Aktualitet

Pse Donbas është zemra e konfliktit Rusi-Ukrainë?

Çfarë ka ndodhur për herë të fundit në Donbas?

Published

on

CNN

Situata në Ukrainën Lindore vazhdon të jetë e  tensionuar pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi vendosjen e trupave “paqeruajtës” në Donbas pas njohjes së pavarësisë së dy rajoneve separatiste pro-ruse.

Analistët thonë se ky mund të jetë fillimi i një konflikti më të gjerë në vend dhe shumë zyrtarë e kanë quajtur këtë veprim një kërcënim për sovranitetin e Ukrainës. Konflikti nuk është i ri për rajonin e Donbasit. Për gati tetë vite, vendi është përfshirë në një lufte me intensitet të ulët midis separatistëve  dhe forcave ukrainase, duke shkaktuar më shumë se 14 mijë viktima.

Por vendimi i Putinit të hënën përforcon ndjeshëm shqetësimet rreth synimeve të Moskës në rajon.

Çfarë ka ndodhur për herë të fundit në Donbas?

Lufta shpërtheu në vitin 2014 pasi rebelët e mbështetur nga Rusia pushtuan ndërtesat qeveritare në të gjithë Ukrainën lindore. Si pasojë,  pjesë të rajonit lindor të rajonit të Donbasit, Luhansk dhe Donetsk ranë në  duart e separatistëve të mbështetur nga Rusia. Rusia gjithashtu aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, në një veprim që ngjalli reagime të shumta globale, raporton abcnews.al

Zonat e kontrolluara nga separatistët në Donbas u bënë të njohura si Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donetskut. Qeveria ukrainase në Kiev pohon se të dy rajonet janë në fakt të pushtuara nga Rusia. Republikat e vetëshpallura nuk njihen nga asnjë qeveri, përveç Rusisë. Qeveria ukrainase refuzon të bisedojë drejtpërdrejt  me republikat separatiste.

Marrëveshja e Minskut në vitin 2015 çoi në një marrëveshje të lëkundur armëpushimi dhe konflikti u zhvendos në një luftë statike përgjatë vijës së kontaktit që ndau qeverinë ukrainase dhe zonat e kontrolluara nga separatistët.

Marrëveshjet e Minskut (të emërtuara sipas kryeqytetit të Bjellorusisë ku u nënshkrua ) ndalojnë armët e rënda pranë vijës së kontaktit. Gjuha rreth konfliktit është shumë e politizuar. Qeveria ukrainase i ka quajtur forcat separatiste “pushtuese”. Mediat ruse i quajnë forcat separatiste “milici”, duke theksuar se ata mbrojnë veten kundër qeverisë së Kievit.

Më shumë se 14,000 persona kanë vdekur në konfliktin në Donbas që nga viti 2014. Ukraina thotë se 1.5 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ku shumica kanë qëndruar në zonat e Donbasit dhe rreth 200,000 janë zhvendosur në Kiev.

Si  ka nxitur Putin konfliktin?

Separatistët në Donbas kanë pasur mbështetje të konsiderueshme nga Moska. Rusia kishte deklaruar  prej kohësh se nuk ka vendosur ushtarë atje, por zyrtarët e SHBA-së, NATO-s dhe ukrainas thonë se qeveria ruse i ka ndihmuar prej kohësh separatistët.

Moska gjithashtu ka shpërndarë qindra mijëra pasaporta ruse për njerëzit në Donbas gjatë viteve të fundit. Ditën e djeshme, parlamenti rus njohu zyrtarisht dy rajonet  e shkëputura pro-ruse si shtete të pavarura, një tjetër përshkallëzim në retorikë që sipas zyrtarëve demostron se Putin nuk ka ndërmend të respektojë marrëveshjen e Minskut, raporton abcnews.al

Putin ka akuzuar prej kohësh Ukrainën për shkeljen e të drejtave të rusëve etnikë dhe rusishtfolësve në Ukrainë dhe ka thënë se ishte brenda të drejtave të Rusisë që të ndërhynte ushtarakisht për t’i mbrojtur ata. Të mërkurën e kaluar, Putin pretendoi se në Donbas po kryhej “gjenocid”. Pretendimet e tij nuk janë të panjohura por politikëbërësit perëndimorë janë të frikësuar nga përsëritja  e një konflikti të vitit 2008 në Gjeorgji.

Duke folur për gjenocidin, Putin po i bënte jehonë pretendimit të rremë të Rusisë se Gjeorgjia kreu gjenocid kundër civilëve në republikën separatiste të Osetisë Jugore në gusht 2008. Gjatë atij konflikti të shkurtër, Rusia filloi një inkursion masiv ushtarak në Gjeorgji.

Ashtu si në vitin 2014, rajoni i Donbasit është tani pika e konfliktit midis lindjes dhe perëndimit, midis përpjekjes së Putinit për të rivendosur kontrollin,  për të dobësuar  Ukrainën dhe aspiratës në rritje të ukrainasve për t’u bashkuar me demokracitë europiane.

/abcnews.al

Continue Reading

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara