Lajmet

​Kurti: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë i vështirë, duhet zbatuar marrëveshja bazë

Ai ka folur në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i vështirë por duhet zbatuar marrëveshja bazë e arritur gjatë këtij viti në Bruksel dhe Ohër. Ai ka folur në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Në panel edhe me liderë tjerë të Ballkanit Perëndimor, duke iu kundërpërgjigjur homologes së tij nga Serbia, Ana Bërnabiq, tha se Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për dallim nga Serbia e cila as nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe as nga Putini.

“Mbështetjen ndaj BE-së ne në Kosovë e kemi 94 për qind. Ne kemi vënë sanksione kundër Federatës Ruse, ndërsa Serbia jo, as nuk e mendon. Po ashtu nuk e distancuan vetën e tyre as nga Millosheviqi dhe as nga Putini. Prandaj nuk është e thjeshtë për ne, unë dua të normalizoj marrëdhëniet dhe kur e bëjë këtë sikur të ishte Republika Çeke. Por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodh sepse duhet të zbatojmë traktatin bazë që presidenti i Serbisë dhe unë ishim dakord në Bruksel. Por normalizimi nga ana psikologjike do të thotë mungesë të konfuzionit midis realitetit dhe fantazisë. Ky është një regjistër tjetër që unë nuk mund të kontribuojë fatkeqësisht”, tha Kurti.

Ai foli edhe për situatën në veri derisa nënvizoi nevojën për depërshkallëzimin e plotë të situatës.

“Neve na duhet depërshkallëzimi dhe ulja e tensioneve. Ka dy muaj që në veri nuk ka protesta dhe incidente. Kemi ulur dyfish praninë e Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Mezi pres që të kemi zgjedhje të parakohshme atje dhe shpresoj që do të kemi fushatë të ndershme dhe të hapur për zgjedhje të lira dhe demokratike. Neve na duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar. Por nga ana tjetër njerëzit e kuptojnë në Kosovë se ata që integrohen jetojnë më mirë. Integrimi është diçka që është përfituese për ta, por edhe ne si qeveri jemi aty për të siguruar të drejtat e barabarta për të gjithë”, tha Kurti.

Në anën tjetër, Kurti tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të njohin njëra-tjetrën.

“Çka konsiderohet e rëndësishme për rajonin tonë është që të mbyllet kjo pjesa e njohjeve të ndërsjella midis gjashtë vendeve tona. De-facto dhe de-juro kjo njohje është e ndarë në Ballkan, kemi njohje de-facto pa de-jure, ndërsa diku tjetër kemi de-jure pa de-facto. Kjo duhet të sqarohet dhe them se kjo është diçka që zgjidhet. Po ashtu mbrojtja e të drejtave të minoriteteve në të gjithë rajonin. Mendoj se në pak vite ne mund të bëhemi anëtarë të BE-së dhe shpresoj që BE-ja dorë më dorë me zgjerimin e jashtëm të BE-së të jetë konsolidimi i brendshëm dhe reforma”, deklaroi Kurti.

Kurse u shpreh optimist për lëvizje pozitive për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga pesë vendeve mosnjohëse të BE-së.

“Është e vërtet se pesë vende të BE-së nuk na njohin, Greqia, Sllovakia, Qipro, Romania dhe Spanja. Ne po punojmë me ta në mënyrë bilaterale nga pikëpamja diplomatike, por edhe në Bruksel. Atmosfera me të gjitha këto vende është më e mirë se më parë. Sigurisht ka disa hapa të vegjël që ne shpresojmë që sa më parë do të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe të jenë pjesë e vendeve evropiane që na njohin…Një mënyrë tjetër që ne përpiqemi që t’i bindim vendet që janë skeptike është përmes progresit ekonomik dhe demokratik në Kosovë, e cila është histori suksesi e dyfishtë. Ndërhyrjes të NATO-s të vitit 1999 për të ndalur gjenocidin e Jugosllavisë së Millosheviqit dhe një histori suksesi e demokracisë dhe ekonomisë që shkojnë dorë më dorë”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, akuzoi Kurtin se nuk po zbaton marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit.

“Normalizimi që është në interes si të Beogradit, edhe Prishtinës, dhe si të serbëve dhe shqiptarëve po ashtu është në interes të të gjithë rajonit, është në krye të prioriteteve tona. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit e nënshkruar në prill të vitit 2013”, tha ajo.

Vendi

Identifikohen mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë në Zubin Potok

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar sot se është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në një lokacion të tretë të dyshuar në komunën e Zubin Potokut. Kjo gjetje vjen si rezultat i veprimeve të vazhdueshme hetimore që po zhvillohen në terren.

Nëpërmjet një komunikate të përbashkët për media, institucionet kanë bërë të ditur detajet e operacionit.

“Në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njoftojmë se gjatë vazhdimit të veprimeve në terren është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar”.

Aktualisht, autoritetet kompetente janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme në këtë zonë.

“Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjes së të gjitha rrethanave”.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre për këtë çështje.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së për poste

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk është arritur një marrëveshje politike pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se, pavarësisht betimit të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mbetet e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve.

“Meqenëse dje u bë betimi i 120 deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, nuk kemi ende marrëveshje politike. Unë jam i bindur që për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare, që padyshim sikurse ato të mëhershmet do të ishin të panevojshme, të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë e vendit, nuk është e mundur ndryshe përveçse pa marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, tha ai.

Kurti sqaroi se mosarritja e një dakordësie për zgjedhjen e kryetarit të shtetit çon pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit, duke nënvizuar se ekziston një mospërputhje e madhe mes vullnetit të votuesve dhe kushteve të vendosura nga LDK-ja.

“Pra, në kushtet kur ne zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, zgjedhim qeverinë e re të Republikës së Kosovës, mirëpo vijmë sërish tek problemi i zgjedhjes së presidentit, kjo është një formulë tashmë e sprovuar dhe me metoda të njëjta nuk mund të kemi rezultate të tjera. Andaj kjo do të shpjerë të pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit. Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Kurti pas takimit me Abdixhikun. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Vendi

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë larg një marrëveshjeje eventuale

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreu i LDK-së bëri të ditur se pa ndryshuar pozicionet politike të partive nuk pret ndonjë përparim.

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku.

Ai theksoi se qëllimi i LDK-së ka qenë gjithmonë gjetja e një zgjidhjeje, ndërsa shprehu keqardhje se procesi po shkon drejt një rruge pa zgjidhje afatgjatë.

“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate”, u shpreh ai.

Lideri i LDK-së bëri me dije se partia e tij ka kërkuar që ta propozojë emrin për postin e presidentit.

“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku: Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e Kuvendit

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë pa vonesa, raporton Ekonomia Online.

Para takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se fokusi mbetet te përmbushja e obligimeve kushtetuese. “Do të vazhdojmë me punët tona që duhet të bëjmë që të konstituohet Kuvendi. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit. Po më lejoni të shkoj në takim, e pas takimit do të deklarohem”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët se çfarë nënkupton kërkesa e LDK-së, Abdixhiku u përgjigj shkurt se ajo lidhet “…për konstituimin e Kuvendit”.

Në pyetjen nëse pret një marrëveshje gjatë ditës apo thirrjen e seancës konstitutive, kreu i LDK-së theksoi se seanca duhet të mbahet pa vonesë. “Duhet të ketë seancë konstitutive. Duhet të ketë seancë konstitutive. Nuk ka nevojë të vonohet me konstituimin e Kuvendit. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK-ja as ka kërkuar, as kërkon që të bëhet ose të ketë vonesa të tilla”, deklaroi ai.

Abdixhiku shtoi se përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit bie edhe mbi partinë e parë, duke lënë të kuptohet se çdo vonesë eventuale nuk duhet të përdoret për qëllime negociuese. “Por tani, kjo është përgjegjësi edhe e partisë së parë, e cila qëllon që ka më të vjetrin në seancë aty, të ulur në karrigen e kryesuesit të Kuvendit. Por në qoftë se është bërë për taktikë negociuese, le ta themi shumë qartë: LDK-ja nuk nënshtrohet e Republika nuk dorëzohet. Prandaj, as nuk nënshtrohemi, as nuk dorëzohemi”, u shpreh ai.

Lideri i LDK-së bëri me dije se pas takimit do të dalë sërish para mediave. “Tani po shkoj në takim, e pas takimit do të përpiqemi sa më mirë të përfaqësojmë interesat e Kosovës, popullit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas takimit deklarohemi edhe para medieve në Kuvendin e Kosovës”, përmbylli Abdixhiku. /Ekonmia online/

 

Continue Reading

Të kërkuara