Lajmet

Hoti: Borrell e Lajçak nuk janë përgjigjur për moszbatimin e deklaratës së personave të zhdukur

Hoti deklaroi se Serbia nuk po zbaton deklaratën për personat e gjetur, të nënshkruar me 2 maj në Bruksel.

Publikuar

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Serbia nuk po zbaton deklaratën për personat e gjetur, të nënshkruar me 2 maj në Bruksel. Ai tha se lidhur me këtë u ka dërguar letër ndërmjetësuesve të dialogut, por edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Hoti u shpreh se së shpejti Ligji për Personat e Zhdukur do të jetë për konsultime publike. Opozita kritikoi qeverinë, duke thënë se çështja e personave të zhdukur nuk është prioritet.

Hoti theksoi se gjatë vitit 2023 kanë gërmuar në 15 lokacione në territorin e Kosovës.

“Në ato 15 lokacione, ekipet e ekspertëve edhe të Policisë së Kosovës edhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë arritur t’i zhvarrosin mbetjet mortore apo eshtrat të mbi 20 personave. Të gjitha këto janë dërguar dhe testuar dhe janë analizuar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për analizë të mëtutjeshme në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur që gjendet në Hagë. Janë dorëzuar mbetjet mortore për nëntë persona tek familjarët gjatë vitit 2023. Ndërkaq, sa i përket territorit të Serbisë, fatkeqësisht kemi arritur të jemi vetëm në një lokacion dhe ai quhet Shtavall. Në lokacionin Shtavall kemi qenë nëntor të vitit të kaluar dhe atë siç konsideroj unë ka qenë një gërmim apo një eksumim kështu me sipërfaqe jo me tendencë të plot të Serbisë në gjetjen e asaj varreze masive që ne ende kemi dyshime të plota që mund të jetë për shkak të informacioneve”, deklaroi Hoti.

Përkundër deklaratës për personat e pagjetur, Hoti theksoi se Serbia nuk po zbaton marrëveshjen e 2 majit në Bruksel. Ai shtoi se i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për hapjen e arkivave të ushtrisë së brigadës 37 e cika ka operuar në zonën e Drenicës.

“Në shtator të vitit 2023 i kam dërguar letër zotëri Borrel që është ndërmjetësues pikërisht i deklaratës për personat e zhdukur. Në janar të vitit 2024 i kemi përsëritur letrën ndaj zotëri Borrel prapë që është ndërmjetësues dhe zotëri Lajçak për mos zbatim të deklaratës nga ana e Serbisë. Fatkeqësisht as nga Vuçiq që është e pritshme, as nga zotëri Borrel, as nga zotëri Lajçak nuk kam pranuar asnjë dokument deri më sot, asnjë letër deri më sot, asnjë përgjigje deri më sot se pse nuk zbatohet deklarata e personave të zhdukur e cila është miratuar pikërisht me ndërmjetësimin e tyre në Bruksel”, shtoi ai.

Tutje, Hoti theksoi se janë duke punuar në katër lokacione brenda territorit të Kosovës, ndërkaq kanë kërkuar informacione për 16 lokacione në Serbi. Ai foli edhe për Ligjin për Personat e Pagjetur, për çka tha se shpejti do të jetë në konsultime publike.

“Ligji për Personat e Zhdukur ende nuk është përfunduar. Ligji për Personat e Zhdukur është përfunduar prej neve, prej grupit punues. Shumë shpejt do të jetë pjesë e konsultimeve publike dhe janë këto afatet procedurale dhe ligjore që duhet të ndjekim dhe pastaj do të jetë tek ju në kuvend”, theksoi ai para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Kritika për vonesat në Ligjin për Personat e Pagjetur ka pasur deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu Shoshi.

“Sa i përket iniciativës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, ka ngelur pa ndonjë iniciativë dhe mund të them si temë e fjetur nga kjo qeveri. Se sa i kanë dhënë rëndësi mjafton të marrim parasysh faktin që projektligji ka pasur të dorëzohet në maj të vitit 2023, pastaj është shtyrë për nëntor të vitit 2023 dhe është jashtëzakonisht e dhimbshme që ky projektligj tani është në agjendën legjislative tek në dhjetor të vitit 2024. Personalisht dhe si parti jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer me mënyrën se si është trajtuar kjo temë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shumë e dhimbshme për shumë ne”, theksoi ajo.

Ndërkaqkryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci, shprehi kritikat e tij për mos punën e institucioneve gjatë këtyre viteve.

“Vuçici gënjeshtrën po e bën të vërtetë, ndërsa ne të vërtetën nuk po mundemi ta them të vërtetë. Politikanët tanë kur shkojnë në Bruksel, çështja e personave të zhdukur shtyhet, ndërsa çështja e dinarit brenda 24 orëve hyn në proces të bisedimeve. Kjo është e tmerrshme”, deklaroi ai.

Teksa përmendi rastet e gjenocidit serb, Grajqevci shtoi se shteti nuk po bën asgjë për dokumentimin e tyre.

“Për herë të parë po e them që 105 trupa rrinë në Kukës të femrave të cilat janë dhunuar në kufi të Shqipërisë dhe janë ekzekutuar dhe i kanë gjuajtur në lum. Këtë për herë të parë po ua them juve, nuk e kam thënë për shkak të raportit të Dick Martyt”, u shpreh ai.

Në Kosovë janë mbi 1 mijë e 600 persona, për të cilët nuk dihet fati i tyre.

Lajmet

Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT organizoi tryezë diskutimi në ditën botërore të lirisë së shtypit

Publikuar

nga

3 maji njihet si dita botërore të lirisë së shtypit, ditë kjo shënohet që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Me këtë rast fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT organizoi tryezë diskutimi me profesorë dhe panelistë, në të cilën folën për lirinë e medias në Kosovë.

Mirëpo mëngjesin e së premtes në indeksin vjetor të “Reporterëve pa Kufij” për Kosovën nuk erdhën lajme të mirë. Vendi ynë shënoi rënie të lirisë së shtypit për 19 vende. Andaj Dekani i Fakultetit, Ferid Selimi, komentoi këtë rënie të lirisë së shtypit.

“Përderisa para dy, tre vitesh ne jemi lavdëruar se po ecim para me lirinë e shtypit, prapë këtë vit kemi një ngecje, një rënie të lirisë së shtypit, ajo ndoshta ndodh gjithkund, por ne si vend i vogël, një vend që gjithmonë ka luftuar për liri dhe pavarësi, shihet dhe merret si me një kompetencë, me një përgjegjësi më të madhe. A thua po bëjmë ne sa duhet për mediat në përgjithësi sepse kur bëjmë për media bëjmë për njerëzit”, deklaroi ai.

Profesori në Media dhe Komunikim, Votim Hanolli, duke folur për indeksin e Reportërëve pa Kufij, shtoi se rënia e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit ka ardhur si pasojë e disa faktorëve.

“Sipas analistëve qe janë marrë me ketë indeks, kjo rënie duhet të parë në kontekstin e tensioneve në Mitrovicë, ku gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre, të cilat kanë qenë të shumta. Ndërkohë që partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur, ka pasur gjithashtu një lloj përndjekje administrative ndaj stacionit privat televiziv KlanKosova, nga ana tjetër zgjedhja e Drejtorit të RTK-së që ishte e lidhur me kampin qeveritar…… konsiderohen rreziqet e shoqërisë dhe rreziqet politike”, deklaroi ai.

Në raportin për Kosovën, po ashtu thuhet se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike. Për këtë profesori Safet Zenjullahu tha se gazetarët e mirëfilltë nuk duhet të bazohen në atë se çfarë kërkon pushteti, por në atë që i nevojitet publikut.

“Ajo çfarë kërkon pushteti kurrë nuk është gazetari profesionale, pushteti kërkon lavd ndërsa publiku i mirëfilltë kërkon informacion të duhur, të palulëzuar, e kërkon informacionin të pastër ashtu siç është. Në këto kërkesa nuk qëndrojnë gazetarët, qëndrojnë pronarët”, deklaroi Zejnullahu.

Pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Gjylie Rexha. Ajo kërkoi që të diskutohet më shumë për përgjegjesinë.

“Në këtë ditë le të merrim edhe me përgjegjësinë, jo vetëm me lirinë e cila na takon dhe sa më shumë të jemi të përgjegjshëm se si e zbatojmë lirinë që na takon si e drejtë elementare, aq më mirë do të mund ta bëjmë edhe gazetarinë dhe profesionin dhe mbi të gjitha më shumë të realizojmë vetën tonë si profesionistë në këtë detyrë shoqërore”, deklaroi Rexha.

Ndërkohë profesori Musa Sabedini, që njëkohësisht është edhe anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara shprehu shqetësimin që shumica e këtyre mediave nuk janë anëtare të këtij Këshilli vetërregullues.

“Janë 500 e disa portale në Kosovë që funksionojnë ose të paktën janë të regjistruara, sepse disa janë edhe efektive, prej tyre vetëm 71 janë anëtare të Këshillit. Të tjerët nuk pranojnë sepse kanë frikë me u monitoru, sepse vinë palët ankohen, bëjnë padi. Këshilli jep dënim moral nuk jep dënim me gjobë sepse nuk e ka atë mandat”, deklaroi ai.

Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024, Kosova renditet e 75-ta nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të. Edhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar kthim prapa sa i përket lirisë së medias. Shqipëria ka rënë nga vendi i 96-të në atë të 99-të. Në Shqipëri, sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët përballen me presion politik, veçmas gjatë zgjedhjeve./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Petkoviqit i refuzohet vizita në Kosovë

Publikuar

nga

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i është refuzuar vizita në Kosovë.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë, por nuk treguan arsyet e refuzimit të kërkesës për vizitë.

Më herët gjatë 3 majit, e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se Petkoviq kishte kërkuar që të vizitonte Kosovën për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.

Petkoviq ishte parparë të merr pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

Edhe në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviq për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.

Në janar 2024, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai kishte planifikuar që të vizitonte komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.

Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga BE. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Pakistani nis misionin në Hënë

Publikuar

nga

Pakistani të premten nisi misionin e tij të parë hënor iCube-Q në bordin e sondës pa pilot të Kinës Chang’e 6 nga qyteti kinez Hainan.

iCUBE-Q, ose CubeSats, u lançua rreth orës 17:27 (09:27 GMT) nga faqja e nisjes hapësinore Wenchang, në bordin e misionit Chang’e-6 që shpërtheu në hapësirë me raketën Long March5 Y8.

Kryediplomati pakistanez në Pekin, Khalil Hashmi konfirmoi në X se lëshimi ishte “i suksesshëm”. Ai do të “vendoset në orbitën e Hënës më 8 maj”, tha Hashmi, i cili mori pjesë në ceremoninë e nisjes në Hainan. Orbiteri iCUBE-Q mbart dy kamera optike për të xhiruar sipërfaqen hënore.

Instituti i Teknologjisë Hapësinore i Pakistanit, në bashkëpunim me Universitetin e Shangait të Kinës dhe agjencinë kombëtare hapësinore të Pakistanit SUPARCO, zhvilluan së bashku iCUBE-Q.

Qëllimi kryesor i CubeSats është të lehtësojë kërkimin shkencor, zhvillimin e teknologjisë dhe iniciativat arsimore në eksplorimin e hapësirës.

Sipas Administratës Kombëtare të Hapësirës së Kinës, sonda Chang’e 6 do të mbledhë mostra nga ana e largët e Hënës, duke e bërë misionin të parin e këtij lloji në historinë njerëzore.

Anija kozmike Chang’e-6, si paraardhësi i saj Chang’e-5, përbëhet nga një orbiter, një tokëzues, një ngjitës dhe një kthim. Chang’e-5 u kthye në tokë në dhjetor 2020 me mostrat e para të tokës hënore në më shumë se katër dekada.

Pasi të arrijë në Hënë, ai do të bëjë një ulje të butë në anën e largët. Brenda 48 orëve pas uljes, një krah robotik do të shtrihet për të hequr gurët dhe dheun nga sipërfaqja hënore.

Pas mbledhjes së mostrave, anija kozmike pa pilot do të kthehet në Tokë, duke u ulur në rajonin autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore. I gjithë fluturimi ka të ngjarë të zgjasë 53 ditë.

Përveç CubeSat nga Pakistani, misioni Chang’e-6 transporton gjithashtu një numër ngarkesash të tjera ndërkombëtare në hënë, duke përfshirë analizuesin e joneve të sipërfaqes hënore të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, instrumentin e zbulimit të radonit të Francës, reflektorin e këndit laser të Italisë.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif gjithashtu përgëzoi kombin dhe shkencëtarët për nisjen e misionit të parë në orbitën hënore./AA

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​NATO e BE dënojnë sulmin kibernetik të Rusisë ndaj Gjermanisë e Çekisë

Publikuar

nga

NATO dhe BE dënuan të premten sulmin kibernetik të Rusisë kundër Gjermanisë dhe Çekisë.

“Unë dënoj fuqishëm aktivitetet kibernetike keqdashëse të Rusisë kundër aleatëve të NATO-s, përfshirë Gjermaninë dhe Çekinë”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në X, duke shprehur angazhimin për t’iu kundërvënë kërcënimit kibernetik “të konsiderueshëm, të vazhdueshëm dhe në rritje”.

Këshilli i Atlantikut të Veriut, në një deklaratë, vuri në dukje se i njëjti aktor kërcënimi ka shënjestruar entitete të tjera qeveritare kombëtare, operatorë të infrastrukturës kritike dhe entitete të tjera në të gjithë aleancën, duke përfshirë Lituani, Poloni, Sllovaki dhe Suedi.

“Aktivitetet e dëmshme kibernetike që synojnë Gjermaninë dhe Çekinë nënvizojnë se hapësira kibernetike është e kontestuar në çdo kohë”, tha këshilli. “Aktorët e kërcënimeve kibernetike kërkojnë me këmbëngulje të destabilizojnë Aleancën”.

Në një deklaratë të veçantë, BE-ja theksoi se një fushatë keqdashëse kibernetike tregon “modelin e vazhdueshëm të sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë në hapësirën kibernetike, duke synuar institucionet demokratike, entitetet qeveritare dhe ofruesit e infrastrukturës kritike në të gjithë BE dhe më gjerë”.

BE nënvizoi se kjo lloj sjelljeje është në kundërshtim me normat e OKB-së për sjelljen e përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike.

“BE nuk do të tolerojë sjellje të tilla keqdashëse, veçanërisht aktivitete që synojnë të degradojnë infrastrukturën tonë kritike, të dobësojnë kohezionin shoqëror dhe të ndikojnë në proceset demokratike, duke pasur parasysh zgjedhjet e këtij viti në BE dhe në më shumë se 60 vende në mbarë botën”, shtoi ai. /AA

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara