Lajmet

​Rritet numri i sinjalizuesve në Kosovë, kërkohet mbrojtja e tyre nga institucionet

Published

on

Gjatë këtij viti është rritur numri i raportimeve nga sinjalizuesit në Kosovë. Pavarësisht kësaj, ata dënohen apo ndëshkohen me humbje të vendit të punës, në vend se të mbrohen nga institucionet.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Transparencë për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Menaxheri i projektit “Sinjalizuesi” nga organizata jo qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Transparencë, Bujar Ejupi tha se nga monitorimet e bëra del se ka zero përkrahje për sinjalizuesit nga institucionet, për çka shton se këto të fundit mbrojnë zyrtarët që kanë qenë të raportuar nga sinjalizuesit.

“Sinjalizuesit, të gjithë ata që kanë raportuar për korrupsion, keqpërdorime ndër vite kanë gëzuar shumë pak të drejta, shumë pak mbrojtje. Në vitin 2019 ka ardhur një ligj, është aprovuar një ligj që është menduar se do të ketë një efekt shumë më të mirë për sinjalizuesit, por prej asaj kohe deri tash mund të themi me gjithë sigurinë se ai ligj nuk ka funksionuar ashtu siç duhet. Nëse ligji është krijuar që të mbrohen sinjalizuesit, atëherë sinjalizuesit sot ishe dashur të dalin lirshëm të flasin. Shumë prej sinjalizuesve janë ndëshkuar, qoftë ndëshkime presion në vendin e punës, me degradim, me largim, ndërrim të vendit të punës dhe me shkëputje të kontratës.  Për një vit rastet që i kemi monitoruar ne dhe iu kemi ofruar përkrahje ka pasur zero vullnet të nivelit më të lartë për t’i përkrahur sinjalizuesit. Nëse sinjalizuesi ka raportuar për diçka, menjëherë institucioni ka dalur në mbrojtje të zyrtarëve të cilët kanë qenë të raportuar“, tha Ejupi.

Derisa Ejupi potencoi se këtë vit ka pasur më së shumti sinjalizime, përmendi rastin e sinjalizimeve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për ambalazhuesit e ujit.

Ndër të tjera, Ejupi i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë që bëhen ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ndërsa shtoi se ligji as nuk është monitoruar nëse po funksionon apo jo.

“Brenda një viti kalendarik është karakterizuar me numër shumë të madh të sinjalizuesve. Rasti në ministrinë e ambientit ku e kemi me ambalazhuesin e ujit, ka pasur edhe aktakuzë të ngritur. Pas tërë atij rasti është një sinjalizues, i cili për gjithë atë proces është ndëshkuar. Pastaj është rasti në ministrinë për rezervat shtetërore edhe aty është një sinjalizues që është ndëshkuar. Krahasim me të gjitha vitet tjera, ky është viti ku kemi pasur më së shumti sinjalizime. Ka kaluar më shumë se pesë vjet prej ligjit dhe një ligj qe pesë vite nuk është bërë asnjë ndryshim. Kjo tregon që ligji nuk është as duke u monitoruar nëse është duke funksionuar apo jo. I bëjmë thirrje Ministrisë së Drejtësisë këtë rast si sponsorizues i ligjit dhe qeverisë që sa më parë të bëjë ndryshime në ligjin që të përshtatet me gjendjen aktuale në institucione dhe t’i bëjë ato ndryshime“, potencoi Ejupi.

Ndërkaq, gazetarja Ardiana Thaçi tha se ndër arsyet psenumri i sinjalizuesve në Kosovë është rritur ka të bëjë me mos transparencën e Qeverisë së Kosovës.

Ajo theksoi se gazetarët duhet ruajtur identitetin e sinjalizuesve dhe duhet pasur kujdes në ofrimin e fakteve dhe dokumenteve që ata ofrojnë për çështje të ndryshme. 

“Arsye tjetër pse sinjalizuesit janë rritur në Kosovë mendoj se është edhe mos transparenca e Qeverisë së Kosovës dhe mbyllja e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Sinjalizuesit gjithmonë e gjejnë në rrugën e tyre dhe dinë të shkojnë në media dhe të raportojnë keqpërdorimet që ndodhin. Ne si gazetarë, unë po flas për vete sepse punoj që 20 vite në media dhe për 20 vite ka punuar me shumë sinjalizues, ne duhet ndihmuar këtyre sinjalizuesve duke ua ruajtur identitetin e tyre. Është shumë e rëndësishme që këta njerëz mos të mbesin pa punë. Sinjalizuesi është një qytetar i Republikës së Kosovës i cili nuk dëshiron që paratë e tatimpaguesve të Kosovës të keqpërdoren, prandaj sinjalizon që në institucionin ku punon, qoftë në media apo polici sinjalizon për atë keqpërdorim që po ndodhë“, tha Thaçi.

Në konferencë u potencua se këtë vit ka pasur dhjetëra raportime nga sinjalizuesit.

Në mars të këtij viti u lansua projekti “Sinjalizuesi” nga Iniciativa për Drejtësi dhe Transparencë, për çka synon aktualizimin e një teme e cila nuk e ka vëmendjen e duhur nga institucionet dhe shoqëria.

Sinjalizuesi është një person që shpërfaq apo raporton informacion për aktivitete joligjore, joetike apo mashtruese brenda një organizate apo institucioni.

Vendi

Presidentja Shiroka-Pula priti në takim kryeministrin Kurti: Kosova nuk ka kohë për të humbur

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur sot në takim kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, Kurti u shpreh se pas bllokadës së gjatë politike, institucionet duhet të bashkëpunojnë ngushtë për t’u përballur me sfidat e shumta shtetërore.

“Kosova më në fund ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Presim punë të mëdha e të përditshme në interes të të gjithë qytetarëve”, deklaroi kryeministri Kurti, duke e falënderuar presidenten për pranimin e kandidaturës.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota në Kuvend pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Si hap të parë pas marrjes së detyrës, ajo zhvilloi homazhe në Prekaz, si dhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja e re nis zyrtarisht detyrën: Homazhe në Prekaz, te varri i Rugovës dhe Demaçit

Published

on

By

Me të marrë detyrën si Presidente e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

Ndërsa, gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

/E.A/

Continue Reading

Vendi

Sindikata e Trepçës alarmon për sigurinë: Kërkohen hetim dhe investime pas bllokimit të minatorëve

Published

on

By

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër pas incidentit të së mërkurës, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar për disa orë në nëntokë si pasojë e një defekti elektrik.

Përmes një komunikate për media, Sindikata e ka cilësuar rastin si një “alarm serioz” që nuk guxon të kalojë në heshtje, duke theksuar se nuk mund të pritet tragjedia për të marrë masa. Përfaqësuesit e minatorëve kërkojnë nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë e transparent, përcaktim të përgjegjësive, si dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës dhe rrugëve të emergjencës.

Sindikata njoftoi se ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për pajisjet e vjetruara, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve nga shteti, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në mënyrë që punëtorët të mos vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prof. Alban Kuriqi, i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe ndër universitetet private shqipfolëse në rajon për vitin 2025 

Published

on

By

Prof. Alban Kuriqi, nga UBT, renditet i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe i pari ndër studiuesit e identifikuar të universiteteve private shqipfolëse në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025, sipas një analize krahasuese të të dhënave ndërkombëtare Stanford/Elsevier.

Prof. Kuriqi rezulton gjithashtu i vetmi studiues i identifikuar nga universitetet private të Kosovës në të dyja kategoritë e analizuara, që përfshijnë ndikimin shkencor gjatë vitit 2025 dhe ndikiminshkencor përgjatë karrierës. Në krahasimin me studiuesit e identifikuar nga të gjitha universitetet e Kosovës, ai renditet i dyti për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025.

Këto rezultate bazohen në përditësimin e vitit 2026 të databazës Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators, e cila mbështetet në të dhënat bibliometrike të Scopus dhe vlerëson ndikimin shkencor përmes treguesve të standardizuar të citimeve.

Kontributi shkencor dhe rëndësia për UBT-në 

Veprimtaria kërkimore e Prof. Kuriqit përqendrohet në inxhinierinë hidraulike, menaxhimin e burimeve ujore, hidroenergjetikën, ndryshimet klimatike, ekohidrologjinë dhe restaurimin e lumenjve. Përmes publikimeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, ai kontribuon në kërkimin shkencor për sigurinë ujore, qëndrueshmërinë mjedisore dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Ky pozicionim përfaqëson një arritje individuale të rëndësishme dhe kontribuon në forcimin e profilit kërkimor dhe dukshmërisë ndërkombëtare të UBT-së.

Rreth databazës Stanford/Elsevier 

Databaza paraqet dy kategori të ndikimit shkencor: ndikimin gjatë një viti kalendarik (single-year) dhe ndikimin gjatë karrierës (career-long). Vlerësimi mbështetet në treguesin e përbërë të citimeve (c-score), i cili merr parasysh citimet, bashkautorësinë dhe pozicionin e autorit në publikime.

Burimi: Ioannidis, J. P. A. (2026). August 2026 data-update for Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators. Elsevier Data Repository, Version 9.

 

Continue Reading

Të kërkuara