Lajmet

​Prokuroria Speciale kërkon që gjykimi ndaj Mustafës të nisë në korrik, mbrojtja e kundërshton

Published

on

Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë ka kërkuar që më 12 korrik të këtij viti të nisë gjykimi në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, por këtë datë e ka kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarit, e cila propozoi që fillimi i gjykimit të nis pas pushimeve verore.

Në konferencën përgatitore për gjykim në rastin e Salih Mustafës, ZPS-ja ka propozuar krahas fillimit të gjykimit, më 15 korrik të nisë edhe marrja e dëshmive të dy dëshmitarëve.

“Prokuroria kërkon që gjyqi të fillojë në korrik. Ne kemi dhënë datën 12 korrik të këtij viti, atë ditë mund të bëhet parashtrimi ose deklarata hyrëse e prokurorisë dhe pastaj Prokuroria mund të fillojë me hyrjen e dëshmitarëve dhe marrjen dëshmive me datën 15 korrik. Prokuroria planifikon që të marrë në pyetje dy dëshmitarë para se të fillojë pushimi veror i gjykatës pastaj të tjerët do të bëhen pas pushimit apo në shtator. Megjithatë nëse ju vendosni datë tjetër për fillimin e gjykimit apo marrjen në pyetje të dëshmitarëve të fillojë në shtator atëherë do kërkonim që deklarata hyrëse dhe dëshmitarët e prokurorisë të bëhen nga shtatori. Nëse nuk bëhen data që thamë, mirë është që të fillojë në shtator. Ne nuk duam t’i ndajmë argumentet tona hyrëse nga provat dhe dëshmitë që do marri” tha ZPS-ja.

Por ky propozim nuk u mbështet nga mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Avokati Julius Von Bonne tha se fillimi i gjykimit ndaj klientit të tij duhet të nisë pas pushimit veror të Dhomave të Specializuara, pasi siç tha ai, nxjerrja e materialeve fillon javën e ardhshme.

“Ne nuk jemi dakord me afatin kohor, njoftimi është shumë i shkurtër dhe në fakt kemi planifikuar disa misione gjatë kësaj periudhe dhe do na bëhej shumë më e ngarkuar puna nëse do të duhej ta ndërprisnim atë që kemi planifikuar. Për këtë arsye nuk dua që të fillojmë procesin gjyqësor në datën e propozuar nga Prokuroria, por pas pushimit të verës së Dhomave së Specializuara, do ishte më mirë një proces të vijueshëm në vend që të kemi një fragment njëherë dhe të kemi pastaj pushimin e gjykatës dhe pastaj të vijojmë sërish… Besoj se do ishte e pamundur që ne të mund të fillonim më 12 korrik sepse nxjerrja e materialeve duhet të fillojë javën që vjen, nuk besoj që data 12 korrik është datë realiste. Do ishte mirë që procesin e gjykimit të nisim pas pushimit të verës së gjykatës”, tha ai.

Von Bone tutje deklaroi 15 gushtin si afat për përfundimin e hetimeve nga pala mbrojtëse.

“Ne do bëjmë hulumtime në dy materiale të tjera do intervistojmë një numër personash dhe kjo do varet edhe nga disponueshmëria e personave që do intervistohen, do të punojmë gjatë gjithë kohës së verës dhe besojmë që misioni ynë i fundit do jetë të jetë deri në javën e parë të gushtit dhe besoj që deri atëherë t’i kemi përfunduar hetimet tona kemi përcaktuar si datë të fundit 15 gusht por besoj që do jemi gati edhe më herët. Pak a shumë do jetë data e përfundimit të pushimit të Gjykatës. Sigurisht jo gjithmonë njerëzit janë të disponueshëm apo kanë kohë kur i duam ne për t’u intervistuan disa mund të mos jenë në Kosovë, prandaj do të na duhet më tepër kohë. Pak a shumë ky afat që kemi përcaktuar vetës”, u shpreh ai.

Trupi gjykues i interesua të di se përse këto hetime nuk kanë përfunduar gjatë procedurës paraprake, por me këtë rast avokti i komandat “Calit” tha se arsyet e moskryerjes së hetimeve i ka parashtruar tek një seancë e mëhershme gjatë procedurës paraprake.

Edhe mbrojtësja e viktimave, Anni Pues u pajtua që gjykimi të fillojë pas pushimit të verës.

Nëse trupi gjykues vendos të fillojë gjykimi në korrik, Pues tha se do të përmbush afatet për të përgatitur deklaratën hyrëse.

“Nga pikëpamja e viktimave është më mirë që të fillohet para pushimit të verës dua të shtoj që sigurisht viktimat duhet të bëhet drejtësia kanë pritur 22 vite dhe mirë është të fillohet me këtë çështje e një përgatitje sa më të mirë dhe të gjithanshme dhe kjo është në interes të të gjithëve dhe në interes të drejtësisë. Për mua është e rëndësishme…Për të bërë një deklaratë hyrëse sa më të plotë duhet të kemi kohë sa për tu përgatitur por kështu them se avantazhi I fillimit të gjyqit pas pushimit të verës është që në atë mënyrë ne të gjithë do jemi të përgatitur dhe mund të fillojmë me procedura ashtu siç duhet. Në vend që të bëjmë një pjesë të vogël të gjykimit të fillohet para pushimit të verës dhe pastaj të bëhen procedura të gjata”…Kjo do varet nga koha se kur do fillojmë nëse trupi gjykues vendos që të fillojmë në korrik do e përmbush këto afate por unë me kënaqësi do e bëja deklaratën time hyrëse në fillim të gjykimi pasi ka bërë prokurori deklaratën hyrëse”, tha ajo.

Në konferencën përgatitore për gjykim në rastin e Salih Mustafës e cila është mbajtur sot Prokuroria Special ka propozuar edhe një dëshmitar shtesë.

“Kemi përmendur faktin se po përgatisim një kërkesë për trupin gjykues për të shtruar disa prova në listën e provave materiale dhe kemi përmendur gjithashtu dy intervista shtesë që kemi bërë me dëshmitarë të Prokurorisë në fund të javës së kaluar dhe është bërë edhe një shtesë e mëtejshme intervistë me dëshmitarë është shtuar që do të ketë për pasojë shtimin e 1 një dëshmitari në listën e dëshmitarit të Prokurorisë. Ne këtë kërkesë do e bëjmë së bashku me disa kërkesa të tjera, pra kërkesa për shtimin e disa provave materiale në listën e provave materiale dhe përfshirjen e këtij dëshmitari në listën e dëshmitarëve”, theksoi Prokuroria.

Zyra e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtja e viktimave kanë kërkuar që të vizitojnë vendngjarjen e cekur në aktakuzë, ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja.

Prokuroria tha se është e nevojshme të bëhet një vizitë e tillë nëse kjo i ndihmon trupit gjykues dhe se kjo vizitë duhet të bëhet pasi Prokuroria dhe mbrojtja t’i ketë paraqitur argumentet e tyre.

“Është e nevojshme të bëhet vizitë në vendndodhje dhe nëse kjo do e ndihmoj trupit gjykues të krijoj mendimin e vetë çështjen për vendndodhjen, gjeografinë e vendit ne do propozimin që kjo të bëhet pasi prokuroria dhe mbrojtja të kenë paraqitur argumentet e tyre. Arsyeja për këtë është që gjykata të ketë një ide të qartë dhe një kuptim të qartë të çështjes dhe pasi të bëhet kjo vizitë që të kuptojnë se ku ishin këta në prill të vitit 1999 sepse faktikisht atje tani nuk asgjë që mund të shihet dhe prandaj është e rëndësishme që ju të kuptoni njëherë bazat e çështjes pastaj të shkoni për vizitë“, tha ZPS-ja.

Me propozimin e ZPS-së u pajtua edhe mbrojtja e viktimave, Anni Pues e cila tha se shihen se ku kanw ndodhur ngjarjet.

“Jam për një vizitë në vendndodhje dhe e mirëpresë propozimin e prokurorit që kjo të bëhet pasi të ketë mbaruar parashtrim i argumenteve nga prokuroria. Është mirë të vizualizohet se ku ndodhen ngjarjet, të shikohet sa ftoftë, sa ngrohtë dhe sa errët ka qenë, si mund të jenë ndjerë personat që kanë qenë aty, sa të lënduar mund të kenë qenë nga trupi dhe shpirti. Domethënë të gjitha ato që janë të bazuara në aktakuzë. Kjo është e rëndësishme për të përcaktuar përgjegjësinë dhe fajësinë në atë që do vendosi trupi gjykues”, tha ajo.

Por sipas mbrojtësit të Salih Mustafës, Julius Von Bonne nuk është e nevojshme një vizitë e tillë në vendndodhje.

Ai tha se edhe Prokuroria por edhe mbrojtja kanë thënë material të bollshëm për vendngjarjen. Mbrojtja e komandat “Calit”, kërkoi që nëse ndodh një vizitë e tillë të realizohet para se të ftohen për të dhënë dëshminë e tyre dëshmitarët.

“Ne nuk mendoj se ka gjë për të parë në vendndodhjen e krimit të pretenduar. Prokuroria dhe mbrojtja kanë dhënë shumë materiale për të parë se si ka qenë ai vend në ato kohë, dhe për të nëse do bëhet vizitë atje nuk ka asgjë për të parë është vetëm një ndërtesë e vogël që është aty e parëndësishme sa i përket aktakuzës, nëse do e shikojmë atë vendndodhje mund ta shikojmë edhe me video me në tre dimensione, kemi fotografi edhe Prokuroria nga të gjitha këndet, jemi më se të përgatitur për të filluar gjykimin pa pasur nevojë për një vizitë të tillë. Nëse mbrojtja e viktimave dëshiron të vizitojë vendndodhjen, ajo është e mirëpritur të shikojë atje dhe ta shikojw ashtu siç tha mbrojtja dhe Prokuroria por nuk mendoj që ka ndonjë çështje që ka mbetur pa diskutuar apo që nuk është vënë re në lidhje me të. Edhe Prokuroria, edhe mbrojtja kanë dhënë material të bollshëm në lidhje me këtë. Pra, pak a shumë kjo është pikëpamja, nëse bëhet ndonjë vizitë pavarësisht nga çështje logjistike mendoj kjo duhet të bëhet përpara se të thirren dëshmitarët për të dhënë dëshminë, nëse dëshmitarët do të flasin për atë hapësirë apo vend të jetë e qartë ku është, unë mendoj që nëse e bëjmë këtë në fund të paraqitjes së çështjes nga Prokuroria nuk është e dobishme”, tha ai.

Salih Mustafa, i njohur si komandati “Cali” ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë. Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor. Më 28 shtator, ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa u paraqit para gjykatësit të procedurës paraprake.

Vendi

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Published

on

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Vendi

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara