Op-Ed

Inteligjenca e ushtrisë aset vital i sigurisë kombëtare

Shkruan: Prof.Dr.Bahri Gashi

Publikuar

Miratimi i Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) është një arrtije e madhe në përmbushjen e rolit dhe misionit ushtarak të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, në aspektin e sigurisë së mbrojtjes në gjithë kompleksitetin e aktiviteteve ushtarake, brenda dhe jashtë vendit.

Shërbimi inteligjent i ushtrisë mbetet një domosdoshmëri e lartë e ofrimit të sigurisë për nevoja të funksionimit të forcave të armatosuara, të papenguara nga çfarëdo lloj cenimi të sigurisë.

Ky shërbim do të sigurojë që FSK të ecë e sigurt në ushtrimin e aktivitetit të vet brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës me qëllim të përmbushjes së misionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në garantimin e sovranitetit të vendit dhe pjesëmarrjen në misionet paqëruajtëse kudo në botë.

Një agjenci ushtarake e inteligjencës, që merret specifikisht me inteligjencën për nevoja të mbrojtjes, duke përfshirë grumbullimin e informacionit, analizën dhe përpunimin e informacione të inteligjencës për sigurinë e trupave të FSK-së, rrjedhimit për sigurinë e misionit të FSK-së, qoftë brenda Kosovës, apo edhe jashtë Kosovës, në operacioneve paqeruajtëse që mund t’i marrë, qoftë ndaj kërcënimeve që mund të vijnë ndaj kapaciteteve ushtarake dhe aseteve të FSK-së, mbetet në një rol të pazëvendësueshëm për sigurinë nacionale në përgjithësi, sidomos për përmbushjen e misionit të FSK-së në veçanti.

Në të kaluarën për arsye objektive, kjo fushë nuk ka qenë mjaftueshëm e mbuluar, si një mekaziëm i posaçëm me një strukturë funksionale, të rregulluar sipas standardeve të avancuara të mbrojtjes dhe sigurisë.

Kjo agjenci do të ushtrojë aktivitetin e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës me qëllim të mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë lidhur me kërcënimet apo rreziqet e mundshme për kryerjen e misionit të tyre.

Zakonisht Agjencitë e Inteligjencës ushtatake  veprojnë në fushën e Sigurisë së Mbrojtjes si pjesë unike e Forcave të Armatosura, duke i mbështetur në misione në kuadër të NATO, BE, ShBA-ve dhe OKB,  kudo që iu kërkohet nevoja.

Natyrisht se AISM ushtron kompetenca ekskluzive – superiore të fushëveprimtarisë mbi veprimtari që lidhen me kërcënime ose rreziqe që synojnë të cenojnë, ose cenojnë Forcat e Armatosura në realizimin e misionit të tyre kushtetues. AISM bashkëpunon në fusha me interes bilateral dhe reciprok, me institucione homologe partnere të inteligjencës dhe sigurisë, si dhe me institucione brenda vendit, duke lidhur marrëveshje dy ose më shumëpalëshe.

Në princip funksional ASIM është pjesë e integrale e Ministrisë së Mbrojtjes, duke mbështet autoritetet ushtarake të drejtimit e të komandimit të FSK-së me inteligjencë në fushën e Zbulimit, Kundërzbulimit dhe Sigurisë, në përmbushje të misionit të tyre kushtetues.

Detyrat specifike që ka në mandat ligjor AISM-ja janë edhe trajtimi i përpunimit të kërkesave vjetore të nivelit strategjik për inteligjencë ushtarake:

Kur produktet inteligjence shumëburimëshe të nivelit strategjik, për autoritetet e komandimit të Forcave të Armatosura të FSK-së, përpilohen në përputhje me parimin e nevojës për njohje në kohë reale të nivelit operacional; Agjencia e Inteligjencës së Ushtrisë, zakonisht  grumbullon, përpunon, vlerëson, analizon dhe shpërndan të dhëna dhe informacione kredbile si dhe i paraqet në bazë të nivelit të analizës si produkte inteligjence shumëburimshe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, lidhur me sisteme të mbrojtjes, grupe apo organizata kërcënuese të vendeve të huaja, aktivitete të subjekteve armiqësore të huaja, të cilat mund të kërcënojnë ose të rrezikojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura të FSK-së, Ushtrisë së Kosovës dhe cenon zbatimin e politikave strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes.

Një komponentë tjetër me tepër rëndësi këto shërbime inteligjente të ushtrisë, zakonisht i  kryejnë edhe procedurat për pajisjen me “certifikatë sigurie” të personelit ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura dhe “certifikatë sigurie industriale” të subjekteve që kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale të aktivitetit të prokurimit.

Sikundër çdo institucion tjetër i inteligjencës ushtarake, edhe AISM në mandatin e vet ka për detyrë të grumbullon, përpunon, vlerëson, analizon, shpërndan të dhëna e informacione dhe paraqet produkte finale inteligjence shumëburimshe për Ministrinë e Mbrojtjes, lidhur me kërcënime të natyrës kritike të sigurisë së brendshme, duke përfshirë; terrorizmin; ekstremizmin; spiunazhin, sabotazhit, diversionit, subversionit, armëve të shkatërrimit në masë, kërcënimeve kibernetike të krimit të organizuar, asimetritë e luftës hibride ndaj kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Gjithashtu, ky lloj shërbimi, garanton sigurinë kolektive të veprimtarisë së vet, të personelit, të informacionit të klasifikuar, infrastrukturës kritike, të sistemeve të komunikimit, shkëmbimit të informacionit të klasifikuar, sipas niveleve të klasifikimit “sekret shtetëror”, gjithnjë duke ruajtur interesat vitale të sigurisë nacionale në bashkërëndim me aleatët strategjik – NATO-n.

Si përfundim, Agjencitë e Inteligjencës Ushtarake, në këtë rast AISM shkëmben rezultate kredibile të produktit final të informacionit inteligjent, bashkëvepron dhe kryen operacione të ndërveprueshme me aletatë dhe struktura të inteligjencës së NATO dhe BE -në, kooperon dhe bashkëpunon me shërbime dhe me agjenci të inteligjencës së vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së dhe agjencitë partnere në interes të mbrojtjes kolektive.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)

Lajmet

Rënia e Bakhmutit do të sinjalizonte “një fitore pirrike për Wagnerin”

Ky qytet është kthyer në gërmadha pas një rrethimi dhjetëmujor.

Publikuar

nga

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Bakhmuti i ngjan Hiroshimës pas bombardimeve bërthamore të vitit 1945.

Qyteti i shkatërruar juglindor, në të cilin jetonin rreth 70 mijë njerëz para se të shpërthente lufta, është kthyer në gërmadha pas një rrethimi dhjetëmujor.

“S’ka mbetur gjë e gjallë. Të gjitha ndërtesat janë shkatërruar”, deklaroi Zelensky në një takim të shteteve të G7-ës në Hiroshima të dielën.

Disa orë më herët, Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner, njoftoi për kapjen e Bakhmutit. Nëse një gjë e tillë konfirmohet, kjo do të jetë fitorja e parë ushtarake e Rusisë që nga rënia e Soledarit, një qytet shumë më i vogël në verilindje të Bakhmutit, gjatë muajit janar.

Bakhmut u kap kryesisht nga forcat e Wagner-it, një grup që përbëhet kryesisht nga të burgosur të patrajnuar të rekrutuar nga burgjet ruse pasi ushtarakët e rregullt rusë u treguan shumë të çorganizuar, të dekurajuar dhe të trajnuar dobët.

Wagner filloi sulmet me valë njerëzore, të quajtura “marshime mishi”, gjatë muajit dhjetor. Ato u mbështetën nga zjarri masiv i artilerisë dhe mortajave pothuajse gjatë gjithë orarit, si dhe nga sulmet ajrore.

Një ekspert i lartë ushtarak ukrainas tha se Wagner po përballet me humbje kolosale të fuqisë punëtore dhe pajisjeve.

“Kjo është një fitore pirike për Wagnerin”, tha për Al Jazeera, gjenerallejtënant Ihor Romanenko, ish-zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës.

“Prigozhin e kupton gjithashtu”, tha ai. Ai thjesht duhej t’i raportonte një rezultat ushtarako-politik [Putinit], diçka ndryshe nga Soledar.

Prigozhin thuhet se i bëri një zotim personal Putinit për të kapur Bakhmutin, edhe pse qyteti kishte humbur rëndësinë e tij transportuese dhe logjistike për forcat e Ukrainës, të cilat ridrejtuan linjat e tyre të furnizimit vitin e kaluar.

Romanenko tha se trupat e Kievit ende kontrollojnë kodrat pranë Bakhmutit, duke parandaluar avancimin e Rusisë drejt qyteteve dhe qytezave shumë të fortifikuara të Chasiv Yar, Konstantinivka, Kramatorsk dhe Sloviansk.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i tha G7-ës se rusët kanë humbur 100 mijë ushtarë atje që nga fillimi i rrethimit në korrik – më shumë se e gjithë popullsia civile e Bakhmutit të paraluftës.

Rusia humbi pesë ushtarakë ndaj secilit të Ukrainës, tha një burim i NATO-s për CNN të dielën.

Prigozhin tha se mercenarët e tij do të tërhiqen nga Bakhmuti pas disa ditësh.

Ata do t’ua dorëzojnë qytetin ushtarakëve të rregullt rusë, tha ai, diçka që mund të rezultojë problematike sepse ata kryesisht përbëhen nga njerëz të mobilizuar së fundmi me stërvitje të dobët dhe moral të ulët.

Ukraina nuk i ka zbuluar kurrë humbjet e saj ushtarake, por ato ishin aq të rënda saqë Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kievit të largohej nga Bakhmut në shkurt, sipas dokumenteve të zbuluara nga ShBA./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

A mund të krijojmë një sistem që do të parashikojë luftërat e ardhshme?

“Ne jemi duke jetuar në një shoqëri në krizë… Dhe ekzistojnë lloje të ndryshme të ardhme jo të dëshirueshme”, tha për AFP Sirka Hainonen.

Publikuar

nga

Studiuesit nga e gjithë bota po përpiqen të ndërtojnë një sistem, i cili do t’i japë mundësi njerëzimit të parashikojë konfliktet e dhunshme përpara se ato të shpërthejnë, dhe në këtë mënyrë t’i parandalojë ato. Ata do të shqyrtojnë përparimet dramatike në Inteligjencën Artificiale vitet e fundit, dhe se si mund të ndikohen vendimet e marra nga udhëheqësit e botës, në një kohë kur lufta në Ukrainë e ka ndryshuar situatën për dhjetëra miliona njerëz.

“Ne jemi duke jetuar në një shoqëri në krizë… Dhe ekzistojnë lloje të ndryshme të ardhme jo të dëshirueshme”, tha për AFP Sirka Hainonen, profesore e studimeve të së ardhmes në Universitetin Turku në Finlandë. 

Heinonen ishte në mesin e rreth 30 studiuesve nga e gjithë bota që u mblodhën në Gjenevë në fillim të këtij muaji për një raund të parë diskutimesh të fokusuara te “Parashikimi i së ardhmes së Paqes dhe Luftës”.

“Kur i shqyrtojmë krizat e mundshme të së ardhshmes, duhet të gjejmë zgjidhje për t’i parandaluar ato që të ndodhin. Dhe për të ardhmen e preferuar, ne duhet të vendosim se cilat janë hapat dhe masat për t’i bërë ato të ndodhin”, thekson ajo.

Projekti mbështetet nga Fondacioni Parashikues i Shkencës dhe Diplomacisë me seli në Gjenevë (GESDA), Qendra e Gjenevës për Politikat e Sigurisë (GCSP) dhe Shkolla e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit të Kolumbias (SIPA).

Seminari i parë i mbajtur me dyer të mbyllura, u përqendrua në thelb në identifikimin e mënyrave se si mund të ndodhte ky lloj parashikimi. Takimet e tjera që do të mbahen në Nju Jork dhe Gjenevë gjatë këtij viti, mund të shpjegojnë më shumë zhvillime specifike me potencialin për të ndryshuar në mënyrë dramatike rrjedhën e historisë njerëzore.

Ndërsa tema mund të duket se po trajtohet në kohën e duhur, teksa po zhvillohet lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit në seminar theksuan se pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte domosdoshmërisht fokusi i tyre kryesor.

Në vend të kësaj është ambicia për të ndërtuar një sistem për parashikimin e ngjarjeve vite dhe madje dekada përpara, dhe më pas të këshillohen vendimmarrësit se si të lëviznin drejt rezultateve më të mira afatgjata. Në një kohë ndryshimesh të shpejta dhe rrënjësore, të cilat janë shpesh komplekse dhe të ndërlidhura, parashikimi i zhvillimeve me muaj e lëre më pastaj me vite përpara është një sfidë shumë e madhe.

Ekspertët e vënë theksin edhe tek përqendrimi i pushtetit tek kompanitë që menaxhojnë të dhënat tona, dhe vendimet që mund të merren për t’i rregulluar ato. Nga ana tjetër përmendin një mori mundësish por edhe rreziqesh të lidhura me zhvillimin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë shfaqjen e robotëve vrasës. Aleksandër Fasel, ambasadori i Zvicrës për diplomacinë shkencore, e vuri theksin mbi shpejtësinë me të cilën ka evoluar AI në vetëm pak muaj që nga dalja në skenë e ChatGPT, duke nxitur apele për një moratorium derisa të analizohen mirë pasojat e tij.

“Thirrje të tilla janë një provë e gjallë se ne kemi nevojë për një instrument të parashikimit të ngjarjeve. ChatGPT është një çikërrimë në krahasim me atë që po vjen”- thekson ai. Për të kuptuar vështirësinë e parashikimit të zhvillimeve pas 25 viteve, Fasel na fton të kthehemi 25 vite më parë. “Në prillin e 1998-ës Putini nuk ishte ende në pushtet. Ne nuk ia dinim as emrin. Nuk kishte asnjë smartfon. Dhe kjo na jep një shembull të vogël të sfidës së madhe që kemi përpara”, thekson ai./Science Alert – Bota.al

Vazhdo të lexosh

Op-Ed

Siguria Kolektive “Defender Europe 2023”

Stërvitja “Defender Europe 2023” tanimë në një cikël kalendarik, mbahet në verën e çdo viti në disa lokacione në të gjithë Evropën.

Publikuar

nga

Shkruan: Prof.Dr.Bahri Gashi

Stërvitja “Defender Europe” është stërvitja më e madhe ushtarake vjetore, shumëkombëshe, e përbashkët në shkallë të gjerë, në komandim e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere. Stërvitja “Defender Europe 2023” tanimë në një cikël kalendarik, mbahet në verën e çdo viti në disa lokacione në të gjithë Evropën, duke filluar me hapjen solemne që u bë në Prishtinë, si një fillim që do të zgjasë deri në javën e parë të muajit qershor 2023.

Kosova si partnere strategjike e aleatëve dhe nikoqire, vazhdon të qëndroj me krenari e rreshtuar në krah me ShBA-në dhe aleatët e tjerë në Defender Europe 2023. Kjo stërvitje ushtarake tregon seriozitetin e shtetit të Kosovës se forca jonë FSK nuk qëndron e koncentruar vetëm në kapacitetet mbrojtëse, por edhe në prodhim dhe garantim të sigurisë me aleatët që ndërtojnë vlerat e përbashkëta të sigurisë kolektive.

Forca e Sigurisë së Kosovës si nikoqire do të dëshmojë për herë të dytë të kësaj stërvitje ushtarake shumëkombëshme me të gjitha kapacitetet operacionale. Me një pjesëmarrje ushtarake të 25 vendeve, ushtrive me një personel ushtarak prej 22 mijë pjestarë, FSK pritet t’i vë në dispozicion mbi 1 mijë e 300 ushtarë, duke qënë për herë të parë me këtë seriozitet dhe kapacitet operacional të madh ndonjëherë në numër të personelit, hapësira – poligonë dhe pajisje.

Rrugëtimi strategjik i Kosovës, është e arrituara më e madhe pas pavarësisë me formimin e ushtrisë, e cila po profesionalizohet çdo ditë e më shumë, që së shpejti të bëhet edhe pjesë e struktorore të NATO-së. Prezanca e ushtrive aleate në hapësirat e Ballkanit Perëndimor, përmes stërvitjeve ushtarake,  është garanci dhe përkushtim strategjik i yni dhe i partnerëve ndaj këtij rrugëtimi të Kosovës ndrejt NATO-së.

Stërvitja ushtarake Defender Europe 2023 do të vërtetojë kapacite të ndërveprueshmërisë së ushtrive aleate dhe të FSK, për të treguar gatishmërinë e lartë luftarake kurdo që kërkohet nevoja për të demonstruar forcën në proporcion me sulmin në kohë reale.

Sot siguria e Evropës dhe posaçërisht e Ballkanit Perëndimor, është rrezikuar nga diskursi nxitës i Serbisë, ku kurrë nuk ka qenë më në rrezik dhe hapur armiqësor përshkak të ngjarjeve dhe invazionit ushtarak të rus mbi Ukrainën.

Defender Europe 2023, natyrshëm vie si domosdoshmëri dhe përgjigjie e detyruar pas këtij realiteti dhe konstalacioni të ri gjeostrategjik, të definuar midis aleatëve perëndimor dhe botës armiqësore. Nevoja e reagimit gjeopolitik dhe ngritjes  së alarmit të gjendjes së gatishmërisë së lartë, testimit, dinamizimit të demonstrimit të forcave ushtarake të NATO-së karrshi kërcnimeve serioze, tregon për nevojën kësaj gatishmërie dhe këtyre stërvitjeve me qëllim që të ruajmë paqen dhe stabilitetin euroatlantik. 

Siguria e Ballkanit dhe hapsirës evropiane është interes gjeostrategjik i qytetarëve tonë, në rrugën e pakthim drejt NATO-së dhe BE-së, në kohën kur “Defender Europe 23” po zhvillohet në një situatë të tensionuar të luftimeve mbi 15 muajshe pas invazionit rus në Ukrainë, ku mundësia e të papriturave mund të ndalohen vetëm nga ShBA-ja dhe NATO për të garantuar sigurinë dhe ardhmen e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor si pjesë të saj.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Zhvillimi i qëndrueshëm shëndetësor në epokën pas pandemisë

Vendet në mbarë botën kanë shtuar përpjekjet për të arritur shëndet dhe mirëqenie për të gjithë.

Publikuar

nga

Nga Hsueh Jui-yuan

Derisa bota hyn në vitin e katërt të pandemisë COVID-19, situata po përmirësohet gradualisht. Shumica e kufizimeve kufitare janë hequr dhe qeverisja globale shëndetësore është zhvendosur nga reagimi pandemik në rimëkëmbjen pas pandemisë.

Vendet në mbarë botën kanë shtuar përpjekjet për të arritur shëndet dhe mirëqenie për të gjithë dhe për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të Kombeve të Bashkuara, përparimi i të cilave u ndikua nga pandemia.

Tajvani mbështet plotësisht këto objektiva që ndërlidhen me shëndetin dhe objektivat e ‘tre miliardë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë’.

Në të vërtetë, Tajvani është i përkushtuar të ndërtojë një zinxhir furnizimi të shërbimit shëndetësor më fleksibil, të barabartë, duke mbajtur një sistem mbulimi shëndetësor universal gjithëpërfshirës dhe duke ofruar parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve përmes një sistemi të fortë të kujdesit parësor shëndetësor.

Tajvani është i gatshëm dhe i aftë të ndajë përvojën e tij në krijimin e një qasjeje shëndetësore ndërsektoriale, inovative dhe të përqendruar te njerëzit për të ndihmuar komunitetin ndërkombëtar të punojë drejt realizimit të SDG-ve në lidhje me shëndetin dhe mirëqenien.

Gjatë pandemisë COVID-19, Tajvani zbuti në mënyrë efektive përhapjen e sëmundjes, duke shfrytëzuar sistemin e tij gjithëpërfshirës të kujdesit shëndetësor publik, personelin e mirë-trajnuar antipandemik dhe sistemet e mbikëqyrjes, hetimit dhe analizës epidemiologjike.

Modeli i reagimit antipandemik të Tajvanit përfshinte vendosjen paraprake dhe mekanizmat e reagimit të shpejtë.

Masat e tjera përfshinin politikat e kontrollit kufitar, shpërndarjen e koordinuar të burimeve mjekësore dhe një sistem transferimi të pacientëve për të parandaluar dhe frenuar pandeminë në një kohë kur vaksinat dhe ilaçet antivirale nuk ishin të disponueshme.

Populli Tajvanez ka luajtur një rol kryesor në suksesin e modelit antipandemik të Tajvanit duke veshur maska, duke praktikuar distancimin social, duke shmangur zonat e mbushura me njerëz, duke ndjekur rregulloret e karantinës dhe duke u vaksinuar.

Kur krahasohet me 38 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Singapori, Tajvani renditet i gjashti më i ulëti në shkallën e vdekshmërisë dhe vdekshmërisë nga COVID-19.

Tajvani gjithashtu renditet i katërti më i lartë për shkallën e mbulimit të të paktën një doze vaksine COVID-19 dhe i treti për sa i përket përforcuesve të vaksinave të administruara.

Promovimi i shëndetit për të gjithë

Vitin e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së përshkroi pesë prioritete për pesë vitet e ardhshme, të cilat janë promovimi i shëndetit, ofrimi i shërbimeve shëndetësore, mbrojtja e shëndetit, fuqizimi i përparimit dhe performanca.

Për më tepër, Arritja e mirëqenies së OBSH-së: Një projekt-kornizë globale për integrimin e mirëqenies në shëndetin publik duke përdorur një qasje të promovimit të shëndetit tregon më tej angazhimin e saj ndaj shëndetit për të gjithë.

Tajvani krijoi një sistem sigurimi universal të kujdesit shëndetësor në vitin 1995.

Që nga ajo kohë, qeveria ka vazhduar të ofrojë shërbime për parandalimin e sëmundjeve dhe kujdesin shëndetësor në mënyrë që njerëzit e të gjitha moshave të gëzojnë të drejtën e shëndetit.

Tajvani ofron kontrolle prenatale, shqyrtimin e diabetit gestacional, testimin e anemisë dhe tre ekzaminime me ultratinguj për të reduktuar rreziqet e shtatzënisë dhe për të promovuar shëndetin e nënës dhe foshnjave.

Për të ndihmuar çiftet infertile dhe për të zvogëluar barrën financiare të fekondimit in-vitro, qeveria ka vazhduar të zgjerojë programet e subvencionuara të trajtimit të infertilitetit.

Tajvani synon gjithashtu të krijojë një mjedis miqësor ndaj ushqyerjes me gji dhe të ofrojë kujdes shëndetësor parandalues ​​pediatrik dhe edukim shëndetësor.

Përveç kësaj, Tajvani ka krijuar një sërë programesh parandalimi dhe menaxhimi për sëmundjet jo ngjitëse.

Për shembull, programet që synojnë sëmundjet kronike metabolike ndihmojnë grupet e rrezikuara, duke ofruar shërbime të tilla si udhëzime dietike dhe ushtrime, si dhe informacione për ndërprerjen e duhanit.

Nisma të tilla përmirësojnë jetën dhe reduktojnë prevalencën e presionit të lartë të gjakut, kolesterolit të lartë dhe sheqerit të lartë në gjak, të cilat shpesh çojnë në sëmundje kronike.

Tajvani gjithashtu mbështet luftën globale kundër kancerit dhe objektivin e OBSH-së për të reduktuar vdekshmërinë nga kanceri me 25 për qind deri në vitin 2025.

Në përputhje me Iniciativën e OBSH-së për Eliminimin e Kancerit të Qafës së mitrës, Tajvani subvencionon ekzaminimet e qafës së mitrës dhe vaksinat kundër papillomavirusit njerëzor.

Vaksinat kundër HPV-së u janë administruar studenteve femra të moshës 12 deri në 15 vjeç që nga viti 2018. Deri në dhjetor 2022, ishte arritur një shkallë mbulimi prej 92.1 për qind.

Teknologji inovative dhe mbulim universal shëndetësor

Sigurimi Kombëtar Shëndetësor i Tajvanit (NHI) është një shembull kryesor i mbulimit shëndetësor universal, duke ofruar mbrojtje financiare dhe akses në një gamë të gjerë shërbimesh thelbësore. Pandemia e COVID-19 ndihmoi komunitetin ndërkombëtar të njohë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe dixhitalizimit në kujdesin shëndetësor.

Tajvani është i përkushtuar të promovojë shëndetin dhe inovacionin dixhital për të përmirësuar aksesin dhe cilësinë e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë planet për një program të gjeneratës së ardhshme NHI.

Tajvani ka prezantuar shërbime inovative të kujdesit shëndetësor, duke përdorur konsultime në kohë reale për pacientët që banojnë në zona të largëta dhe ishuj periferikë, dhe po eksploron aplikacione për inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera në zhvillim.

Gjatë pandemisë, Tajvani lëshoi ​​13 licenca eksporti për formulën e tij bimore NRICM101 (Taiëan Chingguan Yihau) për të ndihmuar vendet në rajon të luftojnë pandeminë.

Tajvani aktualisht po zbaton masa parandaluese për epokën pas pandemisë, të tilla si forcimi i prodhimit vendas të barnave kritike dhe përbërësve aktivë farmaceutikë për të shmangur mungesat e ardhshme të barnave.

Duke kuptuar se sa e rëndësishme është të punosh me komunitetin ndërkombëtar, Tajvani do të ndajë më tej teknologjitë inovative dhe praktikat më të mira me partnerët në mbarë botën për të avancuar mbulimin shëndetësor universal.

Tajvani mund të ndihmojë dhe Tajvani po ndihmon

Tajvani nuk është ftuar në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë që nga viti 2017. Tani që pandemia COVID-19 po pakësohet dhe dialogu për forcimin e sistemeve shëndetësore në mbarë botën po përshpejtohet, Tajvani nuk duhet të lihet jashtë.

Tajvani mund të ndihmojë, dhe përfshirja e Tajvanit do ta bënte botën më të shëndetshme, më të qëndrueshme dhe më të barabartë.

Tajvani i kërkon OBSH-së dhe të gjithë aktorëve përkatës të mbështesin përfshirjen e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë si vëzhgues, si dhe pjesëmarrjen e plotë të Tajvanit në takimet, mekanizmat dhe aktivitetet e OBSH-së.

Tajvani do të vazhdojë të punojë me botën për të ndihmuar në sigurimin e të drejtës themelore për shëndetin e sanksionuar në Kushtetutën e OBSH-së. Në frymën e SDG-ve, asnjë vend nuk duhet të lihet pas – veçanërisht jo Tajvani, i cili ka dhënë kontribut të rëndësishëm në shëndetin publik global.

Dr. Hsueh Jui-yuan është Ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies i Tajvanit

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara