Lajmet

​“E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, dokumentohen historitë e 345 viktimave të dhunës seksuale

Published

on

Më shumë se dy dekada pas luftës, është vështirë ende të dokumentohen krimet e luftës, e në veçanti të atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale. Madje, për një gjë të tillë nuk ka pasur as iniciativë institucionale, megjithatë ende gratë e burrat hezitojnë të flasin si shkak i stigmës ndaj tyre.

QKRMT ka publikuar sot raportin “E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, ku janë dokumentuar historitë e më shumë se 340 të mbijetuarve. 22 për qind prej tyre kanë treguar se dhunimi ka ndodhur në shtëpinë e tyre, 13 nga gratë kanë mbetur shtatzënë. Ndërsa, vetëm 13 kanë paraqitur rastet në institucione të drejtësisë.

Viktimave të cilat pjesë e dokumentimit të historisë së tyre në këtë raport, deri më tani statusi iu është njohur vetëm 194 personave, 61 raste janë në pritje, ndërsa 28 rasteve u është refuzuar statusi.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti ka theksuar se kjo është një iniciativë për të vën gur- themelin për dëshminë e një të vërtete zyrtare. Sipas saj, historia e re nuk mund të shkruhet pa prezencën e zërave të heshtur tash e më shumë se dy dekada.

“Dy dekada pas luftës, Kosova ende ka vështirësi në adresimin e krimeve të luftës. Pra, ka munguar një dokumentim i mirëfilltë i krimeve të luftës, e në veçanti krimeve të dhunës seksuale të luftës. Prandaj, QKRMT në bashkëpunim me organizata e licencuara që kemi prezent këtu, ka filluar iniciativën e dokumentimit të këtyre krimeve, në kuadër të projektit zviceran “Rritja e angazhimit për drejtësi tranzicionale në Kosovë”. Duke i dhënë një rëndësi të veçantë krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës. Në mungesë të një iniciative në nivel nacional, qoftë në institucioneve kosovare por edhe mekanizmave ndërkombëtarë, e kemi parë më se të nevojshme që qendra jonë në bashkëpunim me qendrat tona të fillojmë këtë iniciativë”, ka thënë ajo.

Rushiti ka shtuar se shumë gra dhe burra të cilët përjetuan këtë krim, më nuk jetojnë edhe për shkak të vuajtjeve dhe sëmundjeve të shumta.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovës, Thomas Kolly tha se të mbijetuarat po përjetojnë padrejtësi të dyfishtë, meqë ende po përballen me stigmatizim edhe nga familja e ngushtë.

“Statusi i të gjitha të mbijetuarve viktimave nga dhuna seksuale duhet të njihet. Ligji aktual nuk është i kompletuar, për arsye se mbulon vetëm një periudhë të kufizuar kohore. Ky ligj duhet të amandamentohet që të gjithë viktimat, pavarësisht momentit të krimit, të kenë mundësi të aplikojnë për atë se çfarë atyre ju takon. Përballja e tij me të vërtetën dhe stigmatizimit është ekstrem e vështirë, por mënyra e vetme që të arrihet të shërohet plaga. Ky proces i shërimit të plagës duhet të jetë një bazë solide”, ka theksuar ai.

Në ditën kur ajo po kujton se çfarë i ndodhi 22 vjet më parë, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila rrëfeu tmerrin e përjetuar si 16 vjeçare tha se 14 prilli i vitit ’99 ia ka ndryshuar jetën.


“Kjo ditë dhe datë më kthen prapa mua se ka qenë para 22 vitesh për mua ndodhi krimi dhe tmerri më i madh që më ndodhi në jetë. Më dërrmoi, m’i shuajti ëndrrat, ma prishi jetën. Me këtë raport unë ndihna shumë mirë, që me të vërtetë të dokumentohen se janë shumë viktima kanë pasur mundësi të raportojnë edhe krimet. Unë jam ajo që kam dokumentuar ditën e nesërme, shpresoj që edhe viktimat tjera të raportojnë rastet që i kanë. Është e vështirë që të raportohen raste, kur dihet që drejtësia u ka munguar të gjithëve. Nuk kemi asnjë kriminel të dënuar për krimet që kanë bërë për viktimat e dhunës seksuale. Kjo i bën viktimat që të heshtin”, theksoi ajo.

Menaxherja e projektit, Fatmire Haliti tha se në këtë raport ka theksuar se janë të dokumentuara historitë e 345 viktimave të dhunës seksuale. Ku 45 për qind prej tyre janë raste të moshës 18 deri në 28 vjeç, ndërsa 32 për qind nga 29 deri në 39 vjeçare. E viktimat më të reja janë ato të moshës 9 vjeçare. Muaji mars, prill dhe maj janë me më së shumti raste të dhunimeve.

Vetëm 13 raste kanë kërkuar hetimin e rastit, dy raste janë ngritur aktakuzat, ndërsa 8 nuk dihet se çfarë ka ndodhur.

“48 për qind të rasteve kanë ndodhur në shtëpinë ku kanë qenë të vendosura viktimat, ndërsa 22 për qind kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës, në shtëpinë e saj. 9 për qind në ambiente të hapura, në stacione policore, në rrugë. Ajo që është më e rëndësishmja është tek këto rastet që kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës, apo në 48 për qind që kanë ndodhur në shtëpinë ku viktimat kanë qenë të strehuara . Janë rastet ku zakonisht popullata ka qenë e zhvendosur nga një shtëpi në shtëpinë tjetër. Në këto raste zakonisht dhunimet kanë qenë grupore, ku dhunuesit kanë hyrë në shtëpitë ku kanë qenë të vendosur fëmijët apo gratë”, tregon Haliti.

Për rastet ku dhunimet kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës, Haliti tha se të njëjtat e kanë shumë të vështirë sepse shumica nuk e kanë ndërruar vendbanimin.

57 për qind e këtyre rasteve janë dhunime individuale, ndërsa 42 për qind dhunime në grup. Ndërsa, në 75 për qind ngjarjes së dokumentuar ka pasur dëshmitarë të dhunimit.

“Të mbijetuarat e deklaruara kanë treguar që 13 prej tyre kanë mbetur shtatzënë si pasojë e dhunimit. Prej 13 rasteve, në 11 raste viktimat e kanë abortuar qëllimshëm foshnjën, ndërsa vetëm 1 ka ofruar përkujdesje ndaj fëmiut. Një rast tjetër ka deklaruar që përkundër që ka pasur vullnet të mbajë fëmijën, e njëjta ka pasur abort spontan dhe fatkeqësisht e ka humbur fëmijën”, ka shtuar Haliti.

Raporti i publikuar tregon edhe për numrin e atyre që kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë.

“Kemi vetëm 4 për qind e tyre që kanë deklaruar që kanë kërkuar hetim të rastit, përkatësisht e kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë. Prej tyre, janë 13 raste me numër, ndërsa me përqindje ishte 4 që kanë kërkuar hetimin e rasteve. Për tri raste kanë filluar hetimet, për dy raste është ngritur aktakuza, ndërsa tetë raste nuk janë në dijeni se çfarë ka ndodhur me rastet e tyre përkundër që kanë deklaruar në institucionet e drejtësisë”, ka theksuar ajo.

86 për qind e rasteve kanë treguar se kryerësit nuk i kanë parë më herët, 9 për qind e tyre i njohin sepse kanë qenë persona me emër në atë komunitet. Ndërsa 5 për qind të pa identifikueshëm, pasi që kanë qenë të maskuar në fytyrë.

Lajmet

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Published

on

By

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti para takimit me Abdixhikun: Shkoj me vullnet të mirë dhe gatishmëri për marrëveshje

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me synim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti.

Kurti tha se takimi me Abdixhikun do të mbahet në formatin “1+1”, ndërsa ai do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha ai.

Ai theksoi se takimi me LDK-në synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.

“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai.

Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.

“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha ai. /EkonomiaOnline/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest hapi edicionin e 16-të, “Kujtesa” në qendër të festivalit

Published

on

Edicioni i 16-të i Etno Fest ka nisur mbrëmjen e së dielës me një program të pasur artistik, duke e vendosur në qendër temën “Kujtesa”, si një ftesë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe identitetin kolektiv.

Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, dashamirës të artit dhe vizitorë të shumtë, ndërsa festivali u çel me fjalën përshëndetëse të drejtorit, Fadil Hysaj, i cili falënderoi artistët, partnerët dhe publikun për mbështetjen ndër vite. Të pranishëm në hapje ishin edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Programi nisi me një ekspozitë shumëdimensionale që bashkoi skulpturën, pikturën, fotografinë, mozaikun, muralin dhe instalacionet artistike. Punimet e artistëve trajtuan kujtesën, identitetin dhe përvojat historike, duke sjellë para publikut një rrëfim të pasur përmes artit pamor.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimin pianistik të Lule Elezit, ndërsa një nga momentet kulmore ishte performanca antropologjike “MYSAFIRI”, me tekst dhe regji të Fadil Hysajt, muzikë nga Memli Kelmendi dhe interpretim nga aktorët Shpëtim Selmani, Sheqerie Buçaj dhe Shpejtim Kastrati. Shfaqja u pasurua me elemente të traditës shqiptare, përfshirë tingujt e lahutës, tepsisë dhe simbolikën e nuses ilire.

Atmosfera artistike vijoi me interpretimin e kavallistit Vendim Kapaj, i cili solli kolonën zanore të filmit The Odyssey, si dhe me performancën e mysafirëve nga Italia, Soloists of GOB (Ocarina Duo & Piano), të cilët interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe melodi tradicionale italiane.

Nata e parë e festivalit u mbyll me koncertin e Edona Reshitajt dhe bendit të saj në “Etno Nejë”, duke përmbyllur një mbrëmje të mbushur me muzikë, art dhe reflektim mbi rëndësinë e kujtesës si pjesë e identitetit kulturor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë hetimet për krimet e luftës në Zubin Potok: Tre të arrestuar dhe gërmime në disa lokacione

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit zyrtar, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kontrolluar disa lokacione të ndryshme. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë ende. Përveç këtyre, hetimet aktualisht po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë.

Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe prokurorja përgjegjëse, e cila ka mbikëqyrur drejtpërdrejt veprimet hetimore së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë.

Organet e ndjekjes bëjnë të ditur se për shkak të ruajtjes së procesit nuk mund të ndajnë detaje të tjera për momentin. “Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet në komunikaten e Prokurorisë Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara