Lajmet

​Kosova shënon 15-vjetorin e Pavarësisë

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës.

Publikuar

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”.

Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”.

Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.

Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak 2 mijë anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.

Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e pesë vendeve të BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Lajmet

​Rrëmbehet një 19-vjeçare në Fushë Kosovë

Publikuar

nga

Sot rreth orës 09:35 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë me telefon nga një femër e moshës 19-vjeçare, e cila rreth orës 08:00 dyshohej se ishte rrëmbyer në Fushë Kosovë nga GJ.H. (23) dhe se ajo ndodhej në një pikë karburanti në Bibaj të Ferizajt, ku i dyshuari e kishte sjellë me veturë dhe ishin ndaluar aty.

Ekipe të policisë menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Bibaj dhe aty kanë hasur të dyshuarin, i cili ishte jashtë në oborr të pikës së karburantit, duke e pritur viktimën femër të dalë jashtë.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, gjithashtu në stacionin e policisë është sjellë edhe viktima femër.

Në bashkëpunim me policët e stacionit në Fushë Kosovës, i dyshuari dhe viktima janë dërguar për procedura të intervistimit dhe hetimit atje, ngaqë rasti i dyshuar për rrëmbim me forcë dyshohet se ka ndodhur në qytetin e Fushë Kosovës.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Monitorim edhe me helikopterë për protestën e paralajmëruar në Jarinjë nga Serbia

Publikuar

nga

Pas paralajmërimit për protestë në Serbi, në Leposaviq vërehet prezencë më e madhe e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.

Megjithatë situata në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë është e qetë dhe qarkullimi po vazhdon normalisht.

Përveç KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë po qëndrojnë edhe automjete te misionit të Bashkimit Evropian për zbatim të ligjit, EULEX si dhe karabinierët.

Patrullimi i kufirit po bëhet edhe nga ajri me helikopterë. Qarkullimi i automjeteve në këtë pikë kufitare është i vogël.

Ndryshe, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka ftuar qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes pikë – kalimeve kufitare me Serbinë, që të shtunën (sot) të përdorin pika tjera për qarkullim, pasi atje për sot janë paralajmëruar protesta.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Kurti për regjistrimin e popullsisë: Kemi mbledhur të dhëna të rëndësishme për planifikimin e së ardhmes

Publikuar

nga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me përfundimin e procesit të regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë të dhëna shumë të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhmes.

Këto komento, kreu i ekzekutivit i ka bërë në shënim të përfundimit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i nisur më 5 prill 2024, të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Bashkëpunimi Kosovë-SHBA, Gërvalla takon O’Brien

Publikuar

nga

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, është pritur në takim nga ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.

Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë dhe jetësimit të aspiratave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Gërvalla dhe O’Brien diskutuan po ashtu rreth zhvillimeve të tjera aktuale në vend, duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara