Lajmet

​Prokuroria Speciale heton disa vota nga diaspora

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e 494 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Kjo për shkak të mospërputhjeve të të dhënave ndërmjet kandidatëve për deputetë dhe subjektit politik, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ndërkohë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se Prokuroria Speciale ka bërë hetime për disa nga votat e diasporës. Kjo nxiti një përplasje të re, ndërmjet saj dhe anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë institucion, Sami Kurteshi, i cili e quajti Dakën injorante.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, derisa i renditi arsyet për rinumërim, tha se këto vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta. Ai krahas kësaj bëri të ditur se në votimin përmes postës, deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.

“Në bazë të të gjeturave është bërë klasifikimi i mospërputhjeve të formularëve të rezultateve. Pra të gjitha të gjeturat i kemi formuluar në katër grupe. Grupi i parë ka të bëjë me gabimin e bartjes së votave në formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve. Janë 35 vendvotime që nuk kanë mundur të kalojnë auditimin. Një numër i vendvotimeve nuk kanë mundur procesohen si të rregullta dhe për arsyen se në formularët janë bartur votat gabimisht tek subjektet tjera. Kategoria e dytë është gabim në bartjen e votave tek formularët e kandidatëve. Rezulton se janë 6 vendvotime me probleme teknike të cilat në gjendjen si janë nuk mund të procesohen në bazën e të dhënave, pasi votat janë të paqarta. Nuk janë shënuar në mënyrë të qartë. Kategoria e tretë që ka numrin më të madh të vendvotimeve është kur kandidati ka më shumë vota, se sa subjekti. Nga të gjeturat rezulton se janë 370 vendvotime në të cilat një kandidat ka më shumë vota se subjekti. Për këtë është rekomandimi të ketë rinumërim të plotë. Rekomandimi i katërt është kur subjekti ka vota e kandidatët nuk kanë vota dhe anasjelltas”, tha ai.

Kritika Ahmetajt i adresoi, Sami Kurteshi, i cili tha se ka zvarritje të punës në QNR.

“Prej të premtes salla në QNR rrinë e qetë, tavolinat janë të qeta, nuk futet vendvotimet për rinumërim. Pse gjithë kjo zvarritje, pasi ka mundur të premten të shtunën të dielën të bëhet rinumërimi, e sot kishin mbetur 100-apo 50 kutitë e fundit. Ndërsa ne sot e fillojmë dhe për katër ditë e shtyjmë rinumërimin, pa asnjë nevojë pasi kanë qenë të rekomanduar nga auditimi”, tha ai.

Ani pse bëri të ditur se Prokuroria Speciale ka bërë hetim për disa vota nga diaspora, Daka nuk shpalosi detaje të tjera lidhur me këtë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë një hetim për disa vota nga diaspora. Përderisa ajo nuk del me njoftim, konsideroj se edhe unë nuk mund të dalë me njoftim pasi nuk mund të përzihem në hetimet që janë duke u bërë”, u shpreh ajo.

E mungesën e informacioneve për këtë hetim të Prokurorisë Speciale, Sami Kurteshi ia adresoi Valdete Dakës.

“Kur është çështja e marrjes së përgjegjësisë ju keni deklaruar që KQZ-ja është turp kolegjial, nuk marrë vendime vet. Kur është çështja tek titullari i informatave që duhet t’i dinin anëtarët e KQZ-së nuk është më trup kolegjial. Kjo kryesuese që i thotë vetit kryetare, nuk është kryetare, sepse kjo është injorante dhe nuk dinë me bo dallimin çka është kryetare dhe kryesuese”, deklaroi ai.

Krahas këtyre, anëtarët e KQZ-së ngritën shqetësimin edhe për votat e komuniteteve boshnjake dhe rome në zonat veriore. Lidhur me këtë, anëtari i komunitetit ashkali në KQZ-së, Artan Asllani tha se duhet të ketë rinumërim në vendvotimet e ku ka fituar komuniteti rom.

“Kam pritur që në shumë vendvotime ka me pas rinumërim, sidomos ato vende që ka marrë vota komuniteti rom. E ceki më herët Samiu dhe Ibrahimi për çështjen shqetësuese sidomos për komunitetin ashkali duke e ditë që vazhdimisht në të gjitha legjislaturat, komuniteti ashkali i ka pasur dy ulëse në Kuvend, për arsye të njëjta të zgjedhjeve 2019 dhe 2021 komuniteti ashkali penalizohet dhe humbë një ulëse në parlament. Unë vazhdimisht kam thënë që është e pamundur katër parti të romëve me i mbledh ka 1000 nënshkrime, e të cilat bëjnë 4000 sosh duke e diture përbërjen e komunitetit dhe qysh jetojnë e sa kanë drejtë vote”, tha ai.

Rinumërimi i 494 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve filloi sot në orën 16:00.

Vendi

Fokus te Institucionet dhe Zhvillimi Ekonomik: Studiuesja nga Harvardi prezanton vizionin për prosperitet të qëndrueshëm në Kongresin e EOQ në UBT

Published

on

By

Për herë të parë, Kosova është bërë qendra e komunitetit evropian të cilësisë, duke mirëpritur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi. Ky organizim madhor shënon një moment historik për vendin dhe dëshmon angazhimin e UBT-së në fuqizimin e bashkëpunimit evropian dhe zhvillimin e inovacionit.

Në kuadër të këtij kongresi prestigjioz, punimet kanë vazhduar me sesione të rëndësishme në sallën e koncerteve, ku u zhvilluan prezantime kyçe përmes lidhjeve online me ekspertë të njohur ndërkombëtarisht.

Një nga pikat më kulmore të këtij sesioni ishte kontributi i znj. Fatema Z. Sumar, nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit (Harvard Center for International Development).

Në fjalën e saj me titull “Institucionet cilësore, zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i qëndrueshëm”, znj. Sumar solli një analizë të thelluar mbi rolin e pazëvendësueshëm që luajnë strukturat e besueshme institucionale në nxitjen e rritjes ekonomike afatgjatë. Ajo shtjelloi se si standardet e larta të cilësisë dhe qeverisja e mirë janë çelësi për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, duke ofruar shembuj dhe praktika ndërkombëtare të zbatuara në vendet në zhvillim.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të cilësisë 5.0

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni “Inteligjenca Artificiale, Transformimi Digjital dhe Cilësia 5.0”, i moderuar nga Prof. Dr. Blerton Abazi.

Ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë e industrisë diskutuan mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, sistemeve inteligjente dhe transformimit digjital në zhvillimin e modeleve të reja të menaxhimit të cilësisë, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe besueshmërisë së të dhënave.

Gjatë sesionit, u prezantuan këto tema:

Prof. Dr. Galia Marinova, Universiteti Teknik i Sofjes – “Transformimi digjital, sistemet inteligjente dhe Cilësia 5.0”.
Prof. Henriqueta Sampaio da Novoa dhe Fatima Carneiro – “Integrimi i strategjisë ESG me përsosmërinë operacionale: Një kornizë e integruar për menaxhimin e cilësisë të qëndrueshëm, rezistent dhe të fuqizuar nga inteligjenca artificiale”.
Mina Gavrilova, menaxhere e lartë e cilësisë në Huvepharma, dhe David Isaacson, nënkryetar i marketingut të produkteve në Octave – “Avancimi i menaxhimit të cilësisë në organizatë: Si ka nxitur Huvepharma cilësinë dhe inovacionin për ndikim më të madh në biznes”.

Prof. Dr. Bertan Karahoda, UBT – “Cilësia në shkallë globale: Inteligjenca artificiale, aftësitë dhe e ardhmja e të nxënit global”.
Prof. Dr. Blerton Abazi, UBT – “Sigurimi i cilësisë së inteligjencës artificiale, cilësia e të dhënave dhe sistemet inteligjente të besueshme”.

Përmes këtyre kontributeve, sesioni vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së inteligjencës artificiale me standardet e cilësisë, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin organizativ.

Diskutimet theksuan se transformimi digjital dhe qasja e Cilësisë 5.0 krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e sistemeve më efikase, të qëndrueshme dhe të besueshme në arsim, industri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Ekspertët diskutojnë cilësinë, inteligjencën artificiale dhe menaxhimin e rrezikut

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në kampusin inovativ të UBT-së, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë trajtuan çështje kyçe që lidhen me akreditimin, certifikimin, vlerësimin e konformitetit, menaxhimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e biznesit, me theks të veçantë në rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë.

Sesioni “Akreditimi, Certifikimi, Validimi dhe Vlerësimi i Konformitetit – Rreziku, Rezilienca dhe Vazhdimësia e Biznesit”, i moderuar nga Prof. Dr. Fisnik Laha, mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare, besueshmërisë së matjeve, inovacionit, qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe ndërtimit të organizatave rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Gjatë sesionit, ekspertët prezantuan temat e tyre përmes këtyre kontributeve:

Irfan Lipovica, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK) – “Akreditimi si infrastrukturë e besimit: Nga kompetenca te njohja ndërkombëtare”.


Blerim Halabaku, menaxher i cilësisë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës – “Roli i menaxherit të cilësisë në sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe gjurmueshmërisë së rezultateve të matjeve”.

Prof. Maroš Finka, Universiteti Comenius në Bratislavë – “Modeli i katërfishtë i bashkëpunimit në ekosistemet e inovacionit: Rasti i Grupimit të Inovacionit për Transformim të Mençur në Sllovaki”.

Carlos Da Silva, ekspert kryesor në sistemet e integruara të menaxhimit, rrezikut dhe qeverisjes së inteligjencës artificiale – “Menaxhimi i integruar i biznesit dhe besimi në epokën e inteligjencës artificiale”.

Constantin Brescan, koordinator për sigurimin e cilësisë dhe auditimet e zinxhirit të furnizimit në Fusion for Energy – “Auditimet e cilësisë në zinxhirin e furnizimit – Fusion for Energy”.

Dr. Ömer Özkan, fitues i EQL 2025 – “Nga pajtueshmëria te besimi: E ardhmja e menaxhimit të cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale”.

Luc Marivoet, menaxher i QHSE-së dhe partner në Pauwels Consulting – “Auditori i fuqizuar nga teknologjia: Si e forcon inteligjenca artificiale besimin, reziliencën dhe cilësinë përmes auditimit me në qendër njeriun”.

Merita Gjyshinca Peja, drejtoreshë financiare në Raiffeisen Bank Kosovo – “Rezilienca dhe vazhdimësia e biznesit në sisteme komplekse dhe të digjitalizuara”.

Genond Mesareja, kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC) – “Ndërtimi i organizatave rezistente: Udhëheqja, menaxhimi i rrezikut dhe vazhdimësia e biznesit në kohë ndryshimesh”.

Prof. Dr. Fisnik Laha, drejtues i laboratorëve të akredituar – “Matjet, besueshmëria dhe cilësia në sistemet shëndetësore dhe laboratorike”.

Përmes këtyre tematikave, sesioni theksoi rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë me inovacionin teknologjik, menaxhimin e rrezikut dhe udhëheqjen efektive. Diskutimet nënvizuan gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në forcimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë organizative dhe përgatitjen për sfidat e transformimit digjital.

Continue Reading

Lajmet

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

Të kërkuara