Blog
Përfaqësimi politik
Published
3 years agoon
By
Betim GashiNga Altin Ademi
Në parim, të gjithë jemi të përfaqësuar në politikë. Këtë përfaqësim e autorizojmë një herë në katër vite sipas ciklit të rregullt zgjedhor, përjashtuar situatat kur qytetarëve iu imponohet të përcaktohen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por kjo është vetëm përshtypja. Më e madhe se përshtypja është pikëpyetja, se sa realisht jemi të përfaqësuar, si dhe cila anë esencialisht thelbësore e jona, përfaqësohet nga të zgjedhurit tanë?
Kjo për faktin se ajo çfarë rëndom ndodhë në Kosovë në mes të përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve, karakterizohet nga një natyrë krejt tjetër, në raport me atë se çfarë në të vërtetë nënkupton përfaqësimi politik.
Kësaj ngatërrese, tek modeli politik kosovar i kontribuojnë dy elemente. Së pari, për të qenë të përfaqësuar politikisht, duhet të ekzistojë një vetëdije e gjerë rreth çështjeve për çka duam të përfaqësohemi, e cila shpeshherë mungon si e tillë. Së dyti, sepse në filtrat politik, shpesh herë ndodhë që nuk arrijnë të dalin në pah, ata që i përgjigjen përfaqësimit që duam.
Rrjedhimisht, qytetarët janë të përfaqësuar më shumë nga mungesa, sesa nga alternativa. Më shumë nga mos besimi se gjërat mund të ndryshohen, sesa nga besimi se ato ndryshohen nga përfaqësuesit e tyre. Dhe kjo përbën një të çarë të madhe në besimin ndaj demokracisë.
Ky sindrom, si cikël zakonisht më shumë i atribuohet mazhorancës që është e veshur me kodet e pushtetit, sesa opozitës që kërkon të imponohet si alternativë përballë saj. Në fund të fundit, opozitës i takon fjala e për pozitën flet puna.
Një situate të tillë, krejt natyrshëm i kontribuon edhe mungesa e idesë politike që i përgjigjet formatit politik në të cilën bëjmë pjesë, ngase kërkesat dhe formati duhet të jenë në balanc me njëra-tjetrën. Si pasojë, shpesh herë pritjet e qytetarëve nga pushteti mund të jenë në shpërputhje me rolin e përfaqësuesve të tyre. Kjo bëhet edhe më e komplikuar kur i shtohet fakti se përfaqësuesit politik nuk shquhen për një zell të madh që ta sqarojnë këtë gjë. Madje këtyre të fundit, jo vetëm që iu konvenon paqartësia e pritjeve të qytetarëve, por shpesh herë bëhen edhe autorë me zë të thellimit të këtyre paqartësive.
Por çfarë ndodhë me përfaqësimin? Si mund ta kuptojmë se a jemi, apo deri në ç’masë jemi të përfaqësuar politikisht? Për të kuptuar më mirë se çdo të thotë përfaqësim politik, duhet kuptuar fillimisht katër parakushte, të cilat duhet të përmbushen në mënyrë që përfaqësimi politik të jetë i vërtetë, e pa të cilat, ai nuk është i tillë.
Së pari, është ekzistenca e një “trupi politik” që kërkon të përfaqësohet dhe kjo rëndom i atribuohet qytetarëve. Nuk do shumë hamendje se pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve në vendimmarrje apo “demokracia direkte”, shpesh herë nuk është as e mundur dhe as nuk garanton ndonjë cilësi më të mirë qeverisje sesa “demokracia përfaqësuese”. Prandaj, meqenëse jo të gjithë qytetarët mund të marrin pjesë në vendimmarrje, ata kërkojnë të përfaqësohen nga të zgjedhurit që kanë bindje, vizion e atribute të përafërta me ta.
Së dyti, është ekzistenca e një “strukture politike” që kërkon të na përfaqësojë dhe kjo rëndom i atribuohet partive politike, bashkë me kandidatët individual që veprojnë brenda tyre. Në mos për asgjë tjetër, partitë politike përpiqen të shërbejnë si referenca të mobilizimit rreth rrëfimeve në të cilat qytetarët duan të besojnë, e përmes të cilave duan të materializohen.
Së treti, është ekzistenca e “diçkaje” që përfaqësohet dhe kjo rëndom i atribuohet bindjeve, perspektivave, interesave dhe opinioneve të qytetarëve. Natyrisht se gjithsecili kemi bindje e vetëdije politike. Kemi një mënyrë të menduarit politik rreth strukturës shoqërore dhe se si duhet organizuar ajo. Përputhja e këtyre bindjeve me ato të kandidatëve dhe partive, janë pikërisht anët që na shtyjnë të besojmë tek kandidatët e caktuar apo subjektet e caktuara. Madje ky rrafsh është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse këtu shënohet dallimi themelor mes sferës private që na takon ekskluzivisht neve, me sferën publike që na takon të gjithëve si bashkësi, të cilën duam ta vëmë në jetë, përmes përfaqësuesve tanë të zgjedhur.
Së katërti, është ekzistenca e “ambientit” ku ndodhë përfaqësimi dhe kjo rëndom i atribuohet institucioneve, siç është Kuvendi, qeveria, si dhe organet tjera publike. Përmes përfaqësuesve brenda këtyre institucioneve, qytetarët janë të prirur të kërkojnë dhe të marrin shërbimet për çka kanë besuar dhe investuar me votë, nëse jo direkt për vetën e tyre, natyrisht se për bashkësinë politike si të tillë.
Por këto katër shtylla, kanë formula dhe modele që lidhen me përfaqësimin, ku vënia apo mosvënia e tyre në jetën politike, përcakton shkallën e përfaqësimit të vërtetë politik që iu bëhet qytetarëve.
Formula themelore lidhet me dy cilësi: delegatët dhe të besuarit. Pra, çështja themelore është paqartësia se a zgjedhim delegatë apo të besuar, sepse në mes të këtyre dy koncepteve, ekziston një dallim thelbësor e përmbajtjesor.
Në parim, përfaqësuesit që i përgjigjen konceptit “delegatë”, do të duhej të ndiqnin preferencat konkrete të qytetarëve. Meqenëse nuk mund të presim që gjithmonë do të ketë në garën politike politikanë me një kulturë politike gjithëpërfshirëse që shkon në dobi të të gjithëve, formula e delegimit është mundësi e mirë për të autorizuar përfaqësimin dhe kërkesat e qytetarëve në mënyrë precize. Detyra e përfaqësuesit me këtë rast është që të flasë e të veprojë në përputhje me ato gjëra për të cilat qytetarët e kanë deleguar.
Në anën tjetër, krejt i kundërt është përfaqësimi përmes “të besuarve tanë”. Ne nuk i zgjedhim të besuarit tanë që ata t’i ndjekin preferencat tona, por i zgjedhim për t’i fuqizuar ata, në mënyrë që të marrin vetë dhe në mënyrë të pavarur vendimet, nga të cilat, ne besojmë se do përfitojmë të gjithë dhe gjithë bashkësia politike. Theksi këtu është tek besimi se “të besuarit tanë” kanë afinitet të mirëfilltë për të ndjekur interesin e përgjithshëm, si dhe këtë gjë e bëjnë mirë, me kompetencë e me arsye.
Të dy këto modele përfaqësimi, kanë anët e tyre të mira dhe dobitë e tyre përkatëse. Por ajo çfarë shohim në ambientin tonë politik, është kryqëzimi i tyre në trajtë të zhdrejtë. Përfaqësuesit politik në Kosovë, zakonisht kërkojnë votën në cilësi të delegatit, sepse në mungesë të një ideje politike, depertojnë më lehtë me anë të premtimeve për të lehtësuar sfidat e qytetarëve. Megjithatë, ata “shndërrohen” në “të besuar” sapo marrin mandatin, duke e çliruar vetën nga përgjegjësia e delegimit dhe duke ndjekur preferencat e veta.
Kështu ndodhë që qytetarët të përfundojnë duke ndjekur paraqitjet publike të përfaqësuesve, pa i dëgjuar kërkesat e tyre direkte si dhe pa qenë të sigurt se veprimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve janë në të vërtetë në linje me atë çka besojnë qytetarët që i kanë zgjedhur.
Defekti me këtë mënyrë të të konceptuarit të rolit përfaqësues, shkakton defekte zingjirore të raportit politik “zgjedhës dhe të zgjedhur”. Në mes tjerash, zhvlerëson debatin, argumentin dhe nevojën, duke i dhënë avantazh konfrontimit, paragjykimit dhe paraqitjes.
Thënë në përgjithësi, ajo çfarë karakterizon sjelljen e përfaqësuesve të qytetarëve në institucione në Kosovë, në një rend të mirëfilltë politik do të ishte përjashtim, përderisa këtu është e vazhdon të jetë modë.
Për të mos mbetur borxh, përfaqësimi i mirëfilltë politik është thelbi i demokracisë në të cilën bëjmë pjesë. Ai përveç se është formalisht si i tillë, ka edhe shumë anë të tjera domethënëse që përfaqësuesit e qytetarëve duhet t’i fusin në fjalorin e gjuhës dhe të të menduarit të tyre politik.
Në mes tjerash, përfaqësimi lidhet edhe me anën simbolike, që nënkupton mënyrën se si përfaqësuesi i prezanton të përfaqësuarit. Ai lidhet edhe me anën përshkruese, që nënkupton përshkrimin e saktë të nevojave dhe kauzave të atyre që kanë mandatuar përfaqësuesin. Është po ashtu përfaqësim përmbajtjesor që nënkupton aktivitetin dhe veprimet e përfaqësuesit në emër dhe për interes të atyre që përfaqëson, si një agjens ndërlidhës i tyre. Mbi të gjitha, përfaqësimi politik ka të bëjë me jetën e asociuar, e cila përfshinë çështjet tematike me rëndësi për komunitetin, shoqërinë, grupet e interesit dhe lëvizjet shoqërore.
Rrjedhimisht, përfaqësimi politik në një rend demokratik është interpretim, formulim e argumentim për zgjidhjen e çështjeve që preokupojnë mënyrën e përbashkët të jetesës. Si i tillë, ai është jo veç standard formal por edhe diskurs transformues me efekt real në përditshmëri.
Një përfaqësim i tillë në Kosovë, nuk është se nuk ekziston në nuanca, por është ende shumë larg si standard, aq i nevojshëm e i domosdoshëm për të mirëmbajtur një rend të mirëfilltë politik e demokratik.
You may like
Blog
Mahmuti: Kërkesa për t’i “dhënë diçka Serbisë”, kërkesë për t’i kënaqur ata që kryen gjenocid në Kosovë
Published
3 years agoon
June 24, 2021By
Betim GashiNga Bardhyl Mehmeti
Në prag të takimit të paraparë për muajin korrik ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë, përfaqësuesit e Serbisë dhe argatët e tyre në Kosovë gjithnjë e më tepër përsërisin se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova duhet të jep diçka sepse, sipas kësaj logjike, “Serbia nuk mund të humbë çdo gjë dhe se asaj duhet t’i jepet diçka nga Kosova”.
Aleksandar Vuçiqit, Ivica Daçiqit, Aleksandar Vulinit dhe të gjithë atyre që mendojnë si ata, u themi se që nga okupimi i Kosovës nga Serbia, populli shqiptar i Kosovës KA DHËNË:
– Qindra mijëra viktima shqiptare gjatë realizimit të spastrimit etnik të territoreve të Sanxhakut të Nishit dhe të Kosovës Verilindore.
– Dhjetëra mijëra shqiptarë të vrarë dhe qindra mijëra të tjerë të dëbuar për në Turqi në periudhën pas luftërave botërore;
Vetëm gjatë luftës 1998-1999, kur u zbatua politika e gjenocidit të shtetit serb mbi popullin shqiptar, KOSOVA KA DHËNË:
– 1392 fëmijë të vrarë;
– 1739 gra të vrara;
– Mbi 10 mijë civilë tjerë të vrarë të të gjitha moshave dhe të dy gjinive;
– Mbi 20 mijë gra të përdhunuara seksualisht;
– Mbi 1 milion njerëz të dëbuar me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës;
– Shkatërrimin e 100589 shtëpive të shqiptarëve;
– Shkatërrimin e 358 objekteve shkollore shqipe;
– Shkatërrimin e 30 shtëpive kulturore shqiptare;
– Shkatërrimin e 93 bibliotekave në vendbanimet shqiptare;
– Shkatërrimin e 123 institucioneve shëndetësore;
– Shkatërrimin e 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike).
Për pavarësinë e vet, Kosova ka dhënë shumë gjak dhe sakrifica dhe nuk ka çka jep asgjë më shumë. Përkundrazi, në kontekst të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore:
– Serbia DUHET TË JEP LLOGARI PËR GJENOCIDIN QË KREU NË KOSOVË!
– Serbia duhet t’i jep drejtësisë ndërkombëtare tërësinë e njerëzve të zinxhirit që kreu këtë gjenocid;
– Serbia duhet të ndriçojë fatin e mbi 1600 njerëzve që janë zhdukur gjatë procesit të fshehjes së gjurmëve të gjenocidit;
Prandaj, kërkesa për t’i “dhënë diçka Serbisë” që të na njohë pavarësinë e shtetit tonë, që shpesh ambalazhohet “si kompromis që Kosova duhet të bëjë”, është kërkesë për të kënaqur ata që kryen gjenocid në Kosovë.
Aleksandar Vuçiqit, Ivica Daçiqit, Aleksandar Vulinit dhe të gjithë atyre që mendojnë si ta, qofshin në Kosovë apo gjetiu, u themi se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është çështje politike, që varet edhe nga vullneti i saj. Ndërsa pranimi i krimit të gjenocidit në Kosovë është çështje e drejtësisë dhe duhet t’i imponohet Serbisë!
Blog
Transformimi dixhital në administratën publike, mundësi e madhe për shtetet e vogla si Kosova
Published
3 years agoon
May 27, 2021By
Betim GashiNga Blerton Abazi, profesor i Sistemeve të Informacionit
Zhvillimet më të mëdha teknologjike dhe transformimet dixhitale kanë nisur në shtetet e vogla sepse kompleksiteti është më i vogël. Kosova, ka potencialin e të rinjve profesionistë, kompanive që ofrojnë shërbime në gjithë botën për t’u bërë shembull i rajonit në procesin e dixhitalizimit. Këta të rinj dhe këto kompani, janë të gatshme për të kontribuar, mirëpo hapin e parë duhet ta bëjë qeveria.
Dixhitalizimi i shërbimeve publike, nënkupton lehtësimin e procedurave për marrjen e shërbimeve për qytetarët, duke larguar radhët e gjatë të sporteleve dhe duke i zëvendësuar ato me një proces më të lehtë dhe më afër qytetarit. I gjithë ky modernizim i infrastrukturës, ndryshe njihet edhe si “tranformim dixhital”, në këtë rast i shërbimeve dhe administratës publike.
Tema e “transformimit dixhital” ka kohë që ka arritur në sektorin privat, duke bërë që kompanitë të përfitojnë nga risitë dixhitale dhe t’i integrojnë ato në strategjinë e tyre të veprimit në mënyrë që të qëndrojnë konkuruese. Sidoqoftë, presioni po rritet gjithashtu mbi sektorin publik, i cili nuk ka më mundësi të qëndrojë në mënyra të vjetra dhe klasike të ofrimit të shërbimeve si dhe të mbyllë sytë ndaj ndryshimeve dixhitale. Në vend të kësaj, edhe ata duhet të mësojnë të përfitojnë nga teknologjitë e reja, veçanërisht për ta bërë shërbimet e tyre administrative më efikase. Në Kosovë, përkundër që kemi një rritje të përdorimit të shërbimeve dixhitale nga qytetarët, e kjo rritje është më e dukshme gjatë dy viteve të fundit e ndikuar nga pandemia, megjithatë ne ende ballafaqohemi me mungesën e një sistemi të ndërlidhur që do të mundësonte interoperabilitetin e shumë sistemeve.
Për vendet e zhvilluara transformimi dixhital është një çështje e përhershme në fushën e administratës publike dhe e cila ka filluar shumë më herët. Vende të vogla si Estonia, janë rast të suksesshme të implementimit. Përderisa sektori publik është i përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve, sot ata presin shërbime komode dhe të personalizuara dhe kjo lë të kuptojë se nuk është e mjaftueshme vetëm hartimi i proceseve ekzistuese apo edhe rregulloreve të shkruara, por nevojitet një veprim konkret dhe i prekshëm nga qytetarët. Përkundër kësaj, shtete të njohura ende kanë mungesë të funksionimit të plotë të këtyre shërbimeve, siç është Gjermania e cila konsiderohet se ka një nivel mesatar deri të ulët për sa i përket depërtimit dhe dixhitalizimit në krahasim me vendet e tjera të Evropës. Kjo e vendos atë në kategorinë e qeverisjes elektronike jo të konsoliduar. Me fjalë të tjera, ka ende shumë hapësirë për të përmirësuar e-qeverisjen dhe për të përdorur shërbimet e mundshme të TIK-ut në administratë publike. Kjo na kujton edhe nevojën se tranformimi dixhital nënkupton edhe ridizajnimin e shumë proceseve dhe procedurave të vendosura duke përfshirë edhe kulturën e punës gjatë ofrimit të shërbimit.
Për dallim nga përparësitë që sektori privat posedon dhe pavarësinë e veprimit, tek administrata publike megjithatë ekzistojnë disa sfida, por të cilat janë të tejkalueshme. Një raport evropian tregon se deri në vitin 2025 mbi 75% e popullatës do të krijojë një llojë varësie nga proceset dixhitale dhe sfida e parë është se kjo gjeneratë nuk mund të frymëzohet nga proceset byrokratike që marrin kohë, janë të ngadaltë dhe procese jo të shpejta për shërbimin civil. Një nga sfidat e përhershme në shërbimet dixhitale mbetet mbrojtja e të dhënave dhe elementet e tjera të sigurisë.
Shqetësimi për mekanzimin e mbrojtjes së të dhënave është evidentë dhe një nga elementet që në shumë vende të vogla si Kosova e stagnon procesin e dixhitalizimit. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që t’i kushtohet vëmendje e veçantë respektimit strikt të standardeve dhe mekanzimave ligjorë të mbrojtjes së të dhënave qoftë ato kombëtare apo ndërkombëtare. Në këtë pikë, Kosova për momentin ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale e ka në lexim, strategjia kombetare për siguri kibernetike është e skaduar, ndër ligji për siguri kibernetike është ende i pa miratuar, dhe këto janë vetëm disa nga problemet fillestare që mund të ballafaqohemi.
Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe kostoja buxhetore që nevojitet për integrimin e një infrastrukture kaq komplekse. Procesi i migrimit të sistemeve ekzistuese edhe pse është i mundur, shpesh përceptohet si një proces i rëndë dhe me kosto të lartë financiare dhe i cili kërkon kohë të mjaftueshme.
Pothuajse në të gjitha vendet, sektori publik konsiderohet si një sektor në të cilin mungon e menduara dixhitale sepse institucionet publike karakterizohen nga një model administrativ kompleks dhe shpesh i ngadaltë, i shoqëruar nga një burokraci e lartë, prandaj ekziston rreziku që përpjekjet e dixhitalizimit të pengohen nga proceset e punës. Institucioneve më të vogla publike gjithashtu shpesh u mungon njohuria dixhitale, ndërsa institucionet më të mëdha gjithnjë e më shumë hamendësohen për nevojat teknologjike.
Futja e teknologjive të reja mund të ndihmojë në modernizimin dhe përshpejtimin e proceseve brenda institucioneve publike dhe në mënyrë të konsiderueshme të zvogëlojë përdorimin e letrës dhe mbledhjen manuale të të dhënave.
Sfidat kryesore që përshkruajnë një transformim të suksesshëm dixhital në sektorin publik janë:
- Ofrimi dixhital i shërbimeve të orientuara drejt qytetarëve, siç janë ankesat e qytetarëve
- Shfrytëzimi i teknologjisë dixhitale për të përmirësuar proceset punës dhe të menaxhimit
- Implementimi i një infrastrukture fleksibile, të sigurt dhe të mbrojtur
- Trajnimi dhe zhvillimi i shërbyesve civil brenda institucioneve publike
Së fundmi, mundësitë e ofruara nga dixhitalizimi janë më të mëdha se barrierat dhe nuk ka asnjë mënyrë që sektori publik të merret intensivisht me zbatimin e teknologjive të reja. Është e rëndësishme që niveli i menaxhimit në këtë pikë të jetë një rol motivues për pjesën tjetër të stafit civil dhe të jetë pozitiv në lidhje me futjen e teknologjive të reja dixhitale.
Meqenëse sektori publik është kryesisht një ndjekës i trendeve dixhitale, ai mund të mësojë nga gabimet e implementuesve të mëhershëm dhe të përfitojë nga praktikat e tyre më të mira.
Edhe pse në rastin e Kosovës, administrata publike vetëm ka bërë hapat e parë të transformimit, megjithatë ka ende një rrugë të gjatë për të mbuluar gjithë sektorin publik. Sistemet dixhitale të institucioneve publike në Kosovë, për momentin gjenden me një strukturë të decentralizuar dhe mungesa e një mekanizmi monitorues dhe kontrollues është evident. Si rezultat i kësaj, në 2-3 vitet e fundit disa nga këto platforma kanë qenë cak i sulmeve të ndryshme kibernetike apo vetë keqpërdorimit të autorizimeve nga brenda sistemi.
Disa nga hapat urgjent që agjensinet përkatëse dhe ministritë relevante në Kosovë duhet të ndërmarrin janë:
- Auditim i plotë i të gjitha platformave dixhitale që institucionet përdorin
- Identifikimi i të gjitha sistemeve dhe uebfaqeve që janë jashtë domenit qeveritar
- Përputhshmëria e sigurisë së sistemeve me kërkesa dhe standardet institucionave (nëse ka të tilla)
- Implementimi i mekanizmave, standardeve dhe rregulloreve ndërkombëtare mbi menaxhimin e sigurisë së të dhënave
- Krjimi i strategjisë zhvillimore për projektet softëerike brenda institucioneve dhe vendosja e parametrave bazë të përputshërisë sistemore
- Krijimi i strategjisë konkrete të TIK për sektorin publik, i cili tani duhet të fillojë zbatimin e teknologjive të reja, intelegjencës artificale, internet of things, AR/VR për projektet e ndryshme softëerike brenda institucioneve si dhe të përcjellë trendet e ndryshimeve duke i përshtatur këto parametra me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Këto mund të jenë vetëm hapat e parë fillestarë që do të mund të orientonin transformimin dixhital drejt një ekosistemi të sigurt për ofrimin e shërbimeve dixhitale.
Blog
Si vendosin kur keni shumë zgjedhje në dispozicion?
Published
4 years agoon
April 15, 2021By
Betim GashiËshtë një gjë të vendosësh midis 2 ose 3 ushqimeve të gatshme në shtëpinë e një shoku. Por çfarë bëjnë njerëzit kur përballen me një makinetë që u ofron 36 mundësi të ndryshme?
Nga Jeff Grabmeier
Një studim i ri që përdor teknologjinë e vëzhgimit të syve, sugjeron se sasia e kohës që kalojnë njerëzit duke parë sende të veçanta, mund t’i ndihmojë në të vërtet ata që të vendosin.
Gjetjet e studimit treguan se njerëzit kishin tendencën të zgjidhnin ushqimet të cilat i kishin parë më gjatë, ndonjëherë edhe mbi ushqimet që zakonisht i vlerësojnë më shumë. “Ne mund të kryenim një studim të mirë duke parashikuar atë që do të zgjidhnin njerëzit,bazuar vetëm në vlerësimet e tyre për ushqimet në dispozicion të tyre. Por ne mund të bënim një studim edhe më më të mirë duke llogaritur kohën që ata shihnin secilin nga ushqimet”- thotë Jan Krajbish, bashkëautor i studimit dhe profesor i asociuar i psikologjisë dhe ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos, SHBA.
Por sasia e kohës që kaluan njerëzit duke parë ushqime të veçanta,nuk është e gjithë historia se si vendosin njerëzit kur kanë shumë alternativa, thekson Krajbish. “Është pak më e komplikuar se kaq”-tha ai. Krajbish e kreu studimin me autorin kryesor Armin Tomas nga Universiteti Teknik iBerlinit dhe Feliks Molter nga Universiteti i Berlinit.
Kërkimi u botua këtë javë në revistën “eLife”. Studimi përfshiu 49 njerëz që thanë se ishin adhurues të ushqimeve të gatshme dhe që ranë dakord të agjëronin të paktën 4 orë para studimit, për t’u siguruar që detyra të ishte e rëndësishme për ta.
Në një ekran kompjuteri pjesëmarrësve iu treguan grupe me 9, 16, 25 ose 36 ushqime të ndryshme,duke iu kërkuar që të zgjidhnin se çfarë do të donin të hanin më shumë në fund të eksperimentit. Ata e bënë këtë shumë herë gjatë eksperimentit.
Një gjurmues i syve, regjistroi saktësisht se si silleshin ata ndërsa bënin këto zgjedhje. Pas eksperimenteve, pjesëmarrësit vlerësuan se sa u pëlqyen të gjitha 80 ushqimet që ishin pjesë e studimit. Rezultatet treguan se njerëzit nuk i shihnin me kujdes të gjitha artikujt përpara se të bënin një zgjedhje, apo edhe të shihnin secilin ushqim derisa të gjenin një nga të preferuarit e tyre.
Përkundrazi, ata shihnin përreth në një mënyrë që në shikim të parë dukej e rastësishme, por varej nga vendndodhja fizike e sendeve, si dhe nga sa u pëlqente.“Ekziston procesi i skanimit periferik ku njerëzit mësojnë të shmangin edhe shikimin e drejtpërdrejtë të ushqimeve që nuk u pëlqejnë vërtet”- thotë Krajbish.
“Kjo nuk është diçka që ne e shohim në studime ku pjesëmarrësit kanë vetëm dy alternativa. Kjo ndodh vetëm kur ata kanë shumë mundësi”-shton ai. Një nga teoritë kryesore midis studiuesve është se kur njerëzve u paraqiten shumë zgjedhje, ata skanojnë alternativat derisa të gjejnë diçka që është “mjaft e mirë”, në këtë rast një ushqim që do t’ju shijojë, pavarësisht nëse është apo jo i preferuari i tyre.
Por kjo nuk është ajo që ndodhi, thotë Krajbish. Nëse ky model do të ishte i vërtetë, njerëzit do të hiqnin dorë nga kërkimi sapo të gjenin një ushqim mjaftueshëm të mirë. Por rezultatet treguan se pjesëmarrësit zgjodhën ushqimin e fundit që panë vetëm në rreth 45 për qind të kohës.
Në vend të kësaj, ajo që ndodhte më shpesh ishte se njerëzit shikonin shpesh artikujt, duke shkuar para dhe prapa ndërmjet tyre, derisa një artikull të dallohej nga të tjerët – shpesh ishin ushqimet e gatshme ato që njerëzit shikonin më shumë.“Njerëzit bënë një zgjedhje kur arritën në përfundimin se opsioni më i mirë, ishte mjaftueshëm më i mirë se sa opsioni tjetër shumë më i mirë”- tha ai.
Vendi ku ushqimet shfaqeshin në ekran – majtas apo djathtas, lart apo poshtë – nuk luante shumë rol në vendimmarrjen e njerëzve. Pjesëmarrësit filluan shpesh të shihnin në pjesën e sipërme dhe në të majtë të ekranit, dhe pastaj shihnin nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë – por vetëm në një masë të kufizuar. / “Medical Xpress” – Bota.al
Serbia kërcënon bujqit në Luginën e Preshevës, tenton anulimin e subvencioneve nga Kosova
KRU “Prishtina” njofton për intervenime në disa zona
Dita Botërore e Televizionit
Hashani: 1.3 miliard euro të planifikuara për investime kapitale, nuk u shpenzuan
Sllovakia nderon revolucionin përmes protestave demokratike
Reshjet e dëborës mbulojnë të gjithë Evropën
AAK bojkoton adresimin vjetor të presidentes Osmani
Osmani: Asnjëherë nuk i kam mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve tanë
Suksesi nuk ka të ndalur për Ismajlin, e kërkon edhe një klub i madh italian
Të kërkuara
-
Bota3 weeks ago
Trump premton paqe në Liban nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë
-
Bota3 weeks ago
Koreja e Veriut rrit frikën në botë, lëshon raketën e re balistike ndërkontinentale
-
Lajmet2 months ago
Kurti: Përdhunimi është mjeti që përdori Serbia në Kosovë në mënyrë që të lë pasoja të përhershme në familje
-
Kulturë2 months ago
Marigona Ferati, profesoresha e UBT-së, zëri i artit në jurinë ndërkombëtare në festivalin e teatrove në Oman