Lajmet
24 vjet nga demilitarizimi i UÇK-së, ja marrëveshja
Në marrëveshje ishte paraparë formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve.
Published
3 years agoon
By
UBT newsSot mbushen 24 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, ku janë përfshirë në detaje fazat e dorëzimit të armëve, mbajtjes së uniformave, kalimin e një pjese të pjesëtarëve të UÇK-së në polici dhe administratë publike, etj.
Në marrëveshje ishte paraparë formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.
E gjithë kjo fazë ka pasur një periudhë 90 ditësh pas së cilës është bërë demilitarizimi i plotë i UÇK-së dhe në shtator 1999 është nënshkruar marrëveshja për formimin e TMK-së, jo si forcë ushtarake, siç ishte paraparë në këtë marrëveshje, por si forcë reaguese në rast të katastrofave natyrore.
Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje figurojnë: Hashim Thaçi në pozitën e kryekomandantit të UÇK-së, Agim Çeku në pozitën e shefit të shtabit të UÇK-së dhe është pranuar nga gjenerallejtënant, Mike Jackson, komandant i KFOR-it .
Më poshtë po e publikojmë tekstin e plotë të marrëveshjes të arritur më 21 qershor 1999.
Teksti i plotë i dokumentit:
PËR DEMILITARIZI MIN E UÇK-së
Të dielën në mbrëmje është nënshkruar teksti i dokumentit të demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nënshkruar nga Kryekomandanti i UÇK-së, Hashim Thaçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Agim Çeku dhe komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënanti Mike Jackson. Në vazhdim është teksti i plotë i këtij dokumenti.
a) UÇK-ja përfshin tërë personelin brenda Kosovës, e që është nën kontroll të UÇK-së, me aftësi militare apo paramilitare dhe grupet e tjera apo individët të përcaktuar si të tillë nga Komandanti i KFOR-it.
UÇK-ja, ka në plan që të punojë në përputhshmëri me kushtet e parashikuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe në këtë kontekst që komuniteti ndërkombëtar të marrë parasysh kontributin e UÇK-së, gjatë krizës së Kosovës dhe në bazë të kësaj të marrë në konsideratë se:
a) T ë pranojë se derisa UÇK-ja dhe strukturat e saj, janë në proces të transformimit, është e zotuar që të propozojë pjesëtarë aktuale individual që të marrin pjesë në forcat policore dhe të administrimit në Kosovë, duke gëzuar konsideratë të posaçme për përvojën që kanë zhvilluar.
b) Formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, si pjesë e procesit politik e cila do të duhet të vendosë për statusin e Kosovës në ardhmëri, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.
Iniciativa e demilitarizimit të UÇK-së
Kjo iniciativë mundëson armëpushim të UÇK-së, mos angazhim të tyre në zonat e konfliktit, demilitarizim subsekuent dhe rintegrim në shoqërinë civile në përputhje me kushtet e Rezolutës së KS të OKB-së 1244 dhe duke marrë parasysh obligimet e marra në Rambuje dhe zotimet publike të delegacionit shqiptar në Rambuje.
UÇK-ja merr iniciativë, që të heq dorë nga përdorimi i forcës, që t’i përmbushë direktivat e Komandantit të forcës ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë (COMKFOR) dhe që në mënyrë paqësore t’i zgjidh të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me implementimin e kësaj iniciative.
UÇK-ja pajtohet që prania Ndërkombëtare e Sigurisë (KFOR) dhe prania ndërkombëtare civile, të vazhdojnë të vendosen e të operojnë pa pengesë brenda në Kosovë dhe që KFOR-i ka autorizim që të ndërmarrë të gjitha aksionet e domosdoshme, për të vendosur dhe mbajtur ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që përndryshe ta kryejë misionin e saj.
UÇK-ja pajtohet, që t’i përmbushë të gjitha obligimet e kësaj iniciative dhe që të sigurojë, që me efekt të menjëhershëm të gjitha forcat e UÇK-së në Kosovë dhe në shtetet fqinje, do t’i vështrojnë provizionet e kësaj iniciative, do të përmbahet nga të gjitha aktet armiqësore dhe provokuese, qëllimet armiqësore dhe do t’i ngrijnë të gjitha lëvizjet ushtarake, qoftë përgjatë kufijve ndërkombëtarë, apo përgjatë atij midis Kosovës dhe pjesëve të tjera të RFJ-së, apo aksione të tjera, që nuk shkojnë në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
UÇK-ja në Kosovë, pajtohet që të zotohet publikisht, se do të demilitarizohet në përputhje me paragrafët 22 dhe 23, se do të përmbahet nga aktivitetet që do të mund ta rrezikonin sigurinë e personelit ndërkombëtar qeveritar dhe joqeveritar, përfshirë KFOR-in dhe se do të lehtësojë vendosjen dhe operacionet e KFOR-it.
Për qëllimet e kësaj iniciative, pikat në vazhdim do të kenë këto kuptime:
a) UÇK-ja përfshin tërë personelin brenda Kosovës, e që është nën kontroll të UÇK-së, me aftësi militare apo paramilitare dhe grupet e tjera apo individët të përcaktuar si të tillë nga Komandanti i KFOR-it.
b) “Forcat e RFJ”-së përfshijnë tërë personelin e RFJ-së dhe të Republikës së Serbisë dhe organizatat me mundësi militare. Kjo përfshinë ushtrinë e rregullt dhe forcat detare, grupet e armatosura civile, grupet paramilitare, forcat ajrore, gardat kombëtare, policinë kufitare, rezervistët ushtarakë, policinë ushtarake, shërbimet e inteligjencës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, policinë speciale, lokale dhe antiterroriste dhe çdo grup apo individ që konsiderohet i tillë nga Komandanti i KFOR-it.
c) Zona Tokësore e Sigurisë (ZTS) është përcaktuar si një zonë 5 kilometrash që zgjatet jashtë territorit të Kosovës, në vazhdim të territorit të RFJ-së. Kjo përfshin terrenin brenda atyre 5 kilometrave.
d) Armët e ndaluara janë të gjitha armët e kalibrit 12.7 mm e mbi, çdo armë antitank apo antiajrorë, granatat, minat apo eksplozivët dhe armët me flurudhë të gjatë.
Qëllimet e kësaj iniciative janë këto:
a) Vendosja e një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive.
b) Sigurimi për të ndihmuar dhe autorizuar KFOR-in, për të ndërmarrë një aksion të tillë dhe në veçanti për të autorizuar KFOR-in, për të ndërmarrë aksione të tilla, përfshirë edhe përdorimin e forcës së domosdoshme, në përputhje me rregullat e KFOR-it, për të siguruar realizimin e kësaj iniciative dhe mbrojtjen e KFOR-it dhe për t’i kontribuar një ambienti të sigurt për praninë ndërkombëtare, civile, implementuese dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, agjencitë si dhe organizatat joqeveritare dhe popullsinë civile.
Aksionet e UÇK-së, do të jenë në përputhje me këtë iniciativë.
Komandanti i KFOR-it në përputhje, në bazë të nevojës, me administratorin civil të përkohshëm, do të jetë autoriteti më i lartë, pavarësisht nga interpretimet e kësaj iniciative dhe aspektet e sigurisë të marrëveshjes paqësore që e përkrah. Përcaktimet e tij do të kenë të bëjnë me të gjitha palët dhe personat.
Ndalja e armiqësive
Menjëherë pas nënshkrimit, UÇK-ja pajtohet që të veprojë në përputhje me këtë iniciativë dhe me direktivat e COMKFOR-it. Të gjitha forcave që nuk bashkëpunojnë në bazë të kësaj iniciative apo me direktivat e COMKFOR-it, do t’u pamundësohet aksioni ushtarak, siç do të përcaktohet nga COMKFOR-i.
Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj iniciative, të gjitha aktet armiqësore të UÇK-së do të pushojnë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së merr përsipër që të japë instruksione të sakta dhe të qarta për të gjitha njësitet dhe personelin që është nën komandën e tij, për të siguruar që kontakti me forcat e RFJ-së të pamundësohet dhe për të përmbushur të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje. Ai do t’i shpall vendimet e tij menjëherë pas nënshkrimit përfundimtar të kësaj iniciative, e cila do të transmetohet përmes të gjitha kanaleve të domosdoshme që d o të ndihmojnë që instruksionet për përmbajtjen e iniciativës t’i arrijnë të gjitha forcat nën komandën e tij dhe të kuptohen nga opinioni në përgjithësi.
UÇK-ja ndërmerr dhe pajtohet në veçanti:
a) t’i ndërpresë qitjet nga të gjitha armët dhe shpërthimet e mjeteve shpërthyese.
b) të mos vendosë barriera apo postëroja, mina, as të mos vendosë karakoll vështruese apo pengesa protektive.
c) shkatërrimi i ndërtesave, mjeteve ndihmëse apo i strukturave nuk është i lejueshëm. Ajo nuk do të angazhohet në asnjë aktivitet që të bëjë me ushtrinë, sigurinë apo aktivitetet stërvitëse, përfshirë operacionet ajrore, ato tokësore në apo mbi Kosovë apo në ZTS, pa miratim paraprak të COMKFOR-it.
d) të mos sulmojë, arrestojë apo marrë në pyetje asnjë civil në Kosovë, as të mos sulmojnë, konfiskojnë apo shkelin pronën e civilëve në Kosovë.
UÇK-ja pajtohet që të mos kryejë kundërsulme, reprezalje apo ndonjë aksion unilateral si përgjigje ndaj RKSOKB 1244 dhe marrëveshjeve të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën. Kjo në asnjë mënyrë nuk e mohon të drejtën për vetëmbrojtje.
UÇK-ja pajtohet që të mos ndërhyjë ndaj personelit të RFJ-së, që do të kthehet në Kosovë për të kryer detyra të veçanta, me autorizim dhe nën drejtim të COMKFOR-it.
Përveç me miratim të COMKFOR-it, UÇK-ja pajtohet që personeli i saj të mos mbaj armë të asnjë lloji:
a) Dy kilometra nga rajonet ku janë të vendosur UJ-ja apo MPB-ja
b) Dy kilometra nga rrugët kryesore apo në qytetet e shënuara në apendiksin A
c) Dy kilometra nga kufijtë e Kosovës
d) Në asnjë rajon, për të cilin kërkon COMKFOR-i
Brenda katër ditësh të nënshkrimit të kësaj iniciative:
a) UÇK-ja do t’i mbyll të gjitha pozitat luftarake, fortifikimet dhe postërojat nëpër rrugë dhe do të shënojë minat dhe minat e befasisë që i ka vendosur vetë.
b) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të raportojë me shkrim lidhur me kërkesat e sipërpërmendura, te COMKFOR-i dhe do të vazhdojë që çdo javë detajisht të shkruajë raporte deri në përfundim të demilitarizimit.
Aktivitetet e kufirit
Menjëherë UÇK-ja, do t’i ndërpresë lëvizjet e personave të armatosur nëpër shtetet fqinje. Të gjitha lëvizjet e personave të armatosur në Kosovë do të bëhen me miratim paraprak të COMKFOR-it
Monitorimi dhe ndërprerja e armiqësive
Autorizim për t’u marrë me pikat e kësaj iniciative i ka COMKFOR-i. Ai do të monitorojë, mbajë dhe nëse është e domosdoshme edhe të detyrojë me forcë ndërprerjen e armiqësive.
UÇK-ja pajtohet që të bashkëpunojë plotësisht me KFOR-in dhe administratën e përkohshme civile në Kosovë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të sigurojë që të ndërmerren aksione të duhura për t’u marrë me pika të kësaj iniciative, nga ana e forcave të tij me direktiva të COMKFOR-it.
Elementet e KFOR-it, do të zgjedhën për të mbajtur kontakte me UÇK-në dhe do të vendosen në strukturat e saj komanduese dhe bazat.
KFOR-i do të vendosë kontroll të duhur në vendkalimet e caktuara me Shqipërinë dhe IRJM-në.
Komisioni i Përbashkët i Implementimit (KPI)
Një KPI do të vendoset në Prishtinë brenda katër ditësh, pas nënshkrimit të iniciativës. KPI-ja do të udhëhiqet nga COMKFOR-i dhe do të përbëjë edhe komandantë të lartë të KFOR-it dhe UÇK-së si dhe një përfaqësues të administratës civile ndërkombëtare në Kosovë.
KPI-ja do të takohet aq shpesh, sa të jetë e domosdoshme me COMKFOR-in gjatë implementimit të iniciativës. Ajo mund të thirret pa lajmërim paraprak dhe përfaqësimi i UÇK-së pritet në nivel dhe rang të kryesuesit të KFOR-it. Funksionet e saj do të jenë:
a) Sigurimi i bashkëpunimit me aranzhimet për të cilat është arritur pajtimi për siguri dhe aktivitete të të gjitha forcave;
b) Hetimet e pikave aktuale apo të kërcënuara të kësaj iniciative;
c) Detyra të tilla të tjera të cilat do t’i përcaktojë COMKFOR-i, me qëllim të mbajtjes së ndërprerjes së armiqësive.
Demilitarizimi dhe transformimi
UÇK-ja do t’i ndjekë procedurat e vendosura nga COMKFOR-i për demilitarizim fazë-fazë, transformim dhe monitorim të UÇK-së në Kosovë dhe për rregullore të tjera të aktiviteteve të tyre. Ata nuk do të ushtrojnë as organizojnë parakalime pa autorizim të COMKFOR-it.
UÇK-ja pajtohet me orarin e më poshtëm që fillon me nënshkrimin e kësaj iniciative:
a) Brenda shtatë ditësh, UÇK-ja do të vendos depo të sigurta të armëve, të cilat do të regjistrohen së bashku dhe të verifikohen nga KFOR-i.
b) Brenda shtatë ditësh, UÇK-ja do t ë pastrojë pozicionet e minave të saj dhe minave të befasisë, do t’i braktisë pozitat luftarake dhe do të transferohet në vende për të cilat pajtohet me COMKFOR-in dhe KPI-në. Pas kësaj, vetëm personel i autorizuar nga COMKFOR-i dhe zyrtarët e lartë të UÇK-së, me personelin e tyre të afërm mbrojtës, numri i të cilëve nuk do ta kalojë treshin, e që mbajnë vetëm armë brezi, do të lejohen që të dalin jashtë këtyre vendeve të caktuara.
c) Shtatë ditë më pas, armë të vogla automatiku që nuk janë vendosur në depot e regjistruara, mund të mbahen vetëm brenda vendeve të autorizuara.
d) pas 29 ditësh, mbajtja e çfarëdo arme me tytë të gjatë, e që nuk është pushkë automatike, do të jetë çështje e COMKFOR-it.
e) Brenda 30 ditësh, subjekt i aranzhimeve të COMKFOR-it në rast nevoje, i gjithë personeli i UÇK-së me origjinë jo lokale, pavarësisht nga ajo se a janë legalisht në Kosovë, përfshirë këshilltarët, luftëtarët e lirisë, stërvitësit, vullnetarët dhe personeli nga shtetet fqinje dhe shtetet e tjera do të tërhiqen nga Kosova.
f) Këto janë aranzhimet për kontroll armësh:
(1) Brenda 30 ditësh, UÇK-ja do të vendos në depot e regjistruara të armëve të gjitha armët e ndaluara, me përjashtim të armëve të vogla automatike. 30 për qind të numrit të përgjithshëm të këtyre armëve, po ashtu, do të vendosen në depo. Municioni për armët e tjera do të tërhiqet dhe do të vendoset në vende të caktuara nga COMKFOR-i, veçmas nga vendet e caktuara.
(2) Ditën e 30-të, do të jetë e ndaluar për personelin e UÇK-së, që të mbajë armë të ndaluara, me përjashtim të armëve automatike, në vendet e caktuara dhe do të jetë e ndaluar që të mbahen armë me tytë të gjatë. Armët e tilla do të konfiskohen nga KFOR-i.
(3) Brenda 30 ditësh, edhe 30 për qind të armëve të vogla automatike, duke dhënë kështu numrin prej 60 për qind të asaj që ka UÇK-ja, do të vendoset nëpër depot e regjistruara të armëve.
(4) Brenda 90 ditësh të gjitha armët automatike do të vendosen në depot e regjistruara të armëve. Pas kësaj, mbajtja e tyre nga pjesëtarët e UÇK-së, do të jetë i ndaluar dhe armët e tilla do të konfiskohen nga KFOR-i.
g) Prej 30 deri 90 ditë, depot e armatimit do të jenë nën kontroll të përbashkët të UÇK-së dhe KFOR-it në bazë të procedurave të aprovuara nga COMKFOR në KPI. Pas 90 ditëve KFOR do të marrë kontrollin e plotë të atyre depove.
h) Brenda 90 ditësh të gjitha forcat e UÇK-së, do të kenë kompletuar proceset për demilitarizimin e tyre dhe do të pushojnë së veshuri uniformat e tyre ushtarake dhe shenjat e UÇK-së.
i) Brenda 90 ditësh Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të konfirmojë përmbushjen e kërkesave të parashtruara dhe do t‘ia dorëzojë me shkrim atë COMKFOR-IT.
Provizionet e kësaj iniciative do të hyjnë në fuqi me efekt imediat të nënshkrimit të tij, nga ana e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës.
UÇK-ja, ka në plan që të punojë në përputhshmëri me kushtet e parashikuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe në këtë kontekst që komuniteti ndërkombëtar të marrë parasysh kontributin e UÇK-së, gjatë krizës së Kosovës dhe në bazë të kësaj të marrë në konsideratë se:
a) Të pranojë se derisa UÇK-ja dhe strukturat e saj, janë në proces të transformimit, është e zotuar që të propozojë pjesëtarë aktuale individual që të marrin pjesë në forcat policore dhe të administrimit në Kosovë, duke gëzuar konsideratë të posaçme për përvojën që kanë zhvilluar.
b) Formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, si pjesë e procesit politik e cila do të duhet të vendosë për statusin e Kosovës në ardhmëri, duke marrë para sysh Marrëveshjen në Rambuje.
Kjo iniciativë është shkruar në gjuhën angleze dhe shqipe dhe nëse ka dyshime në të kuptuarit drejt të tekstit versioni në gjuhën angleze ka precedencë.
Ofruar nga Hashim Thaçi,
Kryekomandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Pranuar nga gjenerallejtënant Mike Jackson,
Komandant i KFOR-it
21 qershor 1999
Rrugët:
1) Pejë-Llapushnik-Prishtinë
2) Kufi-Gjakovë-Klinë
3) Kufi-Prizren-Suharekë-Prishtinë
4) Gjakovë-Rahovec-Llapushnik-Prishtinë
5) Pejë-Gjakovë-Prizren-Ferizaj-Kufi
6) Kufi-Ferizaj-Prishtinë-Podujevë-Kufi
7) Prishtinë-Mitrovicë-Kufi
8) Mitrovicë-Rakosh-Pejë
9) Pejë-Kufiri me Malin e Zi(nëpërmjet Rozhajës)
10) Prishtinë-Lisicë-Kufiri me Serbinë
11) Prishtinë-Gjilan-Ferizaj
12) Gjilan-Tërnoc i Madh-Kufiri me Serbinë;
13) Prizren-Doganoviqi.
Vendi
Teknologji moderne dhe shërbime të shumta mjekësore nën një çati në United Hospital
Published
50 seconds agoon
October 20, 2026By
UBTNews
Me një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, pajisje moderne diagnostikuese dhe kujdes shëndetësor gjatë 24 orëve, United Hospital synon të ofrojë qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore për qytetarët e Kosovës. Nga diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve, deri te ndërhyrjet kirurgjike dhe kujdesi intensiv, institucioni ofron shërbime në disa fusha të mjekësisë, duke vënë në fokus nevojat e pacientëve.
Qasja në shërbime shëndetësore cilësore, diagnostikimi në kohë dhe trajtimi profesional janë ndër faktorët më të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Në këtë drejtim, United Hospital ofron shërbime të shumta mjekësore, duke synuar t’u mundësojë pacientëve qasje në diagnostikim dhe trajtim të specializuar në një institucion të vetëm.
Me lokacion në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, në kilometrin e shtatë, spitali ofron shërbime emergjente, diagnostikuese, terapeutike dhe kirurgjike, me synimin për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme shëndetësore të qytetarëve
Një ndër fushat me rëndësi të veçantë është diagnostikimi mjekësor, ku përmes shërbimeve të radiologjisë dhe tomografisë së kompjuterizuar (CT), pacientëve u ofrohen mundësi për ekzaminime të specializuara. Sipas informacionit të publikuar nga spitali, pajisjet CT mundësojnë kryerjen e ekzaminimeve me deri në 40 për qind më pak rrezatim, varësisht nga lloji i ekzaminimit dhe protokolli i përdorur.
Krahas diagnostikimit, United Hospital ofron shërbime në disa specialitete mjekësore, përfshirë kardiologjinë, hematologjinë, nefrologjinë, gastroenterologjinë dhe pulmologjinë. Këto shërbime synojnë të mbështesin diagnostikimin, trajtimin dhe përcjelljen e pacientëve me probleme të ndryshme shëndetësore.
Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e spitalit zënë edhe shërbimet kirurgjike. Sipas të dhënave të publikuara nga institucioni, ato përfshijnë kirurgjinë e përgjithshme, kardiokirurgjinë, ortopedinë, kirurgjinë vaskulare, pediatrike, gjinekologjinë, urologjinë, otorinolaringologjinë (ORL), kirurgjinë maksilofaciale dhe atë torakale.
Përveç shërbimeve për të rriturit, spitali ofron edhe shërbime të neonatologjisë dhe pediatrisë, të dedikuara për kujdesin ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve. Këto fusha kërkojnë vëmendje të veçantë profesionale, pajisje të përshtatshme dhe qasje të individualizuar ndaj nevojave të pacientëve më të vegjël.
Disponueshmëria e shërbimeve emergjente, laboratorike dhe e kujdesit intensiv gjatë 24 orëve përbën një element të rëndësishëm të ofertës së institucionit. Në rastet kur nevojitet vlerësim i shpejtë mjekësor, qasja në shërbimet përkatëse dhe koordinimi ndërmjet ekipeve shëndetësore mund të jenë vendimtare për trajtimin e pacientit.
Çmime të përballueshme dhe qasje më e lehtë në shërbime shëndetësore
Përballueshmëria financiare është një çështje e rëndësishme për qytetarët që kanë nevojë për kontrolle, analiza laboratorike, ekzaminime diagnostikuese apo trajtime të specializuara. Në këtë kontekst, ofrimi i shërbimeve me çmime të përballueshme mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare për pacientët dhe familjet e tyre.
United Hospital e paraqet ofrimin e shërbimeve shëndetësore me çmime të arsyeshme si një nga përparësitë e tij. Për pacientët, rëndësi të veçantë ka që kostot e ekzaminimeve dhe trajtimeve të jenë të qarta, në mënyrë që ata të mund të informohen dhe të marrin vendime të përgjegjshme për shëndetin e tyre.
Në të njëjtën kohë, cilësia e kujdesit shëndetësor nuk përcaktohet vetëm nga çmimi apo teknologjia. Ajo lidhet edhe me profesionalizmin e personelit, sigurinë e pacientit, saktësinë e diagnostikimit, komunikimin me mjekun dhe vazhdimësinë e kujdesit gjatë trajtimit.
Për këtë arsye, zhvillimi i shërbimeve të specializuara dhe krijimi i mundësive për diagnostikim e trajtim në kohë janë elemente me rëndësi për përmirësimin e qasjes së qytetarëve në kujdesin shëndetësor.
Kontributi në shëndetin e popullatës
Institucionet shëndetësore që investojnë në shërbime diagnostikuese, trajtim të specializuar dhe kujdes të vazhdueshëm mund të luajnë rol të rëndësishëm në plotësimin e nevojave shëndetësore të popullatës. Në këtë aspekt, gama e shërbimeve të ofruara nga United Hospital synon t’u mundësojë pacientëve që të gjejnë zgjidhje për nevoja të ndryshme mjekësore brenda të njëjtit institucion.
Një qasje e tillë mund të lehtësojë organizimin e kontrolleve, koordinimin ndërmjet specialiteteve dhe përcjelljen e gjendjes shëndetësore të pacientëve. Veçanërisht e rëndësishme është që qytetarët të kenë qasje në informata të sakta për shërbimet, çmimet, përgatitjen e nevojshme për ekzaminime dhe procedurat e trajtimit.
Përtej trajtimit të sëmundjeve, kujdesi shëndetësor përfshin edhe ndërgjegjësimin për parandalimin, kontrollet e rregullta dhe kërkimin me kohë të ndihmës mjekësore. Identifikimi i hershëm i problemeve shëndetësore mund të ndikojë në mundësitë e trajtimit dhe në ecurinë e sëmundjeve, prandaj qytetarët inkurajohen që të mos i neglizhojnë simptomat dhe kontrollet e rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë.
Duke ofruar shërbime në fusha të ndryshme të mjekësisë, United Hospital synon të jetë një adresë ku pacientët mund të informohen për mundësitë e diagnostikimit dhe trajtimit, sipas nevojave të tyre individuale.
United Hospital, në shërbim të pacientëve 24 orë në ditë
Përmes shërbimeve emergjente, diagnostikuese, laboratorike, kirurgjike dhe të specialiteteve të ndryshme, United Hospital synon t’u përgjigjet nevojave shëndetësore të qytetarëve në çdo kohë.
Për informata rreth shërbimeve, termineve dhe çmimeve, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin në numrat e telefonit ose ta vizitojnë në lokacionin e tij në Prishtinë.
Telefonat: 038 60 70 70 / 046 60 70 70
Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, kilometri i shtatë, Prishtinë, Kosovë.
Shërbimet: Emergjencë, laborator, radiologji dhe CT, specialitete mjekësore, kirurgji, neonatologji, pediatri dhe kujdes intensiv.
United Hospital – kujdes shëndetësor, diagnostikim dhe shërbime të specializuara, me fokus te nevojat e pacientëve./rajonipress/
lajme
UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë
Published
5 hours agoon
October 20, 2026By
UBTNews
Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.
“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.
Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:
“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.
Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.
Lajmet
Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT
Published
5 hours agoon
October 20, 2026By
UBTNews
Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.
Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.
Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.
Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:
Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.
Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,
Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;
Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;
Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.
Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë nisur në Tiranë, pas përshkallëzimit të situatës gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit.
Protesta fillimisht ishte e qetë, me studentët dhe mësimdhënësit që marshuan në mënyrë paqësore nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, situata u tensionua kur protestuesit hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së ministrisë.
Policia reagoi duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por protestuesit nuk u larguan nga Rruga e Durrësit. Ata vazhduan të qëndronin pranë efektivëve të policisë, duke kërkuar rikthimin para Ministrisë së Arsimit.
Tensionet vijnë pas disa ditësh protestash në Shqipëri, gjatë të cilave janë përdorur gaz lotsjellës, ujë, gurë dhe, në disa raste, edhe plumba gome.
Foto: REL
D.L
Teknologji moderne dhe shërbime të shumta mjekësore nën një çati në United Hospital
Mourinho: Askush nuk e ka të garantuar vendin në formacionin e Real Madridit
UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë
Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT
Nisin përplasjet në protestën në Tiranë
Barcelona dhe Bayerni në garë për talentin zviceran Johan Manzambi
Konferenca e MBE-së në UBT: Fokusi në transformimin digjital
UBT shënon 25-vjetorin me tri ngjarje të mëdha ndërkombëtare, Hajrizi: Kosova po bëhet qendër e shkencës dhe inovacionit
Dr. Fitim Alidema: Konferenca shkencore e UBT, mjedis ku rezultatet diskutohen në mënyrë kritike
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport3 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet3 months agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet3 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
