Aktualitet

​Parashikimi i motit

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius.

Publikuar

Vendi ynë do të vazhdoj të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik. Kjo situatë e krijuar meteorologjike do të mundësoj mot me diell dhe vranësira konvektive.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29 gradë Celsius.

Indeksi UV do të shënoj vlera të rritura, prandaj IMHK apelon për kujdes ndaj kontaktit direkt me rrezet e diellit në orët e mesditës.

Do të fryjë erë nga perëndimi dhe veriperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë.

Bota

“Asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali”, Putini u thotë nënave të ushtarëve rusë

Bëhet fjalë për nënat e ushtarëve rusë që po luftojnë në Ukrainë.

Publikuar

nga

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me nënat e ushtarëve rusë që luftojnë në Ukrainë të premten, duke shënuar Ditën Kombëtare të Nënës.

Duke folur me gratë në Novo-Ogaryovo, në rezidencën e tij zyrtare në periferi të Moskës, Putin tha se ai ndau dhimbjen e humbjes me ata që kishin humbur një fëmijë dhe i kërkoi që të mos u besonin të ashtuquajturave “lajme të rreme” dhe “gënjeshtra”. ”

“Dua ta dini se unë personalisht, si dhe e gjithë lidershipi i vendit, të gjithë e ndajmë këtë dhimbje. Ne e kuptojmë se asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali, një fëmije”, tha Putin.

“Jeta është më e ndërlikuar dhe e larmishme sesa ajo që shfaqet në ekranet televizive apo në internet. Nuk mund të besoni asgjë atje. Ka shumë fake [lajme], mashtrime, gënjeshtra. Ka shumë sulme informacioni”, tha ai.

Putin vazhdoi duke thënë se ai kishte folur personalisht në telefon me disa ushtarakë, duke i quajtur ata të vijës së parë “heronj”.

“Kam folur drejtpërdrejt me djemtë në telefon, në çdo rast kam folur me ata që më kanë befasuar me humorin, me qëndrimin ndaj detyrës”, tha ai.

“Kjo më jep çdo arsye për të thënë se ata janë heronj”, shtoi Putin.

Saktësisht sa ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë mbetet e panjohur për të gjithë, përveç disave brenda Kremlinit, dhe vlerësimet e SHBA-së dhe NATO-s kanë qenë dukshëm më të larta se parashikimet e ministrisë ruse të mbrojtjes. Pentagoni tha në gusht se besonte se rreth 80,000 rusë ishin të vdekur ose të plagosur.

Këshilli i Nënave dhe Grave [të ushtarëve rusë], një nga grupet më të njohura që mbrojnë ushtarët, tha në një postim në Telegram të premten se ata nuk ishin ftuar në takim./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

Rrënohen edhe dy vila rreth liqenit të Batllavës

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i komunës, Fatri Zhitia.

Publikuar

nga

Edhe dy vila të ndërtuara pa leje u rrënuan sot rreth liqenit të Batllavës, në Orllan të Podujevës.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i komunës, Fatri Zhitia, i cili informoi se aksioni do të vazhdojë deri të rrënohen 8 vilat për të cilat është nxjerrë vendimi.

Zhitia tregoi se pronarët janë njoftuar 10 ditë më parë se do të ju rrënohen vilat.

“Kemi kërkuar që t’i largojnë gjësendet me vlerë”, shtoi Zhitia.

Ndryshe, dje filloi aksioni për rrënimin e vilave në Orllan, i cili kishte qenë i planifikuar të zhvillohej të hënën.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

​Vlerësohet e nevojshme shtyrja e afatit për aplikim për statusin e viktimave të dhunës seksuale

Kjo theksua në Konferencën Mobilizimi i komunitetit lokal për fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Publikuar

nga

Numër i madh i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk janë drejtuar te komisioni qeveritar për të kërkuar statusin e tyre që u takon me ligj. Andaj po vlerësohet se afati për aplikim në këtë komision, i cili përfundon ligjërisht në shkurt të vitit 2023, të shtyhet në mënyrë që ofrohet mundësi më e të gjatë kohore që viktimat të aplikojnë për statusin e tyre. Nevoja për këtë u theksua në Konferencën Mobilizimi i komunitetit lokal për fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani tha se deri tani janë mbi 1800 aplikime derisa theksoi se po rritet numri i personave që po lajmërohen e që në kohën e luftës kanë qenë të mitur.

“Këto viktima kanë nevojë për ne, por kanë nevojë për të gjithë, kanë nevojë për qytetarët e vendit të vet, për mbështetje, për kurajo, sepse një numër i madh i tyre ende janë të stigmatizuara, një numër i madh i tyre ende nuk kanë aplikuar në komision dhe nëse e shohim afatin kohor, afati kohor për të aplikuar në komision ka filluar në 2018 dhe përfundon në shkurt të vitit që vjen. Gjithsesi, po punojmë në atë drejtim, bashkë me Qeverinë e Kosovës por edhe shoqërinë civile qe t’u jepet mundësi për me vazhdu afatin e aplikimit, po shpresojmë që do të jepet mundësi për me vazhdu afati i aplikimit por vazhdimi i afatit të aplikimit bëhet me ligj sepse me ligj është përcaktuar pesë vite afat për të aplikuar dhe ne do të duhet të gjithë bashkë të mobilizohemi së paku për këtë periudhë kohore që na ka mbetur që ato viktima që mund t’i njohim ti mbështesim dhe t’i drejtojmë të komisioni për ta pranuar një t ë drejtë e cila njihet me ligj”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se në kohën kur është përcaktuar 5 vjet afat kohor për të aplikuar ka qenë periudhë kur stigma ishte në kulm.

Ai shtoi se nuk duhet lejuar vakume ligjore por duhet të ketë mundësi për aplikim deri në viktimën e fundit që identifikohet.

“Roli i institucioneve dhe mekanizmave lokal është qenësor, ne si organizatë jemi 33 vetë punojmë në baza ditore, kemi psikologë, punonjëses social, mjek, që ofrojmë shërbime, megjithatë numri i këtyre personave është shumë i madh prandaj duhet bashkëpunimi institucional për me adresu çështjet në nivel të duhur. Në raport me zgjatjen e afatit të komisionit, ne kemi avokuar edhe për faktin që krimet e luftës nuk parashkruhen, nuk u humbet afati ligjor, as e drejta në krim të luftës nuk ish dashtë me u afatizu në pesë vjet. Mirëpo në kohën kur ne kemi avokuar ka qenë ajo periudha kur stigma ka qenë në kulm kur ka qenë shumë e vështirë kjo shoqëri me hy, në ligjin për vlerat e luftës. Tash duhet të bëjmë çmos se nuk guxojmë me kriju atë shkëputje vakum ligjor që pas 5 shkurtit edhe sikur një grua apo tre apo pesë persona, shteti duhet me ua dhënë mundësinë dhe duhet me ekzistu mekanizmi ku atyre u njohit e drejta ligjore”, ka thënë Rushiti.

Në këtë konferencë u theksua rëndësia e bashkëpunimit me institucionet lokale.

“Fokusi kryesor do të duhej të ishte me rritë debatin por njëkohësisht ai debat nëse prej të gjithëve besoj ka me ardhur rekomandim pastaj do të jetë edhe për qeverinë pak më shtytëse për me vazhdu afatin e aplikacionit për këto kategori, për arsye se mendoj qe vetëm edhe një nëse nuk arrijmë me bindë me u regjistru gjatë kësaj periudhe, ne duhet me luftu që me shty afatin, vetëm edhe një person nëse ka mbetur jashtë kësaj përfshirje ne duhet me luftu me shty sepse në këtë proces edhe një individ është i rëndësishëm. Këtu flitet për individë rëndësia e të cilëve veç e veç është shumë e rëndësishme. Prandaj jam këtu sot që në emër edhe të kryetarit Rama me shpreh gatishmërinë tonë që të zgjatet afati pasi që mendoni se ne duhet të jemi pjesë e këtyre fazave të luajmë rolin tonë që na takon në këtë proces”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinë, Izet Sadiku.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

Rita Ora në pullat postare të Kosovës

Pulla me imazhin e saj do të lëshohet në qarkullim postar të shtunën.

Publikuar

nga

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.

Pulla me imazhin e saj, siç është informuar nga Posta, do të lëshohet në qarkullim postar të shtunën, më 26 nëntor, në një ditë të veçantë për artisten, pikërisht në ditëlindjen e saj.

Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo ka shfrytëzuar çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar. Ajo është frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare.

Me rastin e lansimit të kësaj pulle postare, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.

“Është një nder për Posten e Kosovës të nderoj Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë”, ka thënë Kadiu.

Gjatë karrierës së saj të bujshme, Rita Ora është shpërblyer dhe nderuar me çmime prestigjioze në arenën ndërkombëtare, si dhe në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo e bartë me meritë titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015. Me diplomacinë e saj kulturore vazhdon të kontribuojë për imazhin e të gjithë shqiptarëve.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara