Lajmet

​Ahmeti: Ka suksese në diplomacinë e jashtme, prioritet është siguria

Duke folur për dialogun, ai akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjes bazë, derisa thotë se prioritet bazë në këtë fazë është siguria e Kosovës.

Published

on

Zëvendësministri i Jashtëm dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë se Kosova ka shënuar sukses në diplomacinë e jashtme gjatë vitit 2023.

Sipas tij, angazhimi është i përditshëm për të siguruar njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të cilat do të fuqizonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ai përmend Greqinë si vend që mund ta njohë Kosovën, pasiqë thekson se raportet mes dy vendeve janë përafruar shumë.

Duke folur për dialogun, ai akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjes bazë, derisa thotë se prioritet bazë në këtë fazë është siguria e Kosovës. Ahmeti thotë se Kosova tashmë është etabluar si realitet në arenën ndërkombëtare, por shton se njohjet e reja nuk mund të vijnë “në valë” siç kanë qenë pas shpalljes së pavarësisë.

“Synimet janë aty, angazhimi është i përditshëm në këtë drejtim. Është e qartë se njohjet e reja ka vite që tregojnë se nuk mund të vijnë në valë siç kanë ardhur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, për arsye tashmë të ditura, pasi 117 vende veçse e kanë njohur Kosovës. Ka zhvillime në një numër të vendeve, veçmas të këtyre të Bashkimit Evropian, katër prej të cilave janë edhe anëtare të NATO-s. Duke prioritizuar këto sepse edhe synimet multilaterale kanë për prioritet BE-në dhe NATO-n. Me Greqinë kemi pasur zhvillimin më të theksuar, kur kemi ngritur statusin e zyrës sonë në Athinë nga një zyrë për çështje ekonomike në një zyrë për çështje të interesave për Kosovën”, thekson zëvendësministri Ahmeti.

Krahas kësaj, Ahmeti është optimist se në vitin 2024 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ai deklaron se raporti i juristëve eminent të KiE-së për Kosovës ka qenë pozitive dhe se s’ka asnjë kushtëzim sa i përket dialogut me Serbinë.

Diplomati Ahmeti e sheh të nevojshme që sa më shpejt t’i jepet “drita e gjelbër” Kosovës sa i përket marrjes së statusit vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ka qenë një raport i mirë për procesin e anëtarësimit. Është bërë një hap i rëndësishëm me të, pasi detyra e juristëve eminentë ka qenë t’i japin përgjigje pyetjes se: sistemi ligjor i Kosovës a është në nivelin e standardeve të Këshillit të Evropës? Përgjigjja është e qartë te përfundimet e raportit, se është dhe për më tepër tejkalon standardet ndërkombëtare…Një pjesë e rekomandimeve si duket nuk kanë pasur informacionin e duhur se ne qëndrojmë më mirë sesa çfarë rekomandohet aty. Tash nga institucionet që janë pjesë e grupit koordinues po i marrim imputet po e ndërtojmë një dokument, të cilin do ta ndajmë me Këshillin e Evropës, në mënyrë që të kemi parasysh se ku qëndron Kosova në këtë çështje. Nuk ka asnjë kriter për anëtarësim deri në raportin e juristëve eminentë, pasi ky është një element i rëndësishëm… Nuk mund të jap zotim, pasi Këshilli i Evropës nuk parasheh afate brenda procedurave të brendshme dhe kjo është vështirë të ketë parashikim të saktë. Por lëvizje jam i bindur se do të ketë”, shton Ahmeti.

Megjithatë ai kritikon Bashkimin Evropian për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat sipas tij po e dëmtojnë vendin dhe po japin sinjal të gabuar për tërë rajonin.

“Fatkeqësisht po. Masat, të cilat janë plotësisht të padrejta dhe që nuk i kontribuojnë stabilitetit në rajon. Janë masa kundër një vendi që është më demokratiku në rajon, i pari për sundimin e ligjit, i pari për reformat në drejtësi në përputhje me Komisionin e Venecias. Vendi, i cili edhe pse i fundit në kuptimin formal të procesit të anëtarësimit në BE, kemi adaptuar të gjitha pakot e sanksioneve duke përfshirë këto kundër Bjellorusisë dhe Rusisë”, deklaron ai.

Në anën tjetër, Ahmeti thotë se tashmë kanë ndryshuar rrethanat sa i përket draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, pas deklarimit të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti është i gatshëm të bëjë një draft të asociacionit, në bashkëpunim me ministrat relevantë.

“Kjo erdhi si ndryshim i qasjes nga emisari Lajçak. Ta kemi parasysh se Kurti reagoi pas një interviste të Lajçak, ku tha se kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Kjo e ndryshoi kontekstin dhe rrethanat plotësisht, pasi deri në atë pikë ka qenë çështje e dialogut dhe është shprehur gatishmëria që kjo të bëhet, derisa tash kanë ndryshuar rrethanat dhe të bëhet brenda Kosovës me ministrat relevantë. Por gjithmonë në kontekstin që dihet se siguria është prioriteti kryesor sot”, thotë Ahmeti.

Ndërkaq paralajmëron se grupet terroriste serbe po vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera eventuale ndaj Kosovës.

“Ky sulm ka qenë akti më i qartë i asaj që e kemi treguar tash e sa kohë për qasjen e Serbisë, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe rajonit. Ka qenë pa asnjë dilemë se kush qëndron prapa atij sulmi edhe për shkak të fakteve që janë bërë publike nga institucioneve të sigurisë së Kosovës, por edhe për shkak të shpërndarjes dhe argumentimit që është bërë nga shërbimi jonë diplomatik dhe krerët e shtetit te vendet të tjera… Atje po vazhdojnë përgatitjet e grupeve terroriste për sulme të tjera eventuale në të ardhmen e afërt”, përfundon Ahmeti.

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara