Lajmet

Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT organizoi tryezë diskutimi në ditën botërore të lirisë së shtypit

Published

on

3 maji njihet si dita botërore të lirisë së shtypit, ditë kjo shënohet që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Me këtë rast fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT organizoi tryezë diskutimi me profesorë dhe panelistë, në të cilën folën për lirinë e medias në Kosovë.

Mirëpo mëngjesin e së premtes në indeksin vjetor të “Reporterëve pa Kufij” për Kosovën nuk erdhën lajme të mirë. Vendi ynë shënoi rënie të lirisë së shtypit për 19 vende. Andaj Dekani i Fakultetit, Ferid Selimi, komentoi këtë rënie të lirisë së shtypit.

“Përderisa para dy, tre vitesh ne jemi lavdëruar se po ecim para me lirinë e shtypit, prapë këtë vit kemi një ngecje, një rënie të lirisë së shtypit, ajo ndoshta ndodh gjithkund, por ne si vend i vogël, një vend që gjithmonë ka luftuar për liri dhe pavarësi, shihet dhe merret si me një kompetencë, me një përgjegjësi më të madhe. A thua po bëjmë ne sa duhet për mediat në përgjithësi sepse kur bëjmë për media bëjmë për njerëzit”, deklaroi ai.

Profesori në Media dhe Komunikim, Votim Hanolli, duke folur për indeksin e Reportërëve pa Kufij, shtoi se rënia e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit ka ardhur si pasojë e disa faktorëve.

“Sipas analistëve qe janë marrë me ketë indeks, kjo rënie duhet të parë në kontekstin e tensioneve në Mitrovicë, ku gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre, të cilat kanë qenë të shumta. Ndërkohë që partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur, ka pasur gjithashtu një lloj përndjekje administrative ndaj stacionit privat televiziv KlanKosova, nga ana tjetër zgjedhja e Drejtorit të RTK-së që ishte e lidhur me kampin qeveritar…… konsiderohen rreziqet e shoqërisë dhe rreziqet politike”, deklaroi ai.

Në raportin për Kosovën, po ashtu thuhet se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike. Për këtë profesori Safet Zenjullahu tha se gazetarët e mirëfilltë nuk duhet të bazohen në atë se çfarë kërkon pushteti, por në atë që i nevojitet publikut.

“Ajo çfarë kërkon pushteti kurrë nuk është gazetari profesionale, pushteti kërkon lavd ndërsa publiku i mirëfilltë kërkon informacion të duhur, të palulëzuar, e kërkon informacionin të pastër ashtu siç është. Në këto kërkesa nuk qëndrojnë gazetarët, qëndrojnë pronarët”, deklaroi Zejnullahu.

Pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Gjylie Rexha. Ajo kërkoi që të diskutohet më shumë për përgjegjesinë.

“Në këtë ditë le të merrim edhe me përgjegjësinë, jo vetëm me lirinë e cila na takon dhe sa më shumë të jemi të përgjegjshëm se si e zbatojmë lirinë që na takon si e drejtë elementare, aq më mirë do të mund ta bëjmë edhe gazetarinë dhe profesionin dhe mbi të gjitha më shumë të realizojmë vetën tonë si profesionistë në këtë detyrë shoqërore”, deklaroi Rexha.

Ndërkohë profesori Musa Sabedini, që njëkohësisht është edhe anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara shprehu shqetësimin që shumica e këtyre mediave nuk janë anëtare të këtij Këshilli vetërregullues.

“Janë 500 e disa portale në Kosovë që funksionojnë ose të paktën janë të regjistruara, sepse disa janë edhe efektive, prej tyre vetëm 71 janë anëtare të Këshillit. Të tjerët nuk pranojnë sepse kanë frikë me u monitoru, sepse vinë palët ankohen, bëjnë padi. Këshilli jep dënim moral nuk jep dënim me gjobë sepse nuk e ka atë mandat”, deklaroi ai.

Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024, Kosova renditet e 75-ta nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të. Edhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar kthim prapa sa i përket lirisë së medias. Shqipëria ka rënë nga vendi i 96-të në atë të 99-të. Në Shqipëri, sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët përballen me presion politik, veçmas gjatë zgjedhjeve./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Lajmet

Katastrofa e Çernobilit dhe censura sovjetike: kur radioaktiviteti zbuloi krizën e informacionit në Bashkimin Sovjetik

Published

on

By

Ngjarja tregoi se një shtet mund të kontrollonte gazetat, radion dhe televizionin, por nuk mund të kontrollonte realitetin fizik. Retë radioaktive që u përhapën mbi Evropë do ta detyronin Kremlinin të pranonte një katastrofë që fillimisht ishte përpjekur ta fshihte

 Më 26 prill 1986, në orën 01:23 të mëngjesit, ndodhi një shpërthim katastrofik në reaktorin numër katër të Centralit Bërthamor të Çernobilit, pranë qytetit Pripjat në Ukrainën e atëhershme sovjetike. Ajo që fillimisht dukej si një aksident industrial do të shndërrohej shpejt në katastrofën më të madhe bërthamore në histori. Mirëpo, përveç pasojave mjedisore dhe njerëzore, Çernobili u bë edhe një simbol i dështimit të sistemit sovjetik të informimit, censurës shtetërore dhe propagandës komuniste.

Ngjarja tregoi se një shtet mund të kontrollonte gazetat, radion dhe televizionin, por nuk mund të kontrollonte realitetin fizik. Retë radioaktive që u përhapën mbi Evropë do ta detyronin Kremlinin të pranonte një katastrofë që fillimisht ishte përpjekur ta fshihte.

 

Shpërthimi dhe heshtja zyrtare

Pas shpërthimit të reaktorit, autoritetet lokale dhe qendrore sovjetike u përballën me një situatë të paprecedentë. Sasi të mëdha materialesh radioaktive u hodhën në atmosferë, ndërsa zjarrfikësit, teknikët dhe banorët e zonës nuk kishin informacion të plotë për rrezikun që po i kërcënonte.

Megjithatë, reagimi i parë i aparatit shtetëror nuk ishte informimi i publikut, por ruajtja e sekretit. Në traditën e sistemit sovjetik, katastrofat konsideroheshin çështje që mund të dëmtonin prestigjin e shtetit socialist dhe për këtë arsye duhej të minimizoheshin ose të fshiheshin.

Banorët e qytetit Pripjat, i cili ndodhej vetëm disa kilometra larg centralit, vazhduan jetën normale për më shumë se 36 orë pas shpërthimit. Fëmijët luanin nëpër parqe, njerëzit shëtisnin në rrugë, ndërsa nivelet e radioaktivitetit po rriteshin në mënyrë alarmante.

Evakuimi filloi vetëm pasditen e 27 prillit. Edhe atëherë, banorëve u tha se do të largoheshin vetëm për disa ditë dhe se mund të ktheheshin shpejt në shtëpitë e tyre. Në realitet, shumica nuk do të ktheheshin kurrë më.

 

Bota e mëson aksidentin nga Suedia

Ajo që e bëri të pamundur fshehjen e katastrofës ishte natyra e vetë radioaktivitetit. Mëngjesin e 28 prillit 1986, punonjësit e centralit bërthamor Forsmark në Suedi zbuluan nivele të pazakonta radioaktiviteti në rrobat dhe këpucët e tyre. Fillimisht u dyshua për një rrjedhje në centralin suedez, por kontrollet treguan se burimi ishte jashtë vendit.

Ekspertët suedezë analizuan drejtimin e erërave dhe arritën në përfundimin se ndotja vinte nga territori sovjetik. Qeveria suedeze kërkoi zyrtarisht shpjegime nga Moska.

Vetëm pasi presioni ndërkombëtar u bë i pashmangshëm, agjencia sovjetike e lajmeve TASS publikoi një deklaratë të shkurtër ku pranohej se kishte ndodhur një aksident në centralin e Çernobilit. Njoftimi përmbante shumë pak detaje dhe përpiqej ta minimizonte seriozitetin e situatës.

Në këtë mënyrë, miliona qytetarë sovjetikë dhe evropianë mësuan për katastrofën jo nga mediat sovjetike, por nga qeveritë dhe mediat perëndimore.

 

Harta e shpërndarjes së reve të tymit, pas shpërthimit në Çernobil…

Më Rusia nuk mundi ta fshihte ngjarjen.

 

Propaganda kundër realitetit

Në ditët dhe javët pas aksidentit, televizioni dhe gazetat sovjetike vazhduan të jepnin informacione të kufizuara. Raportimet theksonin “kontrollin e situatës” dhe përpjekjet heroike të ekipeve të shpëtimit, ndërsa shmangnin diskutimin e plotë të rreziqeve.

Në të njëjtën kohë, stacionet ndërkombëtare si BBC, Deutsche Welle, Voice of America dhe Radio Free Europe raportonin vazhdimisht mbi zhvillimet. Shumë qytetarë sovjetikë i dëgjonin këto transmetime për të marrë informacion që nuk e gjenin në mediat vendore.

Kjo krijoi një hendek të madh besueshmërie. Për herë të parë, një numër i madh qytetarësh kuptuan se informacioni i ofruar nga shteti ishte jo vetëm i paplotë, por në disa raste edhe mashtrues.

Një prej problemeve kryesore ishte se mediat zyrtare nuk kishin traditë të gazetarisë investigative. Gazetarët nuk ishin mësuar të sfidonin institucionet ose të kërkonin transparencë nga pushteti. Për dekada me radhë, funksioni kryesor i medias kishte qenë të mbështeste politikat e partisë dhe jo të kontrollonte veprimet e qeverisë.

 

Pasojat për njerëzit

Mijëra “likuidatorë”, siç u quajtën punëtorët dhe ushtarët që morën pjesë në pastrimin e zonës, u ekspozuan ndaj niveleve të larta të rrezatimit. Shumë prej tyre zhvilluan më vonë sëmundje të rënda.

Qindra mijëra njerëz u detyruan të zhvendoseshin nga zonat e ndotura. Fshatra të tëra u braktisën përgjithmonë, ndërsa zona përreth centralit u shndërrua në një territor të izoluar.

Për vite me radhë, autoritetet sovjetike publikuan të dhëna të kufizuara mbi numrin e viktimave dhe pasojat afatgjata. Kjo vetëm sa forcoi perceptimin se shteti po përpiqej të fshehte të vërtetën.

 

Çernobili dhe Glasnost-i

Kur ndodhi aksidenti, Bashkimi Sovjetik drejtohej nga Mikhail Gorbaçovi, i cili kishte filluar programet e reformave të njohura si Perestroika (ristrukturim) dhe Glasnost (hapje dhe transparencë).

Fillimisht, edhe udhëheqja sovjetike reagoi sipas modeleve tradicionale të fshehtësisë. Megjithatë, pasojat e Çernobilit e bindën Gorbaçovin se sistemi nuk mund të vazhdonte të funksiononte me të njëjtin nivel kontrolli mbi informacionin.

Vite më vonë, vetë Gorbaçovi do të deklaronte se Çernobili kishte qenë një nga faktorët që kontribuoi në transformimin e Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, katastrofa tregoi dobësitë e thella të burokracisë, kulturës së sekretit dhe mungesës së transparencës.

Pas vitit 1986, mediat sovjetike filluan gradualisht të trajtonin tema që më parë konsideroheshin tabu. Gazetat filluan të publikonin materiale mbi korrupsionin, problemet ekonomike dhe gabimet e administratës shtetërore. Për herë të parë pas shumë dekadash, kritika publike ndaj institucioneve u bë pjesë e debatit publik.

 

Një pikë kthese në historinë e medias

Historianët e medias e konsiderojnë Çernobilin si një nga momentet më domethënëse në historinë e komunikimit në shekullin XX. Aksidenti tregoi kufijtë e censurës në një epokë ku informacioni mund të kalonte përtej kufijve shtetërorë.

Regjimi sovjetik kishte kontroll absolut mbi gazetat, radion dhe televizionin brenda vendit, por nuk mund të kontrollonte stacionet matëse në Suedi, raportimet e mediave ndërkombëtare apo rrjedhjen e informacionit jashtë kufijve të tij. Për herë të parë, miliona qytetarë panë qartë kontrastin midis propagandës zyrtare dhe realitetit.

Në këtë kuptim, Çernobili nuk ishte vetëm një katastrofë bërthamore. Ai ishte edhe një katastrofë e sistemit sovjetik të informacionit. Ngjarja ekspozoi dobësinë e një modeli mediatik të ndërtuar mbi censurën dhe sekretin shtetëror dhe dëshmoi se, në momente krizash të mëdha, e vërteta është shumë më e vështirë të kontrollohet sesa vetë lajmet. Për këtë arsye, Çernobili mbetet një nga shembujt më të fuqishëm në historinë e medias për mënyrën se si mungesa e transparencës mund ta thellojë një katastrofë dhe të minojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit.

Continue Reading

Vendi

United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi

Published

on

Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.

Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës

Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.

Shërbimet përfshijnë:

Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.

Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.

Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.

Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.

Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës

Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.

United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.

 

Kontakti për termine dhe informata:

UNITED HOSPITAL

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë

United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Të kërkuara