Lajmet

FOL: Qeveria realizoi vetëm 33% të Planit për Zhvillim, tri ministri nuk u përgjigjën për monitorim

Published

on

Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga monitorimi i zbatimit të aktiviteteve të parapara nga Qeveria në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, për periudhën e parë gjashtë mujore të këtij viti.

Të gjeturat nga ky monitorim sugjerojnë se Qeveria e Kosovës, nga 147 aktivitete të parapara për t’u realizuar në këtë periudhë, ka realizuar vetëm 33% prej tyre, ndërsa 40% e aktiviteteve kanë mbetur të parealizuara.

Drejtoresha e FOL, Mexhide Demolli, ka thënë se për 27% të aktiviteteve kanë munguar të dhënat sepse nuk kanë marrë përgjigje nga tri ministri, ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për këtë, Demolli ka bërë të ditur se FOL ka bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe se janë në pritje të “realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna”.

“Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara t’i realizojë gjatë periudhës janar-qershor 2024 ka arritur t’i realizojë vetëm 49 prej tyre apo 33%. Ndërkaq, 59 aktivitete apo 40% e tyre kanë mbetur të parealizuara”.

“Ndërsa, për 39 aktivitete apo 27%, që i bie totali për tri ministri, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lëvizja FOL nuk ka marrë përgjigje se sa janë realizuar këto aktivitete për periudhën e paraparë gjashtë mujore të këtij viti. Kemi bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe jemi në pritje të realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna”.

“Përveç tri ministrive që nuk janë përgjigjur, i kemi edhe katër ministri që nuk kanë pasur asnjë aktivitet të planifikuar për periudhën e parë të këtij viti, të cilat janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këto ministri, realizimin e aktiviteteve të tyre për Planin Kombëtar e kanë paraparë që ta bëjnë një herë në vit. Nga ajo që kemi mësuar nga gjithë këto vite monitorim është se kjo bëhet për t’i ikur pak raportimit”, ka thënë Demolli.

Ndërsa, monitoruesja Burbuqe Kastrati, bëri të ditur se për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024.

“Mirëpo për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit”, ka thënë ajo.

Sipas rezultateve të nxjerra nga FOL, zbatimi i këtij plani është bërë 81 për qind nga Zyra e Kryeministrit, 60 për qind nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe 39 nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkaq, me 0 për qind të shkallës së zbatimit të këtij plani ishin Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Administrimit dhe Pushtetit Lokal./UBTNews/

Lajmet

Arrestohen tre zyrtarë policorë në Klinë, dyshohen se keqtrajtuan një qytetar gjatë arrestimit

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë njofton se në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjti ishte i prangosur.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit (zyrtarë policorë) janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, thuhet në njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Një ditë më parë, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Klinës.

Në njoftim thuhej se incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike. Në bazë të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, njoftoi IPK-ja.

Continue Reading

Lajmet

Nga 1 Korriku nis patrullimi i përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë

Published

on

By

Në kuadër të sezonit veror dhe rritjes së fluksit të qytetarëve që udhëtojnë nga Kosova drejt Shqipërisë, nga data 1 korrik 2025 do të nisë zyrtarisht patrullimi i përbashkët ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës në territorin shqiptar.

Ky zhvillim vjen pas nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe homologu i tij nga Kosova, Kolonel Gazmend Hoxha.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është forcimi i sigurisë rrugore, menaxhimi më efikas i trafikut në akset kryesore që lidhin të dy vendet, si dhe parandalimi i shkeljeve dhe aksidenteve rrugore gjatë muajve të verës”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Continue Reading

Lajmet

​Osmani do t’i ftojë në takim liderët e partive, kërkon zbatim të aktgjykimit të Kushtetueses

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim, tha për KosovaPress, këshilltari për media, Bekim Kupina.

Ai tha se Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar gjykata.

Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha ai.

Continue Reading

Lajmet

Temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë, dy gjykata reduktojnë orarin e punës

Published

on

By

Temperaturat e larta në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë kanë bërë që të reduktohet, përkohësisht, orari i punës në dy gjykata.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se do të reduktojë orarin e punës nga ora 08:00 deri në 14:00.

Shërbimet administrative do të mbeten funksionale edhe pas orës 14.00, vetëm me staf të kufizuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës, njoftoi gjykata të hënën, më 30 qershor.

Seancat gjyqësore të cilat janë të caktuara pas orës 14:00, do të zhvillohen sipas orarit të paraparë, përveç rasteve kur gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet e punës nuk e lejojnë mbajtjen e tyre. Stafi i Gjykatës Themelorë në Prishtinë, të cilët janë të diagnostifikuar me sëmundje kronike lirohen nga puna nga ora 12:00”.

Këto masa janë të përkohshme dhe do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke mundësuar zgjatjen apo ndryshimin e tyre, varësisht nga zhvillimet klimatike dhe vlerësimet e menaxhmentit të gjykatës.

Masat e aplikuara do të zgjasin deri më datë 25 korrik, me mundësi rishikimi.

Gjykata tha se këto masa të përkohshme janë ndërmarrë si pasojë e “kushteve të rënduara të punës në objektin e Pallatit të Drejtësisë, temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit, me qëllim të mbrojtës së shëndetit të stafit dhe palëve pjesëmarrëse në procedurë”.

Edhe Gjykata Supreme njoftoi se kryetari Fejzullah Rexhepi, ka vendosur që të reduktohet puna në këtë institucion.

“Gjyqtarët dhe stafi mbështetës me probleme shëndetësore nga mesdita janë liruar nga puna. Këto masa do të rishikohen në vazhdimësi, varësisht nga ndryshimet klimatike dhe sanimi i problemeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, si përgjegjëse për menaxhimin e objektit”.

Continue Reading

Të kërkuara