Lajmet

Parlamenti Evropian do të kërkojë sërish nga pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën

Published

on

Parlamenti Evropian sërish do t’i bëjë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt.

Kjo ftesë e PE-së përsëritet në draft-raportin për Kosovën, të përgatitur në Komisionin e Politikës së Jashtme nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon.

Kjo thirrje nuk është e re, pasi Parlamenti Evropian vazhdon të jetë i vetmi institucion i BE-së që nga fillimi i referohet Kosovës si shtet dhe vazhdimisht kërkon nga shtetet anëtare që ta njohin shtetësinë e Kosovës.

“Merret në dijeni se pesë shtetet anëtare ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe përsëritet thirrja ndaj atyre që ta bëjnë këtë; nënvizohet se njohja do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në këtë dokument.

Ky raport përfshin një periudhën dyvjeçare, pasi në vitin 2019 nuk ka pasur raport të Parlamentit Evropian sepse ishte vit i zgjedhjeve evropiane dhe pritej konstituimi i përbërjes së re të PE-së, raporton Ekonomia Online.

Në draft-raportin thuhet se Kosova po vazhdon të vuajë nga jostabiliteti politik, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2019.

Nga Kosova kërkohet që të shtojë përpjekjet për të adresuar problemet në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik. Aty po ashtu shprehet keqardhje për shuarjen e task-forcës anti-korrupsion brenda Policisë së Kosovës.

Raporti nënvizon se Kosova vazhdon të jetë i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilit kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen, edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave që në vitin 2018.

Prandaj me këtë raport, bazuar në draft-tekstin e tij, eurodeputetët mirëpresin përsëritjen e qëndrimit të Komisionit Evropian se Kosova mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe i bëjnë thirrje Këshillit që urgjentisht të lëvizë drejt vendosjes së regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Parlamenti Evropian, përmes këtij raporti, kërkon nga Kosova që të shtojë përpjekjet në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të dëshmojë më shumë vullnet politik edhe në përmbushjen e kushteve të caktuara me agjendën e reformave evropiane (ERA).

Në këtë tekst shprehet keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shuar Ministrinë e Integrimeve Evropiane, por kërkohet që strukturat e reja të kenë nivel të duhur të kompetencave, në mënyrë që të jenë në gjendje të koordinojnë procesin e integrimeve.

Një pjesë e konsiderueshme e raportit të përpiluar nga PE-ja i kushtohet dialogut mes Kosovës dhe Serbinë.

PE-ja, thuhet në raport, mirëpret rinisjen e dialogut dhe përkushtimin e shprehur nga të dyja vendet për këtë proces. Prishtina dhe Beogradi zyrtar ftohen që të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në kërkim të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, por edhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tash.

Po ashtu në raport thuhet se merret në dijeni marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nënvizohet se bashkëpunimi transatlantik është faktor kyç në stabilitetin në rajon.

Në këtë dokument kërkohet më shumë përpjekje për të zbuluar fatin e personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë. Aty po ashtu përsëritet mbështetja për krijimin e Komisionit rajonal për faktet e krimeve të luftës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish-Jugosllavisë (RECOM).

“Bëjmë thirrje për përpjekje më të mëdha në shqyrtimin e kërkesave të familjarëve të personave të pagjetur, hapjen e arkivave të luftës dhe zbulimin e të dhënave për personat të cilët ende janë të listuar si të zhdukur nga periudha e luftës 1998-99 në Kosovë”, thuhet në dokument.

Raporti merret edhe me gjendjen e mjedisit në Kosovë, ku potencohet niveli i lartë i ndotjes në Kosovë dhe kërkohet që të rriten kapacitetet e prodhimit të energjisë nga burimet alternative. PE-ja shpreh shqetësim për nivelin e lartë të vdekshmërisë së hershme si pasojë e ndotjes dhe kërkon të adresohen këto probleme dhe gradualisht të ndërpritet prodhimi i energjisë nga qymyri.

Në këtë drejtim kërkohet nga Kosova të respektojë standardet evropiane, ndërsa nga Komisioni Evropian kërkohet që të përfshijë Kosovën në strategjinë e Marrëveshjes së gjelbër evropiane.

Raporti është draftuar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Për të do të debatohet së pari në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku do të votohet si raport. Pastaj do të debatohet dhe miratohet edhe si rezolutë e Parlamentit Evropian gjatë një seance plenare.

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slam

Published

on

By

Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti bartësen e parë, kroaten Iva Oberan.

Lufta ishte e barabartë, ndërsa në kohën shtesë Laura realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Laura fitoi 500 pikë në renditjen botërore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara