Lajmet

​Ish-ministri i Energjisë: Po të rehabilitohej “Kosova A” do të eliminohej importi i shtrenjtë i energjisë elektrike

Çeku u shpreh se Kosova ka mbetur vendi i vetëm i cili pas çlirimit nuk ka ndërtuar asnjë kapacitet të ri në fushën e linjitit.

Published

on

Për më shumë se dy orë anëtarët e Komisionit në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës intervistuan pjesëtarët e Bordit të KEK-ut për periudhën 2006-2008.

Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku gjatë raportimit tha se atë kohë ka ekzistuar projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova C”, por që siç tha ai, me zgjedhjet e parakohshme të vitit 2007, dhe ndryshimet rreth mundësive të prodhimit ky projekt nuk u jetësua.

Para anëtarëve të këtij komisioni, Çeku tha se përkundër ideve që edhe “Kosova A” të mbyllet, kishin insistuar në rehabilitimin e këtij termocentrali pasi po të ishte bërë tani Kosova nuk do të ishte nevojë të blinte energji elektrike me çmim të shtrenjtë.

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku u shpreh se Kosova ka mbetur vendi i vetëm i cili pas çlirimit nuk ka ndërtuar asnjë kapacitet të ri në fushën e linjitit. Tutje ai foli edhe për projektin e “Kosovës C” për çka tha se ky projekt u kundërshtua nga shoqëria civile me arsyetim se ndotet tutje ambienti.

“Në sektorin e energjisë ka pasur zhvillime dramatike, dhe kemi mbetur i vetmi vend i cili që pas çlirimit e këndej nuk kemi ndërtuar asnjë kapacitet të ri në fushën e linjitit, ka zhvillimet të tjera por që pas çlirimit kemi stagnuar… Gjithçka ka qenë kompetencë e AKM dhe ne kemi bërë shumë përpjekje që ato kompetenca të barten, ardhja e konsulentëve të huaj në KEK nuk ka solli kurrfarë zhvillimi kushedi sa pozitivë në shumë fusha. Në fushën e energjisë si ministër flas me kompetencë se nuk pasur ndonjë progres në inkasim dhe zhvillime të caktuara e lëre në fusha të tjera. Është e mirë e asaj kohe, u ndërtua koncepti i termocentralit të ri, ‘Kosova e Re’ ishte dizajnuar, u aprovua në Parlamentin e Kosovës, u aprovua në Bruksel dhe Washington… Projekti kaloi nëpër të gjitha sfidat dhe u dizajnua për të ndërtuar një termocentral në dy faza, faza e parë ishte 1 mijë mgW, faza e dytë më vonë… U dizajnua projekti, u krye strategjia, dhe u aprovua në Parlamentin e Kosovës. Ka filluar një fushatë e tmerrshme e paimagjinuar por t’i shihni atë pjesë të asaj fushate kundër termocentralit, kundër linjitit të Kosovës duke thënë se është me bërje të hekurit, sjell vdekshmëri të madhe, dhe u hartuan tekste e libra të veçantë dhe termocentrali pësoi dhe realisht ishte shumë e vështirë me shty si proces”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka pyetur ish-ministrin e energjetikës, Ethem Çeku se përse dështoi Kosova C.

“E përmendët që ka filluar një fushatë e madhe kundër kësaj, pse ka dështuar zotëri Çeku”, pyeti deputeti.

Çeku tha se kjo ndodhi për shkak të zgjedhjeve të vitit 2007, dhe ndryshimeve në kapacitetet të prodhimit me të cilat nuk u pajtuan konsorciumet që ishin të interesuara për ndërtim.

“Fatkeqësisht në vitin 2007 u mbajtën zgjedhjet, në 2007 u ndërrua i gjithë raporti i forcave dhe u ndërrua edhe koncepti pastaj, shkoi një kohë e gjatë derisa u ndërrua emri dhe u bë ‘Kosova e Re’, pas kësaj u ndërruan edhe kapacitetet patëm 4 konsorciumet më të mëdha botërore që ishin në garë në finale arritën kur u bë përzgjedhja… U ndërtuan kapacitetet u hoq ideja e 1 mijë mgW u kthye ideja në 500 mgW dhe ato konsorciume pastaj u larguan një nga një nga Kosova nuk qëndruan pas ndryshimeve që u bënë në projekt”, tha ai.

Përkundër ideve pwr mbylljen e termocentralit “Kosova A”, Çeku tha se kishin plan për rehabilitimin e blloqeve të këtij termocentrali, i cili, sipas tij, po të ishte rehabilituar ashtu siç ishte paraparë tani Kosova nuk do të kishte nevojë të blinte energji elektrike. Sipas tij, edhe ky projekt nuk ishte prioritet i qeverive në vazhdim.

“Ishte një ide që njerëzit që merreshin me probleme mjedisore thoshin që ‘për Kosovën A duhet me marr një bager të madh dhe duhet ta bëjmë rrafsh se po na e ndot mjedisin, duhet ta mbyllim Kosovën A’… Ne nuk e kemi mbështetur atë dhe sot nuk e mbështes dhe sot është shumë gabim që nuk është rehabilituar blloqet e Kosovës A atëherë kur e ka thënë agjencioni evropian që me 50 milionë mund të bëheshin rehabilitimi i plotë i blloqeve të Kosovës A dhe që ne mos të varemi nga importi i energjisë elektrike ne e kemi mbështet është bërë studimi nga ekspertët e agjencionit evropian dhe e kemi shtyrë të filloj procesi i rehabilitimit bllok pas blloku por në 2007 erdhën zgjedhjet dhe u ndërpre në 2007 normalisht i krijuar koalicion tjetër u ndryshua koncepti dhe qëndrimet… Mendoj se është gabuar që nuk është bërë rehabilitimi i thellë i Kosovës A… Në kontinuitet nuk është shtyrë më rehabilitimi, janë mbajtur nga pak në atë që unë besoj se po të ishte bërë rehabilitimi i blloqeve të Kosovës A mund të eliminonin importet e shtrenjta të energjisë elektrike”, theksoi Çeku.

E deputeti i LDK-së, Armend Zemaj pyeti ish-ministrin Çeku për kompetencat e tij gjatë mandatit të vet.

“Cila ka qenë kompetenca juaj si përfaqësues vendor duke marr parasysh se në atë kohë nuk ka qenë pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e institucioneve”, tha Zemaj.

E ish-ministri i Energjisë në periudhën 2004-2007 tha se kompetencat e tij më shumë kanë qenë morale, pasi të gjitha vendimet merreshin për sektorin e energjisë nga përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara dhe AKM-ja.

“Ne kemi udhëhequr një udhëheqje më shumë morale, ka qenë më shumë sesa një udhëheqje faktike sepse të gjitha dokumentet duhet të nënshkruante ose PSSP-ja-Përfaqësuesi Special i Kombeve të Bashkuara të asaj kohe në Kosovë dhe duhet të kalonte në AKM. Të gjitha dokumentet është dashur të kaloin në strukturat e këtyre institucioneve”, theksoi ai.

Si problematikë energjetike në periudhën 2006-2008 sipas ish-ministrit, Ethem Çeku ishte edhe mosinkasimi i shpenzimeve të energjisë elektrike.

“Edhe inkasimet kanë qenë problem, njerëzit nuk paguanin energji, ishin raste të vështira, familje të djegura edhe ky ka qenë që për këtë kohë të shkurt që së bashku me kolegët dhe institucionet tjera jemi munduar në çdo rrethanë me mbështet KEK-un dhe sektorin e energjisë, që ne të kemi në zhvillim. Më vjen tepër keq ku ka mbetur Kosova, është gjëja më e dhimbshme një vend me 11 miliardë tonë linjit, ne mos me pas mundësi të ndërtojmë një bllok qe sa vite dhe kemi shpenzuar gjithë ato para për blerje të energjisë”, tha ai.

Ndërsa, kur u pyet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi se a kishte rezistencë nga banorët e zonës së Obiliqit ndërtimi i termocentralit të ri, ish-ministri i Energjisë tha se nuk ka pas rezistencë pasi ka ekzistuar propozimi për zhvendosjen e tyre, për çka u shpreh se pakoja e ofruar për këta banorë për tu zhvendosur ka qenë shumë e mirë.

Thaçi u interesua të di edhe për riorganizimin e njësive të KEK-ut, ndërsa anëtarët e bordit të asaj periudhe thanë se kjo ka ndodhur me kërkesë të traktatit të energjisë, i nënshkruar në Vjenë dhe me vendim të Qeverisë të asaj kohe.

Ndërsa anëtari i Bordit të KEK-ut për periudhën 2006-2008, Fatmir Rexhepi tha se nëse Ethem Çeku nuk ka ndërtuar termocentral në Kosovë, këtë nuk do të mund ta bëjë askush.

“Përndryshe ka qenë shumë afër në vitin 2008 ka mund me u përgatit komplet si me u bë ajo forma e tenderimit dhe pjesëmarrjes dikur 2009 dhe me fillua ka qenë 4-5 vite deri n vitin 2015 me përfunduar 1 mijë mgW, ndërsa pas 2018 me u ndërtua edhe 1000 mgW të tjerë krejt kjo është bërë në funksion të asaj politike që Kosova me u bë një eksportues i energjisë… Kundërshtimi që e kemi parë e që edhe vetë e kam përjetuar shumë keq kanë qenë këto shoqëritë që i ka financuar Sorosi me sa mbaj me sa duket nuk kanë guri e dru pa i ra nëpër Kosovës e konferenca e nëpër debate nga ky pozicion e deri në fund të Prishtinës gur e dru kundër termocentraleve duke u thirr se kinse po ndotet ambienti… Nëse Ethem Çeku me ekipin më të mirë në Kosovë nuk kanë ndërtuar termocentral në Kosovë askush nuk ka me ndërtua”, tha ai.

Ish-anëtari i bordit të KEK-ut po ashtu tha se në vitin 2006 janë investuar 75 milionë euro, kurse në vitin 2007, 81 milionë euro.

Edhe anëtari tjetër i bordit të KEK-ut gjatë vitit 2006-2008, Agron Dida deklaroi se projekti për termocentralin Kosova C kishte përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve.

Gjatë intervistimit ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku foli edhe për aspektin e minierave të cilat tha se u trashëguan në gjendje shumë të rëndë qoftë për nga mënyra e gërmimit, por edhe pajisjet.

Nga anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator sot do të intervistohen edhe anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. 

Lajmet

Moti sot në Kosovë: Diell dhe vranësira të shpërndara

Published

on

By

Ditën e sotme në vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 7 gradë Celsius, ndërsa ato maximale pritet të arrijnë nga 16 deri në 20 gradë Celsius.

Sipas meteorologëve, do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 3 metra për sekondë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Protestat e dhunshme në Francë, vendoset shtetrrethimi i pjesshëm në Paris dhe disa qytete të tjera

Published

on

By

Policia e Parisit njoftoi se shtetrrethimi do të zbatohet nga ora 23:00 deri në orën 06:00, sipas orës lokale, në zonën e Place de la République, ku protestuesit ishin mbledhur gjatë fundjavës, si dhe në zonën tregtare Les Halles.

Gjithashtu, në disa zona të tjera të qendrës së qytetit është ndaluar organizimi i tubimeve pa autorizim.

Shtetrrethime të pjesshme, që kufizojnë lëvizjen e të rinjve dhe organizimin e grumbullimeve, janë njoftuar edhe në qytete si Marseja, Bordoja, Nica dhe Lioni, në jug të vendit, si dhe në Lilë dhe qytete të tjera në veri.

Më herët, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, i cili është kritikuar ashpër nga politikanët e opozitës për mungesën e përgatitjes për përballimin e trazirave, pranoi se policia kishte “humbur kontrollin” në disa qytete. Presidenti Emmanuel Macron kishte refuzuar dorëheqjen e tij.

Protestat nisën muajin e kaluar, kur studentët kërkuan përmirësimin e kushteve në shkolla, por më pas u zgjeruan duke përfshirë edhe një sërë shqetësimesh të tjera. Numri i protestuesve gjatë fundjavës u rrit edhe për shkak të pjesëmarrjes së sindikatave dhe grupeve të ndryshme protestuese.

Sipas zyrtarëve, më shumë se 2 500 persona janë arrestuar. Agjencia e lajmeve AFP raportoi se një protestuesi i ishte këputur dora nga shpërthimi i një granate policore për kontrollin e turmave. Ndërkohë, rreth 1 000 efektivë policie janë plagosur.

Pas një mbledhjeje urgjente të hënën, kryeministri tha se kryetarëve të bashkive po u jepej kompetenca për të vendosur shtetrrethim “aty ku është e nevojshme”, pa specifikuar qytetet ku do të zbatohet masa.

Kryeministri Sébastien Lecornu, i cili nuk e përjashtoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, tha se qeveria do të vërë në dispozicion fonde për të ndihmuar zonat e prekura të rikuperohen nga dëmet. Sipas tij, shpenzimet do të mbulohen nga personat përgjegjës për dhunën.

“Do të miratohet një ligj për të gjetur mënyra që ata që kanë dëmtuar pronat të detyrohen të paguajnë”, tha Lecornu.

Ai njoftoi gjithashtu krijimin e një skeme të pjesshme për kompensimin e papunësisë për personat që nuk kanë mundur të punojnë për shkak të trazirave dhe plaçkitjeve.

Ndërkohë, Nuñez tha se 200 hetues po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat që mund të kenë organizuar trazirat.

Ai kishte tentuar të jepte dorëheqjen të dielën, por Macron e refuzoi atë, duke vlerësuar se ishte i nevojshëm vazhdimi i drejtimit të forcave të rendit, sipas një deklarate të Pallatit Élysée.

Në deklaratë thuhej se Nuñez duhej të ishte transparent lidhur me ato që Macron i cilësoi si “dështime në inteligjencë dhe parashikim”.

Kreu i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Francës (CCI) tha se më shumë se 2 000 dyqane dhe biznese të tjera janë prekur drejtpërdrejt nga dhuna e fundjavës.

Dy ministra të qeverisë franceze thanë se mallrat e plaçkitura ishin publikuar për shitje në disa platforma online. Një zëdhënës i platformës Vinted tha se shitja ose ofrimi për shitje i mallrave të vjedhura është “rreptësisht i ndaluar”.

“Që prej këtij fundjave, ekipet tona kanë ndërmarrë menjëherë veprime për të identifikuar dhe hequr njoftimet e lidhura me plaçkitjet, si dhe kanë shtuar monitorimin e njoftimeve të dyshimta”, thuhet në deklaratë.

Rreth 550 000 protestues dolën në rrugë gjatë fundjavës për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të karburanteve, koston e jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike, përfshirë arsimin.

Grupe protestuesish të dhunshëm, disa të veshur me të zeza dhe me maska, u panë duke u vënë zjarrin makinave dhe ndërtesave, si dhe duke plaçkitur biznese në Paris, Marsejë, qytete të tjera dhe zona më të vogla urbane. /EO/

Continue Reading

Lajmet

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për të diskutuar për Kosovën

Published

on

By

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbajë sot mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit mbi situatën në Kosovë, ku do të diskutohen zhvillimet politike, gjendja e sigurisë dhe ecuria e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Seanca është paraparë të nisë në orën 21:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

Gjatë kësaj seance, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, do të paraqesë raportin gjashtëmujor që mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026.

Sipas dokumentit zyrtar, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë vlerësohet e qëndrueshme, mirëpo gjendja në veri të vendit përshkruhet si e qetë por e brishtë. Raporti vë në spikatur mosmarrëveshjet mes autoriteteve qendrore dhe atyre lokale, si dhe trajton çështjet që lidhen me kompetencat komunale, pronat dhe veprimet e Policisë së Kosovës.

Në pjesën politike, vëmendje u është kushtuar zhvillimeve të fundit në vend, përfshirë formimin e qeverisë në shtator dhe zgjedhjen e Justina Pula-Shirokës në postin e presidentes më 7 tetor.

Sa i përket dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, nënvizohet se nuk është mbajtur asnjë takim i nivelit të lartë gjatë periudhës raportuese, ndonëse emisari i posaçëm Peter Sørensen ka vazhduar kontaktet me palët për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Po ashtu, në mbledhje pritet të preken edhe çështja e përgjegjësisë për sulmin në Banjskë, përpjekjet për rikthimin e gjyqtarëve e prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë, si dhe fati i 1,579 personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta.

Seanca pritet të shoqërohet edhe me përplasje qëndrimesh rreth të ardhmes së misionit të UNMIK-ut, ku SHBA-ja dhe Britania e Madhe mbështesin mbylljen apo rishikimin e tij strategjik, përkundër kundërshtimeve nga Rusia dhe Kina. Në mbledhje do të marrin pjesë përfaqësues nga Kosova, Serbia dhe BE-ja. /KosovaPress/

 

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë të vrarë pasi një dron rus godet një park në Ukrainë

Published

on

By

Gjashtë persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë, kur një dron rus goditi një park në rajonin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës, thanë autoritetet më 19 tetor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin, që e cilësoi si “mizori”, duke shkruar në Facebook se droni “goditi direkt njerëzit në një park afër një kafeneje”.

Në mesin e tyre ishte një vajzë njëvjeçare, shkroi ai, duke ripublikuar një fotografi të një vajze të vogël në një karrocë fëmijësh.

Sulmi në parkun qendror të Nova Vodollagës, në rajonin verilindor të Harkivit, la të vrarë edhe nënën e vajzës.

Qyteti, që gjendet pranë vijës së frontit, kishte rreth 10.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të ZUUkrainës në vitin 2022.

Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleg Synegubov, tha në Telegram se në mesin e viktimave janë tre fëmijë dhe 15 persona të tjerë janë plagosur – shtatë prej të cilëve, sipas tij, janë fëmijë.

Në një postim të mëhershëm në Telegram, Synegubov dënoi “një tjetër akt terrorist nga Federata Ruse”.

“Armiku godet një park rekreativ në mes të ditës, duke e ditur se aty nuk ka fare infrastrukturë ushtarake”, tha ai.

Edhe policia e rajonit të Harkivit publikoi në Telegram fotografi ku shiheshin një karrocë e djegur, pajisje të dëmtuara të këndit të lojërave dhe një strukturë prej druri në prag të shembjes.

Ndërkohë, Zelensky përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve të Kievit që t’i sigurojnë vendit më shumë kapacitete të mbrojtjes ajrore, në një kohë të rritjes së tensioneve me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Kërkojmë që sanksionet ndaj Rusisë të mbeten në fuqi për sa kohë që vazhdojnë vrasjet. Kërkojmë që Amerika të jetë e fortë”, tha Zelensky, i cili më herët ka kritikuar vendimin e Uashingtonit për të hequr disa sanksione ndaj Moskës.

Ndërkaq, autoritetet lokale në rajonin lindor të Luhanskut, të pushtuar nga Rusia, thanë se tre persona u vranë të hënën, kur një sulm ukrainas goditi një automjet për transportin e arkivoleve.

“Një sulm ukrainas shënjestroi një automjet të shërbimit funeral që po transportonte një person të vdekur. Ky sulm u mori jetën tre personave”, tha në Telegram Leonid Pasechnik, udhëheqësi i rajonit i instaluar nga Moska. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara