Lajmet

Konfiskohen 700 kilogramë produkte të mishit në Ferizaj

Publikuar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) sot ndërmori një aksion për inspektimin e të gjitha mishtoreve në Ferizaj, në bashkëpunim me inspektorët komunal.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi tha për KosovaPress se nga ky aksion u konfiskuan një sasi prej 700 kilogramë mish dhe produkte mishi, e cila nuk i plotësonte kushtet ligjore për tregtim.

“Produktet e mishit të konfiskuar ishin: mish i freskët, mish i grirë, suxhuk, virshlle, mish i terur. E gjithë sasia u tërhoq nga shitja, u bllokua me urdhër të inspektorit. E gjithë sasia e mishit të ndaluar do të asgjësohet në prani të inspektorëve kompetent. Shumica e mishtoreve posedonin kushte të mira higjienike, për hapësirat që kishte defekte u urdhëruan përmirësimet brenda afateve kohore”, thekson Thaçi.

Ai po ashtu tha se AUV përmes inspektoratit veterinar është duke ndërmarrë aksione në të gjithë Kosovën të largojë nga tregu të gjitha produktet ushqimore me origjinë shtazore, të cilat nuk i plotësojnë kriteret ligjore për sigurinë ushqimore.

“Të gjithë operatorët të cilët tregtojnë produkte mishi duhet të jenë të regjistruara në AUV. Thertoret dhe përpunuesit e mishi duhet të jenë të licencuara për veprimtarinë përkatëse. Hapësirat duhet t’i plotësojnë kushtet teknike sanitare higjienike, të cilat garantojnë siguri në prodhim, përpunim apo tregtim të produktit”, tha ai.

Thaçi tha se në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor duhet plotësuar kushtet që produkti te konsumatori të shkojë i sigurt dhe cilësor.

AUV edhe gjatë javës së kaluar kishte marrë aksion edhe në Prizren për konfiskimin e produkteve të mishit që nuk përmbushnin kushtet për tregtim.

Lajmet

Këto shtete votuan kundër rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë

Publikuar

nga

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dje rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjës me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u prezantua dje në seancën e Asamblesë së Përgjithshme me temën “Kultura e paqes”.

Projekt-rezoluta i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të krijojë një program informacioni të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara” për të filluar përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në 2025 dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm t’u dërgojë një rezolutë të gjithë anëtarëve shteteve, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, thuhet në projekt-rezolutën.

Në preambulën e tekstit thuhet se “përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”. Për miratimin e projekt-rezolutës kërkohej një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.

Pro miratimit të projekt-rezolutës, ndër tjera, votuan Shqipëria, Australia, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia.

Kurse, kundër votuan Serbia, Siria, Kina, Rusia, Bjellorusia, Hungaria, Dominika, Kuba, Antigua, Mali, Eritrea.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Tahiri: Kurti nuk ka shpëtim nga ballafaqimi me opozitën, veç vonim

Publikuar

nga

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se debati për tri vjet qeverisje do të ndodhë. Ani pse nuk është dhënë një datë e re për mbajtjen e kësaj seance, ai tha se “ka vetëm vonim, se shpëtim nuk ka prej ballafaqimit të kryeministrit me opozitën”. Sipas tij, qeveria e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti është kampione e dështimeve të vendit.

Pas dështimit të seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se në seancën e ftuar për ditën e sotme nuk pati deputetë të mjaftueshëm për të vijuar debati parlamentar.

“Nuk pati deputetë për të diskutuar dhe për tu ballafaquar me një qeveri e cila është kampione e dështimeve të vendit. Kjo qeveri nuk ka pse t’i del qytetarëve përpara, nuk ka si t’i del pensionistëve përpara, nuk ka si të ju del 80 mijë shërbyesve civil përpara. Nuk ka si të ju del përpara pagës minimale, më e ulëta në Ballkan, nuk ka si të ju del zyrtarëve publik, e cila ju rrezikohet siguria juridike dhe mbi të gjitha nuk ka si të ju del as vëllezërve dhe motrave në diasporë, ku që nga korriku i vitit 2023 nuk ka arritur të bëjë një marrëveshje të vetme për të ndodhur votimi në ambasada në vendet përkatëse”, u shpreh ai.

Tahiri para mediave shtoi se debati do ballafaqimi i kryeministrit Albin Kurti me opozitën do të ndodhë.

“Kryeministri Kurti duke u dorëzuar ka krijuar një pozicion për të negociuar kushtet e dorëzimit me opozitën, mirëpo ne këto kushte nuk i pranojmë, ne presim herët a vonë kapitullimin e këtij përmes dorëheqjes. Ka vetëm vonim, se shpëtim nuk ka prej ballafaqimit të kryeministrit me opozitën me gjitha këto tema. Debati do të ndodhë nuk ka qysh ik, është i protokolluar në kryesi dhe kurdo që të jetë ai debat do të jetë ballafaqimi i të vërtetës dhe i një super mashtrimi që ka ndodhur tash e tri vjet e gjysmë”, deklaroi ai para mediave.

Ai theksoi se të gjithë deputetët e AAK-së kanë qenë të pranishëm, përveç kryetarit, Ramush Haradinaj dhe deputetes Time Kadriaj.

“Në nisje unë e nisi debatin, sot ka qenë një ngjarje e rëndësishme për heroin e kombit, Shkelzen Haradinaj në Gllogjan, dy deputetë kanë munguar. Nuk kanë qenë kryetari Ramush Haradinaj dhe deputetja Time Kadriaj. Mirëpo, unë e kam thirrur unë e kam pasur fjalën në emër të grupit si iniciues dhe në emër të grupit parlamentar fjalën e ka pasur Bekë Berisha”, përfundoi ai.

Debati parlamentar për Qeverinë Kurti ka dështuar në mungesë të deputetëve, ku kryeparlamentari Glauk Konjufca bëri të ditur se të pranishëm kanë qenë vetëm 40 deputetë.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Forcat izraelite intensifikojnë sulmet në Jabalia dhe Rafah

Publikuar

nga

Forcat izraelite intensifikuan sulmet e tyre në Gaza, ku luftime të ashpra janë raportuar në veri të Jabalisë dhe me tanke në jug të Rafahut.

Mjekët thanë se të paktën pesë palestinezë u vranë pasi shtëpitë e tyre u goditën në Jabalia dhe besohet se ka edhe shumë të bllokuar nën rrënoja, porse zona nuk mund të arrihet për shkak të intensitetit të bombardimeve. Në qytetin jugor të Rafahut, banorët raportuan për shpërthime dhe tym.

Sulmet e njëkohshme izraelite në skajet veriore dhe jugore të Gazës këtë muaj kanë shkaktuar një eksod të ri të qindra mijëra palestinezëve që ikin nga shtëpitë e tyre dhe kanë ndërprerë rrugët kryesore të hyrjes për ndihma, duke rritur rrezikun e urisë.

Banorët në Jabalia thanë se tanket kanë shkatërruar tregun lokal dhe buldozerët vazhduan të rrafshonin dyqanet dhe pronat. Krahu i armatosur i Hamasit tha se luftëtarët e tij kishin përfshirë tre tanke atje.

Tanket gjithashtu përparuan pranë Spitalit Kamal Adwan aty pranë, ku mjekët thanë se zjarri izraelit kishte shkaktuar pezullimin e operacioneve në objektin e fundit mjekësor funksional në Rripin verior të Gazës./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Kusari–Lila: Kuvendi shpërndahet vetëm nëse ka vullnet të të gjithë grupeve parlamentare

Publikuar

nga

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka folur pas dështimit të mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej për tri vjet të qeverisjes Kurti.

Në fjalën e saj, Kusari ka vlerësuar se Kuvendi mund të shpërndahet nëse ka vullnet të grupeve parlamentare që janë pjesë e Kuvendit.

“Është e paimagjinueshme të shpërndahet Kuvendi, për një debat për 3 vjet qeverisje ka kaq pak interesim nga deputetët. Jemi në dinamikën e ritmin e mirë të përmbushjes së agjendës legjislative. Vet AAK-ja nuk e kishte kryetarin e partisë, vetëm 3 deputetë ishin prezentë”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se Kuvendi shpërndahet vetëm nëse ka vullnet të grupeve parlamentare që janë pjesë e Kuvendit.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara