Lajmet

Talibanët imponojnë kod të ri të veshjes dhe ndarje në universitete

Published

on

Në bazë të një dekreti të lëshuar nga talibanët për institucionet arsimore, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, ata kanë imponuar një kod të ri të veshjes dhe ndarjen gjinore në klasa të universiteteve dhe kolegjeve private në Afganistan

Në dokumentin e lëshuar nga Ministria e Arsimit më 5 shtator, thuhet se të gjitha studentet, mësueset dhe stafi tjetër, duhet të kenë veshje islamike që mbulon flokët, trupin dhe pjesën më të madhe të fytyrës.

Ngjyra e veshjeve duhet të jetë e zezë. Vajzat dhe gratë duhet të vendosin doreza në mënyrë që duart e tyre të jenë të mbuluara. Në shkolla, klasat duhet të ndahen sipas gjinisë. Nuk do të lejohet që me një klasë të mësojnë bashkërisht djemtë dhe vajzat.

Aty ku nuk ka mundësi të ndahen klasët, atëherë duhet të vendoset një perde që bën ndarjen e tyre.

Studentet duhet të kenë mësimdhënëse gra. Por, sipas dokumentit, në rast të mungesës së grave, atëherë ato mund të zëvëndësohen me mësimdhënës burra të moshuar, që kanë karakter të mirë.

Muajin e kaluar, pasi e morën pushtetin nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Afganistan, talibanët thanë se “gratë dhe vajzat do të ketë të drejtat e tyre në bazë të ligjit islam”.

Militantët kanë bërë përpjekje të paraqiten me një imazh më të moderuar në mënyrë që të bindin afganët dhe botën se kanë ndryshuar.

Talibanët e sunduan Afganistanin midis viteve 1996 dhe 2001. Ata nuk i lejuan gratë të punonin, vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën dhe gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.

Ato që shkelën rregullat ndonjëherë u dënuan me rrahje publike nga policia fetare e talibanëve.

Shumë vende dhe organizata kanë shprehur dyshime në lidhje me premtimet e talibanëve se kësaj radhe do të sundojnë ndryshe.

Pas fushatës ushatarake të udhëhequr nga amerikanët më 2001 dhe rrëzimit të talibanëve nga pushteti gratë kishin fituar të drejtat e tyre.

Por, në bazë të rregullave që hynë në fuqi më 6 shtator jeta e grave do të ndryshojë rrënjësisht për dallim nga 20 vjetët e kaluara.

Shtypje e pastër

“Rregullat e reja për shkolla, përfshirë ndarjen në bazë të gjinisë, në mënyrë të qartë po krijojnë më shumë frikë dhe po nxisin një kulturë diskriminimi kundër grave dhe vajzave”, tha Samira Hamidi, një aktiviste e të drejtave të grave, e cila jeton në mërgim pasi u largua nga Afganistani për shkak të kërcënimeve nga talibanët.

“Gratë që mbulojnë trupin me veshje të zezë nuk përfaqësojnë kulturën afgane”, tha ajo, duke shtuar se kjo është një shenjë e qartë e shtypjes së grave dhe vajzave.

Para se talibanët të merrnin kontrollin e vendit, gratë afgane studionin së bashku me burrat dhe ndiqnin mësimet me mësues meshkuj. Gjithashtu nuk kishte asnjë kod veshjeje që i detyronte gratë të mbuloheshin. Tani, ato po përballen me një realiteti të ri që është shumë i ashpër.

Disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale tregonin sesi në Universitetin Ibn Sina, një institucion privat i arsimit, burra dhe gra mësonin në klasa të ndara përmes një perdeje.

Shumë nga gratë e fotografuara mbanin hixhab të zi.

Sipas dekretit të lëshuar nga talibanët, gratë duhet të veshin një abaja (veshje që mbulon gjithë trupin) dhe hixhabin, një shall që mbulon kokën por fytyrën e lë të zbuluar.

Maryam, një grua nga qyteti juglindor i Khostit, i tha shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë se shumë gra ishin të gatshme të mbajne hixhabin, por për ato është e papranueshme mbajtja burkës.

Burka është një veshje përmes së cilës mbulohet gjithë trupi dhe fytyra duke lënë vetëm sytë e pambuluar.

Në vitet 1990 kur e sunduan Afganistanin, talibanët vendosën që gjitha gratë duhet të mbajnë burka.

Sipas rregullave të reja të talibanëve, burrat dhe gratë duhet të përdorin hyrje dhe dalje të veçanta në universitete dhe kolegje.

“Sipas mundësive të tyre universiteteve u kërkohet të punësojnë profesoresha për studentet femra”, thuhet në dokument.

Nëse nuk është e mundur të punësohen gra për të dhënë mësim, atëherë institucionet “duhet të përpiqen të punësojnë burra të moshuar që kanë një histori të sjelljes së mirë”.

Edhe një rregull tjetër do të vlejë në shkolla dhe universitete. Mësimi për gratë dhe vajzat duhet të përfundojë 5 minuta më herët se burrat dhe djemtë në mënyrë që ata të mos kenë mundësi të takohen jashtë.

Ato gjithashtu do të detyrohen të qëndrojnë në dhomat e pritjes derisa meshkujt të largohen nga ndërtesa.

Pavarësisht kufizimeve të reja, talibanët po e lejojnë arsimimin e grave dhe kjo është një gjë pozitive, tha 18-vjeçarja Salgy Baran, një studente nga Afganistani.

“Talibanët duhet të përmbushin atë që premtojnë”, tha ajo për REL-in, duke iu referuar zotimit të grupit militant për të mbrojtur të drejtat e grave, përfshirë të drejtën për arsim.

Shkelje e të drejtave të grave

Shumë të tjerë nuk janë të bindur se talibanët vërtet kanë ndryshuar dhe se do të lejojnë gratë të arsimohen dhe punojnë.

Pas pushtimit të Afganistanit të udhëhequr nga SHBA-ja, normat e pranimit në sistemin e lartë arsimor shënuan rritje, veçanërisht në mesin e grave. Miliona vajza të të gjitha moshave u kthyen në shkolla.

Gratë gjithashtu luajtën një rol në jetën publike. Ato mbanin pozita ministrore, ishin anëtare të parlamentit dhe pozita tjera lokale. Gratë gjithashtu kishin të drejtë të votonin dhe të punonin jashtë shtëpive të tyre.

Shumë nga rregullat dhe ligjet që kanë vendosur talibanët ngjajnë me ato që kanë zbatuar në vitet 1990 kur sunduan Afganistanin.

Ka raporte se në Kabul talibanët i kanë këshilluar gratë që të qëndrojnë kryesisht brenda. Militantët kanë shkarkuar gazetaret që punonin për televizionin shtetëror. Ata gjithashtu kanë urdhëruar shumë ish-punëtore të qeverisë të mos kthehen në punë. Shumë shkolla të vajzave gjithashtu kanë mbetur të mbyllura në kryeqytet.

Ditëve të fundit dhjetëra gra afgane kanë protestuar në Kabul, qytetin perëndimor të Heratit dhe atë verior të Mazar-e Sharif duke kërkuar të drejta të barabarta nën sundimin taliban.

Organizatorët e protestës thanë se militantët talibanë shpërndan me dhunë një protestë më 6 shtator.

Sipas disa fotografive të shpërndara në rrjetet sociale, dhjetëra gra mbanin mesazhi si “Shkelja e të drejtave të grave – Shkelja e të drejtave të njeriut” dhe “Ne duam pjesëmarrje në të gjitha nivelet politike”.

Samira Khairkhawa, e cila mori pjesë në protestat e fundit në Kabul, i tha Radios Evropa e Lirë se gratë afgane aktualisht po përjetojnë pasiguri.

“Kanë kaluar disa javë që gratë nuk e dinë nëse do të vazhdojnë punën apo jo. Ato nuk e dinë nëse do të gëzojnë të drejtat themelore dhe civile”, tha ajo./REL

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

lajme

Komisioni për Punë të Jashtme pret në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Published

on

By

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, László Dux.

Takimi mes anëtarëve të komisionit parlamentar dhe diplomatit hungarez po zhvillohet prapa dyerve të mbyllura për mediat.

Deri më tani nuk janë bërë me dije detaje zyrtare lidhur me temat konkrete të cilat janë përfshirë në agjendën e këtij takimi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova e përmbyll Kampionatin Ballkanik të Karatesë me 10 medalje

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.

Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.

Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.

Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara