Lajmet

Kumbaro takim me Vjosa Osmanin: Shqiptarët e Kosovës baza e turizmit të Shqipërisë

Published

on

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka vizituar sot Prishtinën, ku është pritur nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në takimin me presidenten Osmani, ministrja Kumbaro u shpreh se shqiptarët e Kosovës janë baza solide e turizmit gjithëvjetor në Shqipëri.

“Turi i aktiviteteve në Prishtinë nisi me një takim shumë energjik me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Kryefjalë të bisedës kishim turizmin dhe shkëmbimet mes dy vendeve tona ku mysafirët nga Kosova mbeten baza më e qëndrueshme e turizmit gjithëvjetor, por lajmi i mirë është se edhe shqiptarët e Shqipërisë çdo vit e më shumë po preferojnë të vizitojnë atraksionet turistike e natyrore të Kosovës. Dakordësuam për mundësi të reja bashkëpunimi në turizëm, forcim të promovimit të përbashkët të mes vendeve tona, si edhe i përcolla Presidentes Osmani ftesën për një vizitë në Shqipëri nga zonat malore në bregdet, përfshirë edhe lumin Vjosa, tashmë Park Kombëtar”, është shprehur ministrja Kumbaro.

Presidentja Osmani nga ana tjetër vlerësoi “zhvillimin dhe rritjen që ka përjetuar Shqipëria në turizëm, duke pritur shifra rekord vizitorësh”.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ministrja Kumbaro do të zhvillojë takime edhe me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari si dhe kryetarin e PDK, Memli Krasniqi.

Ministrja do të marrë pjesë gjithashtu në aktivitetin për çeljen e sezonit turistik të Lezhës që do të mbahet në Prishtinë, në simbolikën e mirënjohjes për të gjithë shqiptarët e Kosovës që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.

Vendi

PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit sot në orën 11:00

Published

on

By

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për thirrjen e menjëhershme të vazhdimit të seancës konstituive sot, më 12 gusht 2026.

Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, mirëpo kjo nuk e shuan detyrimin për përmbushjen e këtij procesi pa vonesa të mëtejshme. Partia kërkon që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga besimi i qytetarëve.

Pavarësisht nëse kryesuesi do ta thërrasë zyrtarisht seancën apo jo, deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit sot në orën 11:00, kohë kur plotësohet afati 48-orësh sipas rregullores. Me këtë rast, PDK u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve që t’i bashkohen seancës për të dëshmuar gatishmërinë politike për përmbushjen e obligimeve kushtetuese.

Kjo kërkesë vjen pasi vazhdimi i fundit i seancës konstituive, i mbajtur të shtunën, u ndërpre dhe u shty me kërkesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, pas tensioneve në sallë ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të tij. /E.A/

foto: Koha.net

Continue Reading

Lajmet

Spektakli qiellor i 12 gushtit: Si do të përjetohet eklipsi i Diellit në Evropë dhe Kosovë

Published

on

By

Miliona evropianë do të kenë mundësinë të ndjekin të mërkurën mbrëma eklipsin e parë të plotë diellor në Evropën kontinentale pas dy dekadash. Fenomeni astronomik do të jetë plotësisht i dukshëm në Spanjë, Portugali, Grenlandë dhe Islandë, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore do të përjetojë një eklips të pjesshëm.

Sipas platformës astronomike TimeandDate, qytetarët në Kosovë do të mund të vëzhgojnë fazën e pjesshme të këtij fenomeni, i cili do të nisë në orën 19:29. Kulmi do të arrihet në orën 19:38, moment kur Hëna do të mbulojë pjesën më të madhe të dukshme të Diellit. Vetëm tre minuta më vonë, në orën 19:41, Dielli do të perëndojë, ndërsa e gjithë faza e pjesshme do të përfundojë përfundimisht në orën 21:07. Sipas raportimeve të The Guardian, kulmi i eklipsit në Spanjë pritet mes orës 20:26 dhe 20:33, ndërsa në Londër do të regjistrohet në orën 19:13.

Për shkak se ky fenomen do të ndodhë shumë pranë horizontit, ekspertët sugjerojnë që vëzhgimi të bëhet nga pika të larta dhe zona pa pengesa, me pamje të hapur drejt perëndimit dhe veriperëndimit. Njëkohësisht, ata paralajmërojnë se shikimi i Diellit me sy të lirë është i dëmshëm. Në mungesë të syzeve mbrojtëse speciale, qytetarët mund të përdorin një kullesë kuzhine si projektor alternativ, duke reflektuar dritën dhe hijen e eklipsit mbi një sipërfaqe të letrës. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara