundit numri i vizitorëve ka rënë përreth 90 përqind.

“Vendimi i fundit ka shkaktuar shumë probleme sidomos tek pjesa e kalimit të kufirit. Vetëm gjatë dy vikendeve sa ishte në fuqi ky vendim ka pasur anulime të mëdha të grupeve për qëndrimet në Kosovë. Vendi ynë deri në një masë e ka të zhvilluar turizmin dimëror dhe të gjitha këto asete që i kemi mund të themi që kanë qenë diku 10 përqind të mbuluara me vizitorë, dhe 90 përqind kanë qenë të atakuar prej këtij vendimi që kanë pasur një mungesë të theksuar të vizitorëve… Ne kemi pritur që këtë sezon ta shfrytëzojmë dhe sa do pak këto biznese të ringjallen. Kjo ka shkaktuar një dëm financiar të cilin mund ta quaj milionësh, mjete këto të cilat do të derdheshin tek komuniteti që pastaj edhe në institucionet relevante me anë të tatimeve dhe TVSh-së dhe shteti do të ishte ai që do të përfitonte. Ky ishte shqetësimi ynë kryesor dhe qëllimi i këtij takimi”, u shpreh ai.

Rishikim të masave nga autoritetet e Kosovës ka kërkuar edhe kryetari i Unionit të Turizmit të Shqipërisë, Rrahman Kasa i cili thotë se ky sezon dimëror në Kosovë shfrytëzohet më së shumti nga qytetarët e Shqipërisë.

“Ne në Shqipëri e kemi turizmin sektor prioritar dhe çdo e ardhur që i mungon ekonomisë nga ky sektor prioritar, është një gropë financiare në ekonominë e vendit. Kështu që ne kërkuam që të rishikohen masat midis kufijve të dy vendeve sidomos për këtë periudhë e cila shfrytëzohet më së shumti nga qytetarët e Shqipërisë që vijnë në Kosovë për sezonin dimëror. Dhe na premtuan që do të bëjnë të pamundurën që të arrihet diçka sa më pozitive në interes të përbashkët”, thotë ai.

Kasa thotë për Kosovapress se në këtë kohë dëmi më i madh ekonomik është për Kosovën.

“Në një takim me ministrin e Shëndetësisë, kërkuam që të rishikohen masat pasi janë shumë drastike sidomos në kufirin Shqipëri-Kosovë… Të rishikohen këto masa, sepse shkëmbimet turistike ndihmojnë fuqishëm ekonominë e dy vendeve për sa i përket shkëmbimeve tregtare, po flasim në aspektin ekonomik… Nëse ne i referohemi këtyre dy jave, kur një turist në vikend që shpenzon 200 euro për një natë, janë para të cilat i mungojnë ekonomisë së birshtë të Kosovës dhe Shqipërisë si vende të vogla. Por, akoma më i madh është dëmi ekonomik për Kosovën sesa për Shqipërinë. Sepse dihet që nga Kosova në Republikën e Shqipërisë vijnë mbi 2 milionë turistë gjatë gjithë vitit”, thotë ai.

Kreu i Unionit të Turizmit Kosovar, Baki Hoti thekson po ashtu se në takimin që kanë pasur me drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kërkuar edhe lirim të masave sa i përket hapjes së gastronomisë dhe heqjen e orës policore në Kosovë.

Aktualisht Komiteti për menaxhimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike është duke mbajtur mbledhjen e saj për të rekomanduar masat e reja. Masat e fundit antiCOVID të cilat janë marrë para dy javësh janë në fuqi deri më 4 shkurt.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara