Lajmet

Disa nga sjelljet dhe gjestet më të urryera në botë

Ua sjellim një listë me gjestet që nuk duhen bërë.

Published

on

Mësoni si mos t’i bëni disa nga sjelljet dhe gjestet më të urryera në botë!

Nuk është gjithnjë e dukshme kur dikush thyen kodin e etikës, pasi ky Kod nuk është i gdhendur në gurë. Ama, ekspertë të fushës – që ndër vite kanë studiuar ndërveprimet dhe sjelljet e njerëzve mes njëri-tjetrit, kanë arritur së paku të hartojnë një listë me gjestet që nuk duhen bërë, edhe pse shumica prej nesh mund të jenë duke i bërë ato në mënyrë krejtësisht të pavetëdijshme.

Fatmirësisht, në momentin që një gabim evidentohet, ai më pas është tepër i thjesht për t’u vënë re e të korrigjohet – gjithmonë nëse dëshirojmë. Në fund të fundit, kur lejojmë politikanët tanë t’i thyejnë kaq shpesh rregullat e etikës gjatë takimeve në Parlament, jemi të lirë të sillemi si të duam. Apo jo?

Mbase, jo! Ndaj le t’i biem shkurt, rregulli nr. 1:

1 – I thërrisni kamerierit

Ka shumë gjëra të pasjellshme që dikush mund të bëjë në një restorant, por fatkeqësisht thyerja më e vrazhdë e etiketës kur dalim për të ngrënë, është edhe ajo më e përhapura. Mos fishkëlleni, mos bërtisni, mos e prekni as mos e sinjalizoni të vij shpejt tek ju kamerierin tuaj për t’i tërhequr vëmendjen.

Bëni kontakt me sy në mënyrë miqësore dhe në të shumtën e rasteve kjo do të mjaftojë që ai të vij tek ju. Mos harroni, kamerierët duan t’ju shërbejnë dhe kanë një punë tepër të lodhshme. Trajtojini ata siç duhet!

2 – Lajmëroni me zë të lartë kur shkoni në WC

Nuk është e pasjellshme që të largohesh nga një takim për të shkuar në tualet, por ta njoftoni para të gjithëve që ju po shkoni pikërisht atje nuk është ideale – sipas ekspertëve!

Kjo këshillë vlen sidomos në rastet kur ju keni dalë me një grup që nuk është rrethi juaj i afërt shoqëror por me njerëz që deri diku nuk keni një njohje të gjatë, si kolegët e punës etj. Thjesht deklaroni që duhet të largoheni për një 1 minutë dhe kthehuni sërish kur të keni mbaruar punë.

3 – Ja bëni me gisht

Në shumë vende të botës përdorimi i gishtit tregues nuk duhet të ndodhë në asnjë rast të mundshëm, lëre pastaj t’i drejtohet dikujt tjetër – as duhet ta çoni nëpër mend! Shpesh shumë njerëz e përdorin gishtin tregues për të shënjestruar drejtimin që duhet marrë apo edhe për të treguar një person por sipas studimeve, ky është gjesti më i urryer në të gjithë botën.

Pse? Pa çojeni pak nëpër mend, kur dikush po ju akuzon për diçka në përgjithësi ata bëjnë pikërisht këtë gjest, ju drejtojnë gishtin. Ndaj, kujtohuni për këtë dhe mundohuni ta zëvendësoni atë me një tjetër gjest, me dorë të hapur ose me dy gishta në vend të njërit.

4 – Njoftoni që do të shkoni diku ditën e fundit

Pasi e keni marrë ftesën, në përgjithësi keni rreth 24 orë për të njoftuar dërguesin nëse do t’i bashkoheni ose jo – por sigurisht, ka edhe përjashtime. Ama, rregulli i artë është ky: Mos e lini kurrë për ditë të fundit për të lajmëruar pjesëmarrjen tuaj diku pasi, eventet si darkat apo festat kanë shpenzime. Respektojeni personin që ju fton dhe kthejini një përgjigje sa më shpejt të keni mundësi, por jo ditën e fundit!

5 – Rrokullisni sytë

E keni menduar ndonjëherë kur jeni duke biseduar me dikë që i çon sytë sa këtej-andej? Epo, asgjë nuk e thotë më qartë “Unë nuk dua të jem këtu” se sa sytë që rrokullisen në vend.

Të parit në sy, nuk tregon vetëm vetëbesim të lartë por edhe respekt ndaj personit tjetër dhe ndaj vetes, pasi fundja po shpenzoni kohën tuaj me ata. Të mos qenit i përkushtuar në një bisedë në fakt është një nga shkeljet më të rënda të Kodit të Etikës!

6 – Bëni thashetheme!

Prit pak, të bësh thashetheme është e pasjellshme? Po, po dhe po! Dhe është gjithashtu thyerja më flagrante dhe e përhapur e etiketës dhe një sjellje vërtetë toksike që mund t’i shkatërrojë marrëdhëniet!

Dhe edhe pse shumicës së njerëzve u pëlqen një histori e treguar bukur, ka shumë arsyeje që sipas ekspertëve duhet të na shtyjnë që të mos përfshihemi në thashetheme. Ato mund të dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e dikujt dhe mund t’ju kthehen mbrapsht dhe t’ju bëjnë të dukeni edhe më keq!

7 – I bisedoni gjërat e rëndësishme me SMS apo email

Ekspertët tregojnë se shumicës prej nesh i vjen më e lehtë t’i bisedojnë disa tema me mesazhe apo email në vend që të marrim në telefon dikë apo t’i flasim për ballë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për ne. Por, kontakti human është ende tejet i rëndësishëm dhe tregon shumë për ju dhe karakterin tuaj.

8 – Postoni të gjithë jetën tuaj në rrjete sociale

Ndonjëherë, njerëzve u duhet thjesht të shfryhen – kjo është mëse e kuptueshme. Por edhe pse llogaria juaj e Facebook, Twitter apo Instagram është në fakt juaja, prezenca juaj në rrjet është tejet e rëndësishme. Ajo mund të nxisë një të panjohur t’ju gjykojë në bazë të përshtypjes së parë që ju i lini, por mënyra si ju e portretizoni veten online mund të ndikojë negativisht edhe tek punëdhënësi juaj i ardhshëm apo edhe një partner i mundshëm.

9 – I përgjigjeni telefonatave në mënyrë të pasjellshme

Rregulli i parë i etiketës së komunikimit me telefon ka të bëjë më gjënë e parë që ju thoni kur i përgjigjeni një telefonate. Ndaj, përshëndetni bukur dhe me ngrohtësi. Ekspertët e etiketës e konsiderojnë të pasjellshme përgjigjen në telefon me, “Ça bëhet?”, “Ça kishe?” “Hë?” apo “Pse po merr?” në momentin e parë që i përgjigjeni një telefonate.

Mënyra e duhur për t’ju përgjigjur një thirrjeje për shembull do të ishte, ‘Ç’kemi!’ apo ‘Përshëndetje’. Ky është vetëm një sugjerim por gjeni zërin tuaj të brendshëm dhe personalizojeni përshëndetjen tuaj pasi edhe ajo do të thotë shumë për personin tuaj, sidomos ndaj njerëzve të cilët nuk i keni të afërt.

10 – Zbulimi i diçkaje jashtëzakonisht personale në fillim të një raporti

Në përgjithësi, njerëzit pëlqejnë më shumë njëri-tjetrin pasi kanë shkëmbyer besim mes njëri tjetrit. Kur zbulojmë gjëra për veten është një nga mënyrat më të mira për të bërë miq si i rritur. Por psikologët thonë se zbulimi i diçkaje shumë intime – të themi, që motra juaj ka një lidhje jashtëmartesore – ndërkohë që jeni ende duke u njohur me dikë, mund t’ju bëjë të dukeni të pasigurt dhe të ulë autoritetin tuaj.

Çelësi është të jepni vetëm sasinë e duhur të gjërave personale në fillim të një marrëdhënieje miqësore ose romantike. Një studim i vitit 2013 i udhëhequr nga Susan Sprecher në Universitetin Shtetëror të Illinois sugjeron se thjesht ndarja e detajeve rreth hobit tuaj dhe kujtimeve tuaja të preferuara të fëmijërisë mund t’ju bëjë të dukeni më të ngrohtë dhe më të pëlqyeshëm.

11 – Bërja e pyetjeve ndaj dikujt pa folur fare për veten

I njëjti studim i vitit 2013 bëri një paralajmërim të rëndësishëm rreth afërsisë dhe intimitetit: duhet të jetë i ndërsjellë. Njerëzit në përgjithësi ju pëlqejnë më pak nëse nuk përgjigjeni kur ata zbulojnë diçka intime rreth vetes.

Siç shkruajnë autorët, “Edhe pse njerëzit e turpshëm ose të shqetësuar nga marrëdhëniet sociale mund t’i bëjnë pyetje tjetrit për të hequr vëmendjen nga vetja, hulumtimi ynë tregon se kjo nuk është një strategji e mirë për fillimin e marrëdhënieve. Të dy pjesëmarrësit në një ndërveprim duhet të zbulojnë nga vetja për të gjeneruar afërsi reciproke dhe pëlqim.”

12 – Fshehja e emocioneve

Hulumtimet sugjerojnë se tregimi i ndjenjave tuaja të vërteta është një strategji më e mirë për t’i bërë njerëzit t’ju pëlqejnë sesa t’i mbuloni ato tërësisht.

Rezultatet kanë treguar se shtypësit apo represuesit e emocioneve të veta  gjykohen si më pak të pëlqyeshëm – si dhe më pak ekstrovertë dhe të këndshëm – sesa njerëzit që e tregojnë emociononin natyrshëm.

Kur zbulojmë se dikush po fsheh emocionet e tyre, mund ta interpretojmë atë si një mosinteresim apo edhe mungesë e aftësisë për t’u sjellë në situata sociale.

13 – Kur shtiremi si më të mirë/edukuar seç jemi

Ka kuptim logjik që sa më bukur dhe më altruist të dukeni, aq më shumë do t’ju pëlqejnë njerëzit. Por disa shkencëtarë sugjerojnë të kundërtën pasi kjo sjellje mund t’ju bëjë të dukeni shumë i shtirur, jo i natyrshëm, me pak vetëbesim si dhe në raste të caktuara, mund t’i shkaktojë bashkëbiseduesit ndjesi frike apo bezdisjeje për shkak të një afërsia të tepërt të perceptuar nga një sjellje më e mirë ose më e afërt seç duhet. Jini i natyrshëm! Dhe mos u mundoni më shumë seç duhet për t’u dukur i/e mirë!

14 – ‘Mburrja e Përulur’

Në një përpjekje për t’u bërë përshtypje miqve dhe punëdhënësve të mundshëm, disa njerëz e maskojnë mburrjen si vetëkritikë. Kjo sjellje, e njohur ndryshe si “mburrja e përulur”, mund të jetë një pikë mjaft e dobët, sipas një studimi nga Shkolla e Biznesit në Harvard.

Autorët tij u kërkuan studentëve të kolegjit të shkruanin se si do t’i përgjigjeshin një pyetjeje në lidhje me dobësinë e tyre më të madhe apo pikën e tyre më të dobët në një intervistë pune.

Rezultatet sugjeruan se më shumë se tre të katërtat e pjesëmarrësve mburreshin, zakonisht për të qenit shumë perfeksionistë apo se punonin më shumë seç duhet.

Megjithatë, asistentët e pavarur hulumtues thanë se do të kishin më shumë gjasa të punësonin pjesëmarrësit që ishin të ndershëm dhe i konsideronin ata dukshëm më të pëlqyeshëm. Ata studentë thanë gjëra të tilla si: “Unë nuk jam gjithmonë më i miri kur vjen puna tek të qenit i organizuar” dhe “ndonjëherë reagoj më shumë seç duhet ndaj situatave që më prekin”.

Një alternativë tjetër në një situatë interviste pune është të flisni për dobësitë që nuk lidhen drejtpërdrejt me pozicionin – për shembull, frika nga të folurit publik nëse po aplikoni për një rol shkrimtari etj.

15 – Kur bëheni shumë nervoz

Asnjëherë mos i lini të tjerët të shohin – ose të nuhasin – se ju po ‘djersitni’. Hulumtimet sugjerojnë se aroma e djersës suaj nervore mund të ndikojë në mënyrë të pandërgjegjshme në gjykimet e njerëzve për personalitetin tuaj.

Në vitin 2013, studiuesit në Qendrën e Shqisave Kimike Monell u kërkuan pjesëmarrësve të shikonin video të grave në situata të përditshme, si puna në një zyrë dhe kujdesi për një fëmijë. Ndërsa shikonin videot, ata nuhatën tre lloje djerse: djersën që dikush kishte prodhuar gjatë stërvitjes, djersën e prodhuar gjatë një situate stresuese dhe djersën e prodhuar gjatë një situate stresuese që ishte e mbuluar me antidjersë.

Më pas pjesëmarrësve iu kërkua të vlerësonin gratë në lidhje me sa kompetente, të sigurta dhe të besueshme ato dukeshin.

Rezultatet treguan se pjesëmarrësit i vlerësuan gratë më të ulëta në të gjitha masat kur ndjenin erën e djersës së shkaktuar nga stresi./Euronews Albania

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara