Lajmet

Aluzionet e Vuçiqit për tërheqjen e KFOR-it, të pabaza

Published

on

Aleanca veriatlantike dhe Kombet e Bashkuara, në këtë kohë nuk do të tërheqin misionet e tyre nga Kosova, vlerësojnë ekspertët e sigurisë dhe ata të politikës së jashtme. Por, ata shtojnë se do të vijë një ditë kur misioni i KFOR-it dhe ai i UNMIK-ut, do të largohen nga Kosova. Ndërkaq, nga NATO-ja dhe UNMIK-u, për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se për çdo ndryshim eventual të misionit të tyre në Kosovë, duhet të merret një vendim në këto institucione. Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë temë.

Këto reagime vijnë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 13 maj tha se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

Presidenti i Serbisë po ashtu deklaroi se për këtë çështje do të përpiqet të diskutojë edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

Vuçiq po ashtu komentoi faktin se Qeveria e Kosovës do të ndajë 100 milionë euro në vit për ushtri, shumë kjo, që sipas tij, nuk mund të krahasohet me Serbinë, shtet që ndan nga buxheti dy miliardë euro për ushtrinë.

Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte “një katastrofë”.

Deklaratat e Vuçiqit synojnë “dobësimin e FSK-së”

Eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja tha për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e presidentit serb, Vuçiq për këtë temë, në fakt, ishin një veprim politik që kishte për qëllim diskreditimin dhe dobësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Tani që Vuçiqi do të takohet me Stoltenbergun, ai do t’i kërkojë KFOR-it që të qëndrojë këtu, në mënyrë që të ndikojë që FSK-ja të mos jetë ushtri, ashtu siç është planifikuar që të shndërrohet në ushtri”, tha Qehaja.

Më 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet. Kapaciteti i plotë operacional i kësaj force, pritet të bëhet gjatë fazës së tretë të procesit të transformimit.

Qehaja shtoi se patjetër që do të vijë një ditë kur NATO-ja do të tërheqë trupat nga Kosova, por ai thekson se para kësaj, është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të bien dakord për këtë temë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ai po ashtu tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme që të përballet në çdo kohë me të gjitha çështjet e fushës së mbrojtjes.

“Sigurisht që ka ende probleme në gatishmërinë luftarake, por ata janë në rrugën e duhur që dita-ditës ta rrisin atë gatishmëri. Ekziston edhe një problem financiar, ju duhet të siguroni para për armë, pajisje e të tjera. Edhe nëse KFOR-i largohet nga Kosova, është e kuptueshme që çështjet e sigurisë do të jenë në duart e FSK-së”, tha Qehaja.

Ndërkaq, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se misioni i KFOR-it dhe ai i UNMIK-ut në Kosovë janë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe sipas tij, roli i tyre është i përkohshëm.

Hoti beson se KFOR-i dhe UNMIK-u do të largohen nga Kosova, kur Prishtina zyrtare të bëhet pjesë e NATO-s, rrjedhimisht, kur të jetë edhe anëtare e OKB-së

Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit, Hoti thotë se ato nuk pasqyrojnë asgjë të re dhe rikujton se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, në disa raste kanë kërkuar që për Kosovën të mos mbahen më debate para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar janë përpjekur që të ndikojnë në përfundimin e misionit të OKB-së në Kosovë. Tani kemi një situatë të re sepse procesi politik (dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) nuk ka përfunduar dhe një gjë e tillë, për momentin nuk është e mundur”, tha Hoti.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të marrë edhe një qëndrim të Qeverisë së Kosovës lidhur me paralajmërimin e Vuçiqit për tërheqjen eventuale të KFOR-it dhe UNMIK-ut, por nga Zyra për media e kryeministrit, nuk janë përgjigjur.

NATO dhe UNMIK deklarohen për paralajmërimin e Vuçiqit

Një zyrtar i NATO-s tha për Radion Evropa e Lirë se për tërheqjen eventuale të trupave të KFOR-it nga Kosova, paraprakisht duhet një dakordim i aleatëve.

“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë ato për KFOR-in, merren në pajtueshmëri me të gjitha 30 vendet anëtare”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Në përgjigjen e NATO-s është thënë se aleanca veriatlantike ka kontribuuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor për shumë vjet dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për rajonin.

“Misioni ynë i KFOR-it ka për bazë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Ndërkaq, zëdhënësja e UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi, tha për Radion Evropa e Lirë se për ndryshimet eventuale të prezencës në Kosovë së forcave ndërkombëtare të sigurisë, kërkohet vendim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përcakton mandatin e prezencës civile ndërkombëtare dhe të asaj të sigurisë në Kosovë, prandaj çdo ndryshim në mision duhet të bëhet me vendim të Këshillit të Sigurimit”, tha Dolatshahi.

Misioni i Përkohshëm i OKB-së, UNMIK-u u vendos në Kosovë në vitin 2000, pas sulmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe. Ky mision është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Në shkurt të vitit 2019, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se institucionet e Kosovës nuk kanë komunikim me misionin e UNMIK-ut, duke shtuar se Kosova nuk sheh “asnjë interes që Kombet e Bashkuara t’i përfaqësojë një strukturë që quhet UNMIK”.

Megjithatë, Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme kishin thënë se kanë komunikim me UNMIK-un dhe bashkëpunojnë me këtë mision për fushën e sigurisë.

UNMIK-u shërben si ndërmjetësues mes institucioneve të Kosovës dhe INTERPOL-it.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, po ashtu është vendosur në Kosovë më 12 qershor, 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Fillimisht, ishin rreth 50,000 mijë ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet që janë pjesë e aleancës së NATO-s.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth 3,500 trupa të KFOR-it.(RFE)

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

2 tetor 1993

Vazhdojnë arrestimet e aktivistëve në Gjakovë

Gjatë javës së fundit, vala e arrestimeve të aktivistëve në Gjakovë nga ana e policisë serbe, vazhdon edhe më tej. Kështu sot në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan Shefqet Vokshi, anëtar i Kryesisë së Partisë Fshatare të Kosovës, Dega në Gjakovë dhe Teki Dobroshi, kryetar i Orrganizatës sindikale të PTT-së në Gjakovë.

Komisioni për Informim i LDK-së së Gjakovës, gjithashtu njofton se policia serbe e mori peng Qazim Thaçin në vend të djalit të tij, Ilirit, të cilin kohë më parë e kërkoi policia serbe.

 

2 tetor 1995

Në Mitrovicë policia financiare serbe plaçkiti sasi të madhe të mallit dhe të parave

Më 30 shtator, siç kemi informuar edhe më parë, një ekspeditë e policisë financiare serbe ndërhyri në tregun e Mitrovicës, me ç’rast plaçkiti sasi të konsiderueshme parashë nga pronarët shqiptarë të firmave e dyqaneve, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe dhe ajo financiare ndërhynë edhe në kompleksin e sharrave për përpunimin e drurit në fshatin Zhabar të Epërm të Mitrovicës. Ekspeditës plaçkitëse i printe njëfarë Safet Jakupi me përkatësi gorane, i cili plaçkiti sasi të mëdha parashë. Kështu, Arif Hysenit iu plaçkitën 2.000 dinarë, Bedri Mujës 400, Sylejman Jetullahut 700, Rexhep Ceranit 1.000, Fadil Bajraktarit 300, Basri Hysenit 1.000, Bedri Çitakut 300, Sabedin Ramës 500, Sahit Padruzit 2.000, Zenë Mujës 500, Sahit Pepiqit (mysliman) 1.000, Brahim Ahmetoviqit 1.000 dhe Hamit Pepiqit 500.

Njoftohet se disa pronarë të dyqaneve janë plaçkitur edhe në lagjet “Tavnik” dhe “Ura e gjakut”, si ato të Haki Shabanit nga i cili u plaçkitën 1.200 dinarë, Ali Malokut 600, Sami Krasniqit 400, Bajram Shabanit 1.200, Fehmi Avdiut 2.700, Selim Eminit 200, Shaban Sadikut 500, Sabri Jasharit 500, Sabri Haxhiut 100, Sejdi Parallankës 200, Abedin Behramit 400, Bedri Vocës 250, Beqir Morinës 300, Nerxhivane Vocës 600 dhe Mustafë Aruçit 2080.

Bëhet e ditur se inspektorët serbë plaçkitën edhe mobile, tavolina e gjësende të ndryshme.

Bëhet e ditur se policia finaciare dhe ajo e uniformuar në tregun e pemëve dhe perimeve në Mitrovicë, nga tregtarët shqiptarë kanë plaçkitur edhe artikuj të ndryshëm ushqimorë, pa u lëshuar kurrfarë vërtetimi, ashtu siç ndodhi edhe me plaçkitjen e parave, për të cilat gjithashtu nuk u dhanë kurrfarë vërtetimesh me shkrim.

Në Informatën shtesë të KI të Degës së LDK-së në Mitrovicë bëhet me dije se janë plaçkitur edhe këta pronarë dyqanesh: Ilaz Vojvodës i janë plaçkitur 7500 DM, Bashkim Behramit 600 dinarë, Pajazit Bekës 600, Qerim Galicës 300, Afrim Shabanit 700, Abdullah Ymerit 500, Musa Dragës 600, Osman Skënderit 500, Ramadan Rexhepit 600 dhe Lavdim Vojvodës 2000 dinarë.

Izet Bilallin nga Zhabari i Poshtëm inspektorët e ndalën në rrugë dhe ia plaçkitën 450 kilogamë fasule, në vlerë prej rreth 1350 dinarë.

Në këtë njoftim gjithashtu bëhet me dije se në tregun e druve, ku ekspozohet për shitje edhe druri ndërtimor, policia plaçkiti një sasi të madhe të devizave nga tregtarët muslimanë.

Sipas shënimeve të mbledhura deri më tash, llogaritet se në këtë treg janë plaçkitur rreth 65.000 DM.

 

 2 tetor 1997

Engël kërkon që SHBA-të të dënojnë energjikisht Serbinë

Kongresisti amerikan Eliot Engël lidhur me intervenimin e forcave policore serbe ndaj demonstruesve studentë shqiptarë në Kosovë i bëri thirrje administratës së Klintonit që t’i dënojë me forcë autoritetet serbe për ndërhyrje me forcë ndaj protestave të studentëve në Kosovë. Ai theksoi se ky është momenti i përshtatshëm që administrata të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën.

Eliot Engël, ligjdhënës nga Nju-Jorku, i cili kryeson grupin e deputetëve të interesuar për çështjen shqiptare, tha se e kishte indinjuar ndërhyrja e forcave policore serbe ndaj protestave të studentëve në Prishtinë.

Jam i skandalizuar nga kjo që ndodhi dhe besoj se Shtetet e Bashkuara duhet që me fjalë më të ashpra t’i japin Sllobodan Millosheviqit dhe Qeverisë serbe që të kuptojë se kjo është krejt e papranueshme dhe se ne do t’i mbajmë S. Millosheviqin dhe Qeverinë serbe përgjegjëse për veprimet e tyre. Z. Engël tha se po i shkruan sekretares ameriakne të Shtetit Medlin Ollbrajt për t’i kërkuar asaj që të protestojë ashpër ndaj një veprimi të tillë të Qeverisë serbe. Ligjvënësi tha se do të përfitojë nga ky rast për të kërkuar vazhdimin e sanksioneve ndaj Jugosllavisë së vetëshpallur.

I bëj thirrje gjithashtu asaj që të vazhdojë sanksionet ndaj Serbisë dhe t’u lihet serbëve që të kuptojnë se veprimet e tilla do të kuptojnë se veprimet e tilla do të çojnë në sanksione shtesë dhe se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë duarkryq për të lejuar që protestat paqësore të shtypen me dhunë. I bëj thirrje edhe njëherë presidentit Klinton, tha z. Engël, që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën. Z. Engël është një nga kritikët më të hapur në kongres kundër politikave të autoriteteve serbe në Kosovë dhe ka bërë vazhdimisht thirrje që administrata të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Kosovën. Vitin e kaluar dhoma e përfaqësuesve miratoi një rezolutë të hartuar prej tij ku shtrohej me forcë kjo kërkesë. Ajo nuk është bërë realitet. Ligjvënësi tha se tani është koha më e përshtatshme pë të ndërmarrë një hap të tillë. Z. Engël tha se nëse “të drejtat” e serbëve si ajo që të shtypen me dhunë protestat e shqiptarëve në Kosovë nga forcat e armatosura e gaz lotsjellës, të cilët rrahën brutalisht njerëzit aksionet shkojnë drejt rrijtes. Shtohet pakënaqësia dhe kjo e bën shumë të vështirë që z. Rugova t’i qetësojë protestuesit. Z. Engël tha se mundësia e gjakderdhjes ekziston, por ai shfaqi shpresën se njerëzit do t’i përgjigjen thirrjes dr. Rugovës që protestat të zhvillohen paqësore, pasi siç theksoi ai, çdo akt dhune do të shkonte në favor të z. Milosheviq, njofton “Bujku”.

 

 

2 tetor 1998 (Ora 14:30).

Ferizaj: Në Jezerc forcat serbe plagosën disa shqiptarë – fshati sërish sulmohet e mbahet në rrethim

Nga e shtuna e kaluar, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe pandërprerë kanë granatuar fshatin Jezerc, ndërsa granatimet serbe në drejtim të këtij fshati kanë vazhduar edhe mbrëmë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

I njëjti burim bën të ditur se në këtë fshat nga forcat serbe janë plagosur disa civilë shqiptarë dhe gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë. Lidhur me këtë, banorët e këtij fshati apelojnë te organizatat e huaja ndërkombëtare humanitare që t’u vijnë në ndihmë të plagosurve, por edhe rreth 1.500 banorëve të zhvendosur të këtij fshati, të cilët kanë mbetur pa ushqime, ilaçe e gjësende tjera më elementare.

 

Suharekë: U identifikuan trupat e pajetë edhe të 3 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

Dje në komunën e Suharekës janë gjetur trupat e pajetë edhe të 3 civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Bëhet e ditur se janë identifikuar trupat e pajetë të Qazim Kolollit (60) në Budakovë dhe trupat e djegur të bashkëshortëve Arif Ndrecaj (80) dhe të Xhyzide Ndrecajt (78) në Maçitevë, kufomat e të cilëve ende janë të paprekura dhe nuk janë varrosur.

 

Malishevë: Nëntë të vrarë gjatë ditëve të fundit

Ditëve të fundit Në fshatrat Golluboc, Plaçicë e Llazicë të Malishevës, forcat serbe kanë vrarë edhe 9 civilë shqiptarë.

Njoftohet se forcat serbe kanë vrarë edhe Fazli Hoxhajn (41), Selman Gashin (31), Rrustem Malokun (42), Rasim Malokun (38), Muhamet Malokun (35), Halim Malokun (37), Ahmet Malokun (25) Aziz Malokun (48) e Ilaz Maliq Javorin.

 

KMDLNJ dëshmon edhe identitetin e 11 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

Më 26 shtator të këtij viti, në afërsi të tuneleve të Murgës në Klinë, forcat serbe kanë ndarë nga turma e civilëve të zhvendosur shqiptarë dhe kanë ekzekutuar Smail Millakun (72) dhe djalin e tij Sefer Millakun (49) nga Ujmiri, bën të ditur KMDLNJ me seli në Prishtinë.

I njëjti burim bën të ditur se po këtë ditë në fshatin Gollubovc, paramilitarët serbë kanë ekzekutuar edhe 8 të rinj shqiptarë si Agron Miftar Hasanin (25), Hysen Rifat Pantinën (20), Ahmet Pantinën (25) dhe Shaip Sali Manajn (19) nga Gllareva. Po ashtu forcat serbe kanë vrarë edhe Remzi Veselajn (35) e Zeqir Berishën (40) nga Gjurgjeviku i Madh dhe vëllezërit Rasim (39) e Halim Maloku (37), që të dy mësimdhënës nga Ceroviku i Klinës.

Ndërkaq, më 29 shtator në malin e Oshlanit të Vushtrrisë, banorët e këtushëm kanë gjetur trupin e pajetë dhe të masakruar të fëmijës, Arsim Ibrahimi (13) nga Oshlani.

Njoftohet se në fshatin Gollubovc, forcat serbe kanë plagosur edhe dy të rinj shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë konfirmuar ende.

 

Foto: Kongresisti amerikan Eliot Engël

Continue Reading

Lajmet

Rritet numri i protestuesve para Kuvendit: Kërkohet votimi i ndryshimeve për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Një numër i madh qytetarësh janë mbledhur para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke mbajtur pankarta në duar dhe duke bërë thirrje që deputetët të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit kanë qëndruar para Kuvendit që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”, ndërkohë që në orën 09:00 është paralajmëruar edhe një protestë e re nga Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së me të njëjtën kërkesë.

Këto zhvillime po ndodhin ndërkohë që Komisioni për Legjislacion po shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit, nga ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku ky projektligj është përcaktuar si pika e parë e rendit të ditës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet për Specialen

Published

on

By

Komisioni për Legjislacion ka miratuar të hënën, në një mbledhje urgjente para seancës plenare, Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dokumenti u votua njëzëri nga 9 deputetët e pranishëm, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Gjatë arsyetimit të nismës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, theksoi se përmes këtij ndryshimi të ligjit të zakonshëm synohet t’i hiqet një pjesë e juridiksionit Gjykatës Speciale, konkretisht ajo e krimeve të luftës, pa prekur Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli, konfirmoi mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke cilësuar se lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë dhe se katër krerët e saj duhet të prezumohen të pafajshëm.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësoi se procesi gjashtëvjeçar dëshmoi se qëllimi i themelimit të kësaj gjykate është tejkaluar, duke shtuar se ligjet nuk janë të pandryshueshme dhe institucionet duhet të reflektojnë sipas nevojave të kohës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova barazon me Austrinë dhe mbetet në vendin e dytë në Ligën e Kombeve

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim 1-1 kundër Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Pas një pjese të parë të tensionuar dhe me raste nga të dyja palët, “Dardanët” kaluan të epërsi në minutën e 70-të kur Fisnik Asllani shënoi pas asistimit të bukur të Edon Zhegrovës, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Milot Rashica pati mundësinë të dyfishonte rezultatin por goditi shtyllën.

Kur dukej se fitorja ishte afër, Austria barazoi shifrat në minutën e 85-të përmes një goli me kokë të Lang nga rivendja anësore, duke bërë që ndeshja të mbyllet baras.

Me këtë pikë, Kosova ngjitet në kuotën e pesë pikëve si e dyta në grup, tri më pak se Austria, ndërsa ciklin kualifikues do ta mbyllë në nëntor me ndeshjen ndaj Izraelit në shtëpi dhe udhëtimin në Irlandë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara