Lajmet

Ballkani përballet me thatësirë të madhe dhe kufizime të ujit si pasojë e valës së nxehtësisë

Published

on

Ballkani Perëndimor po përballet me një thatësirë të madhe si pasojë e një vale të nxehtësisë që e ka goditur rajonin, duke shkaktuar pengesa në jetën e përditshme dhe duke krijuar telashe në bujqësi dhe energji.

Temperaturat të enjten në Kosovë arritën 35 gradë celsius, dhe Ministria e Shëndetësisë lëshoi një rekomandim me masa mbrojtëse për punëtorët dhe grupet e ndjeshme të popullsisë kundër temperaturatve të larta, për periudhën 3 deri 10 korrik.

Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike bëri thirrje që njerëzit të qëndrojnë larg diellit të drejtpërdrejtë dhe paralajmëroi fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje, të qëndrojnë në shtëpi.

Mungesa e ujit bëri që të mbyllet pishina në natyrë e kryeqytetit Prishtinë, e cila përdorej nga njerëzit për t’u freskuar gjatë nxehtësisë së verës.

Pishina e Germisë, në periferi të qytetit, u ndërtua në fund të viteve ‘80 si një destinacion rekreativ dhe konsiderohet njëra prej pishinave më të mëdha në kontinent.

Në këtë kohë vitin e kaluar, pishina e Germisë kishte midis 4.000 dhe 5.000 vizitorë në ditë.

Parku Germia, i njohur për bukurinë natyrore dhe mundësitë rekreative, ndodhet mes kodrave dhe maleve që furnizojnë me ujë pishinën. Por, këtë vit, stafi i pishinës nuk ia doli t’i sigurojë 20.000 metra kub ujë të nevojshëm.

Në vitet e kaluara, pishina mbushej brenda gjashtë ditëve, por këtë vit do të nevojiten më shumë se tri javë për shkak të thatësirës, tha menaxheri Bardh Krasniqi.

“Për shkak të valës së fortë të nxehtësisë që po ndikon tani në vend dhe rajon, fatkeqësisht nuk kemi mundur ta hapim pishinën më të madhe në vend”, tha Krasniqi për Associated Press.

Në Shqipërinë qendrore, temperaturat të enjten arritën në 40 gradë celsius dhe meteorologët paralajmëruan se reshjet e shiut do të jenë të rralla deri në shtator.

Lumenjtë pothuajse janë tharë për shkak të mungesës së reshjeve gjatë dimrit dhe pranverës.

Temperaturat e larta kanë detyruar autoritetet shqiptare t’i ndihmojnë bujqit me rrjete për vaditje. Një projekt për marrjen e ujit nga lumi Mat në veri për të ndihmuar në vaditjen e rreth 4.000 hektarëve tokë bujqësore në zonë, përfundoi të martën.

Kjo gjendje ka ndikuar keq edhe në prodhimin e rrymës në Shqipëri, e cila kryesisht prodhohet nga stacionet hidroelektrike në veri të vendit. Korporata Kombëtare e Energjisë shpenzoi deri në 60 milionë euro për të importuar rrymë në gjysmën e parë të këtij viti.

Instituti Shtetëror Meteorologjik i Serbisë ka paralajmëruar se “thatësira ekstreme” po ndikon në kulturat bujqësore të vendit, ndërsa nivelet e ujit në lumenj dhe liqene janë ulur.

Qytetet e vogla dhe fshatrat në Serbi përballen gjithashtu me kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.

Gjatë valës së nxehtësisë së javës së kaluar në Evropë, temperaturat e larta arritën deri në 46.6 C në Mora, Portugali. Zjarret në natyrë janë të shpeshta në rajon gjatë verave të nxehta dhe të thata./REL

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara