Kulturë, Lifestyle

Tri artistet shqiptare nominohen për të njëjtin çmim në MTV Europe Music Awards

Gjithashtu, eventi do të drejtohet nga Rita Ora dhe Taika Waititi.

Publikuar

Në edicionin e sivjetmë të MTV Europe Music Awards 2022, siç duket skenën do ta dominojnë artistet me prejardhje shqiptare.

Nisur që nga nikoqirët, ku eventin do e drejtojë këngëtarja Rita Ora me partnerin e saj, regjisorin Taika Waititi duke vazhduar edhe me performanca e nominime.

Këngëtaret e njohura, Bebe Rexha dhe Ava Max po ashtu do të jenë pjesë e MTV EMA, teksa pritet të performojnë para publikut disa prej hiteve të tyre më voluminoze ndër vite.

Madje, në kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë” janë nominuar të tri artistet me famë internacionale dhe origjinë shqiptare – Bebe Rexha dhe David Guetta me këngën “I’m good (Blue)”, Dua Lipa dhe Megan The Stallion me “Sweetest Pie” si dhe Ava Max dhe DJ Tiesto me këngën “The Motto”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve MTV EMA do të mbahet këtë të diel me 13 nëntor./Klankosova.com

Art

Këndi i librit: Panairi i Botimeve Akademike e Shkencore në Tiranë

Ky panair është rezultat i një nisme të përbashkët të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, duke sjellë së bashku frymën dhe pasionin për dijen dhe kërkimin.

Publikuar

nga

Në hijen e qytetit të Tiranës, në këndin që përshëndet dijen me të gjitha hovet e saj, një ngjarje e rëndësishme po zhvillohet. Panairi i tretë mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor ka filluar në qytetin e Tiranës, më datë 23 prill dhe do të zgjasë deri më 25 prill të këtij muaji. Ky panair është rezultat i një nisme të përbashkët të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, duke sjellë së bashku frymën dhe pasionin për dijen dhe kërkimin.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës kanë publikuar programin e ngjarjes dhe në vizionin e evenit kanë shkruar se qëllimi i këtij panairi është të bëjë të njohura arritjet më të rëndësishme në botimet akademike, shkencore dhe universitare, duke u fokusuar në promovimin e shkencëtarit dhe studiuesit shqiptar në skenën ndërkombëtare.

“Nëpërmjet këtij panairi, kemi synuar të tregojmë se libri akademik dhe shkencor është një pasuri e përbashkët që kërkon angazhim të përbashkët për të arritur lexuesin dhe për të shpërndarë dijen në mënyrë të drejtë dhe efektive”, shkruhet në programin e ASHAK-ut.

Tri ditët e këtij panairi do të jenë një festë e dijes, një festë ku autorët, botuesit, akademikët, studiuesit dhe të gjithë ata që janë të lidhur me botimin dhe kërkimin shkencor do të bashkohen për të ndarë ide, për të promovuar punën e tyre dhe për të diskutuar mbi temat më të rëndësishme të dijes shqiptare. Në ditën e parë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë sjell një prezantim të veçantë për organizimin e çmimeve shkencore për vitin 2024. Në këtë prezantim, prezantuesit kryesorë janë Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i ASH, dhe Akad. Shaban Sinani, Sekretar shkencor i ASH.

Në Seksionin e Gjuhësisë dhe Letërsisë të ASHAK, do të shfaqen vepra të shquara si “Kënga e cjapit”, një dramë klasike shqiptare e autorit akademik Kujtim Shala, dhe “Shqipja standarde sot”, materiale të një konference shkencore të drejtuar nga Prof. Sabri Hamiti. Botimet në këtë seksion do të paraqiten nga Prof. Nysret Krasniqi, akad. Kujtim Shala, akad. Rexhep Ismajli, prof. Bardh Rugova, dhe prof. Shkumbin Munishi, në Institutet Albanologjike (sheshi Nënë Tereza, nr. 3).

Poashtu për një fjalë përshëndetëse do të prezantohet dr. Aleš Bošnjak, drejtor i Institutit të Shkencave të Informacionit, Slloveni. Më pas, Msc. Mirlona Buzo, drejtuese e QKPISH, do të prezantojë qendrën në një seancë të veçantë.

Gjatë Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe e së Drejtës së Autorit, kalendari i promovimeve për ditën e parë, 23 prill 2024, përfshinë një gamë të gjerë të aktiviteteve. Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike do të prezantojë konferenca të tilla si “Shteti i së drejtës në proceset integruese të Shqipërisë” dhe “Mbi zhvillimin e mirëqenies”. Më pas, MEKI, QKLL dhe DDA do të trajtojnë temat e librit akademik dhe të drejtën e autorit. Në fund, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike do të prezantojnë projekte dhe botime të rëndësishme në fushën e dijes dhe kulturës shqiptare, ku për tri ditë rresht do të ketë prezantime të ndryshme të punimeve shkencore.

Panairi është një ngjarje e rëndësishme që mbledh një varg të gjerë pjesëmarrësish nga institucionet dhe organizatat më të rëndësishme të dijes dhe kulturës në hapësirën shqiptare. Disa nga pjesëmarrësit kryesorë janë Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës janë pjesëmarrësit kryesorë, që përfaqësojnë elitën shkencore dhe kulturore të dy vendeve. Në aspektin shkencor, institute dhe qendra shkencore publike nga Shqipëria dhe Kosova si Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, dhe shumë të tjera janë prezente për të ndarë studimet dhe zbulimet e tyre. Universitetet publike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë të përfaqësuara gjithashtu. Institucionet e arsimit të lartë si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Shkupit dhe shumë të tjera sjellin kontributin e tyre në fushën e dijes dhe edukimit.

Nga ana e enteve botuese jopublike, Shtëpia botuese Toena, Shtëpia botuese Argeta LMG dhe Qendra e Botimeve për Diasporën janë pjesë e kësaj ngjarjeje, duke prezantuar botimet e tyre të fundit dhe duke promovuar kulturën letrare dhe shkencore.

Kjo pjesëmarrje e gjerë dhe e diversifikuar shënon një bashkëpunim të ngushtë midis aktorëve të dijes dhe kulturës, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe njohurive në nivel kombëtar dhe rajonal./UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Programin e plotë mund ta gjeni në këtë link: https://ashak.org/panairi-i-3-te-mbarekombetar-i-librit-akademik-dhe-shkencor/

Vazhdo të lexosh

Kulturë, Lifestyle

Çeku në Bienalen e Venedikut: I vetmi shtet nga vendet e Evropës me çmim të fituar është Kosova

Ai ka deklaruar se Kosova këtë ditë shënon historinë duke pranuar shpërblim si përfaqësim shtetëror për herë të parë.

Publikuar

nga

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se Kosova është i vetmi shtet i Evropës që këtë vit ka fituar çmim në Bienalen e Venedikut. Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kosova këtë ditë shënon historinë duke pranuar shpërblim si përfaqësim shtetëror për herë të parë.

“Ditën e nisëm në selinë e Bienales së Venedikut, brenda sallës historike ku për 60 vjet janë ndarë çmime për artin dhe artistët më të mirë të botës. Republika e Kosovës këtë ditë do të shënonte historinë duke pranuar shpërblim si përfaqësim shtetëror për herë të parë. Për kontekst dhe perspektivë, nga të gjitha shpërblimet e fituara këtë edicion, i vetmi shtet nga vendet e Evropës me çmim të fituar, është Kosova. Doruntina, Erëmira e Hana, nga podiumi ku pranonin mirënjohjen, reflektonin shumë porosi. Tregimin e zakonshëm të grave të jashtëzakonshme në realitetin e vështirë të punës dhe shtëpisë. Fuqinë e gjithë ekipit të pavijonit, plot profesionalizëm dhe vetëmohim. Dëshirën e flaktë për t’i treguar botës sa shumë potencial dhe energji jeton brenda nesh. Dhe që Republika e Kosovës është këtu për të vazhduar së qenuri gjithmonë”, ka shkruar Çeku.

Ministri ka uruar të gjithë për këtë fitore.

“Festën e vërtetë e mbajtëm në shtëpinë e pavijonit tonë, në ndërtesën Museo Storico Navale, ku bashkë me ekipin e pavijonit, familjarët, miqtë dhe komunitetin e artit nga Kosova që kishte ardhur për mbështetje, ngritëm dolli për këtë sukses të madh, dhe për të gjitha mundësitë e reja që do të hapen nga ky moment i rëndësishëm. Urime të gjithëve, e faleminderit Dori, Era dhe Hana”, ka thënë Çeku.

Vazhdo të lexosh

Kulturë, Lifestyle

Një vizion muzikor në kryeqytet: Edicioni i 14-të i Chopin Piano Fest Prishtina 2024

Chopin Piano FEST Prishtina, në nder të 200-vjetorit të lindjes së mjeshtrit të pianos, Fryderyk Chopin, do të përjetojë një përmbysje të tingujve magjepës të pianos, duke u shndërruar në një qendër globale të muzikës klasike.

Publikuar

nga

Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, një ndër ambientet më ikonike të qytetit, do të kthehet në skenën e një mrekullie muzikore për një periudhë prej 9 Majit deri në 9 Qershor. Chopin Piano FEST Prishtina, në nder të 200-vjetorit të lindjes së mjeshtrit të pianos, Fryderyk Chopin, do të përjetojë një përmbysje të tingujve magjepës të pianos, duke u shndërruar në një qendër globale të muzikës klasike.

Ky festival, anëtar i Fédération Internationale des Sociétés Chopin ka shndërruar Prishtinën në një qendër të muzikës klasike, ku harmonizon shijet dhe pasionin e audiencës të gjerë, e që mbahet me krenari çdo vit gjatë pranverës.

Në çdo mbrëmje të këtij festivali, publiku do të udhëtojë nëpër një rrugëtim muzikor të pazakontë, të zgjedhur me kujdes nga repertori i pasur i muzikës së Chopin-it dhe interpretimit të shkëlqyer të artistëve vendas e të huaj. Zërat e pianos do të krijojnë një melodi të padukshme në qytet, duke shkaktuar një atmosferë të pazakontë të magjisë muzikore. Ky vit shënon edicionin e 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina, një festë e muzikës klasike që shndërrohet në një përjetim të jashtëzakonshëm artistik. Frymëzuar nga suksesi i viteve të kaluara, organizatorët kanë vendosur që ky edicion të tejkalohet çdo pritshmëri. Me një filozofi që përfshin fuqizimin e edukimit muzikor, festivali përpiqet të ofrojë një përvojë të pasur jo vetëm për audienca, por edhe për artistët.

Bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë projektin e BE-së #Synergy për Muzikën Klasike në Ballkanin Perëndimor, ka rritur rëndësinë dhe ndikimin e festivalit në skenën botërore të muzikës klasike. Kështu, Chopin Piano Fest Prishtina shndërrohet në një eksperiencë muzikore të pazakontë që nuk duhet të humbasësh, shkruhet në faqen zyrtare të festivalit.

Chopin Piano FEST Prishtina nuk është vetëm një festival koncertesh; është një platformë e ndërsjellë për shkëmbim kulturor mes artistëve të Kosovës dhe atyre nga mbarë bota. Përkundër sfidave diplomatike, ky festival përshëndet artistë nga vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën si një shtet, duke e bërë muzikën të bashkojë popujt nëpërmjet një gjuhe të përbashkët të dashurisë së artit. Në të njëjtën kohë, përmes aktiviteteve si EduWeek, konkursi Special Prize, dhe konkursi kompozicional i frymëzuar nga vepra e Chopin-it, festivali inkurajon dhe ndihmon në zhvillimin e muzikantëve të rinj klasikë.

Programi i edicionit të 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina është një kombinim i artistëve dhe shfaqjeve të mrekullueshme nga një gamë e gjerë shtetesh. Në këtë edicion, në skenën e festivalit do të shfaqen artistë nga vende të ndryshme si Gjermania, Kanada, Italia, Slovakia, Romania, Polanda, Austria, Franca dhe shumë shtete të tjera. Programi i detajuar është publikuar në faqen zyrtare të Chopin Piano Fest Prishtina, duke sjellë një përmbledhje të vlerës së vërtetë artistike dhe kulturor që do të ofrohet gjatë kësaj periudhe. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë interpretimin e mrekullueshëm të muzikës së Chopin-it dhe të eksplorojë talentet e pianistëve nga të gjitha anët e botës.

Me një listë të tillë të përfaqësuesve nga skena ndërkombëtare, Chopin Piano Fest Prishtina konfirmon rolin e tij si një nga ngjarjet më prestigjioze të muzikës klasike në rajon dhe më gjerë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për publikun të përjetojë magjinë e muzikës së bukur nën udhëheqjen e artistëve të shquar nga e gjithë bota./UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Vazhdo të lexosh

Art

Karta e Venecias: Udhëheqësja për ruajtjen e trashëgimisë në Ditën Botërore të Monumenteve

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve është një shënjestër e përpjekjeve të ICOMOS, Këshillit Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet.

Publikuar

nga

Përmasat e jetës, përkushtimi ndaj traditave dhe përhapja e historisë së trashëgimisë kulturore janë në thelb të identitetit. Në vitin 1983, një iniciativë e ndritur u zuri për dore nga Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet (ICOMOS), një ditë në vit, bota bën një pauzë për të festuar përtej kufijve të një kulture të vetme. Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve, është një shënjestër e përpjekjeve të ICOMOS, Këshillit Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet.

Për çdo vit, një temë e re vjen në fokus për të përqendruar vëmendjen tonë kolektive. Dhe për vitin 2024, ky fokus është thelbi i Kartës së Venecias – një biletë e artë për konservimin dhe ruajtjen e trashëgimisë. Tema për këtë vit është “Fatkeqësitë dhe Konfliktet Përmes Lenteve të Kartës së Venecias”. Ajo na fton të hedhim një vështrim të thellë në sfidat dhe kërcënimet që vendet dhe monumentet e trashëgimisë ballafaqohen, nga tronditjet natyrore deri te shkatërrimet e shkaktuara nga njerëzit, shkruhet në Konventën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Këtë vit, festa ka një ndërthurje të veçantë: shënon 60-vjetorin e Kartës së Venecias dhe reflekton mbi rrugën tonë përpara në shekullin e 21-të, duke iu përpjekur të zbulojë se si fatkeqësitë dhe konfliktet bien nën ndriçimin e saj. Kartës së Venecias i është dhënë një theks i veçantë për të zhvilluar një diskutim për zgjidhjet dhe sfidat e trashëgimisë kulturore në botën moderne. Kjo kartë, e cila është një mjet themelor për menaxhimin e trashëgimisë së botës, nxjerr në pah rolin e monumenteve dhe vendeve në rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë kulturore dhe mbrojtjen e saj. Qëllimi i saj ishte të siguronte që strukturat historike të ruheshin dhe të rindërtoheshin në mënyrë të respektueshme dhe të mirëkuptueshme. Karta e Venecias ka disa rregulla që duhet të ndiqen, dhe disa nga këto janë vërtet të jashtëzakonshme. Për shembull, një nga pikat më të rëndësishme thotë që monumentet duhet të përdoren për qëllime shoqërore, por pa u prekur integriteti historik i tyre. Nëse është e nevojshme të bëhen ndryshime, ato duhet të bëhen në mënyrë që të ruhet karakteri origjinal i ndërtesës, shkruhet në vebfaqen e Chasing World Heritage.

Në kohën tonë, Karta e Venecias është nën debat. Disa ekspertë janë kundër saj, duke pretenduar se ajo është e vjetër dhe e pasaktë për situatat e sotme. Megjithatë, organizata e UNESCO-s e ka akceptuar që rindërtimi të lejohet në rrethana të veçanta, për shembull, kur ajo është e nevojshme për të ruajtur një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, mësohet nga faqja kryesore e International Council on Monuments and Sites.

60 vjetori i miratimit të Kartës së Venecias është një moment për të reflektuar mbi trashëgiminë tonë të përbashkët dhe për të diskutuar se si mund t’i kemi kujdesur më mirë ato sot. Tema e vitit 2024 thekson rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Në këtë ditë të veçantë, një varg aktivitetesh dhe ngjarjesh po zhvillohen në të gjithë botën për të çuar përpara këtë diskutim të rëndësishëm. Nga konferencat me ekspertizën më të fundit, deri te vizitat në monumente dhe vende të trashëgimisë, Ditës Botërore të Trashëgimisë i jepet një rëndësi të veçantë për të reflektuar, të festuar dhe të mbrojmë pasuritë e ndryshme kulturore që na rrethojnë.

Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria në kujdesin e trashëgimisë

Ka një valë ndërgjegjësimi dhe aktiviteti në Ditën Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve edhe Maqedonia, por edhe Shqipëria po kontribuojnë në këtë festë të trashëgimisë kulturore në mënyra të ndryshme dhe frymëzuese. Megjithëse nuk ka ende informacion për aktivitetet që zhvillohen në Kosovë nga Ministria e Kulturës nuk domethënë që Kosova, nuk ka një vend me një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, por angazhimi në aktivitete në këtë rast dhe deri në këtë moment shihet se është i munguar! Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, në vitin 2022 përmes një videoje, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Kryetarja e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi patën realizuar një video që tregon angazhimin e tyre në objektet e pasura kulturore që ka Kosova duke thënë se objektetet e trashëgimisë tonë kulturore po ‘i mbrojnë dhe rifunksionalizojnë’.

Sibel Halimi që udhëheq me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar në rrjetin social në Facebook, se monumentet janë më shumë se vetëm objekte dhe se ato janë dëshmitarë të historisë dhe identitetit tonë.

“Duke reflektuar për këtë ditë, ne përkujtojmë detyrimin tonë për t’i mbrojtur ato nga rreziqet dhe dëmtimet. Kujdesi dhe edukimi janë thelbi për të siguruar që kjo trashëgimi të jetë e qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, shkruan Halimi.

Maqedoni- Në Ditën Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve, një fushatë po mbahet edhe në Maqedoni, mësohet përmes Telegrafit. Sot, muzetë dhe zonat arkeologjike janë të hapura për të gjithë, falas dhe me krenari të shpërblimit të ditës së rëndësishme. Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, njofton se institucionet shtetërore në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore janë plotësisht të gatshme për të pritur vizitorët gjatë gjithë ditës. Nëpër qytetet e Maqedonisë, muzetë dhe zonat arkeologjike janë gati për të tërhequr vëmendjen dhe admirimin e vizitorëve. Nga Manastiri në Gjevgjeli, nga Stobi në Herakleia, një rrugë e pasur me histori dhe kulturë po hapet për të gjithë ata që janë të gatshëm të zbulojnë thellësitë e trashëgimisë. Nga muzeu arkeologjik në muzeumin e artit bashkëkohor, nga shtëpia përkujtimore e Toshe Proeskit deri te galeria e arteve në Tetovë, kudo në vend, një udhëtim kulturor po ofrohet falas për të gjithë. Poashtu mësohet se do të jenë hapur edhe dyert e institucioneve kombëtare, si institutet dhe muzetë në Manastir, Shtip, Ohër, Prilep dhe Strumicë; Stobi dhe Herakleia; Shtëpia përkujtimore e Toshe Proeskit; Muzeu Arkeologjik; Galeria Kombëtare e Maqedonisë me të gjitha objektet e saj; Muzeu i Artit Bashkëkohor; Muzeu i luftës maqedonase; Muzeu Historik në Krushevë; Muzeu i alfabetit shqip; Galeria e Arteve në Tetovë; “Dr Nikolla Nezlobinski” në Strugë; Muzeu i Maqedonisë Perëndimore në NOV – Kërçovë; Muzeu i rajonit të Tetovës; Muzeumi i historisë së natyrës; Muzeu i Maqedonisë së Veriut; muzetë në  Kumanovë dhe Gjevgjeli.

Shqipëri- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri kanë nisur të organizojnë aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin e individëve në vlerësimin dhe angazhimin e tyre ndaj trashëgimisë kulturore dhe monumenteve historike që janë me rëndësi të madhe për ndërgjegjen kolektive, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare. Në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër përzgjodhi të publikonte një foto nga Manastiri i Shën Sergjit dhe Bakut, i njohur si Kisha e Shirqit. Ndërsa DRTK në Berat e çeli javën e aktiviteteve për trashëgiminë, me ekspozitën lëvizëse “Monumente në vite”, me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Zoi Vangjeli”, Velabisht. Ekspozita është një retrospektivë me foto bardhezi dhe me ngjyra, të cilat nxitën vëmendjen e të rinjve mbi monumentet dhe trashëgiminë duke i njohur dhe ndërgjegjësuar për vlerat e tyre kulturore dhe turistike. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, hyrja në parqet arkeologjike Shkodër-Lezhë do të jetë falas.

Në këtë vit, tema sjell në vëmendje një shkallë të gjerë të ndërtimeve të krijuara me qëllim të ruajtjes së memorjeve. Ato janë pamje që shtjellojnë një pjesë të përvojës njerëzore, duke na sjellë pranë emocioneve dhe ideve të kaluara. Trashëgimia e Përkujtimit shfaqet në forma të ndryshme, nga mbishkrime të gdhendura dhe monumente arkitektonike të mahnitshme deri te elemente më modestë që reflektojnë traditat popullore dhe historinë lokale./UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara