Lajmet

​KQZ-ja regjistron një parti politike dhe pezullon një tjetër

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me dhjetë vota për ka votuar pezullimin e subjektit politik “Graðanska Inicijativa Gore”, kjo për shkak që ky subjekt politik nuk ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor me datën e paraparë e që ka qenë 20 qershori i këtij viti. Por i është dhënë afat prej 45 ditësh që të mbajë të njëjtin.

Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala ishte ai që dha këtë rekomandim, duke thënë se Kuvendi është dashur të mbahej më 20 qershor.

“Kuvendi i radhës për t’u mbajtur nga ky subjekt politik data e fundit ka qenë 20 qershor 2024. Meqenëse subjekti politik nuk e ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor më datën 20 qershor 2024 atëherë zyra rekomandon që të pezullohet subjekti politik Graðanska Inicijativa Gore, me akronimin GIG dhe KZQ-ja të merr vendim dhe ta obligojë që për 45 ditë prej momentit të pranimit të këtij vendimi të mbajë Kuvendin Zgjedhor të radhës. Ky është rekomandimi sa i përket vendimit për pezullimin e subjektit politik Graðanska Inicijativa Gore”, ka thënë Besnik Buzhala.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tregoi që ky rekomandim u votua më 10 vota për, çka bëri që kjo parti politike të pezullohet.

“Me 10 vota për miratohet, ashtu që partia politike Graðanska Inicijativa Gore, pezullohet. Ndërsa, i jepet afat shtesë prej 45 ditësh që të mbajë Kuvendin e saj”, ka thënë kryetari Kreshnik Radoniqi.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtori Besnik Buzhala rekomandoi regjistrimin e partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.

Besnik Buzhala potencoi se ky subjekt politik është subjekt parlamentar i cili gjithashtu përfiton edhe mjete financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike.

“Në lidhje me këtë subjekt politik sipas rregullores zgjedhore Nr.1/2024 është obliguar që të gjitha subjektet politike që janë si subjekte politike të certifikuara të regjistrohen si parti politike dhe në lidhje me këtë ky subjekt është liruar nga mbledhja e nënshkrimeve dhe pagesat e taksës dhe gjithashtu zyra i rekomandon KQZ-së që ta bëjë regjistrimin e këtij subjekti politik si parti politike e cila në rast të regjistrimit do të regjistrohet me numrin rendor 53”, ka shtuar Besnik Buzhala.

Ndërsa Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të dijë nëse ka subjekte që nuk e kanë përfunduar procesin e regjistrimit.

“Dëshiroj të di nëse ka subjekte të tjera të cilat nuk e kanë përfundu procesin e regjistrimit si parti politike e që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës e që marrin fonde nga Fondi për Mbështetje të partive politike”, shtoi Elshani.

Derisa sipas Buzhalës Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës është subjekti i fundit që regjistrohet si iniciative qytetare. Andaj tha se nëse anëtarët vendosin për regjistrim shndërrohet si parti politike.

“Subjekti politik që ka fituar ulëse si iniciativë qytetare në këtë rast Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës është subjekti i fundit që regjistrohet si iniciativë qytetare nëse ju vendoni për regjistrim shndërrohet si parti politike”, shtoi ai.

E pas këtij diskutimi “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”, u regjistrua si parti me 10 vota për.

Tutje anëtarët e KQZ-së kanë miratuar rekomandimin për privim të përfitimit të mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për subjektin politik Partia e Ashkëtinjve për Integrim për vitin 2025.

Buzhala ka thënë se kanë arritur në përfundim se subjekti politik nuk ka bashkëpunuar me zyrën ligjore të auditorit.

Bota

Të vdekur dhe të plagosur pas një sulmi terrorist në Turqi

Published

on

Një sulm terrorist ka goditur kompaninë turke të hapësirës ajrore, TUSAS, në Ankara, duke lënë disa të vdekur dhe të plagosur, sipas deklaratës së ministrit të Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, i cili nuk dha detaje të mëtejshme mbi situatën.

Dëshmitarët raportuan një shpërthim të fuqishëm dhe zëra armësh që dëgjuan në vendngjarje, siç u dokumentua nga pamjet e transmetuara nga kanali privat NTV. Ambulancat dhe forcat ushtarake janë dërguar menjëherë në vendin e sulmit për të ofruar ndihmë.

TUSAS, e cila është e specializuar në zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve të hapësirës ajrore, përfshirë avionë luftarakë dhe dronë, është një nga kompanitë kryesore në këtë sektor në Turqi.

Ministri Yerlikaya konfirmoi se sulmi ishte një akt terrorist që goditi objektet e Kompanisë Aksionare të Industrive Ajrore Turke (TUSAS) në zonën e Kahramankazan në Ankara. Ai shprehu ngushëllime për viktimat dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

“Publiku do të informohet për zhvillimet e mëtejshme. Ju lutem, merrni parasysh deklaratat nga burime zyrtare,” tha ai në një postim në rrjetet sociale.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në vend dhe është një kujtesë e rëndësishme për rrezikun që përballet shoqëria nga sulmet terroriste. Autoritetet po punojnë për të sqaruar situatën dhe për të siguruar sigurinë e qytetarëve./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

​Kuvendi me seancë urgjente, në pikëpyetje pjesëmarrja e shumicës parlamentare

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës të enjten, më 24 tetor do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nënshkrimin e 43 deputetëve për të diskutuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Iniciuesi i kësaj seance, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, thotë se është e domosdoshme që Kuvendi të diskutojë skandalet në KEK dhe problemet e vazhdueshme në fushën e energjetikës.

Sipas tij, në sektorin e energjisë elektrike ka keqmenaxhim të theksuar, derisa përmend publikimin e mesazheve të koordinatores së partisë në pushtet, LVV-së, Dejona Mihali me ish-kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi.

Në anën tjetër, shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila thotë se nuk kanë ndonjë informacion për kërkesë për seancë të jashtëzakonshme të opozitës, derisa nuk bëri të ditur nëse shumica parlamentare do të merr pjesë në seancën e nesërme.

Thirrja e seancave të jashtëzakonshme nga opozita për monitoruesit e punës së Kuvendit po konsiderohet normale dhe e dobishme për jetën parlamentare, derisa kritikohet bojkoti i mazhorancës.

“Ne po punojmë të thërrasim një seancë ditën e enjte në orën 12:00. Kjo ka të bëjë me skandalet në fushën e energjetikës dhe problemet dhe skandalet në KEK. Ju e dini KEK-u po përballet me shumë probleme dhe po ashtu nga përgjimet e publikuara tashmë rezulton shqetësimi ynë i ngritur në komisionin hetimor parlamentar për abuzimin me energjinë. LDK ka denoncuar në Prokurorinë e Shtetit rastin me porosi në KEK dhe kjo rezulton se është e vërtet nga përgjimet që u publikuan së fundmi…3:30 Është zbuluar se ka keqmenaxhim në sektorin e energjisë elektrike. Figura kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje si Nagip Krasniqi, Dejona Mihali dhe Martin Berishaj janë nën hetime dhe po merren në pyetje nga organet e drejtësisë”, tha Gashi.

Sipas tij, seancat e jashtëzakonshme janë të vetmet që mundet t’i ftojë opozita dhe që janë të pandalshme nga pushteti.

“Është e vetmja punë që mund ta bëjë opozita. Të tjerat punë janë të pushtetit që duhet t’i bëjë shumica. Ne çka mund të bëjmë për ta ruajtur demokracinë dhe për ta provuar parlamentarizmin në Kosovë mund të thërrasim seanca të jashtëzakonshme të cilat janë të pandalshme nga ana e pushtetit, pra nga ana e LVV-së. Kjo është kategori kushtetuese që i garantohet opozitës”, tha ai.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD), Naim Jakaj, thotë nse është në interes publik të mbahen seancat e jashtëzakonshme dhe të diskutohen çështjet e ngritura nga opozita.

Ai kritikon shumicën parlamentare se me bojkot të seancave të jashtëzakonshme po cenon përfaqësimin demokratik, besimin e qytetarëve, detyrave dhe përgjegjësive si deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, nëse mazhoranca bojkoton edhe seancën e nesërme dëmton integritetin e Kuvendit.

“Konsiderojmë se ky është interes publik që të mbahen seancat e jashtëzakonshme në mënyrë që të diskutohen çështjet…Por shumica parlamentare e përfaqësuar nga deputetët e LVV-së kanë refuzuar të marrin pjesë në seancat e jashtëzakonshme pa dhënë asnjë arsyetim legjitim dhe të besueshëm. Ky bojkot përbënë një shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputetë të Kuvendit të Kosovës…IKD-ja shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe kërkon nga LVV-ja që të largohet nga rruga e bojkotit për të cilin kemi konsideruar se është kundërkushtetues. Kjo praktikë dhe qasje, e cila është e pazakontë cenon rënd vlerat demokratike të Kosovës. IKD-ja konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik… Një bojkot i tillë në rast se ndodh edhe në seancën e ardhshme dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit, por tregon edhe injorimin e deputetëve të Kuvendit ndaj qytetarëve të Kosovës”, thekson ai.

Jakaj si shqetësuese përmend edhe mungesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca në drejtimin e tri seancave të kaluara të jashtëzakonshme.

“Ne shprehim shqetësim edhe për mungesë e vazhdueshme të kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme. Arsyetim ose mungesë të informacionit se a është në Kosovë, udhëtim zyrtar apo ndonjë udhëtim personal”, tha Jakaj.

Kohëve të fundit janë publikuar mesazhe mes koordinatores së komisionit të Lëvizjes Vetëvendosje Dejona Mihali dhe ish-shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ku Mihali e fton atë në një takim në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, por i thotë të mbajë kapele.

Partitë opozitare kanë thirrur tri seanca të jashtëzakonshme në dy javët e fundit, por që janë bojkotuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e koalicionit qeverisës.

Continue Reading

Lajmet

Orban u bën thirrje hungarezëve t’i “rezistojnë” Brukselit

Published

on

By

Kryeministri nacionalist Viktor Orban i ka paralajmëruar hungarezët të mërkurën se ata duhet t’i “bëjnë ballë” patjetër Bashkimit Evropian, duke thënë se Brukseli po përpiqet ta rrëzojnë Qeverinë e tij.

Duke folur në një ngjarje për shënimin e kryengritjes së vitit 1956 kundër represionit sovjetik, e cila u shtyp brutalisht nga Ushtria e Kuq, Orbani tha se BE-ja dëshiron ta vendosë një “qeveri kukull” sepse “politikat e pavarura hungareze janë të papranueshme për Brukselin”.

Orbani shihet si aleati më i ngushtë i Moskës në BE.

Ai tha gjithashtu se “ushtarët sllavë nga lindja” mund të vendosen në Hungari përsëri, duke iu referuar Ukrainës.

Ai nuk dha prova për t’i mbështetur pretendimet e tij gjatë fjalimit në këtë ngjarje para mijëra mbështetësve të vet. Orban e ka përdorur këtë ngjarje në ta kaluarën për ta krahasuar BE-në me Bashkimin Sovjetik.

BE-ja e ka pezulluar mbështetjen financiare në vlerë miliarda euro për Hungarinë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth politikave të Orbanit, të cilat janë kritikuar shumë se po e çrrënjosin sundimin e ligjit në shtetin e Evropës Qendrore.

Hungaria dhe BE-ja kanë muaj që fjalosen edhe për ndihmën për Ukrainën, emigracionin, dyshimet për keqpërdorimin e fondeve të bllokut dhe shkeljen e ligjeve të saj./REL/

Continue Reading

Lajmet

​Vendimi i Sllovakisë për mbyllje të Zyrës Ndërlidhëse po shihet si mesazh se njohja e Kosovës është larg

Published

on

By

Vendimi i Sllovakisë për të mbyllur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë po konsiderohet mesazh që ky shtet i cili ruan marrëdhënie të mira me Serbinë është larg njohjes së Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, vendimi ka të bëjë me politikën anti-kosovare të kryeministrit sllovak, Robert Fico.

Nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thanë se vendimi është marrë për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe “zvogëlimit të buxhetit”.

“Sipas vendimit të qeverisë sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024 për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Bratisllava.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Jashtme e Kosovës tha se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me shtetin sllovak.

Sllovakia është një nga pesë shtetet e bllokut që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shtetet e tjera janë Spanja, Qipro, Greqia dhe Rumania.

Sllovakia e konsideron Serbinë partner kyç në Ballkanin Perëndimor.

Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci nuk përjashton mundësinë që vendimi për mbyllje të zyrës të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën e Beogradin.

“Pushteti i kryeministrit Robert Fico, kryeministrit të Sllovakisë, është i orientuar komplet pro Moskës. Këtë, kohëve të fundit nuk e fsheh pavarësisht që janë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky regjim i tij është komplet i dirigjuar nga Moska dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë që vendimi të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën dhe gjithsesi me Beogradin. Kjo nuk duhet të shqetësojë Kosovën, nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse ka të bëjë me relacione të tjera që kanë të bëjnë me implikimet ndërkombëtare dhe është problem më i madh për Bashkimin Evropian dhe NATO-n që brenda radhëve të veta ka kalin e Trojës siç është Sllovakia, siç është Hungaria dhe të tjera. Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë edhe një vend tjetër, të bëjë lëvizje të tillë”, deklaron Koci.

Mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, Koci e konsideron hap prapa drejt njohjes nga shteti sllovak.

“Është largim, dërgojnë mesazhin që jo vetëm që nuk do të mbajmë zyrën por njohja është shumë larg, gati e pamundur. Por edhe kjo mendoj që nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse është evidente që Kosova si rast sui-generis do të duhej të gjejë rrugë të tjera për afirmim ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë me ata që janë aleatë të vërtetë të Kosovës. Është evidente që brenda Bashkimit Evropian ka shumë zëra që nuk janë në favorin e Kosovës dhe kjo ndoshta nuk është keq edhe për të dalluar kush janë aleatët tanë të vërtetë dhe e dyta mendoj se është sinjal për udhëheqësit e Kosovës dhe për të gjithë klasën politike që të bashkëpunojnë më shumë me ata që janë aleatët tanë të vërtetë”, shton ai.

Edhe Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) konsideron se vendimi i shtetit sllovak ka të bëjë me politikën e përgjithshme anti-kosovare.

“Kjo [vendimi për mbyllje të zyrës në Kosovë] ndërlidhet me politikën e përgjithshme të qeverisë sllovake, të kryeministrit Robert Fico që ka qenë dukshëm anti-kosovare. Duhet të kujtojmë që ai ka qenë kryeministër edhe në vitin 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë dhe ai ka qenë vendimtar në mos-njohjen e pavarësisë. Dhe në ditët e fundit kemi pasur shumë lëvizje në aksin Beograd-Bratislavë. Fillimisht ministri i Jashtëm sllovak, Juraj Blanar vizitoi Beogradin ku kishte takime me ministrin serb dhe sipas të gjitha gjasave edhe kjo çështje u diskutua aty dhe po ashtu dje dhe pardje me vizitë në Bratislavë ka qenë presidenti serb Vuçiq së bashku me kryeministrin hungarez, Viktor Orban ku me sa shihet këto dy takime të shpejta kanë pasur ndikim që Sllovakia të marrë këtë qëndrim pak më radikal, pak më antagonist kundër Kosovës”, shprehet ai.

Për më tepër, ai thotë se mund të ketë regres me marrëdhëniet sllovake dhe shkëputje të marrëdhënieve zyrtare me Qeverinë e Kosovës.

“Kjo [vendimi] pa dyshim që ka një mesazh politik që bart në vete dhe që është se shteti sllovak nuk dëshiron të ketë marrëdhënie zyrtare me Qeverinë e Kosovës… Pa dyshim do të ketë ndikime negative, sepse nuk është që kanë qenë marrëdhënie shumë të zhvilluara, kanë qenë në fazat më të hershme. Kemi pasur disa takime në nivele të drejtuesish teknik të ministrive të vendit tonë dhe Sllovakisë. Dhe me këtë vendim politik nga ana e Bratisllavës do të ketë një regres në marrëdhëniet sllovake dhe me gjasë do të na duhet të presim që të vije një qeveri e ardhshme që të jetë më pro-perëndimore se kjo e tanishmja”, përfundon Gërgi.

Pavarësisht vendimit për mbyllje, Ministria e Jashtme e Kosovës tha më herët të mërkurën se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me Sllovakinë, qoftë përmes “Zyrës ndërlidhëse por edhe përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian e global”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera. Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë qoftë përmes zyrës ndërlidhëse qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”, thuhet në këtë përgjigje të MPJD-së.

Continue Reading

Të kërkuara