Lajmet

DW: Shkarravitje kufijsh të rinj në Ballkan

Published

on

Kryeministri slloven Janez Janša ka paraqitur një “non-paper” me planet e tij për riorganizimin e Ballkanit.

“Zgjidhje” titullohet paragrafi i një “non-paper” që kryeministri slloven Janez Janša u dorëzoi disa personave të përzgjedhur në BE disa muaj më parë. Ajo që vijon më tej duket sikur po lexon ndonjë dokument nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878, kur Otto von Bismarck, Lord Salisbury dhe Princ Gorçakovi u ulën së bashku përpara hartës së Ballkanit – dhe brenda një muaji vendosën me dorë të lirë për fatin e kombeve.

Konferenca e Berlinit 1884

Për pikën “a) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë” në letër shkruhen katër rreshta. Për pikën “b) Bashkimi i pjesës më të madhe të Republikës Srpska me Serbinë” vetëm tre. Janša dëshiron të rishikojë edhe konturet e Kroacisë fqinje: “c) Çështja kombëtare Kroate mund të zgjidhet” ose, “duke bashkuar kantonet kryesisht kroate në Bosnjë-Hercegovinë me Kroacinë” ose duke i dhënë “Pjesës kroate” të vendit një “status të veçantë” – “bazuar në modelin e Tirolit të Jugut”.

Po boshnjakët?

Ata që mbeten janë boshnjakët, që përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit. Sipas planit të Janša atyre mund t’u jepet “një shtet që funksionon në mënyrë të pavarur” dhe “për të cilin ata duhet të marrin përgjegjësinë e plotë”. Nëse boshnjakët nuk dëshirojnë, atëhere nuk kanë pse të hyjnë në Evropë: “Ata mund të votojnë në një referendum për një të ardhme në BE ose jo në BE apo Turqi.” Boshnjakët muslimanë janë “përkohësisht” në favor të anëtarësimit në BE . “Por nëse kaosi vazhdon dhe me rritjen e ndikimit të Turqisë dhe islamizmit radikal,” thotë Janša, “situata mund të përkeqësohet në dekadën e ardhshme në mënyrë drastike “.

Kryeministri slloven Janez Janša

Tani për tani për këto ide duhet “heshtur” derisa për “planin” të bihet dakord me “vendimmarrësit” në rajon dhe në bashkësinë ndërkombëtare.

Letër ogurzezë

Dokumenti shkaktoi tronditjet e para edhe përpara se të bëhej publik të mërkurën në mbrëmje nga portali i djathtë i slloven “necenzurirano.si”. Rishikimi i kufijve, që është tema e kësaj letre ogurzezë, është tabuja e madhe e Ballkanit: një kërcënim i madh për të cilin askush nuk flet. Ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Grlić Radman shkoi në Sarajevë dhe qetësoi shpirtrat: Kroacia është në çdo rast pro integritetit të vendit fqinj, për ekzistencën e “letrës fantazmë” sllovene nuk ka “asnjë provë”.

Një nga personat të cilëve u ishte drejtuar letra, Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel, tha se ai nuk mund ta “konfirmonte” se e kishte marrë atë -gjë që nëse flasim me rigorozitet, nuk do të thotë se vërtet nuk e ka marrë.

Dy koncepte kundërshtare

Prej tridhjetë vjetësh në rajon përballen me njëri-tjetrin dy koncepte kundërshtare. Sipas njërit, që është mbisundues, kufijtë mbeten të paprekur; dhe çdo vend zhvillon strukturat e veta demokratike në të cilat kanë vend edhe pakicat etnike. Sipas konceptit tjetër, për të cilin përgjithësisht nuk flitet, kufijtë duhen vendosur sipas kritereve etnike, dhe sunduesit përkatës mund ta qeverisin familjen e tyre kombëtare pa i shqetësuar askush. Nëse shtetet janë “etnikisht të pastër” nuk ka më vend për “kaosin” me të drejtat e pakicave, institucionet apo proceset demokratike të votimit.

Ndikimi i Orbanit

Sllovenia merr Presidencën e Këshillit të BE më 1 korrik dhe siç është zakon, kryeministri Janša skicoi në dhjetor në Bruksel, prioritetet e tij. Ballkani është në fokus të tyre. Janša është mjaft i lidhur me Viktor Orbanin, homologun e tij në Hungarinë fqinje. Orbani financon mediat e djathta, që raportojnë pro kryeministrit Janša në Slloveni dhe përmes Lubjanës, bën të njëjtën gjë në Maqedoninë e Veriut, ish-kryeministrit të së cilës Nikola Gruevski, i cili është dënuar për korrupsion, Hungaria i ka dhënë azil.

Oliver Varhelyi

Ishte Orbani ai që instaloi të besuarin e tij Olivér Várhelyi si komisionerin e ri të zgjerimit të BE. Në këtë funksion hungarezi merret kryesisht me mundësitë e pranimit të Serbisë fqinje në BE. Në këtë rrjet, nisma dhe “non-papers” të tilla nuk bien më në vesh të shurdhër.

Ndikim i kufizuar

Janša nuk ka gjasa që t’i çojë në Bruksel vërtet përpara ëndrrat e miqve të tij hungarezë dhe serbë. Kreu i qeverisë sllovene nuk gëzon më asnjë simpati që nga prezantimi i tij e fundit para Parlamentit Evropian. Kur eurodeputetët i kërkuan t’u përgjigjej pyetjeve për lirinë e medias në Slloveni, ai këmbënguli që të shfaqte një film; dhe kur parlamenti nuk e pranoi këtë, Janša thjesht shkëputi lidhjen e internetit.

Ashtu sikurse në rastin e komisionerit hungarez Várhelyi, i cili në Bruksel është kryesisht i mënjanuar, strukturat komplekse të BE e bëjnë gjithashtu të mundur neutralizimin e Presidencës sllovene të Këshillit.

Jo thjesht fantazi nxënësi të shkollës së mesme

Sidoqoftë idetë e paraqitura në “non-paper” nuk mund të konsiderohen thjesht fantazi të një nxënësi të shkollës së mesme. Para rreth tre vjetësh Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ndeshi në miratim e vullnet të mirë kur shprehu dëshirat e tij për rregullimin e kufijve në Evropë sipas parimeve etnike: një përfaqësues socialdemokrat për punët e jashtme, një komisioner demokristian për zgjerimin dhe një president i gjelbër i një shteti bëri fushatë për rishpërndarjen e territoret midis Serbisë dhe Kosovës.

Sa më larg nga rajoni që janë hobby-strategët e Evropës, aq më i madh është tundimi për ta prerë nyjën e supozuar Gordiane të “konflikteve etnike” të keqkuptuara me një goditje të vetme. Vetëm ndonjë Princ Bismark nuk po duket aktualisht gjëkundi. /DW/

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara