Lajmet

​Bojkotoi takimin e Tiranës, kritikohet Kurti

Sipas tyre, vetë përjashtimi i tij nga takimi mund të prolongojë zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.

Published

on

Vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të mos shkuar në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit është i dëmshëm për Kosovën, thonë analistët politikë. Sipas tyre, vetë përjashtimi i Kurtit nga ky takim mund të prolongojë zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe rrugën integruese në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ata potencojnë se hatërmbetjet ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama do të duhej të liheshin anash.

Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se është e papranueshme dhe palogjikshme që problemet, të cilat ai i quan artificiale të Kurtit me Ramën të dramatizohen deri në atë nivel, saqë të projektohen në raportin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Është krejtësisht e papranueshme që problemet artificiale mes kryeministrit Kurti dhe kryeministrit Rama të dramatizohen deri në atë nivel saqë të projektohen në raportin e Kosovës me Bashkimin Evropian. Takimi i sotëm nuk ka qenë vetëm i kryeministrit Rama, por ka qenë edhe i BE-së, prandaj është krejtësisht e palogjikshme që të refuzohet…pasi kjo dëmton rrugën evropiane të Kosovës… Është tejet zhgënjyes ky refuzim i Kurtit që të marrë pjesë në këtë takim, pasi ai është ftuar si i barabartë me liderët të tjerë të Ballkanit. Natyrisht aty do të bëhen biseda të rëndësishme, plane dhe orientime strategjike. Vetë përjashtimi i Kurtit dhe Kosovës nga këto marrëveshje gjithsesi do të shkaktojë dëme afatgjate në proceset e ndryshme integruese evropiane. Në fakt edhe problemet aktuale që janë nga disa prej marrëveshjeve të kaluara do të mund të diskutoheshin dhe të kërkohej zgjidhje”, thotë ai. 

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, thotë se pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në takimin e sotëm në Tiranë ka qenë e domosdoshme për shkak të Procesit të Berlinit.

Ajo konsideron se dallimet ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë do të duhej të liheshin anash, në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë akterë dhe influencues të Procesit të Berlinit.

“Ne konsiderojmë se është e domosdoshme (që kryeministri Kurti) me qenë (pjesë e këtij takimi), ndonëse është në lidershipin e Qeverisë së Shqipërisë. S’ka asnjë pengesë që kryeministri me qenë aty. Hatër mbetjet që dy kryeministrat i kanë është çështje tjetër dhe diçka që duhet me u zgjidh përtej kornizave që janë rajonal dhe evropian. Natyrisht unë pres që ndër të tjera përveç mosmiratimit të lëvizjes së lirë në mes Kosovës dhe Bosnjës së Hercegovinës do të diskutohet edhe për alternativën e Ballkanit të Hapur, apo një hapje ekonomike dhe procedurale e cila është proklamuar prej Gjermanisë, siç është tregu i përbashkët rajonal”, thekson Loxha.

Takimi joformal i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ka filluar rreth orës 13:00 në Tiranë, ku po diskutohet për koordinimin dhe hartimin e kërkesave të përbashkëta të rajonit për t’i paraqitur në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet po ashtu në Tiranë më 16 tetor.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi.

Mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë takim e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama se nuk mund të shkojë në këtë takim, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.

Kurti dhe Rama kanë ftohur raportet mes vete pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive më 14 qershor.

Kryeministri Kurti nuk e priti Ramën në takim as në fillim të muajit korrik, pikërisht kur ky i fundit ishte në Kosovë në kuadër të përgatitjeve për takimin e sotëm joformal për Procesin e Berlinit.

Vendi

Moti sot në Kosovë: Diell, vranësira dhe temperatura deri në 36 gradë

Published

on

By

Dita e sotme në vendin tonë do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe me vranësira të lehta.

Sipas parashikimit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 15°C, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijnë nga 30 deri në 36°C.

Gjatë ditës do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes, me shpejtësi prej 1 deri në 5 m/s. /E.A/

Continue Reading

lajme

Protestë sot në Prishtinë: Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Pas dy rasteve të rënda të vrasjeve të grave brenda pak ditësh në Malishevë dhe Prizren, sot në Prishtinë do të mbahet një protestë me thirrjen që siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka ftuar qytetarët të mblidhen në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, për të kundërshtuar femicidin dhe neglizhencën institucionale.

Organizimi ka katër kërkesa kryesore:

  1. Trajtim të sigurisë së grave si çështje me urgjencë kombëtare dhe si aspekt kyç të sigurisë publike; Përgjegjësi institucionale dhe funksionalizim të mirëfilltë të zinxhirit institucional që parandalon femicidin, duke përfshirë këtu qendrat për punë sociale
  2. Mirëfinancim të politikave sociale të mirëqenies që zbusin pabarazitë gjinore ekonomike që i mbajnë gratë të kurthuara në dhunë;
  3. Kodifikim të femicidit si vepër e veçantë penale;
  4. Edukim gjithëpërfshirës në sistemin arsimor që targeton maskulinitetin toksik dhe riformëson marrëdhëniet gjinore mbi parimin e barazisë dhe drejtësisë.

Thirrja për protestë vjen pas dy ngjarjeve tragjike që kanë tronditur opinionin. Të dielën, një 25-vjeçare shtatzënë u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Malishevë, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuari kryesor, ndërroi jetë dje nga plagët që kishte marrë. Vetëm tri ditë më vonë, të mërkurën, një 81-vjeçar në Prizren u arrestua nën dyshimin për vrasjen e bashkëshortes së tij 80-vjeçare pas ushtrimit të dhunës fizike.

Statistikat zyrtare tregojnë një realitet të zymtë — nga viti 2010 e deri më sot, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, duke e bërë dhunën me bazë gjinore një ndër problemet më kritike në vend. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

DONJETA SADIKU SHPALLËT KAMPIONE, MPOSHT SERBEN NË FINALEN E TARANTO 2026

Published

on

By

Donjeta Sadiku ka triumfuar në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Boksierja kosovare ka mposhtur përfaqësuesen e Serbisë, Kristina Kuluhova, ndërsa kundërshtarja u tërhoq që në minutat e para të duelit.

Kështu, Sadiku e mbyll me medaljen e artë aventurën e saj në Taranto, duke i sjellë Kosovës një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare.

Një triumf i veçantë për boksieren kosovare, e cila edhe një herë dëshmoi nivelin e saj dhe u ngjit në podiumin më të lartë.

DONJETA SADIKU – KAMPIONE E MESDHEUT!

Foto: RTK

D.L

Continue Reading

Lajmet

MASH miraton katalogun e teksteve shkollore, ekzekutohen mjetet për prindërit përfitues

Published

on

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun Zyrtar të Teksteve Shkollore dhe ka njoftuar se janë ekzekutuar mjetet financiare në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve për nxënësit e klasave 1–9, për vitin shkollor 2026/2027.

Sipas MASh-it, aplikimi për subvencionim ka nisur më 27 korrik përmes platformës eKosova. Aplikimet janë verifikuar fillimisht nga koordinatorët e autorizuar nëpër shkolla dhe më pas nga komisioni përkatës i ministrisë, ndërsa lista përfundimtare e përfituesve i është përcjellë Ministrisë së Financave për realizimin e pagesave.

Pas negociatave me shtëpitë botuese, ministria ka përcaktuar edhe çmimet finale të teksteve shkollore. Këto çmime janë të përfshira në katalogun zyrtar dhe janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.

Vlera e subvencionimit për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është:

  • Klasat 1 dhe 2 – 60 euro
  • Klasa 3 – 65 euro
  • Klasa 4 – 70 euro
  • Klasa 5 – 80 euro
  • Klasat 6 dhe 7 – 90 euro
  • Klasat 8 dhe 9 – 100 euro

Me miratimin e katalogut, prindërit dhe kujdestarët ligjorë mund të nisin blerjen e teksteve shkollore.

MASh u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse tekstet po shiten me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar.

Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit ka nisur monitorimin e pikave të shitjes për të verifikuar respektimin e çmimeve, ndërsa pas fillimit të vitit shkollor do të kryhen kontrolle edhe në shkolla për të parë nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.

Prindërit që hasin mospërputhje mes çmimeve të katalogut dhe atyre në pikat e shitjes mund ta raportojnë rastin në numrat zyrtarë të MASh-it: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.

Ministria ka bërë të ditur se sistemi në eKosova mbetet i hapur edhe për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe do të regjistrohen në afatin e dytë, si dhe për prindërit e nxënësve të niveleve të tjera që ende nuk kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara