Lajmet

​Mehmeti: Deri në 13 përqind e fëmijëve janë keq në nivelin e arritjeve gjatë pandemisë

Sfidë gjatë kësaj kohe ka qenë edhe sigurimi i pajisjeve teknologjike.

Published

on

Nxënësit gjatë mësimit online janë ballafaquar me mungesën e teknologjisë, rrjetit por edhe përvojës. Organizimi i mësimit në këtë kohë nuk ka qenë i efektshëm, ku ka pasur edhe humbje të mëdha të orëve mësimore. Po ashtu, nxënësit kanë pasur ankesa për mësimdhënësit, ku të njëjtit nuk kanë qenë efektiv dhe të qartë. Kështu u tha në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës me temën “Ndikimi i COVID-19 në humbjet mësimore, pasojat në rritjen e pabarazive në mësim dhe sfidat e përmbushjes/kompensimit”.

Kryetari i Instituti Pedagogjik të Kosovës, Nezir Çoçaj tha se kjo konferencë shkencore ndërkombëtare është dyditore dhe ka për qëllim të analizojë organizimin e mësimit në distancë në arsimin parauniversitar.


“Me qëllim që të diskutojmë problemet që aktualisht është apo ka qenë si temë bosht ose që ka qenë në diskutimet mbarë-botërore, ndikimi i pandemisë COVID-19 në mësim. Gjegjësisht në pabarazitë mësimore që kanë qenë dhe janë evidente ose që hulumtimi i ka cekur që janë evidente në sistemin arsimor. Kjo është një konferencë dy ditore ndërkombëtare ku do të kemi disa prezantime nga shumë ekspertë ndërkombëtarë ku ata në bazë të prezantimit të tyre mund të paraqesin shumë praktika dhe përvojat”, ka treguar Çoçaj.

Hulumtuesi Selim Mehmeti tha se hulumtimi ka përfshirë 52 shkolla në Kosovë, ku përfshihen këndvështrimet e nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave. Ai tha se përqindja e humbjeve të orëve është e madhe.


“Ne deshëm të ndajmë dallimin mes notës 1, prandaj e përshkallëzuam në gjashtë nivele. Për të parë se cila është përqindja e fëmijëve që kanë humbje më të mëdha dhe pse nuk e kanë mbërri minimumin. Dhe këtu është një dallim i madh me përqindje diku mesatarisht 12-13 përqind i fëmijëve që janë tejet keq me nivelin e arritjeve. Kjo është një masë e madhe e fëmijëve për të cilët duhet një kujdes dhe mbikëqyrje institucionale për t’i përkrahur dhe për të eliminuar këto pabarazi. Por, afër tyre është një përqindje e madhe që as minimumin nuk e kanë mbërritur. Por, kanë rezultate diku te 30-35”, u shpreh ai.

Ky hulumtim tregon se fëmijët e klasës së dytë kanë probleme të theksuara me drejtshkrimin elementar, shkrimin e një teksti në bazë të udhëzimeve dhe vendosjen e një titulli. Po ashtu, edhe nxënësit e klasës së shtatë kanë sfida dhe probleme në analizat e teksteve të ndryshme. Sfidë gjatë kësaj kohe ka qenë edhe sigurimi i pajisjeve teknologjike.


“Nxënësit e thonë se organizimi i mësimit në pandemi deri diku ka qenë i efektshëm. Pasqyron shumë sfida janë në raport edhe me tekstet edhe me mënyrën se si kanë mësuar. Gjatë mësimit online janë ballafaquar shumë me mungesën e teknologjisë, mungesën e rrjetit por edhe me mungesë të përvojës. Mësimdhënësit gjatë pandemisë në numër të caktuar përshkruhen se nuk kanë qenë shumë të qartë, nuk kanë qenë shumë efektiv në raport me mësimdhënien, por edhe me dhënien e detyrave”, theksoi ai.

Ndërsa, zëvendësministrja Edona Maloku u shpreh se këto rezultate tregojnë sfidat edhe problemet që kanë pasur gjatë kësaj periudhe.

“Të gjitha pajtohemi se ka pasur humbje mësimore dhe është e jona dhe gjithë akterëve prezent që të bashkërendojmë dhe bashkëpunojmë për të çuar përpara proceset dhe për të parë si mund t’i adresojmë këto humbje mësimore që i kemi pasur. Përkundër qëllimit të mirë të të gjithëve dhe punës së palodhshme, megjithatë humbjet kanë ndodhur jo vetëm tek ne por edhe në nivel global edhe të rajonit”, ka thënë ajo.

Instituti Pedagogjik ka rekomanduar MAShT-in që të gjejë mënyrat për të pajisur fëmijët me pajisje teknologjike përmes sigurimit nga buxheti publik apo nëpërmjet krijimit të mekanizmave institucionalë për të nxitur dhurime nga donatorët privatë. 

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara