Lajmet

Ka nisur dëshmia e Paul Williams në Hagë

Published

on

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshmia e Paul Williams, i cili ka qenë këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Ky është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Mbrojtja e Thaçit tha se dëshmia e Williams do të tregojë që “Thaçi nuk e kishte autoritetin për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.

Dëshmia e tij pritet të zgjas një ditë e gjysmë, mbrojtja e Thaçit ka parashikuar dy orë, ekipet tjera të mbrojtjes së bashku kanë kërkuar dy orë e gjysmë dhe ZPS dy orë e gjysmë.

Avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha se dëshmitari Paul Williams ka qenë këshilltar falas për delegacionin kosovar në Rambuje

“Amerikani Paul Williams ka qenë këshilltar falas për delegacionin kosovar në Rambuje në shkurt dhe mars të 1999, ai ka ndihmuar delegacionin për hartimin e propozimit të tyre dhe negociatat në marrëveshjen e Rambujesë. Ai po ashtu ka marrë pjesë në takime me delegacionin kosovar dhe me figura ndërkombëtare dhe diasporën e Kosovës. Williams do të jap dëshmi për procesin e vendimmarrjes të delegacionit si dhe diskutimet që janë bërë për nevojën për demilitarizim dhe transformim të UÇK-së. Doktor Williams po ashtu do të jap dëshmi për komunikimet që ka pasur me të gjithë anëtarët e delegacionit kosovar, mes të cilëve edhe Hashim Thaçi. Konstatimet dhe përshtypjet që ka formuar ky nga këto komunikime, të cilat e ndihmuan për të dalë në përfundimin që Thaçi nuk kishte autoritetin për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë dhe se i duhej miratimi i komandantëve të zonave për ta bërë këtë”, deklaroi ai.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha se ka qenë këshilltar juridik falas për delegacionin e Kosovës në Rambuje dhe se ishte përzgjedhur si këshilltar me propozimin e kryeministrit Bujar Bukoshi.

“Zyrtarisht jam zgjedhur rreth 10 ditë përpara se organizoheshin negociatat e Rambujesë, më ishte thënë më herët nga Bukoshi dhe më kishte thënë nëse do të ketë bisedime për paqe në Rambuje, atëherë do të kërkonte praninë time. Dhe kjo për shkak të punës që kisha bërë për negociatat e verës, të ashtuquajturat Hill edhe të Holbrooke në tetor.

Misetiç: Kur jeni përfshirë për herë të parë në Kosovë, ju thatë në verë, tetor, negociatat e verës, dhe të tetorit por konkretisht kur?

Williams: Që ta sqarojmë, gjatë verës dhe të vjeshtës të vitit 1998, po punoja me Bujar Bukoshin dhe përmes tij me Rugovën. Dhe deri diku me Veton Surroin duke koordinuar ngushtë me diasporën shqiptare në Amerikë që kishin marrëdhënie me këtë persona. Dhe ata kërkuan ndihmën time pro-bono, udhëzime pro-bono lidhur me aspektet që do të negocioheshin. Fizikisht nuk kam shkuar në asnjë vend, kam qenë në Uashington dhe Nju Jork vetëm, për të marrë pjesë në negociata, ndryshe nga Rambujeja kur shkova fizikisht.

Misetiç: Kush ju zgjodhi si këshilltar të delegacionit?

Williams: Më ftoi Bujar Bukoshi, në emër të presidentit Rugova të shkoja në Rambuje, të udhëtoja drejt Rambujesë dhe të merrja pjesë në bisedimet më 7 shkurt është marrë një vendim me konsensus nga delegacioni kosovar në Rambuje përmes të cilit më ftuan që të shkoja tek kështjella ku mbaheshin bisedimet dhe të isha këshilltari i tyre juridik dhe Edita Tahiri e ka nënshkruar këtë dhe Bajram Kosumi këtë deklaratë zyrtare”, deklaroi ai.

Nga mbrojtja e Thaçit, dëshmitari i mbrojtjes është pyetur se kush ka qenë Edita Tahiri, për të cilën tha se ka qenë ministre e Jashtme e qeverisë së Bujar Bukoshit.

Ai tha se ka pasur marrëdhënie të ngushtë me Bujar Bukoshin, kryeministër i qeverisë në ekzil, teksa shtoi se ai shpesh shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se “Kur ishte në Uashington ai u takua edhe me mua dhe rrija gjatë gjithë kohës me të si avokati i tij”.

Ai tha se ka punuar intensivisht me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje dhe se i ishte kërkuar që të përgatis gjuhë gjithëpërfshirëse “për të siguruar që TPJN të ishte në gjendje të kishte përgjegjësitë e veta për të zbatuar mandatin e saj”.

“Sa i takon Rambujesë, mua më është kërkuar që të përpiloj, që të përgatis gjuhën e cila ishte sa më gjithëpërfshirëse që të ishte e mundur për të siguruar që Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje të kishte përgjegjësitë e veta dhe kompetencat për të zbatuar mandatin e tij… Gjatë ditës së parë apo ditës së parë kur isha në kështjellën aty, më ftuan që të jepja një prezantim delegacionit të Kosovës për katër pika, tema e katërt ishte juridiksioni dhe aktivitetet, hetimet, aktakuzat e Tribunalit për Ish-Jugosllavi, të gjithë anëtarët e delegacionit ishin të pranishëm aty, kjo përfshinte edhe mësimet që kishim nxjerrë nga koha kur unë punoja si këshilltar ligjor për boshnjaket nga negociatat me Dejton”, u përgjigj ai.

Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Williams tha se ai bashkë me Mark Weller, i cili ka qenë këshilltar ligjor ndërkombëtar, e kanë përpiluar propozimin e delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams tha se ka punuar dy vjet edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe se ka qenë jurist për çështjet evropiane.

Gjatë ditës së sotme ka përfunduar dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës ka qenë ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi ka zgjatur tri ditë. /D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Nis seanca plenare e Kuvendit

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka filluar senacen plenare, raporton Ekonomia Online. Në rendin e ditës janë gjithsej shtatë pika, përfshirë përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, formimin e një komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe shqyrtimin e dytë të një projektligji për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Këto janë pikat e rendit të ditës:

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.-Deklarimet jashtë rendit të ditës.-Pyetjet parlamentare.-Përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.-Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.-Propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.-Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Komisioni miraton projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Published

on

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka miratuar me shumicë votash Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, nga aspekti i të drejtave dhe interesave të komuniteteve.

Kryetari i Komisionit, Fahrush Rexhepi, ka bërë të ditur se komisioni ka pranuar raportin nga Komisioni Funksional për Buxhet, i cili përmban 12 amendamente.

“Ne kemi marrë raportin nga Komisioni Funksional për Buxhet, ky raport ka 12 amendamente”, ka deklaruar Rexhepi, raporton EO.

Ndërkaq, shqyrtimi i fushëveprimit të Komisionit dhe i Planit të Punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026 është shtyrë për mbledhjen e radhës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbytjet në Stamboll: 14-vjeçari humb jetën nga rryma elektrike, mbi 2.500 raportime për motin e keq

Published

on

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë vërshimeve.

Sipas mediave turke, i mituri me inicialet M. I. shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të distriktit Fatih. Ai u dërgua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Janë raportuar më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe dhjetëra raste të personave të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.

Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike.

Sipas të dhënave, reshjet kanë prekur 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete. Shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime janë përmbytur, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdon rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës argjentinase

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të enjte nga ora 13:00, do të vazhdojë seanca e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij, shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë në vitin 2023.

Në seancën e mbajtur të hënën, Nika është deklaruar sërish i pafajshëm për akuzën, duke thënë para trupit gjykues: “I pafajshëm 100 për qind”.

Më 19 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara