Lajmet

Supremja ia zbut dënimin ish-policit për vrasjen e punëtorit të kazinosë në Suharekë

Gjykata Supreme vendosi që të dënuarit t’i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 vitesh.

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të akuzuarit Shefki Spahiu dhe ka ndryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-policit Shefki Spahiu, i dënuar për vrasje të rëndë duke ia shndërruar në 25 vite burgim.

Sipas vendimit të Supremes, kolegji i Gjykatës Supreme i kryesuar nga gjykatësja Mejreme Memaj është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren PKR.nr.41/2019 të datës 24.09.2020, aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.05/2021 i datës 16.02.2021 dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës PA.II.nr.2/2021 i datës 20.05.2021, përkitazi me vendimin për dënimin ashtu që për veprat penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.4 të KPRK dhe manipulimi me prova nga neni 397 par.1 të KPRK për të cilat është shpallur fajtor Shefki Spahiu i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 17.03.2019 e tutje.

Në një vendim të po kësaj Gjykate më herët, ishte vendosur që të lihet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm ndaj ish-policit për vrasjen e punëtorit të kazinosë në Suharekë duke ndryshuar aktgjykimet në fjalë përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë, ashtu që këtë vepër penale juridikisht e ka cilësuar si vepër penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.4 të KPRK

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte paraqitur mbrojtësi i të dënuarit, avokati Emrush Kastrati nga Prishtina, për shkak të shkeljes së ligjit penal, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, me propozim që të anulohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes në kuptim të dispozitës së nenit 435 par.1 lidhur me nenin 436 par.1 të KPPK, vlerësoi pretendimet nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe konstatoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është pjesërisht e bazuar.

Gjykata Supreme sa i përket shkeljes së ligjit penal, vendosi se është bërë në dëm të të dënuarit pasi që gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosjes për llojin dhe lartësinë e dënimit ka marrë për bazë vetëm rrethanat rënduese dhe disa prej tyre gabimisht i ka cilësuar si të tilla. Njëra prej rrethanave rënduese, sipas gjykatës, ka qenë vetëkënaqësia e të dënuarit me rastin e kryerjes së veprës penale. Po ashtu rrethanat tjera të cilat gabimisht janë vlerësuar si rënduese janë se në kohën e kryerjes së veprës penale i dënuari ka qenë pjesëtar i policisë, sepse në atë moment ai nuk ka qenë në detyrë dhe fakti se ka manipuluar me prova duke tentuar që ti fsheh, sepse këto janë elemente të veprës tjetër penale për të cilën është gjykuar me të njëjtin aktgjykim. Gjykata e shkallës së dytë dhe të tretë nuk i kanë evituar këto shkelje.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate nuk është vërtetuar se i dënuari veprën penale e ka kryer nga “vetëkënaqësia” dhe nuk është e qartë se çka është nënkuptuar me këtë termë. Edhe pse gjykata e shkallës së parë rrethanat tjera të cekura më lartë, shprehimisht nuk i ka cilësuar si rrethana rënduese por vetëm i ka vlerësuar, ato nuk kanë mundur të kenë ndikim aq të theksuar në shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, sepse fakti se viktima ka qenë e pambrojtur është element cilësues i veprës penale për të cilën i dënuari është shpallur fajtor, shkatërrimi i provave nuk paraqet “sjellje të dënuarit pas kryerjes së veprës penale” sepse është vepër e veçantë për të cilën ai po ashtu është gjykuar, e fjala është për manipulim me provat.”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Tutje, për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 par.1.4 të KPRK ligji e ka paraparë dënimin me burgim të përjetshëm, andaj kushti i parë është i plotësuar.

Kushtet tjera të cilat ligji i parasheh për shqiptimin e këtij dënimi janë që vepra penale të jetë kryer në rrethana veçanërisht të rënda ose që vepra penale të ketë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

Në rastin konkret, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, nuk behët fjalë për rrethana “veçanërisht të rënda” nën të cilat është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë. Ardhja e të dënuarit në kazino kinse për të kërkuar një telefon, veprimi i papritur i shtënies nga revolja në tani të ndjerin në momentin kur ai këtë nuk e ka pritur, nuk i ka dhënë shkas të dënuarit për veprimin e këtillë, paraprakisht e ka shërbyer me ujë dhe kafe, ka qenë i ulur duke e shikuar telefonin, tregojnë për vepra penale është kryer në mënyrë dinake, që dallon nga vepra penale e vrasjes nga neni 178 të KPRK, gjegjësisht është një vrasje e cilësuar. Megjithatë, rrethanat të cilat ceken në nenin 44 të KPK duhet jenë edhe më të rënda, më rënduese-“veçanërisht të rënda” për te veçuar rastin nga rastet tjera me të njëjtin kualifikim ligjor dhe për të arsyetuar shqiptimin e dënimit më të rëndë

Nga këto arsye gjykata Supreme gjeti se në rastin konkret është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm edhe pse nuk janë plotësuar kushtet nga neni 44. të KPK dhe në dëm të dënuarit është bërë shkelje e ligjit penal nga neni 385.pika 4.të KPPK ashtu që vendosi që me aprovimin e kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë aktgjykimet të ndryshohen në pikëpamje të vendimit për dënimin.

Gjykata Supreme vendosi që të dënuarit t’i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vitesh sipas nenit 45 të KPPK për veprën penale vrasje e rënd nga neni 179 par.1 pika 4 të KPRK.

Gjykata, nuk mori parasysh pretendimet për shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale duke shtuar se vlerësimi i provave të administruara në shqyrtimin kryesor dhe seancat të shkallës së dytë dhe të tretë, është bërë veç e veç, por edhe në lidhmëni njëra me tjetrën andaj nuk ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e po ashtu edhe çështja e shëndetit mendor, dashjes dhe qëllimit të të dënuarit, siç del nga aktgjykimi i shkallës së parë, por edhe nga aktgjykimet tjera që kundërshtohen, rezulton se janë trajtuar dhe për ato është dhënë arsyetimi ligjor.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 24 shtator 2020 Shefki Spahiun e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërsa më 2 prill 2021, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Spahiut dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 31 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren me arsyetimin se zyrtari policor Shefki Spahiu, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, me dashje dhe në mënyrë dinake privon nga jeta punëtorin e kazinosë, Jetmir Aliaj.

Sipas aktit akuzues, Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, Spahiu akuzohej se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat, me qëllim të pa mundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit, duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinosë, ku pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Taplluha, në dalje të fshatit Neprebisht të Komunës së Suharekës./BetimipërDrejtësi

Lajmet

​Protestat në Serbi, studentët marshojnë drejt Kragujevcit

Published

on

By

Kolonat e studentëve, të cilët prej ditësh ecin nga tri drejtime në Serbi, po i afrohen Kragujevcit, ku të shtunën do të mbahet protesta e madhe “Takohemi në Sretenje”.

Sipas planit, studentët pritet të mbërrijnë në Kragujevc sonte rreth orës 19:30, ku qytetarët po përgatisin një pritje madhështore në Sheshin e Lirisë.

Pas disa ditësh ecjeje dhe qindra kilometrash të përshkuar, studentët kanë pësuar flluska dhe dhimbje të shumta në këmbë, por thonë se nuk do të heqin dorë nga synimi për t’iu bashkuar kolegëve të tyre në Kragujevc, të cilët po përgatisin një protestë dhe aktivitete gjithëditore më 15 shkurt.

Sot në mëngjes studentët kanë vazhduar rrugën për në Kragujevc nga tri drejtime – Jagodina, Kniqa dhe fshati Çumiq, ndërsa disa të tjerë që janë nisur me biçikleta drejt Kragujevcit po vazhdojnë rrugën nga Smedereva ku kanë kaluar natën. Maturantët e Smederevës ua dorëzuan çelësin e qytetit.

Gjithashtu, të premten në mëngjes, një grup qytetarësh u mblodhën para tempullit të Shën Savës në Beograd për të drejtuar një lloj maratonë stafete në Kragujevc me qëllim që t’ua kthejnë stafetën kolegëve të tyre nga ai qytet, të cilën ua kishin dorëzuar më parë.

Një grup studentësh që u larguan nga Nishi e kaluan natën në Jagodinë në Fakultetin Pedagogjik dhe kanë ende rreth 40 kilometra për të udhëtuar deri në Kragujevc.

Ky do të jetë turneu i tyre më i vështirë, duke pasur parasysh ngjitjet e mëdha që kanë përpara. Në atë grup janë rreth 160 studentë dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë me vonesë në krahasim me planin e dakorduar të mbërritjes në Kragujevc.

Në të njëjtën kohë, një grup studentësh të cilët u nisën nga Novi Pazari, Rashka, Uzhica, Çaçaku, Kraljeva dhe Gornji Milanovac, kaluan natën në Kniq dhe vazhduan udhëtimin e tyre drejt Kragujevcit këtë mëngjes.

Në të njëjtën kohë, qytetarët po përgatisin ushqim dhe pije për ta, në mënyrë që nxënësit të durojnë dhe ta bëjnë sa më të lehtë udhëtimin për në Kragujevc.

Po ashtu, sot në Nish po mbahet një protestë para Gjykatës Themelore. Ashtu si ditët e mëparshme, të premten, shumë qytete në Serbi mbajtën një heshtje 15-minutëshe në nderim të 15 personave që humbën jetën kur një tendë u shemb në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Continue Reading

Lajmet

​Arratiset një person nga Pallati i Drejtësisë

Published

on

By

Një person me inicialet L.H., i dyshuar për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje, është arratisur sot nga Pallati i Drejtësisë, pasi i është caktuar masa e paraburgimit.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar lajmin për KosovaPress.

Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H. ka marrë informacion se i njëjti pasi ka pranuar aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur t’i ikë Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë kompetentë për ta siguruar rastin”, ka thënë ajo.

Gashi ka thënë se arratisja e të dyshuarit në rastin konkret, nuk mbetet në përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura procedurale.

Kujtojmë, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës një muaj paraburgim ndaj të pandehurit L.H.

Tash për tash nuk dihet nëse policia ka arritur ta arrestojë personin e arratisur.

Continue Reading

Lajmet

AVONET fajëson KQZ-në, ia numëron dështimet

Published

on

By

Vonimi i pajustifikueshëm i procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendra Komunale, është vlerësuar si një dështim i drejtpërdrejt i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të zbatuar afatet ligjore. Kështu ka thënë Aolta Bajrami, hulumtuese e rrjetit të organizatave joqeveritare, AVONET.

Nga qendra e numërimit në Komunën e Ferizaj, Bajrami ka theksuar se po ashtu problemet teknike në softuerin zgjedhor që paralizuan procesin, rriten pasigurinë e qytetarëve për besueshmërinë e zgjedhjeve. Derisa sfidë tjetër gjatë monitorimit, ajo ka thënë se është mungesa e trajnimit të komisionerëve.

Në një konferencë për media të premten, Bajrami ka theksuar se nëse vazhdohet me ketë ritëm të vonesave në numërim të votave për deputetë, procesi mund të zgjasë më shumë se një jave.

Ndërsa konsideron se kjo situatë është e papranueshme.

Si AVONET, kemi monitoruar nga afër çdo fazë të zgjedhjeve, duke monitoruar veçanërisht procesin e numërimit të votave në Qendrën Komunale në Ferizaj. Për fat të keq, ajo që kemi parë në terren është shqetësuese dhe kërkon reagim urgjent. Në dy deklarata të mëparshme, kemi ngritur alarmin për vonimin e pajustifikueshëm të fillimit të numërimit, një dështim i drejtpërdrejt i KQZ-së për të zbatuar afatet ligjore. Problemet teknike në softuerin zgjedhor që paralizuar procesin dhe rriten pasigurinë e qytetarëve për besueshmërinë e zgjedhjeve. Monitorimi ynë ka zbuluar po ashtu mungesën e trajnimit të komisionereve dhe stafit të numërimit. Në shumicën e qendrave të monitoruara vëzhguesit tanë kanë raportuar se komisionerët nuk kishin njohuritë bazë për procedurat e numërimit. Ishte e paqartë ndarja e përgjegjësive dhe roleve të tyre, në disa raste vëzhguesit tanë të ndërhynë për të qartësuar rregullat e KQZ-së. Kjo situatë është e papranueshme“, theksoi Bajrami.

Përgjegjësinë kryesore për mungesë të trajnimit të mirëfilltë ajo e ka hedhur te KQZ.

Ndërsa ka shtuar se nëse vazhdohet me këtë ritëm të vonesave në Qendra Komunale të Numërimit, të votave për deputetë, ka thënë se procesi mund të zgjasë më shumë se një javë.

Në Ferizaj, partia qe prin me vota në ketë komunë është Vetëvendosje me rreth 51 për qind, sipas rezultateve të KQZ-së, e pasuar nga PDK me rreth 26 për qind.

Continue Reading

Lajmet

Rutte: Anëtarësimi në NATO nuk i është premtuar kurrë Ukrainës si pjesë e marrëveshjes së paqes

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se anëtarësimi në aleancë nuk i është premtuar kurrë Ukrainës si pjesë e marrëveshjes së paqes.

Kurrë më parë nuk është thënë, madje as në atë deklaratë të samitit të Washingtonit, se kur do të arrihet një marrëveshje e paqes për Ukrainën, se në atë marrëveshje të paqes duhet të jetë NATO, pikë. Nuk është kështu“, u tha Rutte gazetarëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Rutte theksoi se “asnjëherë nuk i është premtuar Ukrainës” që anëtarësimi në NATO “do të jetë pjesë e rezultatit”.

Ai shtoi se gjërat duhet të shkojnë “hap pas hapi” dhe sipas tij, hapi i parë është të vendoset Ukraina në një “pozicion të fortë” dhe të sigurohet një marrëveshje që do të parandalojë presidentin rus, Vladimir Putin, të sulmojë përsëri Ukrainën.

Shefi i aleancës përsëriti se aleatët evropianë duhet të shpenzojnë më shumë. “Është absolutisht e qartë, nëse qëndrojmë me shifrat aktuale, nuk do të arrijmë atje. Ne nuk do të jemi të sigurt për katër apo pesë vjet“, tha ai.

Lidhur me rolin e Evropës në bisedimet e mundshme të paqes, Rutte tha se vendet evropiane tani duhet “të dalin me plane konkrete”.

Së pari, të mbërrij më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Së dyti, duhet më shumë trajnime në Ukrainë“, shtoi ai.

Shefi i NATO-s shprehu gjithashtu “trishtim” për “sulmin e tmerrshëm” të kryer në Mynih, duke shprehur shpresë se “do të jetë e qartë se çfarë ka ndodhur”.

Incidenti ndodhi dje kur një makinë u përplas me një turmë në qendër të qytetit ku anëtarët e një sindikate ishin mbledhur për një demonstratë. Shoferi i makinës, një shtetas afgan 24-vjeçar, u kap menjëherë nga policia në vendngjarje.

Continue Reading

Të kërkuara