Lajmet

Sërish përleshje mes protestuesve dhe policisë në Iran

Protestat mbarëkombëtare janë shtrirë në të gjithë Iranin, në mbi 125 qytete.

Published

on

Protestuesit në Iran u përballën me forcat e sigurisë të premten në qytetin juglindor të Zahedanit, ku pas disa javësh trazirash dhe demonstratash të nxitura nga vdekja e një gruaje të arrestuar nga policia morale e vendit, vazhdon të rritet bilanci i viktimave.

Qyteti i Zahedanit, ku protestat fillimisht nisën pas akuzave për përdhunimin e një vajze nga një oficer policie, është bërë rajoni më vdekjeprurës i trazirave pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.

Protestat mbarëkombëtare janë shtrirë në të gjithë Iranin, në mbi 125 qytete. Të paktën 270 njerëz janë vrarë dhe rreth 14 mijë protestues janë arrestuar, sipas grupit të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Iran.

Aktivistët vlerësojnë se vetëm në Zahedan, rreth 100 njerëz janë vrarë që nga tubimi i 30 shtatorit, që shkaktoi një reagim të dhunshëm të policisë.

Demonstratat janë bërë kërcënimi më i madh për qeverinë teokratike të vendit që nga demonstratat e “Lëvizjes së Gjelbër” të vitit 2009. Gratë vazhdojnë të heqin hixhabet e tyre gjatë protestave në rrugë ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi qeverinë e Iranit për dhunën e ushtruar ndaj demonstruesve.

Videot e protestave të së premtes në Zahedan rreth xhamisë së Makkit tregojnë përdorimin e armëve të zjarrit. Pamjet e mëvonshme treguan njolla gjaku në oborrin e xhamisë, me aktivistët që thanë se dy persona ishin vrarë.

Autoritetet iraniane nuk u prononcuan mbi dhunën e së premtes në Zahedan, një qytet në provincën Sistan dhe Baluchistan të Iranit që ndodhet rreth 500 kilometra në juglindje të kryeqytetit të vendit, Teheranit.

Megjithatë, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA përcolli një deklaratë nga këshilli i sigurimit të provincës të premten duke thënë se shefi i policisë në Zahedan dhe një zyrtar tjetër policie janë shkarkuar për mënyrën se si menaxhuan protestën e 30 shtatorit. Për herë të parë në deklaratë pohohet se policia qëlloi dhe vrau njerëzit që faleshin në atë kohë në një xhami aty pranë.

Sipas versionit të këshillit të sigurisë, në demonstratë pretendohej se 150 persona, përfshi burra të armatosur, sulmuan një stacion policie dhe u përpoqën ta merrnin atë gjatë protestave.

“Konflikti i armatosur dhe të shtënat nga policia, për fat të keq, çuan në plagosjen dhe vrasjen e një numri besimtarësh dhe kalimtarësh të pafajshëm, të cilët nuk kishin asnjë rol në trazira”, thuhet në deklaratë.

Të enjten në mbrëmje u zhvilluan protesta edhe në qytete të tjera. Aktivistët paralajmëruan se të tjerë protestues ishin vrarë nga forcat e sigurisë. Megjithatë, qeveria e Iranit nuk ka dhënë një numër të përgjithshëm të vdekjeve nga protestat.

Mbledhja e informacionit për demonstratat mbetet e vështirë. Qasja në internet është ndërprerë për javë të tëra nga qeveria iraniane. Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar të paktën 46 gazetarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Zyrtarët iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur se armiqtë e huaj të vendit qëndrojnë prapa demonstratave./REL

Vendi

Studentja e UBT-së shpallet fituese e vendit të dytë në Konkursin Ndërkombëtar “Riciklo – Kreativ 2026”

Published

on

By

Studentja e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), Erika Hoti, është shpallur fituese e vendit të dytë në edicionin e sivjetshëm të Konkursit Ndërkombëtar Studentor “Riciklo – Kreativ 2026”.

Ky konkurs rajonal, që bëri bashkë studentë të arkitekturës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vlerësoi projektet më të mira që ndërthurin kreativitetin, qëndrueshmërinë mjedisore dhe vizionin arkitektonik.

Suksesi i studentes së UBT-së u arrit pas vlerësimit të kujdesshëm nga një juri profesionale ndërkombëtare, nën mbështetjen e Fondacionit Mane, TEG dhe programit B4Students, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e lartë të studentëve të këtij institucioni në skenën mbarëshqiptare dhe rajonale.

Continue Reading

lajme

United Hospital avancon kujdesin për shëndetin e fëmijëve me shërbime të specializuara të kirurgjisë dhe urologjisë pediatrike

Published

on

By

Shëndeti i fëmijëve kërkon përkushtim të veçantë, vlerësim të kujdesshëm mjekësor dhe trajtim të përshtatur për çdo moshë. United Hospital ofron shërbime të specializuara në kirurgjinë dhe urologjinë pediatrike, duke u fokusuar në diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve shëndetësore që mund të ndikojnë në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së fëmijëve.

Një nga fushat e trajtimit përfshin vlerësimin e problemeve të rënda të zorrëve dhe konstipacionit kronik, veçanërisht kur simptomat vazhdojnë pavarësisht trajtimit të zakonshëm. Në rastet e përzgjedhura, procedurat diagnostikuese dhe ndërhyrjet e specializuara mund të ndihmojnë në identifikimin e shkakut të problemit dhe përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm. Kur dyshohet për sëmundje të lindura të zorrës, analizat histopatologjike mund të jenë të nevojshme për konfirmimin e diagnozës, ndërsa trajtimi përcaktohet nga ekipi mjekësor në bazë të gjendjes individuale të fëmijës.

Për ta bërë kujdesin shëndetësor më të qasshëm për prindërit, United Hospital ofron vizita specialistike në kirurgji dhe urologji pediatrike edhe të shtunave, nga ora 10:00 deri në 16:00, me një ekip profesionistësh të përkushtuar ndaj shëndetit të pacientëve të vegjël.

Prindërit që vërejnë te fëmijët e tyre konstipacion të vazhdueshëm, dhimbje të përsëritura të barkut, fryrje apo shqetësime të tjera duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor, në mënyrë që shkaku të identifikohet dhe trajtimi të planifikohet në kohë.

United Hospital – kujdes profesional, vëmendje e veçantë dhe përkushtim për shëndetin e fëmijëve.

📅 Terminet: Çdo të shtunë, 10:00–16:00

📞 Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70

📍 Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë, Kosovë

Për informata mbi përshtatshmërinë e procedurave për fëmijën tuaj, konsultohuni me specialistët e kirurgjisë pediatrike./rajonipress/

 

Continue Reading

lajme

Dy persona të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari vetëdorëzohet në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.

Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në Gjilan

Published

on

By

Një rast i rëndë është raportuar në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, personat që janë gjetur pa shenja jete janë një burrë dhe një grua, raporton Ekonomia Online.

Continue Reading

Të kërkuara