Lajmet

​GLPS ia përmend Kurtit premtimin për riformatizimin e Qeverisë, thekson ngecjet trivjeçare

Qeveria Kurti nuk i ka sjellë vendit asnjë njohje të re, derisa është theksuar nevoja për zgjedhje afatgjate.

Published

on

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar analizën për qeverisjen trivjeçare ku ka theksuar ngecjen në politikën e jashtme, reformat në sundim të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kurse sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, GLPS konsideron se reagimi i butë ndaj Serbisë dhe qëndrimi agresiv ndaj Kosovës paraqet një gabim strategjik të bashkësisë ndërkombëtare, duke rrezikuar të gjithë procesin e dialogut.

Sipas analizës të realizuar, Qeveria Kurti nuk i ka sjellë vendit asnjë njohje të re, derisa është theksuar nevoja për zgjedhje afatgjate, pasi sipas GLPS-së, zgjidhjet afatshkurta dëmtojnë rrugën integruese të Kosovës.

Njomza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS, ka listuar të arriturat dhe ngecjet e qeverisjes trivjeçare të kryeministrit, Albin Kurti. Ajo ka thënë se viti i tretë i qeverisjes vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore.

“Në përgjithësi, viti i tretë i qeverisjes, sikurse vitet paraprak, vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore. Nga 16 institucione gjithsejtë, përfshirë 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, vetëm katër prej tyre udhëhiqen nga sekretarë me mandatë të rregullt. Ky fenomen vazhdon të dëmtojë funksionimin e administratës publike në Kosovë. Kemi theksuar nevojën për një riformatim të Qeverisë për shkak të mungesës së performancës në disa dikastere. Edhe pse kjo ishte paralajmëruar nga kryeministri Kurti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Po hyjmë në vitin e katërt dhe të fundit, dhe nevoja për riformatim qe ka qenë e padiskutueshme, nuk është jetësuar gjatë kësaj kohe…Fenomeni i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies mbetet ende i theksuar”, tha Arifi.

Sipas saj, reformat në sundim të ligjit kanë vazhduar të jenë në krye të agjendës qeveritare edhe gjatë vitit të tretë, duke shtuar se fokus i veçantë i vlerësimit që kanë realizuar është vënë mbi reformën e vetingut të sistemit të drejtësisë, iniciativën për reforminim e kornizës ligjore për sistemin prokurorial, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe strategjinë kombëtare për luftën kundër korrupsion.

Arifi ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur kritika të vazhdueshme mbi tendencën e ekzekutivit për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, përmes deklaratave publike karshi gjyqësorit dhe prokurorisë, për çfarë tha se një nga dokumentet kryesore në fushën e sundimit të ligjit mbetet Strategjia Kombëtare për Sundim të Ligjit 2021-2026. Ajo po ashtu ka thënë se sa i përket Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim që kur i njëjti projektligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, që tashmë një vit.

Ndërsa duke folur për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ajo tha se Kosova vlerësohet të jetë ende në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova vlerësohet të jetë ende në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe pse legjislacioni i rëndësishëm kundër korrupsionit është miratuar, zbatimi në praktikë mbetet shqetësues. Megjithatë, gjatë këtij viti si shenja pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mund të shihen operacionet policore kundër kontrabandës në veri të Kosovës. Gjatë kësaj kohe në komunat veriore u bënë hapa konkret në shkatërrimin e laboratorëve të drogës, rrugëve ilegale të kontrabandimit, laboratorëve të kriptovalutave…GLPS poashtu konsideron se duhet bërë përpjekje të shtuara për të ngritur kapacitetet e brendshme të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, duke marrë parasysh zgjerimin e kompetencave me ligjin e ri të aprovuar për këtë institucion. Për shkak të mandatit të zgjeruar, mbetet shumë e rëndësishme që kësaj Agjencie t’i ofrohen të gjitha kushtet për ushtrim të duhur të mandatit të saj”, tha ajo.

GLPS po ashtu kërkon zbardhje sa më të shpejtë të skandalit i cili rrodhi në media sa i përket blerjes së rezervave shtetërore gjatë këtij viti të tretë qeverisje.

Në anën tjetër, drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla ka kritikuar Qeverinë mbi ndryshim-plotësimet e propozuara për Ligjin për Zyrtarët Publik (LZP).

“Konsiderojmë që këto ndryshime janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e administratës publike. Para së gjithash, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), si institucion sponsorizues i këtij ligji, ndoqi një procedurë të papranueshme, duke e bërë atë të mbyllur për pjesëmarrjen e akterëve të interesuar. Në mënyrë të veçantë, mospublikimi i këtij procesi në platformën e konsultimeve publike shkel rregullat themelore të konsultimeve, duke shkelur parimin e transparencës, por edhe nxit dyshime mbi legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë e vendimeve të marra. Me këtë projektligj (LZP), Qeveria edhe një herë dëshmoi preferencën e saj për ushtruesit e detyrës. Me aktin e propozuar, afati i ushtruesve të detyrës është zgjatur deri në 2 vjet, një tregues i qartë për tendencën e Qeverisë për të ligjësuar një fenomen të rrezikshëm që i bën këta zyrtarë më të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike të përditshme…Në anën tjetër, Ligji për Pagat vazhdon të has në sfida të njëpasnjëshme në praktikë si pasojë e dështimit të finalizimit të procesit të klasifikimit të vendeve të pjesën dërmuese të institucioneve publike”, tha Loxha-Stublla.

Stublla po ashtu ka thënë se Qeveria Kurti II nuk ka arritur të sigurojë ndonjë njohje shtesë apo anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë.

“Duke hyrë në vitin e fundit, Qeveria Kurtit II nuk ka arritur të sigurojë ndonjë njohje shtesë apo anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë. GLPS konsideron se Qeveria Kurti II po dështon të sigurojë një strategji efektive sa i përket politikës së jashtme dhe përpjekjet mbesin jashtëzakonisht të limituara, pa ndonjë rezultat konkret as në sigurimin e njohjeve të reja e as në komunikimin e duhur me pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Me aq sa është parë në vitin e tretë, MPJD duket më shumë e fokusuar në fuqizimin e marrëdhënieve me Diasporën, sesa në përpjekjet për të siguruar një kornizë koherente të politikës së jashtme… Po ashtu GLPS konsideron se tendosja në marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, tensionet e vazhdueshme në komunat veriore me shumicë serbe dhe stagnimi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë vazhdojnë të jenë faktorë kyç që minojnë përpjekjet e politikës së jashtme të Kosovës dhe pengojnë njohjen e mëtejshme ndërkombëtare…Aktualisht qasja dhe politikat e propozuara shfaqin zgjidhje afatshkurtra, duke shkaktuar mungesë të qëndrueshmërisë dhe duke privilegjuar politikat e momentit, ndërsa neglizhojnë synimet afatgjata të zhvillimit të vendit”, tha Loxha-Stublla.

Mes tjerash ajo ka thënë se që nga marsi i vitit të kaluar, dhe veçanërisht pas sulmit në Banjska në shtator, dialogu me Serbinë ka konsumuar shumicën e përpjekjeve të politikës së jashtme të kryeministrit Kurti gjatë këtij viti të tretë.

“GLPS konsideron masat e BE-së kanë rezultuar me dëme politike, ekonomike dhe teknike për Kosovën, dhe tregojnë për një qasje asimetrike të BE-së kundrejt dy shteteve në dialog. Procesi i Integrimit Evropian mbetet ende i limituar brenda mekanizmave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës Evropiane për Reforma…Që nga marsi i vitit të kaluar, dhe veçanërisht pas sulmit në Banjska në shtator, dialogu me Serbinë ka konsumuar shumicën e përpjekjeve të politikës së jashtme të kryeministrit Kurti gjatë këtij viti të tretë…GLPS konsideron se reagimi i butë ndaj Serbisë dhe qëndrimi agresiv ndaj Kosovës paraqet një gabim strategjik të bashkësisë ndërkombëtare, duke rrezikuar të gjithë procesin e dialogut. Prandaj, një qasje e ekuilibruar nga BE-ja, është thelbësore që procesi i normalizimit të japë rezultate”, ka shtuar Loxha-Stublla.

GLPS po ashtu thekson se integrimi i qytetarëve serbë të Kosovës mbetet thelbësor, duke shtuar se bie mbi përgjegjësinë e qeverisë për të zhvilluar një strategji që synon integrimin e komunitetit serb të Kosovës, duke ofruar stimuj ekonomik, social dhe politik.

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara