Lajmet

​Trupi gjykues rrëzon kërkesën e ZPS-së, urdhëron që të thërras dëshmitarin 1 për të dhënë dëshminë

ZPS-ja ka kërkuar që të pranohen si prova deklaratat e mëhershme me shkrim të këtij dëshmitari.

Published

on

Trupi gjykues në çështjen ndaj Pjetër Shalës ka rrëzuar kërkesën e ZPS-së që të pranohen si prova, deklaratat e mëhershme me shkrim të dëshmitarit 1. Sipas trupit gjykues, forma më e përshtatshme për t’i paraqitur provat ky dëshmitar, është përmes dëshmisë së plotë. Trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që të thërras në dëgjim këtë dëshmitar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në hapjen e seancës së sotme gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se ka nxjerrë vendim me gojë sa i përket mocionit të Prokurorisë së Specializuar për pranimin e provave të dëshmitarit 1. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të pranohen si prova deklaratat e mëhershme me shkrim të këtij dëshmitari.

“Në kërkesë ZPS kërkon që të pranohen si prova, deklaratat e mëhershme me shkrim të dëshmitarit 1 që ka marrë ZPS-ja si dhe materiale shoqëruese, në rast se përmbushën kërkesat e rregullës 154 të rregullores. ZPS-ja parashtron se pranimi i materialeve në lidhje me këtë dëshmitar do të mundësojë një vlerësim të plotë të këtij dëshmitari, ndërsa pyetjet e drejtpërdrejta mund të fokusohen në çështje që janë në themel të çështjes gjyqësore, si ri-freskimi i kujtesës së dëshmitarit, vendosja e pyetjeve në kontekst si dhe marrja e dëshmive lidhur me aspektet e rëndësishme të rrëfimit të dëshmitarit. Kjo nga ana tjetër do të ndihmojë që të ulet numri i orëve që nevojiten për pyetjet e drejtpërdrejta. Kemi marrë kundërshtime lidhur me këtë kërkesë nga mbrojtja, në materialin 485, më 14 prill 2023 dhe mbrojtja parashtron se duke mbajtur parasysh historikun e këtij dëshmitari si dhe kontradiktat në dëshminë e tij, materiali që kërkohet për t’u pranuar nga prokuroria, nuk është i besueshëm dhe duhet të konstatohet si material i papranueshëm, për të garantuar të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë”, ka thënë gjykatësja.

Mbrojtja ka kërkuar që nëse trupi gjykues e pranon materialin, të kërkojë të pranohen si prova materiale që lidhen me karakterin e dëshmitarit, besueshmërinë edhe të shkuarën e tij kriminale.

“Kemi marrë edhe kundërpërgjigje nga ZPS, në materialin 493, me datën 24 prill 2023 se mospërputhshmëria që pretendon mbrojtja në materialin e ofruar nga ZPS, janë çështje që duhet t’i eksplorojë mbrojtja në kundër-pyetje nëse dëshiron dhe t’i vlerësojë trupi gjykues gjatë momentit që bëhet gjykimi. Sa i takon materialeve që kërkon mbrojtja për tu pranuar, ZPS pretendon se kërkesa nuk është e vlefshme, sepse ka ardhur në formën e një përgjigje. Krahas kësaj, ZPS parashtron që materialet nuk përmbushin standardin e pranueshmërisë, sipas rregullës 138, pika 1 e rregullores dhe duhet rrëzuar”, ka thënë ajo.

Gjykatësja Veldt-Foglia ka rikujtuar se është në kompetencën e trupit gjykues që të përcaktojë formën më të përshtatshme e dëshmisë, apo modalitetin e parashtrimit si provë për çdo material që palët kërkojnë. Sipas ZPS-së dhe mbrojtjes, siç ka thënë kryetarja e trupit gjykues, dëshmitari 1 është i rëndësishëm dhe i kontestuar.

“Rregulla 154 e rregullores lejon që të kursehet koha dhe të shfrytëzohet më së miri, por në të njëjtën kohë respektohet edhe një proces i drejtë dhe të drejtës e palës kundërshtare për të kundërpyetur dëshmitarin në mënyrë të njëmendtë. Sipas ZPS-së edhe mbrojtjes, dëshmitari 1 është dëshmitar i rëndësishëm dhe i kontestuar dhe nuk mund të vendoset paraprakisht që dëshmia që mund të japë ky person mund të ketë mospërputhshmëri të mundshme dhe kontradikta. Krahas kësaj, do të duhet sidoqoftë një kohë e konsiderueshme dhe jo më pak se tetë orë, sipas ZPS-së, për të përfunduar procesin që i nevojitet këtij dëshmitari për të dhënë dëhsminë në këtë sallë gjyqi në raport me deklaratat e tij të mëhershme, në përputhje me rregullën 154 C të rregullores”, ka thënë kryegjykatësja Veldt-Foglia.

Përmes urdhrit me gojë,kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar se nuk është miratuar mocioni i ZPS-së, me ç’rast, ka shtuar se është rrëzuar kërkesa dhe kanë urdhëruar që të thirret dëshmitari 1 që të japë dëshminë.

“Trupi gjykues vlerëson se do ta marrë parasysh natyrën e dëshmisë që pritet të japë ky dëshmitar, përfshirë ndonjë mospërputhshmëri dhe kontradiktë të mundshme lidhur me aspektet e rëndësishme të dëshmisë së tij, deklaratat e mëhershme që palët mund t’i paraqesin dëshmitarët, sikurse deri në parashtrimin e tyre si dhe koha që nevojitet nga ZPS për të përfunduar pyetjet e mbetura të drejtpërdrejta. Atëherë, provat e këtij dëshmitari sipas trupit gjykues, nuk janë të përshtatshme për procesin gjyqësor, në përputhje me rregullën 154 të rregullores. Trupi gjykues konstaton se forma më e përshtatshme për t’i paraqitur provat dëshmitari 1 është përmes dëshmisë të plot. Për këtë arsyeje, trupi gjykues rrëzon kërkesën e ZPS-së dhe urdhëron ZPS-në të thërras dëshmitarin 1 që të jap dëshminë në mënyrë të drejtpërdrejtë, tërësisht”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues në përfundim të urdhrit me gojë.

Trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që të dorëzojë brenda të premtes, 12 maj, një përllogaritje të kohës që nevojitet për të marrë në pyetje dëshmitarin 1.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është nxjerrë vendim me gojë lidhur me kërkesën e prokurorit të specializuar për të ndryshuar listën e provave materiale.

“ZPS kërkon që të shtojë në listën e provave materiale një sërë dokumentesh zyrtar, fotografi dhe video të vendeve të pretenduara ku kanë ndodhur krimet, që janë mbledhur pas një vizite që është bërë në këtë vend nga ZPS, në fillim të këtij viti. Kemi konstatuar që mbrojtja nuk ka paraqitur kundërshtim në lidhje me këtë pjesë që është parashtrimi i 489, 1 maj 2023. Nuk kemi marrë asnjë parashtrim as prej mbrojtësit të viktimave. Trupi gjykues është i bindur se kërkesa është dorëzuar në kohë dhe është dorëzuar menjëherë pasi është marrë materiali. Trupi gjykues është i mendimit se mund ta ndihmojë trupin gjykues që të kuptojë vendin e mundshëm e pretenduar të krimit dhe po ashtu vëm re që s’ka asnjë kundërshtim nga mbrojtja dhe e miratojmë kërkesën”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Trupi gjykues ka kërkuar dorëzimin e një liste të përditësuar të provave materiale brenda 12 majit. Urdhri tjetër me gojë ka të bëjë me përcaktimin e hapave të mëtejshëm procedural për paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave. Trupi gjykues ka vendosur që viktimat duhet të paraqesin provat e tyre nëse kanë para ZPS-së dhe para mbrojtjes. Nëse viktimat dëshirojnë të paraqesin mendimet dhe shqetësimet e tyre para trupit gjykues, mund ta bëjnë këtë pasi ka mbyllur provat ZPS dhe para se të fillojnë paraqitjen e provave mbrojtja.

Trupi gjykues ka udhëzuar që brenda 30 qershorit të dorëzohet një listë e dëshmitarëve që propozojnë të thërrasin në dëgjim. Në seancën e sotme ka lëshuar pesë urdhra me gojë. Seanca e caktuar për nesër është anuluar, ndërsa gjykimi do të rinisë më 19 maj.

Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Pjetër Shala e ka ndjekur edhe këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit, ku ndodhet prej marsit të vitit 2021. Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Lajmet

Qeveria e Kosovës nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës

Published

on

By

Procesi i ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare – do të fillojë në pasditen e 1 korrikut, ka bërë të ditur Qeveria në detyrë.

Gurthemelet e dy urave të reja, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, do të vendosen të martën, në orën 17:00.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave; Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Qeveria në detyrë e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha më herët se projekti për ndërtimin e urave është iniciuar me kërkesë të dy komunave, si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.

Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.

Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar:

Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër“.

Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.

Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.

Një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviq, beson se këto ura janë të panevojshme.

Ndërtimi i këtyre urave “do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, ka thënë Millunoviq.

Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë”, është shprehur ai për Radion Evropa e Lirë.

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, ka thënë se mbështet çdo ndërtim urash, pasi ato janë simbol i lidhjes mes njerëzve, kulturave dhe dallimeve, por ka shtuar se për momentin, ka çështje më me prioritet për t’u trajtuar.

Qyteti i Mitrovicës u nda në periudhën e pasluftës, ndërsa në vitin 2013 u nda edhe zyrtarisht në dy komuna: Mitrovica e Jugut e banuar me shumicë shqiptare, dhe Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe.

Në mes të qershorit të 2025-tës u formua edhe një bord i përbashkët i këtyre dy komunave, bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim “përafrimin e qytetarëve”.

Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik – gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare.

Misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR – ushtarët e të cilit janë të stacionuar në urën kryesore mbi lumin Ibër – kishte thënë atëkohë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret brenda kornizës së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ka rrezik real nga hapja e urës në Mitrovicë, i cili mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më pas se Qeveria e tij do t’i vazhdonte konsultimet dhe koordinimin në lidhje me hapjen e urës, duke theksuar se kjo çështje nuk është e drejtuar kundër askujt.

Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

I ashtuquajturi rivitalizim i urës u planifikua me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës.

Më pas, në vitin 2016, u miratua një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017.

Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./REL

Continue Reading

Lajmet

​Deputetja e LVV-së i akuzon për “qasje bllokuese” partitë që ishin në opozitë

Published

on

By

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza deklaroi se partitë që deri më tash ishin në opozitë kanë “qasje bllokuese”. Sipas saj, të njëjtat po veprojnë në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo u ka bërë thirrje partive tjera politike që të marrin pjesë në votim për komisionin e votimit të fshehtë.

Edhe sot në këtë vazhdim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetët e grupit tonë parlamentar dhe deputetët nga komunitet jo-shumicë ishin prezentë dhe e votuan komisionin për votim të fshehtë. Si një nga mënyrat përmes së cilës do të zgjidhet kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe në këtë seancë, veçanërisht tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e kemi sjelljen e deputetëve të opozitës të cilët veprojnë në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos marrë pjesë në votim. Kurse, është krejtësisht e qartë që është obligim i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës pjesëmarrja në votim dhe votimi i Kuvendit të Kosovës. Prej se ka filluar kjo legjislaturë ne kemi pasur një qasje bllokuese nga ana e opozitës, ajo qasje vazhdoi edhe sot”, deklaroi ajo.

Deputetët dështuan për të dyzetën herë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit. Ata do të mblidhen sërish të enjten, në orën 11:00.

Continue Reading

Lajmet

​PDK me aksion simbolik, deputetët qëndrojnë në sallë pas dështimit të seancës

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar simbolikisht në sallë pas dështimit të dyzet për konstituim të Kuvendit. Deputetja Vlora Çitaku tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari po e shkel Kushtetutën. Ajo i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim dhe për kthim në rend të ditës.

Pas dështimit të dyzet për konstituim të Kuvendit, Çitaku tha se është e turpshme se si seancat po përfundojnë për dy minuta.

Fatkeqësisht, edhe sot, sërish me vetëdije të plotë, zotëri Dehari, Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën. I bëjmë thirrje edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, të kthehemi në sallë pasnesër, t’i kthehemi rendit të ditës, të konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe të bëjmë punën tonë. Puna jonë nuk është që të vijmë këtu e të defilojmë çdo 48 orë, puna jonë është të ndërtojmë institucionet, të ndërtojmë qeverinë, të merremi me hallet e sfidat e qytetarit të Republikës së Kosovës e jo me egon e zotëri Kurtit. Ne qëndruam simbolikisht në sallë edhe herën e kaluar edhe sot më gjatë, sepse është e turpshme që të vijmë këtu e të rrijmë nga dy minuta e të largohemi sikur të mos ndodhë asgjë”, deklaroi Çitaku.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku tha se nesër do të zhvillohet takimi i ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, ku bëri të ditur se i pranishëm do të jetë kryetari Memli Krasniqi.

Ne kemi qenë vazhdimisht të gatshëm për zgjidhje dhe do të marrim pjesë, kryetari Krasniqi do të marrë pjesë në takim, shpresojmë në reflektim. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, ne besojmë që edhe zotëri Kurti të fillojë të lexojë dhe të kuptojë drejt në shqip”, përfundoi ajo.

Continue Reading

Lajmet

Çitaku akuzon VV-në për shkelje të Kushtetutës: PDK vazhdimisht e gatshme për zgjidhje

Published

on

By

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas ndërprerjes për herë të 40-të të seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryesuesin Avni Dehari për shkelje të Kushtetutës.

Fatkeqësisht edhe sot, me vetëdije të plotë, po e shkelin Kushtetutën”, tha ajo para mediave. Çitaku theksoi se PDK është gjithmonë e gatshme për zgjidhje dhe i bëri thirrje LVV-së që të reflektojë dhe të kthehet në sallë për ta vazhduar punën.

Continue Reading

Të kërkuara