Aktualitet

Ekonomistët nga Kosova, për mini-Shengenin Ballkanik

Publikuar

Pjesë e dakordimit të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë ishte edhe përfshirja në projektin për lëvizjen e lirë që është bërë i njohur si “mini-Shengeni Ballkanik”.

Projekti deri javën e kaluar është kundërshtuar nga autoritetet dhe partitë politike në Kosovë.Drejtori i Odës ekonomike amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Zërin e Amerikës se përfshirja amerikane në promovimin e zonës së veçantë ekonomike ka shtyrë autoritetet e Kosovës që të përfshihen në zonën e ashtuquajtur mini Shengen.Sipas tij, zona synon çuarjen përpara të lirisë së lëvizjes së njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit.

“Ne e kemi parë këtë edhe si një mundësi që të eliminohen të gjitha barrierat teknike edhe barrierat tjera që kanë për bazë edhe mospajtimet politike ndërmjet shteteve sidomos në raport me Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë shtete këto që nuk e njohin fare Republikën e Kosovës. Pra një bashkëpunim i një forme të re pashmangshëm do ta vendos edhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve në një dimension të ri”, tha zoti Zeka.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu i cili e ka udhëhequr edhe Odën ekonomike të Kosovës thotë se e veçanta e marrëveshjes në Washington është garantimi nga Shtetet e Bashkuarapër mbështetje financiare e cila sipas tij do të ngritë përfitimet e palëve për këtë zonë.“Ju po e shihni do të investohet në infrastrukturë, do të investohet në Shqipëri, në Serbi, në Kosovë, do të investohet me siguri edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje dhe e tëra i jep kjo një dimension të rid he një kuptim të ri këtij termi prandaj nuk duhet të kemi frikë por të përgatitemi për sfidat të cilat do të ballafaqohemi të ardhmen dhe në këtë drejtim sundimi i rendit dhe ligjit, ekonomia, edukimi duhet të jenë shtyllat kryesore të arritjes së objektivave të caktuar”, tha zoti Gërxhaliu.

Kritikët e marrëveshjes së zonës së mini Shengenit kanë ngritur shqetësime për pabarazinë ekonomike me të cilën përballet Kosova kundruall vendeve të rajonit që synojnë këtë zonë. Ata thonë se Kosova do të humb shumë pasi që prodhimtaria paarqet një përqindje të vogël të ekonomisë së Kosovës.

Ekonomistët thonë se ekziston rreziku i konkurrencës, por, sipas tyre me përfshirjen e Kosovës në zonën e mini Shengenit do të hapen mundësi për prodhuesit e vendit.“Megjithatë ne kemi një mundësi unike që të mbështesim tashmë ndërmarrjet edhe prodhuese që të fuqizojnë kapacitetet e tyre, është një pikë e rëndësishme brenda marrëveshjes të Washingtonit që parasheh që dy institucione financiare të SHBA-ve të ofrojnë mes tjerash edhe lehtësim në qasje në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme edhe nëse supozojmë brenda kësaj kategorie të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë një pjesë e ndërmarrjeve prodhuese ja ku është një mundësi e re që del prej marrëveshjes e që ato mund të shfrytëzohen para se Kosova të bëhet palë e një marrëveshje të tillë, modalitetet e së cilës unë mendoj që do të marrin kohë që përcaktohen që do të thotë nuk është një marrëveshje e cila do të hyjë në fuqi brenda ditësh apo javësh”, tha zoti Zeka.

“Në fund të fundit ne nuk duhet të kemi frikë nga konkurrenca sepse duhet të rrisim kapacitetet tona, paramendoni në qoftë se në vitin 1958 kur është nënshkruar Traktati i Romës vendet evropiane nuk kishin dëshiruar të jenë pjesë e Bashkimit Evropian sepse Gjermania ka qenë një ekonomi e fuqishme dhe sot është një super fuqi botërore, për shembull një Itali, Belgjikë, Austria ta kundërshtojnë këtë projekt sepse do të na gëlltit ekonomia gjermane mirëpo po e shihni që definitivisht mu partneriteti me Gjermaninë i forcon ato vende”, tha zoti Gërxhaliu.

Shengeni Ballkanik, një nismë e përbashkët e udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut synon që brenda vitit 2021 të mënjanojë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit. Jashtë këtij procesi deri më tash kanë mbetur Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Vazhdo të lexosh

Bota

Ekonomia gjermane sheh tkurrjen vjetore të pestë radhazi të PBB-së

Publikuar

nga

Ekonomia gjermane është tkurrur me 0.2% në tremujorin e parë të vitit 2024 në bazë vjetore, deklaroi të martën departamenti i statistikave të vendit Destatis. Që nga fillimi i vitit të kaluar, ekonomia gjermane është tkurrur çdo vit për pesë tremujorë radhazi.

Vitin e kaluar, ekonomia gjermane u tkurr me 0.2% në tremujorin e parë, të dytë dhe të katërt, dhe 0.4% në tremujorin e tretë, në bazë vjetore. Në bazë tremujore, produkti i brendshëm bruto (PBB) i vendit u rrit lehtësisht me 0.2% në periudhën janar-mars.

PBB-ja u tkurr me 0.5% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Për shkak të dy rënieve të njëpasnjëshme të PBB-së, ekonomia gjermane kishte hyrë edhe në një recesion teknik vitin e kaluar.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

Qeveria mban mbledhje elektronike

Merr dy vendime.

Publikuar

nga

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë dy vendime.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – Neni 1.

Qeveria po ashtu ka themeluar Komisionin e Pranimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas konkursit të shpallur me datën 14.03.2024.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

Rama nis vizitën zyrtare në Paris, takim ‘kokë më kokë’ me presidentin Macron

Vizita bëhet me ftesë të presidentit Macron.

Publikuar

nga

Kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Paris me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Konkretisht, ditën e premte në orën 8:30, kryeministri Rama do të zhvillojë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës MEDEF, nën drejtimin e z. Jean-Paul Agon, president i grupit L’Oréal dhe i komitetit Francë-Shqipëri në MEDEF, me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve të kompanive prestigjoze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit. Gjatë takimit do të prezantohen disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe më pas kryeministri Rama do të zhvillojë takime individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse, shkruan Top chanel, transmeton KosovaPress.

Të premten, në orën 12:30, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13.00, Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga Presidenti francez Emmanuel Macron me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.

Në orën 14:45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë mes tyre.

Axhenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.

Vazhdo të lexosh

Aktualitet

​Vdes ish-gazetari Arben Rugova

AGK-ja i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit. 

Publikuar

nga

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e gazetarit, Arben Rugova. Në njoftim thuhet se ai ka punuar në sektorin e arsimit dhe të politikës në disa media si Koha Ditore, Gazeta Express, Telegrafi, Gazeta Lajmi e të tjera.

Rugova punonte së fundi si Zyrtar për Qasje në Dokumente Publike në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës. Për vdekjen e gazetarit Rugova, kanë njoftuar familjarët e të ndjerit në rrjetet sociale.

AGK-ja i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara