Lajmet

​Rastet e dhunës në familje gjatë pandemisë u rritën me 15%

Kështu u tha në raportin me temën “Hetimet penale dhe politika ndëshkimore në rastet e dhunës në familje”.

Published

on

Në Kosovë gjatë pandemisë janë shënuar 15 për qind më shumë të rasteve të dhunës në familje. Prokuroritë nuk arritën të zgjidhin rastet gjatë vitit 2020 për më shumë se 1 mijë e 200 persona. Ani pse Kosova ka legjislacion të mirë, në rastet e dhunës në familje ka dallim në trajtim, procedim dhe kualifikimin e veprës penale. Kështu thuhet në raportin me temën “Hetimet penale dhe politika ndëshkimore në rastet e dhunës në familje” të publikuar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi.

Eksperti hulumtues, Lulzim Aliaj tha se raporti analizon më shume se 600 aktgjykime që përfshin të dhëna nga policia, gjyqësori e prokuroria.

“Nga të gjitha këto të dhëna vërehet që kemi një numër të madh të dhunës në familje e fenomenet e dhunës në familje janë trajtuar nga të gjitha këto aktgjykime, por ka dallime sa i përket trajtimit të tyre, procedimit, kualifikimit të veprës penale. Pra, ky është qëllimi raportit që të paraqesim numrin 2019 dhe vitin 2020 edhe gjitha aktgjykimet në mënyrë që të sensibilizohen të gjithë akterët dhe akti i dhunës në familje të sanksionohet sipas dispozitave ligjore”, ka deklaruar Aliaj.

Më tej, në prezantimin e këtij raporti, Aliaj ka shtuar se gjatë vitit 2020 ka pasur rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje.

“Në vitin 2019 kemi pasur 1 mijë e 828 raste të pranuara, kurse në vitin 2020 kemi pasur 2 mijë e 120 raste të pranuara. Do të thotë që kemi rritje të numrit të rasteve të pranuara. Kurse, sa i përket personave të paraqitur në raste kemi 2 mijë e 402 persona gjatë vitit 2019, ndërkaq në vitin 2020 kemi 2 mijë e 464 raste. Sa i përket rasteve të zgjidhura, në vitin 2019 kemi 1 mijë e 611 raste dhe në vitin 2020 kemi 1 mijë e 812 raste. Pra në bazë të këtyre rasteve, persona të trajtuar janë 2 mijë e 184 në vitin 2019 dhe 2 mijë e 155 persona në vitin 2020. Në përqindje nënkuptohet që numri i rasteve të dhunës në familje në vitin 2020 është rritur për 15 qind në krahasim me vitin 2019”, ka shtuar ai.

Prokuroritë nuk kanë arritur të zgjidhin rastet për mbi 1 mijë e 200 persona gjatë vitit 2020.

“88 për qind e rasteve të pranuara në vitin 2019 janë zgjidhur, ndërkaq në vitin 2020 janë zgjidhur 85 për qind e rasteve të pranuara. Pra, në vitin 2020 kemi një rritje të zgjidhjes së rasteve, 12 për qind më shumë se në vitin 2019. Gjatë vitit 2019 në të gjitha prokuroritë themelore në punë kanë qenë 3 mijë e 117 persona me kallëzime penale, prej të cilëve vetëm gjatë vitit janë pranuar 2 mijë e 402, kurse janë zgjidhur 2 mijë e 184 raste. Ndërsa nuk janë zgjidhur rastet për 933 persona. Kurse gjatë vitit 2020 nuk janë zgjidhur rastet për 1 mijë e 271 persona”, thuhet në raportin e INJECT.

Drejtoresha e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi (Inject), Luljeta Aliu ka thënë se barazia e drejtësia janë themeli i shoqërisë.

“Tematika e sotshme ka ardhur si rezultat i shqetësimeve tona si shoqëri pas disa lajmeve për një trajtim joprofesional, siç e kemi parë ne nga jashtë të rasteve të dhunës në familje. Ishte rasti i Pejës, për përdhunim ku dënimi ishte aq i vogël sa që ka ngjallur kritika të shumta në shoqëri, një debat të madh e ka ngritur. Ku më pas pati edhe suspendime, e nga kjo edhe raste të tjera ku ne shpesh herë kemi menduar që nuk kanë qenë meritore ose nuk kanë qenë vendime të drejta. Ekipet e kishin idenë që të hulumtojnë, të punojnë në këtë drejtim që të shohim se si po merren vendimet për rastet e dhunës në familje”, ka thënë ajo.

Në konferencën “Rritja e Transparencës së gjyqësorit dhe lartësia e dënimeve për rastet e dhunës në familje”, menaxheri i të dhënave mjedisore në Millennium Foundation, Agron Kelmendi shtoi se ky projekt vjen pas numrit të madh të rasteve të dhunës gjatë pandemisë.

“Ne përgjatë katër viteve arritëm të japim një kontribut sado të vogël dhe qëllimi i ynë nuk ishte që të krijojmë vetëm organizata të cilat do të shërbenin si gardianë të viktimave, në këtë rast të viktimave të dhunës në familje. Por, të krijonim po ashtu një model të bashkëpunimit në mes të shoqërisë civile dhe organeve vendimmarrëse, në mënyrë që këto të shërbenin si mjete komplementare në punën e tyre. Unë besoj që ky projekt pasi që kishte ardhur në kohën kur pandemia ishte në atë kohë dhe mendonim që mund të kishte rritur numrin e rasteve të dhunës në familje”, ka thënë ai.

Ky raport bazohet mbi të dhëna të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe vendimet e gjykatave themelore në lidhje me veprimet e zgjidhjet e rasteve dhe dënimet e shqiptuara gjatë viteve 2019-2020. 

Lajmet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Lajmet

Rama shkarkon Vlora Hysenin pas hetimeve të SPAK-ut për skandalin e AKSHI-t

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga New York-u lidhur me masën e “arrestit shtëpiak” të vendosur nga SPAK-u ndaj drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke njoftuar lirimin e saj të menjëhershëm nga detyra.

Hyseni po hetohet nga SPAK-u nën dyshimet për zbulim të sekretit shtetëror, ndihmë ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si dhe për përfshirje në skandalin e korrupsionit me tenderët 59-milionësh të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Lidhur me këto akuza, Rama theksoi se çdo dyshim i organit të akuzës duhet të hetohet e të zbardhet deri në fund përmes një procesi të pavarur gjyqësor, duke nënvizuar se asnjë zyrtar nuk është mbi ligjin.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, ka shkruar Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se pavarësia e organeve të drejtësisë është një rrugë pa kthim dhe se fajësia apo pafajësia mbetet përgjegjësi individuale e çdokujt para gjykatës.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur, qëndrimi im mbetet i njëjtë: kjo shumicë nuk bën avokatinë e askujt”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Rama kritikoi reagimet e opozitës dhe medias, duke e quajtur të pashmangshme që çdo hetim ndaj personave publikë të kthehet në “gjyq mesjetar” përpara se gjykata të thotë fjalën e saj përfundimtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Liderët botërorë mblidhen në OKB: Në fokus Lindja e Mesme, Ukraina dhe IA

Published

on

By

Dhjetëra liderë botërorë do të mblidhen këtë javë në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York për të marrë pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme. Vëmendja kryesore e diskutimeve pritet të përqendrohet në tensionet në Lindjen e Mesme mes SHBA-së dhe Iranit, luftën në Ukrainë, si dhe sfidat e inteligjencës artificiale.

Punimet do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, ndërsa ndër folësit e parë do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump. Gjatë kësaj seance, fjalën do ta marrin 13 udhëheqës shtetërorë, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe atë francez Emmanuel Macron.

Në Nivelin e Lartë të këtij sesioni po marrin pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, delegacioni nga Prishtina nuk do t’i adresohet Asamblesë, por do të zhvillojë takime dypalëshe në margjinat e kësaj ngjarjeje ndërkombëtare. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara