Lajmet nga UBT

Projektimi i së ardhmes: Zhvillimi dhe suksesi i Fakultetit të Arkitekturës të UBT-së

Published

on

Në rrugën e zhvillimit të një fakulteti, historia dhe sukseset e tij janë ngjarje që ndriçojnë rrugën drejt përparimit e zhvillimit. Fakulteti i Arkitekturës në UBT është një prej shembujve më frymëzues të këtij rrugëtimi. Duke filluar nga modestia e një grupi studentësh në vitin 2005, deri në rritjen e tij në numër dhe shtrirjen e influencës së tij në rajonin e Ballkanit, ky fakultet ka shkëlqyer në të gjitha fushat e tij. Në këtë reportazh kronologjik, prezantohet rruga e suksesit të Fakultetit të Arkitekturës në UBT, duke ndriçuar zhvillimin, dhe kontributin në botën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor.

“Fakulteti i Arkitekturës në UBT, gjenerata e parë ka filluar në vitin akademik 2005/ 2006 për të vazhduar më tutje deri në ditët e sotme. Gjenerata e parë me 12 studentë ndërsa tani i kemi mbi 1200 studentë që domethënë që jemi fakulteti më i madh në regjionin e Ballkanit në fushën e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo rritje ka ndodhur si rezultat i zhvillimit, angazhimit serioz institucional në kuadër të UBT-së, strukturave udhëheqëse, në krye me rektorin dhe po ashtu angazhimit serioz të stafit akademik, udhëheqësisë së fakultetit dhe studentëve. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në promovimin e sukseseve të këtij fakulteti deri në ditët e sotme dhe trendi i zhvillimit po ashtu është pozitiv”, theksoi Binak Beqaj, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës.

Fokusi te kurrikula dhe internacionalizimi i programit studimor janë dy aspekte që bëjnë Fakultetin e Arkitekturës në UBT të shkëlqejë. Siç e shpalos Dekani, Binak Beqaj, angazhimi i strukturave menaxhuese të institucionit dhe fakultetit, së bashku me përkushtimin e stafit akademik dhe studentëve, ka qenë një element kyç për përparimin dhe suksesin e programit.

“Programi studimor i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT e bën të veçantë në radhë të parë vetë kurrikula, e cila me kujdes është e harmonizuar me përvojat më të mira të universiteteve të ndryshme ndërkombëtare, veçanërisht atyre të Bashkimit Evropian. Si rezultat i kësaj studentët tanë nuk kanë probleme që t’iu pranohet diploma diku jashtë, qoftë nëse vazhdojnë me studime të masterit apo edhe që të punësohen. Janë shumë mirë të pranueshëm në secilin shtet dhe kjo na bën të ndihemi mirë sepse shohim një ekuivalencë ose një nivel të kënaqshëm të dijes së studentëve tanë, krahasuar me kolegët e tyre nëpër universitete të ndryshme të Bashkimit Evropian. E dyta është internacionalizimi ose politikat e bashkëpunimit intenziv ndërkombëtar, edhe ky është një faktor shumë i rëndësishëm për arsye se ka mundësuar që të zhvillojmë projekte te përbashkëta me universitete të ndryshme të shkëmbejmë ide dhe përvoja edhe si staf, por edhe me studentët bashkë. Kështu që si rezultat i kësaj kemi shumë fusha të bashkëpunimit me shumë universitete të ndryshme nga Austria, Gjermania, Italia, Turqia dhe nga vende të tjera. Elementi i tretë që e bën të suksesshëm këtë program është angazhimi serioz i strukturave menaxhuese institucionale edhe të UBT-së edhe të fakultetit, angazhimi profesional i stafit akademik me kompetencë dhe angazhimi serioz i studentëve të secilës gjeneratë sepse secila gjeneratë kanë krijuar një shkallë drejt ngjitjes së suksesit”, thekson Binak Beqaj, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës.

Kur flitet për cilësinë e mësimdhënies dhe ndihmën që u ofrohet studentëve në zhvillimin e tyre në arkitekturë, profesori Banush Shyqeriu ndan disa përspektiva thelbësore. Profesori thekson se cilësia është e siguruar në nivelet institucionale dhe të fakultetit dhe se ekzistojnë nënkomisionet për sigurimin e cilësisë. Po ashtu, fakulteti dhe institucioni mbajnë nën kontroll arritjen e objektivave të përcaktuara në kurrikulë.

“Cilësia fillimisht në mësimdhënie dhe mësimnxënie sigurohet nga kurrikula dhe pastaj përmes sillabuseve të lëndës, lëndëve specifike të cilat praktikisht kanë korniza me të cilat krijojnë ambientin i cili vlerëson punën e studentëve, mirëpo vlerësohet edhe puna e pedagogëve. Ne kemi sigurim të cilësisë edhe në nivel institucional dhe pastaj kemi edhe nivelin e sigurimit të cilësisë në nivelin e fakulteteve dhe pastaj secila lëndë e kontrollon cilësinë vet. Cilësia lidhet me Feedbackun të cilën e marim nga studentët, që është puna e studentëve në baza semestrale, e cila praktikisht tregon arritjen e targeteve që janë vendosur përmes sillabuseve të lëndës. Pastaj më korniza tjera të cilat padyshim janë të rregulluara në nivelin institucional dhe të fakultetit. Fakulteti i Arkitekturës ka edhe nënkomisionet, njëri prej nënkomisioneve eshtë Nënkomisioni për Sigurimin e Cilësisë me të cilën realisht jepen rekomandime dhe mbahen në kontroll arritja e targeteve të cilën e ka lënda, fakulteti dhe institucioni në përgjithësi”, shprehet Banush Shyqeriu, Profesor i Arkitekturës.

Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT po prodhon arkitektë të ardhshëm, të cilët janë të përgatitur për sfidat dhe detyrat e profesionit të tyre, thekson profesori Shyqeriu dhe se sukseset e tyre tashmë janë të dokumentuara, duke treguar se ata janë të aftë për t’u punësuar në tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit.

“Nuk ka dyshim që me përgatitjet synohet që studentëve t’u jipen informata, njohuri, shkathtësi, kompetenca për profesionin e ardhshëm dhe kështu studentët tanë të jenë të sukseshëm dhe kështu storia e suksesit tashmë veç është e diktuar, për faktin se studentët tanë janë të punësuar në vend dhe jashtë vendit dhe janë mjaft të suksesshëm. Kjo nënkupton që Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor prodhon arkitektë të ardhshëm si individ me etikë, të përgjegjshëm ndaj shoqërisë, ndaj profesionit ska dyshim, ndaj ambientit dhe ndaj kulturës të vendit”, thekson Shyqeriu.

Studentët e Fakultetit të Arkitekturës në UBT shprehin ndjenjën e bashkëpunimit dhe motivimit të lartë nga ana e profesorëve në zhvillimin e tyre profesional. Ata vlerësojnë rolin kritik të arkitektit në shoqëri dhe ndihmën që ofrohet për të konceptuar ide të reja dhe për të përballuar sfidat e procesit të studimit të arkitekturës. Këto perspektiva tregojnë për një ambient të frytshëm studimor dhe përkrahjen e vazhdueshme nga fakulteti në udhën e tyre drejt suksesit.

“Duke marrë parasysh se një arkitekt ka një rol kritik sa i përket projektimit të ndërtesave dhe hapësirave publike, ne kemi arritur në këtë lëndë me profesorin së bashku të konceptojmë disa terme dhe koncepte të ndryshme që në të ardhmen shpresojmë se do t’i elaborojmë edhe në kohën reale”, shprehet Elona Ramadani, studente e Arkitekturës.

“Po ashtu vlen të ceket që mundin të cilin e bëjmë gjatë gjithë semestrit në lëndën e Banimit, profesori mundohet që me çdo kusht të na shpërblejë dhe kjo na motivon, është një motivim shtesë, që ne mos të ndalemi dhe të punojmë me shumë përkushtim”, tha Bardh Tafili, student i Arkitekturës.

Hasan Canolli, një alumn i Fakultetit të Arkitekturës, rrëfen rolin e rëndësishëm që institucioni ka luajtur në udhën e tij drejt suksesit. Si pjesë e gjeneratës së parë që ka kryer studimet në këtë fakultet, Canolli shpreh krenarinë që UBT është një udhërrëfyes dhe një shembull i arritjeve të mundshme në botën e biznesit dhe arkitekturës.

“Unë jam gjenerata e parë që ka kryer Arkitekturën në UBT, kjo shkollë ka qenë një udhërrëfyes i imi, një rrugë për të arritur diçka më shumë në biznes. Edhe shtëpitë që janë të ndërtuara në Washington Residence, janë pjesë e plane të UBT-së, që ne kemi marrë ide se si duhet të funksionojë arkitektura në zhvillim e sipër. Si UBT më ka ndihmuar mjaft shumë si sukses në biznes edhe në pjesën e arkitekturës njëkohësisht. Kemi arritur me bë një ndërrmarje të fuqishme në tregun kosovar për pjesën e ndërtimit, por duke ju falënderuar vazhdimisht UBT, për të arritë këtu ku jemi”, theksoi Hasan Canolli, alumni i UBT-së.

Suksesi i Fakultetit të Arkitekturës në UBT nuk është vetëm një histori e përfaqësuar në harta dhe diagrame. Është një histori e shkruar nga studentët, profesorët dhe personeli i angazhuar në çdo hap të rrugës. Nëpërmjet përkushtimit të tyre të palodhur dhe vizionit për një të ardhme më të ndriçuar, ata po bëjnë histori në botën e arkitekturës. Dhe kjo histori vazhdon të shkruhet, një projektim i vazhdueshëm i së ardhmes, ku çdo veprim është një hap drejt ndërtimeve të mëdha./UBTNews/

©️Dionesa Ebibi

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

lajme

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

Lajmet

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Të kërkuara