Reperja e njohur Cardi B ka zbuluar lajmin e madh se është në pritje të fëmijës së saj të katërt, dhe për herë të parë me partnerin e saj, futbollistin e NFL, Stefon Diggs.
Lajmin e konfirmoi gjatë intervistës në “CBS Mornings” ku shprehu emocionet për këtë fazë të re të jetës.
“Jam duke sjellë në jetë një fëmijë me të dashurin Stefon Diggs,” – u shpreh Cardi, duke shtuar se është në muajt e fundit të shtatzënisë dhe pritet të lindë para turit të ri, Little Miss Drama, që nis në shkurt.
Ndërkohë, ajo është në prag të publikimit të albumit të ri Am I The Drama, më 19 shtator. Ylli theksoi se ndihet e lumtur dhe në harmoni, ajo dhe Stefon e mbështesin fuqishëm njëri-tjetrin.
“Ai më bën të ndihem e sigurt dhe e fuqishme, sikur mund të pushtoj botën,” tha ajo e emocionuar.
Ky lajm vjen disa muaj pas përfundimit të marrëdhënies me Offset, me të cilin Cardi ka tre fëmijë: Kulture (7), Wave (4) dhe Blossom (1).
Divorci është ende në proces, por ajo ka nisur një kapitull të ri në jetë.
Lidhja me Diggs u bë publike në maj 2025, kur çifti u shfaq në ndeshje basketbolli të New York Knicks.
Që atëherë, kanë ndarë momente romantike, përfshirë një ditë Shën Valentini në Miami dhe surpriza të shtrenjta, si ora luksoze Patek Philippe prej 73 mijë dollarësh që futbollisti i dhuroi artistes këtë verë.
/A.Z/UBT News/
