Autoritetet palestineze kanë paralajmëruar për një krizë akute humanitare në Rripin e Gazës, ku sipas tyre nevojiten të paktën 500 mijë thasë me miell çdo javë për të shmangur urinë në masë, në një territor të rrethuar dhe të izoluar prej muajsh nga ushtria izraelite, raporton agjencia Anadolu.
“Uria po bëhet më e rëndë dhe e përhapur në Gaza për shkak të mbylljes së plotë të të gjitha kalimeve nga pushtimi izraelit për 145 ditë dhe ndalimit të hyrjes së formulës(ushqimore) për foshnje dhe ndihmës humanitare” thuhet në një deklaratë të zyrës së medias së qeverisë së Gazës.
Deklarata zyrtare mohon pretendimet se hyrja e disa kamionëve me ndihma ka zbutur situatën, duke e quajtur këtë një “narrativë mashtruese dhe shtrembërim të qëllimshëm të realitetit në terren”.
Sipas kanalit shtetëror egjiptian Al-Qahera News, nga e mërkura e kaluar kanë hyrë në Gaza 166 kamionë me ndihma përmes pikave kufitare Zikim në veri dhe Kerem Shalom në jug. Megjithatë, sipas autoriteteve palestineze, ky është një volum ndihmash shumë i pamjaftueshëm për të përballuar krizën masive të urisë që po përshkon enklavën.
“Gaza ka nevojë urgjente për të paktën 500.000 thasë me miell në javë për të shmangur një kolaps të plotë humanitar” tha zyra.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga tetori i vitit 2023, të paktën 111 persona – shumica fëmijë dhe të moshuar – kanë humbur jetën për shkak të urisë dhe kequshqyerjes.
Kriza humanitare po thellohet në kushtet kur Izraeli ka vonuar zbatimin e marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve me Hamasin, duke mbajtur të mbyllura kalimet kufitare që nga 2 marsi. Si pasojë, qindra kamionë me ndihma mbeten të bllokuar, të paaftë për të kaluar në territorin palestinez.
Fushata ushtarake izraelite, që nisi në tetor 2023 pas sulmit të Hamasit, ka vrarë mbi 59.200 palestinezë, sipas të dhënave lokale, shumica gra dhe fëmijë. Infrastrukturat kryesore të Gazës, përfshirë sistemin shëndetësor, janë shkatërruar, ndërsa mungesa ekstreme e ushqimit po rrezikon jetën e qindra mijëra civilëve.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Ndërkohë, Izraeli përballet edhe me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), për shkak të operacioneve ushtarake dhe pasojave të tyre shkatërrimtare për popullsinë palestineze.
Krizat e njëpasnjëshme në Gaza kanë shtuar thirrjet ndërkombëtare për veprim urgjent dhe për lehtësimin e aksesit të ndihmës humanitare në territorin e rrethuar.