Temperaturat e larta në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë kanë bërë që të reduktohet, përkohësisht, orari i punës në dy gjykata.
Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se do të reduktojë orarin e punës nga ora 08:00 deri në 14:00.
Shërbimet administrative do të mbeten funksionale edhe pas orës 14.00, vetëm me staf të kufizuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës, njoftoi gjykata të hënën, më 30 qershor.
“Seancat gjyqësore të cilat janë të caktuara pas orës 14:00, do të zhvillohen sipas orarit të paraparë, përveç rasteve kur gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet e punës nuk e lejojnë mbajtjen e tyre. Stafi i Gjykatës Themelorë në Prishtinë, të cilët janë të diagnostifikuar me sëmundje kronike lirohen nga puna nga ora 12:00”.
Këto masa janë të përkohshme dhe do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke mundësuar zgjatjen apo ndryshimin e tyre, varësisht nga zhvillimet klimatike dhe vlerësimet e menaxhmentit të gjykatës.
Masat e aplikuara do të zgjasin deri më datë 25 korrik, me mundësi rishikimi.
Gjykata tha se këto masa të përkohshme janë ndërmarrë si pasojë e “kushteve të rënduara të punës në objektin e Pallatit të Drejtësisë, temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit, me qëllim të mbrojtës së shëndetit të stafit dhe palëve pjesëmarrëse në procedurë”.
Edhe Gjykata Supreme njoftoi se kryetari Fejzullah Rexhepi, ka vendosur që të reduktohet puna në këtë institucion.
“Gjyqtarët dhe stafi mbështetës me probleme shëndetësore nga mesdita janë liruar nga puna. Këto masa do të rishikohen në vazhdimësi, varësisht nga ndryshimet klimatike dhe sanimi i problemeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, si përgjegjëse për menaxhimin e objektit”.