Lajmet

​Ahmeti: Kosova i ka votat e gatshme për fazën e parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës

Sipas të dytit në MPDJ, institucionet në Kosovë kanë bërë lobim intensiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Publikuar

Kosova i ka votat e gatshme për të kaluar fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Ai në diskutimin e organizuar nga Instituti për Studime Politike (PIPS) të martën në Prishtinë, tha se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pret që Kosova të anëtarësohet në afat rekord. Megjithatë ishte i rezervuar për të dhënë një datë kur Kosovës do t’i hapet dera përfundimisht për anëtarësim në KiE.

“E jona si Qeveri e Republikës së Kosovës ka qenë që të iniciojmë këtë proces dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Unë nuk e di se kur do të përfundojë, por jam optimist se në raport me vendet e tjera të rajonit do të kemi një afat rekord, përveç Malit të Zi, që ka pasur një situatë të veçantë pas pavarësimit nga unioni që ka pasur së bashku me Serbinë. Por në vendet e tjera besoj se do të kemi një afat rekord. Mirëpo, po ashtu e di se po të bënim me vendet e tjera tashmë do të ishim”, tha ai.

Sipas të dytit në MPDJ, institucionet në Kosovë kanë bërë lobim intensiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kemi bërë lobim intensiv që nga aplikimi në Këshill të Evropës. Është bërë punë e madhe veçmas në Strasburg. Konsullata e përgjithshme që drejtohet nga ambasadori Lulzim Hyseni ka realizuar mbi 200 takime, janë organizuar një numër i madh i aktiviteteve kulturore, kanë qenë diku tetë vizita nga niveli i lartë i MPJD-së dhe gjithashtu edhe delegacioni ynë në Asamblenë Parlamentare përgjatë pjesëmarrjes në sesione ka bërë një punë të jashtëzakonshme… Si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës tashmë i ka votat e gatshme për të kaluar fazën e parë që e përmenda në nivelin e ambasadorëve te Komiteti i Ministrave. Këto janë mbi dy të tretat e nevojshme dhe po ashtu me konstruktivitet edhe të vendeve mos njohëse”, shtoi Ahmeti.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha që pret që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Unë pres që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës për dy arsye. Të gjithë janë të vetëdijshëm se shumica e shteteve që janë anëtare aty nuk i kanë dispozitat kushtetuese-ligjore më të mira se ne. Nëse shohim me kujdes se kush është Kushtetuta e Kosovës, por mbi gjitha edhe zbatimi dhe tereni i Kosovës, tregon se 80 për qind të serbëve të Kosovës jetojnë në territor të vetëqeverisur me 24 kompetenca në 11 komuna. Kjo tregon se ligjet e diskriminimit pozitiv janë krejt në fuqi, mbi të gjitha ne nuk mund të ndryshojmë asnjë ligj vital dhe kushtetutën që prek pakicat në raport me shumicën. Krejt fryma institucionale dhe kushtetuese është multietnike”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, Kushtrim Istrefi, profesor i të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Utrecht-it, tha se opinioni ligjor i Zyrës Ligjore të Këshillit të Evropës ka qenë i rëndësishëm për Kosovën, ku është sqaruar se për anëtarësimin e Kosovës në KiE nevojiten dy të tretat e votave dhe jo unanimitet i plotë.

“Kjo është qartësuar në opinionin ligjor të Zyrës Ligjore të Këshillit të Evropës se nevojiten vetëm dy të tretat në votën e parë të Komitetit të Ministrave që do të votohet nga ambasadorët atje. Ky ka qenë sqarim i domosdoshëm dhe i një rëndësi jetike për Kosovën, pasi nëse do të ishte me unanimitet do të ishte e vështirë për Kosovën të anëtarësohet”, theksoi ai.

Faza e dytë për anëtarësim në Këshill të Evropës është kur Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i kërkon Asamblesë Parlamentare një mendim për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022.

Lajmet

Gjermani: Rrjeti i transportit publik hyn në grevë, punëtorët kërkojnë paga më të larta

Dy nga sindikatat më të mëdha të Gjermanisë po kërkojnë paga më të larta.

Publikuar

nga

Rrjeti i transportit të Gjermanisë është pothuajse në një ndalesë, kjo pasi vendi përjeton një nga grevat më të mëdha në dekada.

Stafi në aeroporte, porte, hekurudha, autobusë dhe metro u largua pak pas mesnate për një ndalim 24-orësh.

Dy nga sindikatat më të mëdha të Gjermanisë po kërkojnë paga më të larta për në koston e jetesës.

Ministrja e Brendshme e vendit Nancy Faeser tha se ishte optimiste se një marrëveshje do të arrihet këtë javë.

“Shumë punonjës të shërbimeve publike po vuajnë çmimet e larta të energjisë dhe inflacionin e lartë” i tha ajo Reuters të hënën. “Kjo është arsyeja pse është detyra jonë të gjejmë një marrëveshje të mirë”.

Kohët e fundit ka pasur largime nga nëpunës të tjerë publikë.

“Megagreva” e së hënës, siç është quajtur në mediat lokale, ka prekur trenat e udhëtarëve dhe rajonalë të operuar nga Deutsche Bahn, operatori hekurudhor kombëtar i Gjermanisë.

Shërbimet e transportit lokal, përfshirë tramvajet dhe autobusët, gjithashtu nuk funksionojnë në shtatë shtete.

“Çmimet e benzinës dhe të ushqimeve janë rritur”, tha një protestues në Berlin për agjencinë e lajmeve AFP. “Po e vërej në portofolin tim”.

Mijëra fluturime janë anuluar, përfshirë dy nga aeroportet më të mëdha të vendit – Mynihut dhe Frankfurtit.

Fluturime të shumta nga aeroporti i Mynihut gjithashtu u ndërprenë të dielën nga aksionet e grevës./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Suedia ofron mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

U tha se Suedia po punon edhe për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE.

Publikuar

nga

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë priti të hënën në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund. Aty u konfirmua mbështetja e Suedisë ndaj Kosovës në proceset euro-integruese, veçmas në anëtarësimin në Këshill të Evropës. Derisa u bë e ditur se kompania suedeze e veturave Volvo pritet të hap së shpejti degën e saj në Kosovë.

Pas takimit me ambasadorin Westerlund, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Hyseni-Kryeziu, në një konferencë për medie, tha se Suedia e cila udhëheq me Këshillin e Bashkimit Evropian, po punon edhe për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE.

“Me ambasadorin Westerlund folëm specifikisht për proceset integruese në për të cilat po kalon Kosova dhe atë që Suedia po bën gjatë këtyre muajve kur edhe po udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian. Sigurisht ka mundësi që nga afër të diskutojë qoftë me pesë vendet jonjohëse apo me vendet të tjera që janë të përfshira në proceset integruese, në të cilat është e përfshirë edhe Republika e Kosovës. Këtë po e bën dhe po e mbështetë jashtëzakonisht shumë shtetin tonë. Ne kemi parë se Suedia publikisht dhe hapur e ka ofruar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe ka pranuar edhe aplikacionin për anëtarësim në Bashkim Evropian. Këtu pozicioni i tyre mbetet pak më i mbyllur për shkak të faktit se ata po udhëheqin me presidencën, jo se ata janë kundër apo kanë vërejtje për këtë çështje”, tha ajo.

Krahas kësaj, Kryeziu-Hyseni bëri të ditur se ambasadori Westerlund iu ka konfirmuar se shumë shpejt kompania Volvo do të hap degën e saj më të re në Kosovë.

“Po punohet jashtëzakonisht shumë që të sjellën investitor të huaj, më specifikisht nga Suedia në Republikën e Kosovës. Me sa duket na u tha se jo shumë larg do të shkojë prej kur Volvo do të hap degën e saj më të re këtu në Kosovë. Jo vetëm Volvo, kemi edhe dy kompani të rëndësishme që tashmë kanë hapur bizneset e tyre”, tha ai.

Në anën tjetër, ambasadori suedez në PrishtinëJonas Westerlund nuk pranoi të prononcohet para mediave në lidhje me këtë takim.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Macron mban një takim për krizën aktuale në vend

Macron tha javën e kaluar se ai pranoi “jopopullaritetin” që erdhi me reformën.

Publikuar

nga

Presidenti Emmanuel Macron thirri ministrat e qeverisë për një takim krize të hënën, ndërsa tensionet u rritën një ditë përpara një dite tjetër të madhe grevash dhe protestash kundër reformave të tij të pensioneve.

Gati dy javë pasi Macron e futi ligjin e ri në parlament duke përdorur një dispozitë të veçantë duke anashkaluar çdo votë, sindikatat janë zotuar të mos pushojnë nga protestat masive për të bërë që qeveria të tërhiqet.

Macron tha javën e kaluar se ai pranoi “jopopullaritetin” që erdhi me reformën.

Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, ndërkohë tha se ndërsa nuk kishte plan për të hequr legjislacionin, ajo ishte gati për një dialog të ri me sindikatat.

Duke filluar nga e hëna, Borne ka planifikuar bisedime për tre javë, përfshirë anëtarët e parlamentit, partitë politike, autoritetet lokale dhe sindikatat.

Një vizitë shtetërore në Francë nga Mbreti Charles III i Britanisë, e cila duhej të fillonte të dielën, u shty për shkak të trazirave aktuale./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Abazoviq propozon që raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi të mbahet në Malin e Zi

“Jemi të përgatitur të mbështesim procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

Publikuar

nga

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka propozuar që t’u bëjë konak Kosovës dhe Serbisë, në raundin e ri të bisedimeve.

Abazoviq ka thënë se mbështetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Klankosova.tv.

”Personalisht, do të doja të zgjeroja ofertën time, nëse ka ndonjë raund të ri bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i pritur në Mal të Zi”.

“Si një komb që dëshiron të dëshmojë se vendet tona fqinje arrijnë një marrëveshje të kënaqshme, ne jemi të përgatitur të kontribuojmë dhe mbështesim procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Abazoviq në një intervistë për The Pavlovic Today, transmeton Klankosova.tv.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet tona fqinje dhe jemi të etur për të ndihmuar në çdo mënyrë që mundemi, duke përfshirë mbështetjen logjistike”, pohoi ai.

Abazoviq theksoi se propozimi evropian paraqitet një zgjidhje të mirë si për Kosovën ashtu edhe Serbinë.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por personalisht besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që është fitimprurëse edhe për Serbinë edhe për Kosovën”, ka thënë ai.

“Kjo është rruga që rajoni duhet të ndjekë. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, pasi të plotësohen të gjitha kriteret, anëtarësimi në Bashkimin Evropian si synimi final për të gjithë rajonin”.

Abazovic beson se “gjëja më e rëndësishme” për Marrëveshjen Serbi-Kosovë është që të zbatohet.

“Por në mënyrë që kjo të ndodhë, ata duhet të shkojnë në të njëjtën faqe dhe t’i përmbahen asaj për të cilën kanë rënë dakord. Unë nuk jam ithtar i një ideje ku palët nënshkruajnë diçka pa e ndjekur zbatimin. Kjo nuk ka funksionuar shumë mirë në të kaluarën. Pjesa më e rëndësishme është të siguroheni që ajo për të cilën ata bien dakord të zbatohet në praktikë”, u shpreh Abazoviq.

Ai theksoi nevojën që Serbia dhe Kosova të respektojnë dispozitat specifike të aneksit të zbatimit, duke përfshirë ato të Serbisë që nuk bllokon pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe Kosova të themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara