Lajmet

Pasojat ekonomike të paqes në Ukrainë

Ende është herët për ta kuptuar se si mund të sigurohet stabiliteti, prosperiteti dhe siguria e Ukrainës së pasluftës

Published

on

Nga Barry Eichengreen

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës nuk tregon asnjë shenjë se është afër fundit. Ndaj është shumë herët të fillojmë të mendojmë se si mund të sigurohet stabiliteti, prosperiteti dhe siguria e Ukrainës së pasluftës. Aktualisht po ndodhin 2 diskutime: njëri për financimin e rindërtimit ekonomik, dhe tjetri për garantimin e sigurisë së jashtme të Ukrainës.

Problemi është se këto diskutime po vazhdojnë të ndara nga njëra-tjetra, edhe pse të dyja këto çështje janë të lidhura ngushtë midis tyre. Kostot e rindërtimit janë ende të paqarta, pasi e tillë është edhe rrjedha e luftës. PBB-ja e Ukrainës para luftës ishte rreth 150 miliardë dollarë.

Duke pasur parasysh raportin kapital-output baras me 3, dhe duke supozuar se 1/3 e stokut të kapitalit do të shkatërrohet, flasim sërish për një shumë prej 150 miliardë dollarësh. Si gjithmonë, supozimet alternative na japin skenarë alternativë. Por shuma prej 150 miliardë dollarësh duket si një pikënisje e arsyeshme.

Dhe ajo nuk është e pamundur të grumbullohet nga donatorët. Pasi është sa 1/6 e programit “NextGenerationEU”, për të cilin shtetet e Bashkimit Evropian ranë dakord në korrikun e vitit 2020. Po ashtu, është 1/12 e madhësisë së Aktit të Planit Amerikan të Shpëtimit të nënshkruar nga Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, në marsin e vitit 2021.

Megjithatë, duket si e gabuar t’u kërkosh Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të ndërtojnë atë që ka shkatërruar Rusia. Prandaj, është joshëse të sugjerohet se rindërtimi i Ukrainës duhet të financohet me përdorimin e aseteve ruse. Me 284 miliardë dollarë, rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, do t’i përshtateshin këtij procesi.

Dhe në fakt ka një arsyetim moral për reparacionet: Rusia nisi një luftë të paprovokuar, dhe është gati e sigurt se ka kryer krime lufte. Por ekziston edhe një argument i bazuar tek strategjia e parandalimit. Siç e tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në Forumin e Davosit të këtij viti: “Nëse agresori humb gjithçka, atëherë patjetër që kjo e privon atë nga motivimi për të filluar një luftë tjetër në të ardhmen”.

Garancitë e sigurisë janë po aq jetike për rimëkëmbjen ekonomike, sa edhe siguria për popullsinë e Ukrainës. Ndihma zyrtare nuk mund ta financojë përherë ekonominë ukrainase, ndaj do të kërkohen investime private. Por investimet e huaja nuk do të shkojnë në Ukrainë,  nëse nuk ka siguri.

Në fakt, as vetë ukrainasit nuk do të investojnë në një situatë të tillë. Perëndimi mund ta forcojë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten, duke i dërguar armë më të fuqishme. Por, për sa kohë që Rusia është e armatosur me armë bërthamore dhe Ukraina jo, ekuilibri strategjik do të anojë gjithnjë në favor të Moskës.

Një garanci sigurie nga ShBA dhe BE, mund ta zbehë avantazhin e Rusisë, por Perëndimi heziton jo pa arsye që të përballet me rreziqet e mundshme. Zgjidhja e vetme e qëndrueshme është që Rusia të pranojë pavarësinë politike dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Dhe dëmshpërblimet janë gjëja e fundit që nevojitet për ta arritur këtë gjë. Pasi ato do të nënkuptonin vështirësi shtesë për një popullsi ruse që po përjeton tashmë shumë vështirësi. Ndërsa ekonomia pritet të bjerë këtë vit me 10-20 për qind, Rusia gjendet në një situatë delikate.

Sigurisht, një qasje shumë e butë ndaj Rusisë në këto momente është e rrezikshme. Dhe Putin nuk duhet që të shpërblehet në asnjë rrethanë për agresionin e tij ndaj Ukrainës. Por ekziston edhe rreziku i kundërt. Rusia duhet ta njohë integritetin politik dhe territorial të Ukrainës. Por ndëshkimi i mëtejshëm gjatë negociatave të paqes, nuk do ta bëjë këtë më të lehtë. Ne duam që qeveritë e ardhshme ruse t’i respektojnë normat ndërkombëtare.

Por evokimi i këtyre normave për të marrë dëmshpërblim nga Rusia, nuk do ta bënte më të mundshme arritjen e kësaj. Ka një analogji të qartë me reparacionet gjermane pas Luftës së Parë Botërore dhe dispozitën e Traktatit të Versajës për fajësinë e luftës.

Me apo pa të drejtë, rusët sot, ashtu si gjermanët atëherë, nuk e shohin veten si përgjegjës të vetëm për luftën. Klauzola e traktatit për fajin e luftës, u dha politikanëve nacionalistë gjermanë arsye për t’u ankuar, duke e shndërruar atë në kauzën kryesore të fushatës së tyre.

Kërkesat financiare të vendeve fituese, u dhanë shkas qeverive gjermane të shpërfillnin dispozitat e traktatit për çarmatimin, dhe ndalimin e krijimit të një bashkimi doganor me Austrinë. Për më tepër, reparacionet e ndërlikuan detyrën e stabilizimit dhe rindërtimit të sistemit ndërkombëtar.

Ekonomisti i famshëm britanik John Maynard Keynes, i parashikoi të gjitha këto, dhe shumë të tjera në librin e tij “Pasojat e parashikueshme ekonomike të paqes”. Por nuk duhet të teprohet me fajësimin e dëmshpërblimeve të pas Luftës së Parë Botërore. Nuk ishin vetëm dëmshpërblimet që shkaktuan Depresionin e Madh.

Dhe nuk ishte vetëm kriza ekonomike në Gjermani, ajo që ngjiti Hitlerin në pushtet më vonë në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Analogjia me rrethanat e sotme, si të gjitha analogjitë historike, është e papërsosur. Megjithatë, kjo përvojë është një histori paralajmëruese.

Ndërkohë, ka edhe argumente të tjera kundër reparacioneve. Kështu është e paqartë ligjshmëria e sekuestrimit të aseteve ruse. Qeveritë perëndimore mund të miratojnë edhe legjislacionin përkatës. Kombet e Bashkuara mund të krijojnë një komision me fuqinë për t’i sekuestruar këto pasuri, edhe pse vende si Kina do të kundërshtonin, duke imagjinuar se një ditë mund të jenë vetë në shënjestër.

Sido që të jetë, sekuestrimi i aseteve ruse në vendet e huaja, do të bëjë që qeveritë e tjera të mendohen dy herë përpara se të investojnë jashtë vendit. Por thelbi është se kërkesa për reparacione do ta bënte më të vështirë që Rusia të bjerë në fund dakord me pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Me një Rusi armiqësore në pragun e saj, Ukraina do ta ketë më të vështirë të jetë e sigurt, dhe aq më pak të ruajë një rritje ekonomike të shëndoshë dhe të qëndrueshme.

Shënim:Barry Eichengreen, profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, dhe ish-këshilltar i politikave në Fondin Monetar Ndërkombëtar./“Project Syndicate” – Bota.al

Lajmet

Termokos njofton konsumatorët: Për shkak të rënies së Bllokut 1, furnizimi me ngrohje me kapacitet të kufizuar

Published

on

By

NP “Termokos” SH.A. njofton konsumatorët se, për shkak të rënies nga funksioni të Bllokut 1 të Termocentralit Kosova B, furnizimi me energji termike, aktualisht, po realizohet me kapacitet të kufizuar.

Kjo situatë ka ndikuar në uljen e cilësisë ngrohjes për disa objekte banesore në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit”.

Por, sipas paralajmërimeve nga KEK-u, Blloku 1 pritet të rikthehet në funksion gjatë ditës së nesërme, gjë që do të mundësojë furnizimin me energji termike me kapacitet maksimal, përkatësisht përmirësimin e plotë të furnizimit me ngrohje.

“Deri në stabilizimin e plotë të furnizimit me ngrohje, NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Orav: Zgjedhjet treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

Published

on

By

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën me ministrin në Detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, ka thënë Orav.

Continue Reading

Aktualitet

Studentët e vitit të parë të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT trajnohen në QuickBooks nga ekspert i fushës

Published

on

By

Studentët e vitit të parë, në kuadër të lëndës Hyrje në Kontabilitetin Financiar në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, nën udhëheqjen e profesorit Mic Ukaj realizuan një ligjëratë praktike mbi aplikimin e softuerëve të kontabilitetit, me ligjërues mysafir Taulant Murati, kontabilist i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në fushën e kontabilitetit, financave dhe auditimit.

Përmes softuerit Quickbooks, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset kryesore të përdorimit të softuerëve te kontabilitetit, duke filluar nga krijimi i politikave kontabël, regjistrimi i klientëve dhe furnitorëve, evidentimi i blerjeve dhe shitjeve, e deri te reflektimi i këtyre transaksioneve në pasqyrat financiare. Ligjërata u karakterizua nga një qasje shumë interaktive, me përfshirje aktive të studentëve në përdorimin praktik të softuerit.

UBT mbetet e përkushtuar në vazhdimin e misionit të saj për të ndërthurur dijen teorike me përvojën praktike, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për të zhvilluar kompetenca profesionale që përputhen me kërkesat e tregut të punës.

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Prof. Dr. Kujtim Thaçi, ka publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare shumë prestigjioze Frontiers in Immunology, e cila renditet në Q1, me Impact Factor 5.9 dhe CiteScore 10.6, si dhe është e indeksuar në Web of Science dhe Scopus.

Artikulli është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Imunologji dhe Sëmundje Inflamatore të Spitalit të Massachusettsit dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Harvardit. Ky bashkëpunim shënon herën e parë të një bashkëpunimi shkencor ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Harvardit dhe UBT-së, duke përfaqësuar një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe komunitetin akademik në Kosovë.

Në këtë artikull shkencor, autorët theksojnë se funksioni i IgE-së dhe efekti i saj sinjalizues përmes receptorëve FcεR shtrihet përtej sëmundjeve klasike atopike, duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në shumë mjedise inflamatore jo-atopike dhe në sëmundjet e ndërmjetësuara nga imuniteti. Një fokus i veçantë i studimit është ndryshimi i glikozilimit në vende specifike të molekulës së IgE-së, ndryshime që mund të ndihmojnë në karakterizimin molekular të sëmundjeve, në stratifikimin e pacientëve dhe në identifikimin e mundësive të reja terapeutike.

Ky hulumtim ka rëndësi të veçantë, pasi shumë strategji imunomoduluese dështojnë për shkak se pacientët, pavarësisht dallimeve molekulare, trajtohen si një grup homogjen. Zgjerimi i kuptimit të biologjisë së IgE-së përtej atopisë kontribuon në riformulimin e konceptit të sëmundjeve inflamatore dhe hap rrugë për ndërhyrje klinike më të targetuara dhe më efektive.

Artikulli i plotë mund të lexohet në linkun zyrtar të revistës Frontiers in Immunology.

Continue Reading

Të kërkuara