Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar atë si tendencioze dhe një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.
Të martën, Qeveria e Kosovës reagoi ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila konstatoi se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë është e kundërligjshme dhe përbën shkelje të dispozitave kushtetuese.
Në reagimin e saj, Qeveria në detyrë shprehu “shqetësim” dhe e kundërshtoi aktgjykimin e Supremes, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar”.
Gjykata Supreme shfuqizoi si të paligjshëm një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati.
Ky udhëzim, që lidhej me shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve përkatës, ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill, një ditë pas miratimit nga Murati, i cili tashmë kishte marrë mandatin si deputet pas zgjedhjeve të shkurtit.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Në një deklaratë publike të mërkurën, Gjykata theksoi se komentet e Qeverisë përbëjnë keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore dhe cenojnë legjitimitetin e saj.
“Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues”, thuhet në reagim.
Supremja thekson se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe pret që institucionet shtetërore të zbatojnë vendimet gjyqësore si kusht për funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Çdo përpjekje për të politizuar vendimet gjyqësore dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet më tej.
Ndërkohë, ministri në detyrë, Hekuran Murati, e kundërshtoi vendimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar si “absurd” dhe duke kritikuar publikisht me emër gjyqtarët e Supremes.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale,” tha ai.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës shkroi në Facebook se Gjykata Supreme “qartësoi përfundimisht” se ministrat që tashmë janë deputetë nuk mund të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ.
Ligji për Qeverinë parashikon se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon marrjen e vendimeve madhore./REL